Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka njoftuar se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, ka shënuar rritje mesatare prej 5,3 për qind në muajin nëntor 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor ka qenë 0,4 për qind. Sipas të dhënave zyrtare, rritja e çmimeve ka prekur veçanërisht ushqimet bazë, energjinë dhe një sërë shërbimesh, duke ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve dhe në rritjen e kostove të operimit për bizneset. Një nga faktorët kryesorë të kësaj rritjeje mbetet energjia elektrike. Krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, çmimi i energjisë elektrike është rritur për 15.5 për qind, duke ushtruar presion shtesë mbi buxhetet familjare dhe sektorin prodhues. Ekspertë të energjisë dhe ekonomisë, si dhe ish-zyrtarë qeveritarë, kanë paralajmëruar se rritjet e vazhdueshme të çmimeve të rrymës, në një ekonomi që aktualisht funksionon pa institucione të plota dhe me alternativa të kufizuara energjetike, po e përkeqësojnë situatën ekonomike dhe po e bëjnë gjithnjë e më sfiduese jetesën për familjet dhe konkurrueshmërinë për prodhuesit vendorë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
