Ilir Ibrahimi

Ilir Ibrahimi: Kryeministri në detyrë na krahasoi me Radojçiqin – kjo e tejkalon çdo sens normal

Drejtori i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilat i ka cilësuar si fyese dhe të papranueshme. Ibrahimi tha se protesta e organizuar kundër liberalizimit të tregut të energjisë ka qenë kërkesë e vetë bizneseve dhe se pjesëmarrja ka qenë e madhe, ndonëse e kufizuar për shkak të rrethanave të tjera. “Kërkesa ka qenë e bizneseve dhe pjesëmarrja ka qenë masive. Ka pasur interesim edhe më të madh, por jemi kufizuar për shkak të zhvillimeve të tjera,” u shpreh Ibrahimi. Ai kritikoi deklaratat e Kurtit, i cili kishte thënë se “koha e barrikadave ka përfunduar”, duke lënë të nënkuptohet një krahasim mes protestës së bizneseve dhe barrikadave të ngritura më parë nga grupet kriminale në veri të vendit. “Nëse Qeveria na krahasoi me bandat e Radojçiqit, kjo e tejkalon çdo sens normal. Ata që e mbajnë ekonominë dhe e mbushin sofrën e këtij vendi, të krahasohen me struktura kriminale, është e papranueshme,” tha ai. Deklaratat e Kurtit kanë nxitur reagime të ashpra nga komuniteti i biznesit dhe opozita, që i kanë quajtur krahasime fyese dhe të rrezikshme për klimën ekonomike dhe institucionale në vend.

Kontrolloni gjithashtu

Dështon për herë të 24-të seanca për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

Ka dështuar edhe vazhdimi i njëzetekatër i seancës konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit …