LPK-ja, Lëvizje që artikuloi dhe realizoi kërkesën-aspiratë, “Kosova Republikë”, por që u shua nga brenda II

Fillet e Lëvizjes Popullore të Kosovës, nga aspekti programor bazohen kryesisht në platformën e LRBSH-së së Adem Demaçit, por ideatorët e parë te kësaj lëvizjeje, pas shpërthimit të demonstratave të marsit e prillit të vitit 1981 projektuan një platformë të re në rrethana të caktuara politike e strategjike.  Në muajin Qershor 1981, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi e Nezir Myrtaj me grupin e tyre të fshehtë, (Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës) lëshuan në qarkullim platformën për organizimin e mëtejmë me titull: “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”. Në këto teza jepen argumentet që flasin se Kosovës i takon statusi i Republikës në Federatë, se ajo është e arritshme dhe se populli i Kosovës ka potencial të luftojë për fitimin e saj. (Historiku i LPK-së…)

Këto teza, mendoj se janë bazament i parë i kësaj Lëvizjeje,  e cila në brendinë dhe përmbajtjen e saj ishte Lëvizje popullore, ndërsa në formë, në saje të marrëdhënieve ekzistuese politike e ideologjike si në Shqipëri ashtu edhe në Jugosllavi, ajo thirrej në   të Drejtën e Kombeve për Vetëvendosje, në platformën e ideologjisë marksiste-leniniste, ideologji e cila asokohe ishte shtrirë në dy të tretat e shteteve të botës. Pikërisht këtu qëndron edhe sfida  kryesore, që i bëhej regjimit të kohës, sepse veprimi legal në platformë të ideologjisë kombëtare, do të deformohej si kërkesë nacionaliste, e cila  kishte për qëllim shkatërrimin e Jugosllavisë dhe krijimin e një shteti unik shqiptar.

Mendoj se, në kushtet dhe rrethana, të cilat po i analizojmë, Lëvizja Kombëtare, në një segment mbase dukej se po kamuflohej me petkun marksist-leninist, por realisht ajo mbështetej pikërisht në fondamentin e teorisë marksiste-leniniste, me qëllim për ta realizuar të drejtën e popujve për  Vetëvendosje, për shkaqe strategjike, fillimisht  me krijimin e Kosovës Republikë, në kuadër të republikave të Jugosllavisë Federative.

Pavarësisht këndvështrimeve dhe interpretimeve të ndryshme, nëse studiohet me kujdes  dhe pa ngarkime politike,  platforma e grupeve marksiste leniniste hetohet se çlirimi dhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve dilte përtej internacionalizmit proletar dhe përtej platformave politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare mbi baza dhe parime marksiste.

Kreu i Lëvizjes së fshehtë ( ilegale) në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ishte mjaft i ngritur politikisht dhe me të drejtë mbështetej në programin e Partisë së Punës së Shqipërisë, meqë edhe nuk kishte alternativë tjetër, meqë edhe nuk kishte si të mos mbështetej në Shtetin amë. Mbështetja në grupet e djathta, balliste, zogiste, nacionaliste, në kohën për të cilën po flasim, do të kishte qenë vetëvrasje politike dhe rrezik për ta humbur përkrahjen edhe të Tiranës zyrtare. Nuk duhet harruar faktin se dhe LRBSH-ja, para LPK-së  mbështeste regjimin në Shqipëri, meqë as kishte rrugë tjetër në kushtet dhe rrethanat e caktuara politike e shoqërore.

Në kuadër të LPRK-së duhet trajtuar edhe organizata e quajtur, “Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi”, (PKMLSHJ) e cila identifikohet me veprimtarët, Abdullah Prapashtica, Osman Osmani, e të tjerë, organizatë e pavarur që ishte themeluar qysh në vitin 1978, ndërsa e ideuar edhe më herët. Kjo organizatë madje kishte marrë përsipër edhe artikulimin e kërkesës për Kosovën-Republikë, në mars prill të vitit 1981. Më vonë kishte marrë përsipër edhe organizimin e demonstratave të marsit të prillit të po atij viti. Edhe pse si organizatë nuk pati jehonën, as shtrirjen në teren si ato  të organizatave që identifikoheshin me  grupet marksiste leniniste, PKLMSHJ me programin e saj sfidonte më shumë regjimin jugosllav, meqë në parim nuk doli kundër sistemit federativ dhe vetëqeverisjes socialiste jugosllave. Projektuesit e këtij programi alternativ ishin pozicionuar mes GMK-së dhe LKJ-së, por duke qenë se kreu i saj kaloi në ilegalitet, jashtë vendit, platforma e kësaj partie nuk arriti të “konkurrojë” brenda Kosovës dhe realisht e kishte pushuar veprimtarinë në vend. Aktiviteti i kësaj organizate ishte mbartur në shtetet e Evropës perëndimore, ku vepronin organizatat çlirimtare të Kosovës e më gjerë.

Po të kërkojmë gjenezën e LDK-së, në kushte dhe rrethana kur u themelua, del se ajo më shumë kishte mbështetur programin dhe strategjinë e PKMLSHJ-në sesa GML-së dhe LPRK- LPK-së.

Nga do të studiohet lindja, rritja zgjerimi dhe organizimi i LPK-së  dhe i grupeve të tjera që identifikoheshin me këtë lëvizje, sidomos prej vitit 1981 e deri në vitin 1990, arrihet në përfundim se vetëm me një rreshtim të tillë të forcave, vetëm me një platformë të tillë ideologjike dhe vepruese ka mundur të mbahet gjallë ideali për liri dhe bashkim, edhe për faktin se rinia revolucionare e Kosovës dhe e trevave në ish-RJ të Maqedonisë, në Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi kishte mbështetje të fuqishme në Shqipërinë Mëmë, e cila nuk i tradhtoi asnjëherë, por në kushte dhe rrethana të tilla politike, nuk arrit të bëjë më shumë. Kurrë nuk duhet harruar faktin se Shqipëria ishte i vetmi shtet në botë, që e përkrahu fuqimisht dhe pa asnjë rezervë kërkesën për krijimin e Republikës së Kosovës, fillimisht në kuadër të federatës jugosllave. Fakti se asnjë prej organizatave të tjera të shumta nuk arriti të përballojë me sukses të gjitha sfidat nëpër të cilat kishte kaluar Lëvizja e përgjithshme kombëtare lë për të kuptuar se LPK-ja kishte qenë forca homogjenizuese e Lëvizjes dhe si e tillë ajo mbijetoi të gjitha katrahurat, sa do që me një luftë të pabarabartë jo vetëm me regjimin pushtues por edhe me forcat politike të shqiptarëve institucionalistë e pacifistë.

Prej vitit 1981 e deri në vitin 1989,  kur ishte themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës, LPK-ja ishte e vetmja Lëvizje, legale dhe ilegale që përfaqësonte konceptin e çlirimit kombëtar, duke u mbështetur në moton: Republikë Kushtetutë- ja me hatër ja me luftë.  Në kuadër të kësaj Lëvizjeje, në kushte dhe rrethana specifike kishte vepruar  edhe organizata e quajtur PKMLSHJ, e cila duhet pranuar nuk ishte e mirëpritur as nga GML as nga LPK-ja, për shkaqe të tashmë dihen dhe të cilat nuk do të trajtohen kësaj radhe, në këtë vështrim rreth LPK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Isa, Elezi, Luani e të tjerë që në mëngjes janë nisur drejt maleve të Berishës. …