Pikura “Peizazh Impresiv”, nga piktori Faton Aliu është përzgjedhur nga juria profesionale dhe është ekspozuar në ekspozitën prestigjioze ndërkombetare “Red Dot Miami” në SHBA.
Ajo që ta rrëmben syrin, është ngjyra, forma dhe lëvizja e natyrës me një simfoni mbretërore të krijuar nga rregullat absolute. Fuqia e kësaj pikture është poetike, plot rrimë, ndërgjegje, shpirt, art, estetikë, vlerë dhe mirëfillë. Pesha e lojës shpirtërore është e barabartë me vetë motiviin, sepse pasqyra e shpirtit është natyra, pra ajri, uji, toka, gjelbrimi i dendur dhe masiv. Kompozimi refuzon mimetikën e thjeshtë, nuk është një imitim i peizazhit, por një rindërtim poetik i tij, i formësuar nga lëvizja, drita dhe masa e bojes. Vepra vendos në dialog perceptimin e natyrës me gjuhën e pastër pikturale, duke krijuar një hapësirë ku perceptimi dhe materiali bashkëveprojnë.
Paleta ngjyrave flet me dinamikën e një ekosistemi të brendshëm dominon gjelbërimi në nuanca që lëvizin nga thellësia oksidante në freskinë e gjelbërimeve të reja , “bërthama” të jetës bimore, ndërsa fusha e sipërme, transparente dhe e ndritshme, shton një tension nga vet ajri që lëviz gjithçka. Prekje të imëta violete dhe pulsime të kuqes shërbejnë si aksente janë drita të vogla që thyejnë monotoni dhe udhëzojnë vështrimin drejt nyjeve kyçe të kompozicionit. Kjo paletë mban harmoni analogjike, por edhe një kontrast të brendshëm që i jep veprës lëvizje dhe peshë.
Trajtimi i sipërfaqes është i guximshëm, impastot e dendura, goditjet e mëdha dhe shenjat e shpakllës së paletës shndërrohen në fjalë të një leksiku të vetë autorit. Çdo shtresë boje kontribuon në ndërtimin e volumit dhe atmosferës, boja fiton trup dhe prekje, deri sa sytë presin pothuajse të ndjejnë trashësinë e saj. Nuk është një dekoracion teksturor, por një fjalor gjuhësor që tregon procesin dhe intensitetin e aktit piktural.
Perspektiva zëvendësohet nga një ndjesi e kompresuar dhe atmosferike, thellësia manifestohet përmes ndryshimeve të densitetit dhe vlerave, jo përmes linjave drejtore. Kjo e bën peizazhin një fragment të kapur në kohë, një moment emocional i kondensuar në sipërfaqe pikturore. Ritmi vizual lind nga alternimi i zonave të ngarkuara dhe atyre më të qeta, përsëritja e motiveve dhe variacionet e tyre krijojnë një puls të brendshëm që mban kompozicionin në lëvizje, sikur një melodi e përbërë nga motive dhe devijime të vogla. Nga këndvështrimi filozofik, vepra shqyrton transformimin e përvojës perceptive në gjuhë pikturale, peizazhi shfaqet jo si kopje, por si ndërdije imagjinative dhe emocionale. Faton Aliu beson në aftësinë e mediumit për të kapur intensitetin ekzistencial të vendit dhe momentit , për ta bërë përvojën e natyrës një përvojë materiale dhe shpirtërore. Shpirti artistik që del në pah është i pasionuar dhe i kërkueshëm, një krijues që gëzon procesin, që pranon rrezikun formal për të arritur një të vërtetë estetike më të thellë. Vepra fton shikuesin të afrohet, ta ndjenë bojën, imazhin më shumë si përvojë shpirtërore se sa si një dëshmi reale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
