IKD: Qeveria Kurti mori vendime të kundërligjshme dhe elektorale

Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të marra sot nga Qeveria në detyrë, duke i cilësuar ato si kundërligjshme, jokushtetuese dhe me prapavijë elektorale. Sipas komunikatës së IKD-së, kabineti aktual qeveritar ka marrë vendime në mungesë të kompetencës ligjore, pasi disa nga anëtarët e tij janë tashmë të certifikuar si deputetë, gjë që – sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme – i bën të papajtueshëm për të ushtruar njëkohësisht detyrat ekzekutive. “Vendimet e marra nga kjo qeveri, në pritje të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, janë haptazi vendime elektorale”, thuhet në reagimin e IKD-së. Instituti thekson se Qeveria në detyrë nuk ka legjitimitet për të miratuar projektligje, përfshirë edhe buxhetin për vitin 2026, i cili u miratua dhe kap vlerën e rreth 4 miliardë eurove. Sipas IKD-së, ky veprim bie ndesh me nenin 31 të Ligjit për Qeverinë, që kufizon kompetencat e një qeverie në përfundim mandati. Po ashtu, organizata thekson se në vendimet e djeshme janë përfshirë edhe masa që bien ndesh me Kushtetutën, si rritja e pagesës për përvojë pune nga 0.25% në 0.5%, vendimi për pagën e 13-të dhe rritja e pagës minimale pa konsultim me Këshillin Ekonomik e Social. “Në këto rrethana, përgjegjësia penale duhet të adresohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi i IKD-së.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Tahiri

Besnik Tahiri: Kurti dhe Vetëvendosje do të deklasohen në zgjedhjet e reja

Ish-zëvendëskryeministri dhe zyrtari i lartë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar …