leoni

Emrush Xhemajli: Historiku i LPK-së, botuar në revistën “Zëri i Kosovës”, në 20-vjetorin e themelimit IV

  1. Aktiviteti çlirimtar i LPK-së nuk ishte shuar

E ndodhur përballë sfidave gjithnjë  e më të rënda LPK-ja, nuk u dha as  me rastin e fillimit të veprimtarisë organizative politike të LDK-së, meqë krerët e saj kishin llogaritur në disa nga veprimtarët e njohur të Lëvizjes, ish të burgosur politikë, të cilët kishin depërtuar edhe në Kryesinë Qendrore të LDK-së. Pavarësisht nga kjo afrimi i LDK-së me LPK-në apo bashkimi i këtyre dy forcave politike ishte i pamundshëm, për shkak se LDK-ja fuqizonte durimin dhe pritjen, ndërsa LPK-ja projektonte dinamizmin e proceseve drejt pavarësisë dhe përgatitjen për kryengritje të armatosur.

LDK-ja asnjëherë nuk hapi debat lidhur me trashëgiminë dhe veprimtarinë e organizatave revolucionare në Kosovë, as e mbështeti atë veprimtari edhe pse në krye të saj, një kohë pas themelimit, pranoi edhe të burgosur politikë nga ish-grupet marksiste-leniniste. Duke u konceptuar si një lëvizje autonome, LDK-ja po krijohej si parti, pa mbështetje në programet paraprake të organizatave, që mbajtën gjallë idealin kombëtar dhe të cilat ishin bërthama vepruese, që quan përpara të gjitha proceset e rezistencës pasive dhe aktive. Kjo shkëputje nga baza dhe nga historia e Lëvizjes së Rezistencës 50-vjeçare të shqiptarëve liridashës, bëri që LDK-ja të kthehet në qëllim për vetvete dhe nuk arriti të bëhet avangardë në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Duke mos e pranuar si  përmbajtje bazë  aktivitetin 45-vjeçar në Lëvizjes së Rezistencës në Kosovë, LDK-ja nuk mund të vepronte si Lëvizje, por thjesht si një parti politike, e tillë sikur edhe ishte, madje edhe në kohën e pushtimit klasik të Kosovës nga ushtria dhe policia serbe.

Pikërisht sepse LDK-ja ishte bunkerizuar në një platformë pasive, ku ishin inkuadruar po thuajse të gjithë pjesëtarët e  përmbajtjeve ideologjike të së kaluarës, ajo nuk arriti të profilizohej qartë dhe në momentet kyçe të luftës për liri dhe pavarësi, jo vetëm që kishte abstenuar, por edhe ishte ndarë e përçarë edhe përbrenda saj,  sidomos pas fillimit të luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në nëntor të vitit 1997.

Shkapërderdhja e veprimtarëve, organizatorëve dhe aktivistëve të LPK-së, me rastin e  popullaritet të gëzoi në fillim LDK-ja në dukje e dobësoi atë  por fillimi i luftërave të armatosura çlirimtare në Jugosllavi e trimëroi  LPK-në, e cila për dallim nga LDK-ja, jo vetëm që do të mbështeste aspirata çlirimtare të popujve të shtypur që kërkon të ndaheshin nga robëria, por kishte organizuar, por edhe disa militantë të saj  po merrnin pjesë në luftë për çlirimin e Kroacisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës.

Përpjekjet për dinamizmin e politikës paqësore nga disa parti të tjera politike, pacifiste, si Partia Parlamentare e Kosovës, Partia e Unitetit Kombëtar, Partia Republikane, Partia Fshatare e të tjera nuk dhanë asnjë rezultat, madje as në drejtim të formimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, edhe pse ishin krijuar kushte dhe kishte gatishmëri nga shumica e deputetëve. Përderisa Lëvizja pacifiste nuk arrinte të konstituonte Kuvendin, shihej hapur se ajo nuk ishte e gatshme për ta dinamizuar as Lëvizjen paqësore.

Emrush Xhemajli: Historiku i LPK-së i botuar në revistën “Zëri i Kosovës”, në 20-vjetorin e themelimit

Disa data me rëndësi të veprimtarisë dhe të organizimit të LPK-së

–          Pranverë 1981. Shpërthyen demonstratat popullore të shqiptarëve në Kosovë nën parullën “Kosova Republikë”, që kishte për qëllim barazimin e Kosovës me 6 republikat tjera të ish-Jugosllavisë.

–          Regjimi ndaj këtyre demonstrimeve dhe kërkesave u përgjigj me terror shtetëror. Demonstratat i shtypi me polici dhe ushtri duke vënë në lëvizje rrugëve edhe armatimin e rëndë.

–          Si pasojë u vranë dhjetëra, u plagosën qindra dhe u burgosën mijëra veta gjatë dhe pas demonstratave.

Qershor 1981. Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi e Nezir Myrtaj me grupin e tyre të fshehtë, lëshuan në qarkullim platformën për organizimin e mëtejmë me titull: “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”. Në këto teza jepen argumentet që flasin se Kosovës i takon statusi i Republikës në Federatë, se ajo është e arritshme dhe se populli i Kosovës ka potencial të luftojë për fitimin e saj.

–          Një numër i aktivistëve që vepronin nëpër grupe të fshehta kundër regjimit ishin arratisur ose u arratisën jashtë vendit.

–          Jashtë Kosovës filloi rigrupimi i të arratisurve. Ata filluan veprimtari të dendur duke vazhduar aktivitetin për Republikën e Kosovës, jashtë vendit, sidomos në Evropën Perëndimore. Udhëheqja Jugosllave iu përgjigj me terror edhe aktivitetit jashtë vendit.

–          Më 17 janar 1982 në Untergrupenbah të Gjermanisë u vranë 3 aktivistët më të dalluar të kohës, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla.

–          17 shkurt 1982 në Turqi, përfaqësues të dy grupimeve patriotike të fshehta, Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica (të arratisur politikë nga Kosova), në prezencë edhe të ambasadorit të Shqipërisë në Turqi, z. Bujar Hoxha shpallin të formuar Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ).

–          Më 15 maj të vitit 1982 në Zvicër përfaqësuesi i grupit të tretë patriotik Xhafer Shatri deklaron hyrjen në LRSSHJ.

–          Qëllimi i LRSSHJ ishte që të arrihet formimi i Republikës së Kosovës në kuadër të federatës jugosllave ku do të përfshiheshin viset e banuara me shumicë shqiptarë.

–          1982 – 1984. LRSSHJ-në e drejton Komiteti Qendror i LRSSHJ-së i përbërë nga 15 anëtarë. Ndër të tjerë dhe Xhafer Shatri, Sabri Novosella, Ibrahim Kelmendi, Fahredin Tafallari, Hasan Mala, Kadri Abdullahu, etj.

–          Në qershor të vitit 1982 në Gjermani me teknikën që kishte lënë dëshmori Jusuf Gërvalla vazhdon botimi i gazetës “Zëri i Kosovës”. Redaktor i gazetës ishte Skender Durmishi.

–          1982: Radhët e LRSSHJ në komuna të Kosovë përfaqësoheshin nga Nuhi Berisha, Gafurr Elshani, Ilaz Kadolli, Ahmet Isufi, Shaban Shala, Ilmi Zeka, etj.

–          1982: LRSSHJ jashtë orienton anëtarët e vet që të punojnë në klubet e punëtorëve shqiptarë jashtë vendit, punë që e bëri në vazhdimësi.

–          Gjatë vitit 1983: teknika dhe redaktimi i gazetës “Zëri i Kosovës” kalon në Zvicër. Redaktor i gazetës deri në vitin 1985 do të jetë Xhafer Shatri.

–          Në propagandë emërtimit LRSSHJ gjithkund i hiqet germa “S”.

–          1983: Veprimtarët e LRSHJ-së, Zijah Shemsiu dhe Sami Kurteshi arrestohen nga policia jugosllave duke transportuar armë në relacionin Zvicër – Kosovë. Pas 18 muajsh torture (5 maj 1985) Zijah Shemsiu vritet në burgun e Beogradit.

–          Ndërkohë që LRSHJ organizon demonstrata të herëpashershme për Republikë në disaporë. Në Kosovë u organizuan demonstata për shënimin e demontratave të vitit 1981 dhe u përsërit kërksea për Republikë.

–          11 Janar 1984, Prishtinë:  Rrethohen nga forcat serbe në Kodrën e Trimave aktivistë të LRSHJ-së Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Pas një lufte heroike të pabarabartë bijnë në fushën e nderit. Arrestohet Kadri Osmani, Enver Topalli dhe qindra të tjerë.

–          8 shkurt 1984: pas një lufte të pabarabartë vritet nga policia serbe veprimtari i LRSHJ-së Bajram Bahtiri.

–          Maj 1984: Formohet kolegjiumi i Redaksisë së “Zërit të Kosovës” me këtë përbërje: Xhafer Shatri, kryeredaktor, Fazli Veliu, Mustafë Xhemajli, Saime Isufi, Emrush Xhemajli, Agim Hasan Mala, Muamer Shabani, Hasan Mala etj.

–          1985, pjesa e parë e vitit. Këshillat bazë të LRSHJ-së dhanë mendimet me shkrim për progamin e mëtejmë të LRSSHJ-së. Komiteti Qendror i LRSHJ-së duke u bazuar në to dhe në “Tezat….” e lartëpërmendura adaptoi Programin e parë të saj. Me këtë rast iu ndërrua edhe emri nga LRSSHJ në LPRK (Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës).

–          Janar 1985. Mustafë Xhemajli zgjedhet redaktor i “Zërit të Kosovës”. Në këtë detyrë vazhdon deri më 1991.

–          1995: Hysen Gërvalla kooptohet në Komitetin Qendror të LPRK-së.

–          1985: Arrestime të aktivistëve të LPK-së në territoret shqiptare në ish-Jugsollavi.

–          1985 Prekaz: Formohet Këshilli i LPRK-së në përbërje Adem Jashari, Sami Lushtaku, Jakup Nura, Nuredin Lushtaku etj.

–          8. 11. 1986, Cyrih: Në Cyrih mbahet mbledhja konsultative e LPRK-së. Formohet grupi i Organizimit të Mbledhjes së Parë të Përgjithshme të LPK-së me delegatë.

–          Korrik 1987, Zvicër (St. Gallen, Cyrih, Delemont). Mbahet Mbledhja e Parë e Përgjithshme e LPRK-së me delegatë nga diaspora dhe delegatin Ahmet Haxhiu, i dërguar nga Këshillat në territoret shqiptare në ish-Jugosllavi. Kjo Mbledhje zgjati 3 ditë.  Në te u aprovua Programi dhe Statuti i LPRK-së, u aprovuan rezolucionet dhe u zgjodh udhëheqja e re. Kryetar u zgjodh Fazli Veliu, sekretar Emrush Xhemajli, përgjegjës fianciar Gafurr Elshani, anëtarë kryesie, Avni Dehari, Ernest Jurstver, Xhavit Haliti, Rexhep Halimi etj. Si dhe Redaksia e “Zërit të Kosovës” me redaktor Mustafë Xhemajlin. Organ ligjëvënës i LPK-së u emërua Këshilli i Përgjithshëm (deri atëherë ishte quajtur Komiteti Qendror) dhe përbëhej prej 21 vetave.

–          1988: LPRK i dërgon një peticion në gjuhën shqipe dhe frenge Konferencës së Vendeve Ballkanike.

–          1989: Programi i LPRK-së botohet në gjuhën shqipe, frenge, gjermane dhe kroate.

–          1989: Formohet një sektor ushtarak në kuadër të LPRK-së.

–          Fillim i vitit 1989. LPRK, Dega jashtë vendit  u solli përforëcim radhëve në Kosovë dy veprimtarë të saj të dalluar: Ali Ahmetin (Abazin) dhe Hajdin Abazin (Rexhën, përkatësisht Lum Haxhiun).

–          1987-1989. LPRK organizoi në Kosovë e diasporë qindra veprimtari për qëllimin programor të saj. U shtri rrjeti i saj i organizuar në gjithë hapësirën shqiptare dhe në disaporë. LPRK u forëcua nga të gjitha pikëpamjet. Ahmet Haxhiu, Ali Reshani, Sahit Krasniqi, Shaban Muja, Arif Seferi, nën organizimin dhe financimin e Kryesisë së Degës së LPRK-së sigurojnë armë, municione dhe pajisje ushtarake, si dhe teknikë moderne për propagandë.

–          1988-1989: Aktivistët më të dalluar në Kosovë që praktikisht e morën drejtimin e LPRK-së në këto dy vite ishin: Fadil Vata, Afrim Zhitia, Ahmet Haxhiu, Arif Seferi, Fahri Fazliu, Ali Ajeti, Bedri Sokoli, Sabri Kiçmari, Beqir Beqa, Sahit Krasniqi, Jakup Nura, Shukri Buja, Shaban Muja, Azem Syla, Ibish Neziri, Musa Demiri, Ramadan Avdiu, Ilaz Kadolli, Beajdin Allaqi, Binak Berisha, Bahri Fazliu, Servete Krasniqi e shumë të tjerë.

–          1988-1989: LPRK organizoi, disa herë, aksione të sabotimit të shfrytëzimit të ekonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë e Maqedonisë. Në këtë periudhë u kryen shumë aksione të rrëzimit të lartëpërçuesve elektrik dhe këputjes së shiritave të thëngjillit që niseshin nga Elektroekonomia si dhe aksione në ndërmarrjet më të mëdha të Kosovës.

–          Mars 1989, Prizeren: Në burg mbytet në torturë nga policia serbe veprimtari i LPRK-së Xhemajli Berisha.

–          Mars – prill 1989. LPRK organizoi demonstratat kundër heqjes së autonomisë Kosovës dhe rishtroi kërkesën për Republikë.

–          31 maj 1989. LPRK organizon demonstrate ne Podujevës. Gjatë tërheqjes demonstarata merr formën e armatosur. Në luftë me forëcat serbe të pajisur edhe me autoblinda në fshatin Shtedim bie heroikisht veprimtari i LPRK-së Ali Ajeti.

–          Qershor 1989 – dhjetor 1989: I përbërë nga aktivistë të LPRK-së që kishin kaluar në ilegalitet veproi në zonën e Llapit grupi i armatosur që u quajt “Qeta e Llapit” që përbëhej nga Sabri Kiçmari, Hasan Ramadani, Gani Hoxha, Ismet Abdullahu etj.

–          1989 në Prishtinë dalin dy buletine të “Zërit të Kosovës”. Një numër i buletinit “Minatori”, (redaktor Hajdin Abazi) dhe 6 numra të buletinit të “ZiK-ut”, “Rruga e Lirisë”, redaktor Afrim Zhitia dhe Fadil Vata.

–          Vitet 80-të: Me organizimin e LPRK-së ngriten 8 radio lokale në diasporë që  emetuan emisione në të cilat mbrohej kërkesa gjithëpopullore për Republikën e Kosovës. Rol të veçantë në këtë drejtim luanin Mustafë Xhemajli, Ismet Rashiti dhe Ibrahim Xhemajli.

–          Tetor 1989, Baden dhe Ollten, Zvicër. Mbahet Mbledhja e II-të e Përgjithshme e LPRK-së. Aprovohen Rezolucionet e Mbledhjes në të cilat i jipet mbështetje çdo veprimtarie liridashëse që është në programin e LPRK-së. Delegatë në këtë mbledhje përveç të tjerëve janë: Fadil Vata, Ahmet Haxhiu dhe Arif Seferi. Zgjedhet Kryesia e LPRK-së nga 7 anëtarë dhe Këshilli i Përgjithshëm nga 31 anëtarë.

–          Nëntor 1989. LPRK organizoi demonstratat për Republikë dhe kërkoi lirimin e ish-udhëheqësve të autonomisë.

–          2 nëntor 1989, Bregu i Diellit, Prishtinë. Rrethohen nga forëcat serbe drejtuesit e LPRK-së, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Pas luftës 10 – orëshe bien heroikisht.

–          Janar 1990. LPRK organizon demonstratat për Republikë. Shkas për oranizimin e tyre u mor vrasja e Nuredin Nuredinit në Haraçinë të Shkupit.

–          Maj 1990: Ali Reshani, veprimtar i LPRK-së, gjatë punës në transportimin e armatimit për në Kosovë zihet me një barrë armë dhe municion në kufirin italian dhe dënohet me 6 vjet burg.

–          19 maj – 2 qershor 1990: LPRK organizon demonstratë në Gjenevë: Demonstrata zgjati dy javë pa ndërprerje. Ditën e fundit morën pjesë dhjetëra mijëra kurbetçarë. Nga protesta OKB-së iu dërgua një peticion për njohjen e të drejtave të popullit shqiptar në Jugosllavi me 26 mijë nënshkrime.

–          Prill – Maj 1990. LPRK organizon nënshkrimin e peticionit drejtuar Kuvendit të Kosovës me kërkesën që ai ta shpall Republikën e Kosovës. Ndër aktivistët më aktiv për organizimin e tij ishte Xhemajl Fetahaj.

–          1990. Aktivistët e LPRK-së ishin organizatorët kryesor në terren për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Më të dalluarit ndër ta ishin Adem Graboci, Hava Shala, Myrvete Dreshaj, Ibish Neziri, Naser Veliu, Nurie Zeka etj.

–          Korrik 1990. LPRK aprovon një rezolutë programore me të cilën përcaktohet për pavarësi të Kosovës. Këshilli i Përgjithshëm i LPRK-së merr vendim që pjesa “për” nga emërtimi i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës të shndërrohet në “e” pas shpalljes së Republikës, më 2 korrik dhe të quhet Lëvizja Popullore e Republikës së Ksovës.

–          Nga viti 1990 koordinimi i një pjese të veprimtarisë së LPRK-së në Kosovë dhe LPRK-së jashtë vendit bëhej edhe në Shqipëri.

–          Tetor 1990: Me vendimin e Kryesisë së LPRK-së ribotohet në 5000 ekzemplarë Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në te parashihej çlirimi dhe mbrojtja e vendit.

–          1990-1991: LPRK vendos bashkëpunimin me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe kryetarin e saj z. Hajrullah Gorani, të cilin bashkëpunim do ta demonstrojë vazhdimisht.

–          1990-1991: LPRK mbështet organizimin e rojeve territoriale të fshatrave dhe të lagjeve.

–          Shtator 1991, Prishtinë: Mbahet konsultë e LPRK-së. Prezent në takim ishin Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Adem Demaçi, Emrush Xhemajli, Ramadan Avdiu, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Ibish Neziri etj. Adem Demaçi me këtë rast bëri një diskutim të gjatë se si e mendon veprimin e LPRK-së në vitet në vijim. Një diskutim më të gjatë, se si duhet organizuar puna ai e bëri edhe një herë në një nga vizitat jashtë vendit.

–      Tetor 1991, Ujëmir, Drenicë. U mbajt mbledhja e III-të e Përgjithshme e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Në te morën pjesë delegatë nga këshillat e LPRK-së. Ndër të tjerë mori pjesë Emrush Xhemajli, i deleguar i Degës, Dr. Muhamet Mehmeti, Xhavit Haziri, Bahri Fazliu, Halil Selimi, Xheladin Gashi, Ramadan Avdiu, Ibish Neziri, Ahmet Haxhiu, Ali Lajçi, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Gani Syla, Ilaz Kadolli, Beajdin Allaçi.

–          Në këtë mbledhje u aprovuan ndryshimet programore dhe statutare. U zgjodh Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e LPK-së. Kryesia kryetar zgjodhi Gani Sylën ndërsa në udhëheqje të ngusht ishin ndër të tjerë, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Ahmet Haxhiu, Musa Demiri, Ramë Buja, Azem Syla, Hidajete Krasniqi, Guximtar Labënishti, Ahmet Haxhiu, Musa Demiri, Fadil Bajrami, Nazmi Hoxha.

–          Tetor 1991: Kryeredaktor i “Zërit të Kosovës” u zgjodh Avni Dehari.

–          1991: LPK jep kontribut të veçantë për formimin e Bashkimit të Klubeve dhe Shoqatave Shqiptare në Zvicër dhe vendet tjera.

–          1990-1991: LPK në propagandën e vet argumentoi konceptin se “pa liri nuk ka demokraci”. Kjo ishte e nevojshme sepse në Kosovë propagandohej iluzioni se gjoja ka mundësi që të ndërtohet demokracia pa e çliruar vendin, ende pa u fituar liria.

–          1990-1991. Kryesia e LPK-së ndau bugjet dhe mori vendim të filloi aksionin “Korabi”. Ky aksion përfshinte një program të stërvitjes së luftëtarëve të ardhshëm për luftë të armatosur. Stërvitja u vendos të bëhej në grupime të vogla. Një pjesë e atyre që u stërvitën shkuan në kuadër të stërvitjeve që bëheshin në Shqipëri.

–          1991: Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu e Xhavit Haliti takohen me Presidentin e Shqipërisë Ramiz Alinë. Nga ai marrin përkrahje morale dhe premtime se do të ndihmohet Kosova në rrugën e saj për fitimin e lirisë dhe pavarësisë.

–          Pjesa e dytë e vitit 1991, Cyrih: u formua Këshilli Koordinues i Subjekteve Politike Shqiptare në Zvicër. Ky këshill mori vendim që të shuhen fondet tjera për Kosovën dhe të jetë vetëm Fondi Gjithëkombëtar. Qëllimi i Fondit ishte financimi i rezistencës së armatosur në Kosovë. Në te merr pjesë edhe LPRK. Me formimin e Qeverisë së Bukoshit ky fond ia dha me procesverbal për ta përdorur për destinimin që ishte mbledhur.

–          1991-1992: Me kërkesën e Fehmi Lladrovcit, LPK ndihmon financiarisht dhe me pajisje njësinë ushtarake shqiptare në Kroaci me vendqëndrim në Gospiç.

–          1991-1992: LPK takohet disa herë me Qeverinë Bukoshi për të arritur marrëveshjen për veprime të përbashkëta në drejtim të çlirimit të vendit. Qeveria Bukoshi nuk iu përgjigj angazhimeve të marra më herët. Nikë Gjeloshi jep dorëheqje nga Qeveria dhe informon Kryesinë e LPK-së.

–          1992. Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së cakton Beqir Beqën redaktor të “Zërit të Kosovës”.

–          Maj 1992: Me vendimin e Kryesisë së Degës në Zvicër, radhëve të LPK-së në terren në Kosovë, iu vie në ndihmë veprimtari Gafurr Elshani.

–          Maj 1992. Ra duke luftuar kundër policisë serbe aktivisti i LPK-së Tahir Lush Berisha nga Leshani i Pejës.

–          Fundi i vitit 1992: LPK, Dega jashtë vendit, dërgon në terren në Kosovë veprimtarin Adem Grabovcin.

–          1992, Cyrih, Zvicër: Kryesia e LPK-së pret një delegacion të Partisë Socialiste të Shqpërisë të kryesuar nga Kryetari i Partisë Fatos Nano.  Në takim është bërë i qartë qëndrimi i paanshëm i LPK-së në rivalitetet politike në Shqipëri dhe është kërkuar që në rast të konfliktit në Kosovë të mos mbyllen kufijtë e Shqipërisë për shqiptarët e Kosovës.

–          1993, Zvicër. Me vendimin e Kryesisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës u themelua fondi “Vendlindja Thërret”. Fondi u themelua pasi dështuan përpjekjet që me ndihmën e Qeverisë së Bukoshit dhe përmes fondit të saj të fillojnë veprimet e armatosura për çlirimin e Kosovës. Fondi i dedikohej luftës për çlirimin e trojeve shqiptare të robëruara.

–          1992 –  korrik 1993: Militant të LPK-së bënë disa veprimet të armatosura kundër trupave serbe.

–          Prill, 1993, Kollare, Kërçovë. Mbahet mbledhja konsultative e LPK-së. Marrin pjesë: Gafurr Elshani, Ahmet Haxhiu, Ali Ahmeti, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Azem Syla, Beajdin Allaçi, Adem Grabovci, Bilall Sherifi, Halil Selimi, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Hidajete Krasniqi, Hysen Gega, Ramadan Pllana,  Ilaz Kadolli, Fadil Bajrami, Musa Demiri, Bexhet Luzha, Fatmir Brajshori etj. Në këtë takim u lëshuan rezolucionet sipas të cilave LPK mbështet të gjitha aksionet e armatosura kundër pushtusve. Githashtu u krijua Grupi i Organizimit të Mbledhjes së IV-të të Përgjithshme i përbërë nga Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Bilall Sherifi.

–          1993: Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Xhavit Haliti takohen me Presidentin e Shqipërisë Salih Berishën.

–       28-29 korrik 1993, Kodër e Trimave, Prishtinë: Mbahet Mbledhja e IV-të e Përgjithshme e LPK-së. Marrin pjesë: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi,  Adnan Asllani, Isa Krasniqi, Xheladin Gashi, Fatmir Brajshori, Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Beqir Beqa, Sabri Kiçmari (delegatë të Degësë së LPK-së jashtë vendit), e të tjerë drejtues dhe delegatë nga terreni. Në mbledhje bëhen ndryshime programore e statutare. Në Program tekstualisht aprovohet si mjet i arritjes së qëllimit lufta e armatosur për çlirimin e Kosovës (viset shqiptare në ish-Jugosllavi). Aprovohet rezoluta sipas të cilës lufta e armatosur duhej të ishte prioritet i veprimeve të LPK-së. Ndërsa emri i LPRK-së u ndërrua në LPK, pra Lëvizja Popullore e Kosovës.

–          3 gusht 1993. Okupatori arreston një pjesë të veprimtarëve të LPK-së. Në mesin e tyre edhe disa drejtues të saj: Xhavit Hazirin, Binak Berishën,  Ahmet Haxhiun, Bajrush Xhemajlin, Sanie Aliun, Ismet Mahmutin, Ramadan Pllanën, Hajredin Hysenin, Beajdin Allaçin, Rexhep Avdiun, Ilaz Kadollin etj.

–          Pjesa e dytë e vitit 1993: Një pjesë e veprimtarëve të LPK-së kalojnë në Shqipëri dhe diasporë.

–          1994: Konsolidohet grupi i gazetarëve të “Zërit të Kosovës” në Prishtinë në përbërje: Nezir Myrtaj, Nuhi Paçarizi, Merxhan Avdyli dhe Besim Zymberi. Ndërsa në Tiranë angazhohet Shaban Sinani dhe Naim Zoto.

–          Korrik 1994, Prishtinë: Nga torturat dhe sëmundja që kishte marrë në burg vdiq veprimtari i LPK-së, Ahmet Haxhiu.

–          7 gusht 1994. Aktivisti i LPK-së Hasan Ramadani, rrethohet nga forëcat serbe në shtëpinë e tij në Shajkovc. Pas luftës heroike që bënë me armën që i kishte lënë udhëheqësi i shquar i LPK-së Afrim Zhitia, vritet në luftë të pabarabartë.

–          1992-1994-1998, Zvicër – Shqipëri – Kosovë: Kryesia e LPK-së merr vendim për formimin e sektorëve të veprimtarisë së LPK-së duke iu dhënë autonomi të madhe të veprimit sektorëve të veçantë: Sektorit të organizimit politik, Fazli Veliu, Muhamet Kelmendi etj.;  Sektori i Lidhëmbajtjes me veprmtarët e LPK-së, Emrush Xhemajli, Gafurr Elshani, Adem Grabovci e Rexhë Ibërdema; Sektorit të rëndësisë së veçantë, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Azem Syla; Sektorit të propagandës, redaksia e “Zërit të Kosovës”. Veprimtaria e këtyre sektorëve koordinohej në Kryesi të LPK-së dhe për punën e përgjithshme raportohej edhe në Këshillin e Përgjithshëm.

–          1993-1995: Pjesë të Këshillave të LPK-së në Skënderaj, Gllogoc (Drenas), Klinë, Ferizaj, Prishtinë, Podujevë (Besiana e sotme), Suharekë (Therandë), Prizren, Rahovec, Malishevë, Deçan, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Kërçovë, Tetovë, Shkup, Kumanovë, cila më herët e cila më vonë, shndërrohen në njësi të para të armatosura. Veprimtarët më të njohur që nga puna politike iu përkushtuan punës ushtarake ishin: Durmish Gashi, Halil Çadraku, Selim Gashi, Xheladin Gashi, Sokol Bashota, Fatmir Limaj, Ragip Shala, Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Isa Krasniqi, Asllan Pantina, Skender Rexhepi, Fadil Nimani, Rexhep Bislimi, Qerim Kelmendi, Adrian Krasniqi, Gursel Sylejmani, Beqir Limani, Xhemajl Jashari, Ismet Sylejmani, Shaqir Shaqiri, Jonuz Musliu, etj.

–          17. 11. 1994 Arau, Zvicër. U lëshua Komunikata e Parë ushtarake. Kryesia e LPK-së, pas insistimit të grupeve të armatosura brenda vendit, merr vendim për fillimin e lëshimit të komunikatave, në të cilat merret përsipër autorësia e tyre. Pas një diskutimi të përimtuar Kryesia, duke pasur parasyshë edhe propozimet e grupimeve ushtarake në terren, mori vendim që organizmi i ri ushtarak të quhet “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Komunikata u vendos të mbajë nr. 11. Në këtë Mbledhje merrnin pjesë: Fazli Veliu, Emrush Xehmajli, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Gafurr Elshani.

–          1994-1998: LPK në vazhdimësi thirri qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen luftës së armatosur. Organizimit që e drejtonte politikisht dhe me forma të tjera LPK-ja, iu bashkangjitën edhe ata individë e grupe që kishin shpresuar se një ditë do t’i thirrnin për luftë institucionet që nuk kryenin detyrat e kushtetutës në të cilën thirreshin.

–          Janar 1995-1998: LPK dhe organi i saj “Zëri i Kosovës” argumentojnë se lufta çlirimtare e popullit shqitpar në Kosovë është e drejt ngado që të shikohet, edhe nga e drejta natyrore për të jetuar i lirë çdo njeri, edhe nga pikëpamja e të drejtave të njeriut, edhe nga pikëpamja kushtetutare e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe me konventat ndërkombëtare.

–          1996. Kryedaktor i “Zërit të Kosovës” u zgjodh Bislim Elshani.

–          Pranverë 1997, Gjermani: Kryesia e LPK-së me shumicën e votave aprovon kërkesën e grupit të veprimtarëve të njohur të LPK-së, Fehmi Lladrovcit, Xhevë Lladrovcit, Ilaz Kodrës, etj., që t’i shkojnë në ndihmë komandant Adem Jasharit. Përgjegjës për përgatitjen e tyre e cakton Ali Ahmetin, por fatkeqësisht grupi i prirë nga Ramush Haradinaj dhe Luan Haradinaj ra në prit me ç’rast ra gjatë luftimit dëshmori Luan Haradinaj, ndërsa plagoset Rafet Rama. Grupi hyri më vonë në Kosovë, pjesë-pjesë.

–          Gusht 1997, Golem, Shpipëri: Veprimtari i LPK-së, Ilaz Kodra, si dhe Abedin Rexha e Rrahman Rama, nisen nga baza e UÇK-së në Golem dhe me sukses arrijnë në Drenicë.

–          Pranverë 1997: Me vendimin e LPK-së nisen për në Prishtinë disa veprimtarë të LPK-së me përgjegjës Habib Elshanin. Grupi kishte për detyrë të punote me studentë dhe në bashkëpunim me Dr. Muhamet Mehmetin.

–          1998.  Këshilli i Përgjishëm cakton Adnan Asllanin kyeredaktor të “Zërit të Kosovës”.

–          1998: Redaksia e “Zërit të Kosovës” bënë marrëveshje me Redaksinë e gazetës së studentëve “Bota e Re” që drejtohej nga Muhamet Mavraj që të dalin me të njëjtat materiale.

–          Fillim i vitit 1998. Kryesia e LPK-së aprovon stemën e UÇK-së dhe emetimin në dhjetëra mijë kopje të emblemës së krahut dhe të kapelës së UÇK-së.

–          Mars 1998: Me vendimin e Kryesisë së LPK-së, Redaksia e “Zërit të Kosovës” boton librin dokumentar: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” ku përfshihet pjesa më e madhe e aktivitetit të UÇK-së deri atëherë, të autorit Gafurr Elshani. Libri i pati disa ribotime.

–          Mars – Prill 1998: Kryesia e LPK-së qëndroi në Shqipëri. Disa ditë punon në lokalet e Shoatës së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe pastaj vendoset në një lokal në afërsi të qendrës së Tiranës. Në këtë kohë u morën vendime të rëndësishme që ndikuan në rritjen e furnizimit të UÇK-së me armë, veshmbathje dhe barëra. Për këtë qëllim u bënë shumë takime me grupet e mobilizimit dhe ato logjistike të furnizimit. Po në këtë kohë me vendimin e Kryesisë blehet sistemi i parë i telefonisë satelitore për nevojat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Telefonat satelitor u shpërndanë në zonat aktive në këtë kohë.

–          Prill, 1998: Mbahet Mbledhja e V-të e Përgjithshme e Degës së LPK-së. Në Kosovë tashmë ishte luftë dhe nuk kishte mundësi të mbahej mbledhje e gjerë. Në mbledhjen e Degës u konfirmua përcaktimi i LPK-së për luftën e armatosur deri në çlirimin e vendit dhe fuqizimin e UÇK-së. Pas mbledhjes dolën organet e LPK-së. Kryetar i Degës së LPK-së u zgjodh Bedri Islami.

–          Shkurt – Maj – Qershor 1998: Me organizimin e LPK-së, Kryesisë, sektorit të veçant dhe sektorit të lidhjembajtjes, por edhe individualisht iu bashkangjitën UÇK-së edhe një pjesë e veprimtarëve të LPK-së me përvojë që ishin në diasporë, ndër të tjerë dhe emra të njohur si: Ismet Jashari, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovici, Ahmet Kaçiku, Agim Bajrami, Sejdi Sejdiu, Skender Çeku, Xhemajl Fetahu,  Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku, Shukri Buja, Nasim Haradinaj, Hashim Thaçi, Emrush Xhemajli, Gafurr Elshani, Abdyl Mushkolaj, Kadri Veseli,  Nazmi Brahimaj, Azem Syla, Adem Grabovci, Avdi Muja, Imri Ilazi, Sabri Kiçmari, Selim Krasniqi, Metush Zenuni, Agron Gërvalla, Demir Demiri, Cenë Aliçkaj, Muharrem Dina, etj.

–          Pjesa tjetër e LPK-së që mbeti në diasporë dhe në Shripëri u bë mbështetja kryesore politike, diplomatike, financiare e logjistike për UÇK-në nga jashtë territorit të luftimeve: Fazli Veliu, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Raif Gashi, Sejdi Gega, Refik Hamiti, Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti, Rexhë Ibërdema, Sahit Krasniqi, Hasan Ukëhaxha, Murat Jashari, Shefit Xhaferi, Ibrahim Kelmendi, Xhavit Hoxha, Salih Bicku, Xhavit Bajraktari, Agush Buja, Musa Demiri, Halil Selimi, Ramiz Lladrovci, Gafurr Zendeli, Rexhep Halimi, Muharrem Elshani, Afrim Emini, Sahadete Zhitia, Selam Bajrami, Pleurat Sejdiu, Begzat Gashi etj.

–          6 maj 1998 Rajcë/Strugë: Me organizimin e LPK/së, me sukses depërtoi në dretjim të Maqedonisë një njësi ushtarake që transportonte armë dhe municione.

–          1998 – 1999: Dhjetëra drejtues të LPK-së të rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u vranë në beteja të përgjakshme kundër forëcave serbe.

–          1998: Në Kërçovë u vra nga policia sllavomaqedone veprimtari i LPK-së Beqir Limani, ndërsa u burgosën disa nga aktivistët e Lëvizjes.

–          Nëntor 1999. U formua Këshilli për Koordinimin e Veprimtarisë së LPK-së. Qëllimi i Këshillit ishte të vazhdohet Programi i LPK-së në kushte të reja dhe të mbahen mbledhjet e Këshillave të Rretheve të LPK-së për organizimin e Mbledhjes së Pestë të Përgjithshme.

–          Dhjetor 1999. Organi i LPK-së “Zëri i Kosovës” filloi të dalë në Kosovë, pas 18 vjet të botimit jashtë vendit.

–          Janar 2000. LPK mbështeti publikisht luftën e armatosur çlirimtare në Luginën e Preshevës përkundër vështirësive dhe pasojave që pati në vazhdimësi si subjekt politik.

–          23 mars 2000, Gjilan. Formohet Këshilli Politik për Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc. Jonuz Musliu, aktivisht i LPK-së zgjedhet drejtues i tij.

–          Prill 2000 deri në dhjetor 2000 LPK ishte në koalicion me 6 subjekte të tjera në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Doli nga koalicioni për shkak të dallimit në koncepte të punës organizative e politike.

–          Korrik 2000, Prishtinë: Në kushtet e dëbimit të trupave serbe nga Kosova dhe praninë ndërkombëtare LPK mbajti mbledhjen e V-të të Përgjithshme Statutare. Morën pjesë 250 delegatë nga Kosova dhe viset shqiptare në Maqedoni dhe Kosova Lindore. Aprovoi Programin dhe Statutin për kushtet e reja të veprimit dhe zgjodhi udhëheqësinë: Kryetar u zgjodh Emrush Xhemajli, Zv. Kryetar Gafurr Elshani dhe nënkryetar Ali Ahmeti. Drejtor i “Zëirit të Kosovës” caktohet Gafurr Elshani.

–          Tetor 2000: LPK merrë pjesë në zgjedhjet lokale dhe merr 4 vende në Asambletë Komunale.

–          Shkurt 2001, Prishtinë: LPK publikisht mbështet politikisht luftën e popullit shqiptar në Maqedoni dhe të Ushtrisë së tij Çlirimtare Kombëtare. LPK nuk pranoi të lëshojë deklarata ofenduese që luftëtarët shqitparë në Maqedoni të hedhin armët dhe pa garanci të shkojnë në shtëpi. Si rrjedhim ajo pati disa pengesa në punën e saj.

–          Shkurt 2001. Veprimtarët e LPK-së me origjinë nga Maqedonia morën detyra të reja jashtë LPK-së. Ata masoviksht iu bashkangjitën UÇK-së. Ali Ahmeti, nënkryetari i deriatëhershëm i LPK-së publikisht doli zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Fazli Veliu, Shefit Xhaferi, Musa Demiri, Musa Xhaferi etj, kryen detyra me rëndësi gjatë luftës në Maqedoni.

–          17 nëntor 2001. LPK merr pjesë në zgjedhjet qendrore dhe përkundër pengesave arrin që të përfaqësohet në Parlamentin e Kosovës. Deputet i LPK-së në Kuvendin e Kosovës është Bedrush Çollaku.

–          Këtu janë shënuar datat më me rëndësi të aktivitetit të LPK-së nga prizmi afirmativ. Këtu nuk është përfshirë qasja kritike për aktivitetin e LPK-së. Gjithashtu nuk janë përfshirë dukuritë në aktivitetin e LPK-së dhe as dalja e grupimeve të ndryshme apo individëve nga LPK.

–          Këtu nuk është përfshirë puna lokale e LPK-së dhe rrjedhimisht nuk ka mundur të përfshihen në një material të ngusht si ky listat e gjithë atyre veprimtarëve që kontribuan në radhët e LPK-së për çështjen e Kosovës.

–          Gjithashtu, në këtë material, nuk është përfshirë puna e LPK-së në koordinimin e veprimeve në Universitet, nëpër ndërmarrje, në shoqata të organizuara pas vitit ’90-të, si dhe në Klube e Shoqata jashtë vendit.

–          Të dhënat që janë përshkruar më lart mund të provohen në Arkivin e LPK-së. Megjithatë, iu mbetet historianëve të nxjerrin të dhëna të plota, duke u bazuar në arkiva të shteteve të ndryshme, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë dhe vendeve Perëndimore. Duke i krahasuar ato me të dhënat e përgjithshme mund të nxirren përfundime të sakta shkencore.

–          Të dhënat e tashme mund të shërbejnë vetëm si një skicë për një punim më të gjerë të historikut të LPK-së.

–          Njëzetë vjet të ekzistimit të LPK-së, janë 20 vjet punë, kërkim, veprim, sakrificë.

–          Veprimtaria 20-vjeçare e LPK-së është dëshmi se ka ekzistuar varianti i mendimit dhe i veprimit politik shqiptar në Kosovë që iu ka përgjigjur më së shumti dhe më së drejti kërkesave të kohës.

–          LPK ishte dhe është subjekt tepër i veçantë. Pa këtë bashkim nuk mund të shpjegohet historia 20-vjeçare e Kosovës, sepse ajo, me veprimtarinë e vet la gjurmë të fuqishme.

–          Nga të dhënat që përshkruam më lartë del se aspak nuk është i rastësishëm roli që luajtën veprimtarët e LPK-së në drejtimin politik të lëvizjeve politike e ushtarake në arealin shqiptar.

–          LPK është treguar e aftë të ruajë kontinuitetin në veprim që ka një rëndësi të veçantë në organizimin politik. Me të drejtë ajo ka arsye të krenohet me traditën e saj 20-vjeçare. Por, organizimi politik i shqiptarëve nuk ka filluar me LPK-në. Për më tepër, ai nuk ka filluar në vitin ‘89 apo ‘99.

–          Udhëheqja e LPK-së është ndërruar disa herë dhe përsëri është ruajtur kontinuiteti dhe kjo gjithashtu është shumë e veçantë për praktikën ballkanike.

–          Të përkujtojmë në fund se LPK-ja është shumë e vetëdijshme se nuk e ka kryer misionin e vet. Nuk është arritur ende vetëvendosja e banorëve të Kosovës. Nuk është integruar ende populli shqiptar dhe nuk është kryer ende procesi i integrimit në Evropë.

Me vendimin e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së

Përmbledhjen e hartoi: Emrush Xhemajli,

Shkurt 2002

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Isa, Elezi, Luani e të tjerë që në mëngjes janë nisur drejt maleve të Berishës. …