Ikja nga atdheu për të shpëtuar nga pasojat e luftës nuk mund të konsiderohet gjenocid, sikur pretendon, Jahja Lluka

Ikja nga atdheu për të shpëtuar nga pasojat e luftës nuk mund të konsiderohet gjenocid, sikur pretendon, Jahja Lluka

Pavarësisht si mund të trajtohet dëbimi i shqiptarëve për  në Maqedoni e në Shqipëri nga regjimi i Milosheviqit, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prill të vitit 1999, asokohe kishte dy rrugë për shqiptarët liridashës, dhe ata pacifistë. E para ishte  rruga drejt shpëtimit të sigurt, duke ikur nga Kosova, e cila ishte në luftë,  dhe rruga tjetër, bashkimi me luftën dhe fuqizimi i saj, të cilën nga ajri po e përkrahte edhe NATO-ja.

Të dëbuarit nga Kosova nuk po dërgoheshin në hollokaust për t’ i shfarosur në kampet e vdekjes, por po dërgoheshin në një vend fqinj, për të qenë të sigurt se do të mbijetonin, ashtu sikur edhe kishin mbijetuar, natyrisht me mundime e shqetësime por si mund të krahasohen  shqetësimet e mundimet e tyre, me  ata shqiptarë  qëndrestarë e liridashës, që kishin qëndruar  në zonat e luftës, të cilët për shkak të qëndresës së tyre ishin masakruar  mizorisht nga serbët?

Është e vërtetë se serbët mendonin se do ta fitonin luftën dhe të ikurit  nuk do të mund të ktheheshim më në Kosovë, meqë gjatë dëbimit u merrnin edhe letërnjoftimet dhe të gjitha dokumentet që i posedonin.

Në Kosovë pati “pretendime për spastrim etnik” nga ana e Serbisë, por nuk u realizua ai qëllim, sepse shumica shqiptare, në tokën e përflakur nga zjarri i luftës rezistoi heroikisht, brenda në Kosovë, në zonat që deri në fund të luftës i mbajti nën kontroll Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe pjesa tjetër pasi mbijetoi, në Shqipëri dhe në Maqedoni,  u kthye fitimtare dhe i voli të gjitha favoret e lirisë, të cilat po i gëzon edhe sot madje duke i thurë lavdi ikjes dhe duke pretenduar që ajo ikje nga atdheu, të shënohet edhe me “Muze”, për t iu treguar brezave historinë e “lavdishme” të ikjes nga vendi, duke e lënë atë në një luftë, në kohën kur ishte përfshirë edhe Aleanca më e madhe ushtarake e botës.

Foto: Martin Çuni

Të mos harrojmë se serbët asokohe lansuan idenë se ikja e shqiptarëve nga Kosova  po bëhej drejt vendit  amë, drejt Shqipërisë nga ku ata dikur paskëshin ardhur,  në Kosovë, dy tre shekuj më parë. Po të ishin vendës, ata nuk do të iknin nga vendi i tyre, thoshin analistët serbë. Ata madje thoshin se “shqiptarëve po rrëshqitnin   këmbët nga vendi që nuk ishte dhe nuk është i tyre”.

Dihet se këto interpretime ishin qëllimkëqija, antihistorik, sepse  fakti që shumica shqiptarë po rezistonte brenda Kosovës, tregonte realitetin e kohës.

Muzeu i Bllacës, i Stankovecit, i Kukësit, janë muze të politikës pacifiste, por nuk i përballojnë dot kohës, sepse ikja nga atdheu për të shpëtuar kokën edhe ka ndodhur, madje jo vetëm njëherë, por  çka do të kishte ndodhur,  po të kishim ikur edhe të gjithë ne, që qëndruam dhe fituan me armë në dorë? Natyrisht, se po të kishim hipur të gjithë në “trenin” historik dhe të  famshëm të Jahja Llukës, do të kishte ndodhur edhe një Çamëri, edhe një Toplicë, edhe një humbje e madhe dhe e pariparueshme e  kombit.

Është pak për t’u habitur  sesi një këshilltar i ish Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, luftëtarit e qëndrestarit, Ramush Haradinaj, i cili dihet se si ka folur  dhe flet për ikanakët e “frontit” të  Bllacës, merr përsipër të ngrehë monumente pacifiste të “shpëtimit”. Me këtë rast duket se ose ish-Komandanti tani kryeministër i ka ndërruar qëndrimet e tij, ose shpura e madhe e këshilltarëve punon e vepron krye në vete, pavarësisht qëndrimeve të Shefit.

Ndërkohë bëhet e ditur se më 10 prill 2019, në fshatin Bllacë të Hanit të Elezit do të shënohet 20-vjetori i gjenocidit serb dhe spastrimit etnik “Bllaca 99”, ku po në atë ditë do të vendoset gurthemeli i Muzeut të Gjenocidit Serb. Për këtë rast, nën patronatin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, treni i cili kishte bartur mbi qindra e mijëra shqiptarë do të bëhet Muze, i cili do të qëndrojë në ish kampin e refugjatëve. Këshilltari i Kryeministrit i emëruar edhe Mbajtës i Dosjes për Çështjen e Personave të Zhdukur, Jahja Lluka, tha se për të kujtuar këtë akt të gjenocidit do të krijohet memoriali apo Muzeu i Gjenocidit Serb në Bllacë. “Më 10 prill në ora 14:00 vihet gurthemeli i Qendrës Memoriale të Gjenocidit Serb “Bllaca 99″, meqenëse në Bllacë në vitin 99 kanë kaluar mbi 440 mijë shqiptarë në portën e daljes për Maqedoni e kemi pa të arsyeshme dhe qeveria ka marrë vendim qe të krijohet memoriali apo Muzeu i Gjenocidit Serb në Bllacë”, tha Lluka. “… Me këtë rast do të kemi mundësi të dërgojmë trenin i cili ka bartë refugjatë dhe i cili do të jetë muze, do të qëndroj në vendin e kampit të refugjatëve, do vëmë gurthemelin dhe më pas do shpallim një konkurs për Muzeun për arsye se nuk po dëshirojmë të jetë një Muze i improvizuar, por do ta kemi një mundësi të gjenocidit dhe dëshmimit të gjithë këtij gjenocidi serb i cili ka ndodh gjatë viteve”, shtoi Lluka.

Foto: Martin Çuni

Ky është njoftimi i këshilltarit të kryeministrit, Jahja Lluka.

Përkufizimi i kësaj ikjeje të madhe, i kësaj shpërnguljeje biblike, i kësaj historie tipike shqiptare të ikjes e degdisjes shekullore, është realitet,  por a mund të quhet “Gjenocid” a mund të krahasohet me Reçakun, Mejen, Izbicën, Pustenikun, Kotlinën, dhe qindra masakra të tjera në Kosovë, ku shqiptarët liridashës ranë sepse nuk lejuan të lëshojnë trojet, shtëpitë, atdheun e tyre? Po si duhet të cilësohen shqiptarët të cilët mbijetuan në shumë qytete të Kosovës, madje edhe në Prishtinë, dhe nuk mund të besojmë se u shpërngulën shumica.

A  duhet edhe atyre  t iu ngrehë  dikush një monument qëndrese, sepse ata dhjetëra mijëra  shqiptarë që qëndruan në shtëpitë e banesat e tyre  edhe në kushte të shfarosjes, nuk ishin përkrahës të Milosheviqit?

Ata, për çdo moment prisnin kur t i rrethonin dhe t i dëbonin nga Kosova, por ja që qëndruan dhe mbijetuan në Prishtinë dhe në shumë qytete të Kosovës. Asnjëherë nuk është folur për përjetimet e tyre. Secila nga ato familje ka për të rrëfyer nga një histori tmerri, nga një histori autentike të mbijetesës, duke qëndruar në Atdhe, në shtëpi  dhe jo duke ikur.

A duhet të akuzohen ata që nuk kanë ikur, sikur bënë shumë të tjerë,  duke lënë  të krijohet bindja se ata nuk paskan qenë të rrezikuar nga regjimi serb, sikur paskan qenë ata që paskan ikur për të shpëtuar?.

Sa monumente qëndrese duhet të ndërtohen në të gjitha vendqëndrimet e të zhvendosurve në Kosovë?

Vetëm në Grykën e Krojmirit, gjatë katër muajve të fundit të luftës( mars-prill, maj, qershor 1999) kishte 27.000 të zhvendosur, të shënuar me emër e mbiemër. ( Arkivi, RKL) Mijëra të zhvendosur të tjerë kanë mbijetuar luftën jo duke ikur në trenin e famshëm historik të Bllacës por duke qëndruar në pyjet e malet e Kosovës, bashkë me luftëtarët e lirisë. Janë me qindra luftëtarë të lirisë që kanë rënë duke u përpjekur ta mbarojnë popullatën civile. Lexoni biografitë e tyre në 17 vëllimet e deritanishme të monografisë, “Feniksët e lirisë” dhe librave të tjerë për dëshmorët e martirët e kombit dhe do të bindeni në këtë realitet.  

Foto: Martin Çuni
Foto: Martin Çuni

Eprorët dhe luftëtarët e Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova e dinë fort mirë se cili kishte qenë urdhri i prerë i komandantit,  Tahir Sinani, për luftëtarët në mbrojtje të popullatës civile:  Vetëm mbi trupat tona serbët do të mund të shkojnë te popullata nëpër gryka. Këtë duhet ta dijë secili. Ai që ikë dhe dezerton duhet të dijë çfarë e pret!. Ka shumë dëshmitarë të gjallë ky urdhër i Tahir Sinanit. Në grykat e malet që i mbante nën kontroll dhe nën vëzhgim kjo Brigadë nuk pati asnjë dezertim,  dhe serbët, nuk arritën të futen në mesin e popullatës civile e cila mbijetoi në një numër prej rreth 100.000 të zhvendosurve.

Tahir Sinani
Foto: Martin Çuni

Asnjë fjalë nuk flitet për këtë qëndresë heroike, përveç kur komandantët lavdërohen me rastin e fushatave të zgjedhjeve partiake.

Meqë u dashka të shpallim muze ikjen nga Kosova në kohën kur vendosej fati historik i vendit, atëherë pse të mos vendosim edhe nga një monument  qëndrese në çdo grykë mali, ku kanë mbijetuar rreth 900. 000 shqiptarë liridashës?

Gryka e Shpëtimit

Po të veprojmë kështu mbase do të zëmë një vend nderi në “Ginis” si shteti më me shumë monumente në botë.

Realisht, vendosja e monumenteve të qëndresës, do të legjitimonte edhe më tej  luftën e UÇK-së dhe heroizmin  e saj, por një segment i kreut të luftës, për qëllime e favore politike, për të qëndruar gjithnjë në pushtet dhe për të vjelë përfitime marramendëse  ka bërë dhe bën tregti të zezë me vlerat e vërteta të luftës, duke e devalvuar në të gjitha segmentet, jo vetëm me pranimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, por edhe me trefishimin e numrit të veteranëve, me ngritjen e monumenteve të pacifizmit, me moslejimin e ngritjes së monumentit të Legjendarit Adem Jashari në kryeqytetin e Kosovës, me mos shënimin e vendeve të rezistencës dhe degradimin gradual të vlerave të luftës për  liri.

Mitizimi i politikës pacifiste, përpjekja për t’i thurë lavdi ikjes së madhe nga atdheu, pazaret për të ardhmen e vendit, janë tregues të mjaftueshëm për të konkluduar se vlerat e luftës po degradohen,  për qëllime dhe përfitime politike, jo të kombit e Atdheut, por të atyre që flasin në emër të kombit dhe bëjnë punën e të huajve, të atyre që na paskan çliruar,  sepse vetë nuk do të mund të ishim çliruar kurrë. Kjo tezë antihistorike, pavarësisht se e thonë komandantët apo politikanët e caktuar,  nuk i bën nder kombit as luftës, sepse po të mos ishte gjaku i derdhur për liri, por të mos kishin qenë ato qindra fronte e beteja të luftës në territorin e vendit, po të ishte lejuar ikja masive e kolektive e shqiptarëve nga trojet e tyre, pa pikë mëdyshjeje do ta kishim një Çamëri të dytë.

Foto: Martin Çuni

Monumenti apo Muzeu i Bllacës u mëson shqiptarëve se shpëtimi në raste të caktuara të rrezikut është ikja nga atdheu dhe jo mbrojtje e tij. Çka do të ndodh nëse lejohet që Serbia t’i vendos forcat në kufi dhe t’ i shpallë luftë Kosovës?. Atëherë do të aktivizohej sërish  treni i Jahja Llukës sepse ai vetë dhe si vetët e tij  e kishin provuar shpëtimin duke ikur nga atdheu.

Po çka do të ndodh nëse sulmohet edhe Shqipëria? Këtë nuk e shpjegon dot Muzeu i Bllacës i Jahja Llukës.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë 6. 4. 2019

 

 

A do ikim të shpëtojmë?

A do rrimë e të luftojmë?

Ne do rrimë e do luftojmë!

Vendin tonë s’ e turpërojmë!. ( Fragment nga kënga “Vashat e Kurbinit” nga Poema Grada Krutane e Kolë Jakovës)

Kontrolloni gjithashtu

Lideri i AKR-së, Behxhet Pacolli ka paralajmëruar marrëdhënie të shkëlqyera të Kosovës me Ganen

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli ka përshëndetur zgjedhjen e John Mahama Dramani …