LPK-ja, Lëvizje që artikuloi dhe realizoi kërkesën-aspiratë, “Kosova Republikë”, por që u shua nga brenda III

Krijimi i LDK-së  hapi një kapitull ndryshe  të historisë së Lëvizjes sonë Kombëtare

Krijimi i LDK-së, më 23  dhjetor të vitit 1989, me ish-kuadro të Lidhjes Komuniste Jugosllave dhe të LSPPJ-së me të gjitha derivatet e saj, hapi një kapitull tjetër dhe të ndryshëm të historisë së Lëvizjes sonë Kombëtare.

LDK-ja u lind si rezultat i anashkalimit dhe dëshpërimit të komunistëve të Kosovës me orientim projugosllav, me rastin e fitores së forcave radikale komuniste të Milosheviqit, në Serbi e në Jugosllavi dhe ringjalljes politike të forcave nacionaliste-çetnike serbe.

Kjo forcë politike, pacifiste, e regjistruar si parti politike në Beograd, në programin e saj parashihte krijimin e Republikës së Kosovës në kuadër  të Jugosllavisë, analog me konceptin e PKMLSHJ-së, pikërisht në kohën kur Jugosllavia kishte filluar të shpërbëhej, madje dhunshëm, me luftë të armatosur të popujve të shtypur dhe të robëruar.

Themelimi dhe fillimi i veprimtarisë politike të LDK-së shkaktoi një “tronditje” edhe brenda LPK-së, meqë si forcë politike, LDK-ja trashëgoi anëtarësinë e LKJ-së, si dhe format e metodat e organizimit, gjithnjë me një politikë pasive pacifiste, duke pritur, duke u ankuar te autoritetet me ndikim në politikën ndërkombëtare dhe duke pretenduar krijimin e një pushteti në hije, një pushtet që quhej paralel, pa fuqi ekzekutive, pa polici e ushtri dhe pa asnjë pretendim për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Kjo formë e tërheqjes dhe mbylljes së LDK-së brenda lëvozhgës, ishte interpretuar si Lëvizje paqësore, që ruante status-quonë, e cila në radhë të parë po i shkonte  në interes Serbisë, meqë ajo ishte e zënë në luftë me Slloveninë, Kroacinë e më vonë me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe nuk dëshironte të hapte edhe një front në Kosovë.

LDK-ja  priste ditë më të mira, kur në Serbi ta merrnin pushtetin forcat e “arsyes” dhe të bashkim vëllazërimit të dikurshëm, si në kohën e Titos dhe t’ua pranon shqiptarëve të drejtat për të qenë të barabartë në federatën, e cila po mbahej me paterica dhe kishte filluar të katandisej në shkatërrimin e plotë dhe të pashmangshëm të saj, sado që disa politikanë besnikë të Jugosllavizmit, ish kuadro të lartë të LKJ-së bënë përpjekjet e fundit për ta ruajtur atë krijesë fatkeqe historike për të gjithë popujt e Ballkanit, veçmas për shqiptarët.

LDK-ja kishte organizuar segmentin pasiv, virtual të Republikës së Kosovës, ndërkohë që ai pushtet “moral” ishte segmentuar në arsimin paralel, në mbledhjen e një tatimi simbolik të 3-përqindëshit nga fitimi edhe ashtu tejet i dobët i firmave dhe ekonomive familjare të shqiptarëve, gjithnjë solidarë në raste rreziku kolektiv. Krejt aktiviteti politik ishte bartur në Kryesinë e Partisë, e më vonë ishte strehuar vetëm në Presidencë. Ibrahim Rugova ishte shpallur kryetar i shtetit të vetëshpallur, të cilin e kishte pranuar vetëm kryetari i atëhershëm i Shqipërisë, Ramiz Alia dhe asnjë shtet tjetër në botë. Përderisa Enver Hoxha kishte përkrahur krijimin e Republikës së Kosovës, qysh në vitin 1981, Ramiz Alia e kishte pranuar edhe zyrtarisht  shpalljen e Republikës së Kosovës,  në vitin 1990.

Me rastin e themelimit të LDK-së, një pjesë madje vitale e Lëvizjes realisht u “tërhoq” nga platforma dhe programi i LPK-së dhe iu bashkua LDK-së, e cila propagandohej si lëvizje e të gjithë shqiptarëve, por që ishte regjistruar në Beograd  si parti politike, gjoja  për shkaqe të kuptueshme. Anëtarësimi i një pjese të ish-të burgosurve në LDK nuk  u mirëprit nga kreu i kësaj partie, meqë dyshohej se ata do të bënin përpjekje ta merrnin partinë nga brenda. Kjo “luftë” e heshtur ndodhi deri në mars të vitit 1998, kur në Kosovë kishte filluar lufta e armatosur. Meqë shumica e ish të burgosurve politikë nuk u deklaruan kundër luftës së armatosur, në mars të vitit 1998, Rugova i përjashtoi nga Partia, me qëllim që ta forconte edhe më shumë krahun pacifist, duke menduar se do të shpërblehej nga perëndimi për durimin dhe mos prishjen e qetësisë në Jugosllavinë e mbetur.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Isa, Elezi, Luani e të tjerë që në mëngjes janë nisur drejt maleve të Berishës. …