Ilir Muharremi: 28 Nëntori, fuqia e idesë dhe e ngjyrave (Analizë e ekspozitës kolektive të profesorëve të Fakultetit të Arteve, Universiteti i Prishtinës)

Ilir Muharremi: 28 Nëntori, fuqia e idesë dhe e ngjyrave (Analizë e ekspozitës kolektive të profesorëve të Fakultetit të Arteve, Universiteti i Prishtinës)

Një ngjarje tradicionale, plot jetë dhe shpirt, e mbështjellë në organikën e ngjyrave, tensionin e formave, fuqinë e simbolikës dhe metaforës, si dhe në unitetin stilistik, është hapur si ekspozitë kolektive e profesorëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, me rastin e 28 Nëntorit  Ditës së Flamurit. Ekspozita është çelur në Galerinë e Fakultetit të Arteve, e cila drejtohet nga profesori dhe artisti Xhevdet Pantina. Ta shprehësh brendësinë, magmën e shpirtit përmes nuancave të fuqishme e të ndërthurura,  me optikën filozofike, nën një dialog të brendshëm dhe me mesazhe të perceptuara në mënyrë objektive, është sfida që kjo ekspozitë e përmbush me natyrshmëri dhe intensitet. Arti është shprehja estetike me rrugëtimin shqisor, të ndjenjës, natyrshmërisë momentale e cila valë-valë nis rrugëtimin e ngjyrës me lëvizjen e penelit. Pasqyra organike më ballafaqimin e tensionit të jashtëm dhe klasifikimin e brendshëm aty te sekreti i shpirtit, krijon konkluzionin përmbajtësor, artistik me mesazhe që shpeshë herë vetëm zëri i brendshëm mund t’i kuptoj, e kjo është pastërtia dhe simfonia e jetë gjatësisë së përherhsme të artit nën thirrje të shpirtit. Rrugëtimi shpirtëror i vepravave fillon nga  arti abstrakt, ekspresionizmi abstrakt, surrealizmi, realizmi, impresionizmi, konceptualizmi. Artistët pjesmarrës: Agron Blakçori, Agron Bytyçi, Arton Behrami, Bardhyl Bejtullahu, Basri Mekolli, Eshref Qahili, Fjoruntina Sulejmani, Gëzim Brestovci, Guri Çavdarbasha, Ismet Jonuzi, Luljeta Muçaj, Mehmet Behluli, Mirsad Lushtaku, Mjellma Goranci, Rrezeart Galica, Suad Rama, Valbona Rexhepi, Valdeta Veliu Vuçtërrna, Vlora Ismaili, Xhevdet Pantina, Yll Xhaferi, Yllka Fetahaj, Zake Prelvukaj, Zeni Ballazhi, u prezantuan me piktura, grafika, fotografi, skulptura, intalacion. Kuratorët e ekspozitës  janë: Ismet Jonuzi, Mehmet Behluli, Guri Çavdarbasha.

Në planin kromatik, ekspozita lë përshtypjen e një skeme të qëllimshme simbolike dhe atmosferike. Paletat dialogojnë midis ngjyrave të ngrohta  nuancave të kuqes të shtypura në fusha të mëdha si shenja identitare dhe pasioni kolektiv dhe gamës neutrale të grisë, zezës dhe të bardhës, që funksionojnë si hapësirë reflektimi dhe reminishence. Një përdorim i shpeshtë i toneve tokësore (okër, kafe të errëta) rringjallin subjektet në një kontekst material, duke i lidhur figurat me tokën dhe historinë. Në shumë vepra ngjyrat nuk janë thjesht simbol estetik, ato sillen si dokument si gërmim memorieje dhe hapin hapësira emotive ku nostalgjitë  përzihen me kritikën. Formatet dhe raportet e përmasave flasin me gjuhën e monumentalitetit dhe të artistikës në të njëjtën kohë. Kompozicionet e mëdha, horizontalisht të orientuara, kërkojnë shikim të përbashkët dhe vendosen si tabele kolektive, ato riprodhojnë skena ose kompozime ku figura dhe peizazhi bashkohen në një plan. Kundrejt tyre, punimet me dimensione më të vogla dhe grafikat preferojnë format vertikale ose katrore të punuara në nivel të lartë artistik, simbolik, përmbajtësor, drejt imazhit realist.  Në disa instalacione, artistët shfrytëzojnë hapësirën arkitektonike të galerisë, elementët vihen në dialog me muret, dritën natyrore dhe rrugëtimin e vizitorit, duke krijuar një skenografi që kërkon lëvizje dhe pjesëmarrje.

Përsa i përket figurës dhe ikonografisë, shfaqen dy linja të qarta, njëra që rikthen figurimin historik dhe portretistik,  silueta njerëzore, portrete kolektive, motive nga ritualet kombëtare dhe tjetra që e shndërron figurën në arketip abstrakt, shenja, vizatime të thjeshtuara, gjurmë që nënkuptojnë përpjekje, lëvizje, dhe mungesë. Tek grafikët, linja si element primar bart intensitetin narrativ, shtresa të stampuara dhe kontraste të forta krijojnë ritëm dhe përsëritje, si kujtesë e procedurës dhe e ripërsëritjes historike. Fotografia, nga ana e saj, funksionon si dëshmi dhe rekontekstualizim, imazhe që ftojnë për lexime dokumentare, por edhe për interpretim poetik , luajtur me fokusin, raportin e zi e bardhë, dhe kompozicionin për të ngritur pyetje mbi identitetin kolektiv.

Skulpturat dhe punimet tridimensionale sjellin materiali si domosdoshmëri filozofike, metali i patinuar, druri i vjetër, betonit i lëmuar dhe fragmentet e kombinuara krijojnë një ekuilibër mes masës dhe boshllëkut. Këto objekte nuk kërkojnë vetëm të shikohen,  ato kërkojnë ta ndiejmë peshën dhe kohën që bartin,  pamja e jashtme shpesh mbart shenja përdorimi, riparimi ose copëtimi, duke theksuar idenë e zhvleftësimit dhe rindërtimit si procese historike. Instalacionet hapin më tej këtë fushë,  ato ndërtojnë situata ku marrëdhënia mes objektit, hapsirës dhe spektatorit bëhet pjesë e veprës , dritë, tingull i largët, ose elemente që vizitori i kalon pranë, duke përcaktuar ritmin dhe marrëdhënien e përvojës.

Kompozicioni i përgjithshëm i ekspozitës tregon një sens pedagogjik,  profesorët, si krijues dhe mësimdhënës, nuk i lenë publikut vetëm estetikën e bukurisë, por e ushtrojnë atë në formë reflektimi kolektiv. Veprat shpesh përdorin kontrastin  midis ngjyrave, masave, teksturave  për të krijuar tension interpretativ. Në një nivel filozofik, punimet  kapin marrëdhënien e individit, midis kohës së shkuar dhe horizonteve të së ardhmes. Simbolika kombëtare shërben si pikënisje, jo si mbyllje, ajo shndërrohet në material për shqyrtim  si një testament që duhet lexuar jo vetëm me emocione, por edhe me racion dhe kritikë estetike. Kjo dinamike shënohet qartë tek pjesa më e madhe e veprave,  elementët figurativë nuk i imponohen shikuesit,  ata e sfidojnë atë të reflektojë mbi marrëdhënien e vet me figurat kombëtare historike , me hapësirën përkujtimore dhe me historinë.

Si përfundim , ekspozita e Profesorëve të Fakultetit të Arteve paraqet një peizazh të larmishëm të gjuhëve vizuale që bashkohen rreth temës së përbashkët të përkujtimit dhe identitetit. Duke punuar në mediume të ndryshme, artistët ofrojnë jo vetëm një panoramë teknikash, por një vepër kolektive mendimi një ftesë për dialog, për rikonsiderim dhe për një reflektim të shtuar mbi mënyrën se si historia përceptohet dhe përcillet në formën artistike.

Kontrolloni gjithashtu

Adem Lushaj: Vlerësim për monografinë “JUNIKU me rrethinë ndër shekuj”

JUNIKUT NDËR SHEKUJ – HISTORIA QË FLET Monografia “JUNIKU me rrethinë ndër shekuj” e autorëve …