James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien thotë se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara. “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë O’Brien.  

 

Zëri i Amerikës: Zoti O’Brien, vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për të nxjerrë nga qarkullimi dinarin serb është acarimi i fundit në marrëdhëniet ndërmjet

Kosovës dhe Serbisë. Qeveria në Prishtinë thotë se dëshiron të zbatojë ligjet e veta, Kushtetutën e saj, të lejojë vetëm Euron si monedhë të vetme. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po thonë ndryshe. A mund të na tregoni përse mendoni kështu?

Jim O’Brien: Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin.

Zëri i Amerikës: Duket që Qeveria e Kosovës e kuptoi këtë edhe pas trysnisë ndaj saj dhe Banka Qendrore njoftoi për një shtyrje tre mujore. A është kjo kohë e mjaftueshme, sipas mendimit tuaj?

Jim O’Brien: Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe ne. Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane.

Zëri i Amerikës: A keni biseduar me Kryeministrin për shqetësimet tuaja dhe për këtë sugjerim?

Jim O’Brien: Kemi patur disa biseda në periudhën para se të shpallej vendimi dhe një shkëmbim të shkurtë më pas.

Zëri i Amerikës: Dhe si e prit ai vlerësimin tuaj?

Jim O’Brien: Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere.

Zëri i Amerikës: Zoti O’Brien, Bashkimi Evropian ka vendosur disa masa kufizuese ndaj Kosovës, pa i quajtur sanksione. A planifikojnë Shtetet e Bashkuara ta bëjnë të njejtën gjë, nëse Prishtina këmbëngul në qëndrimin e saj?

Jim O’Brien: Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere.

Zëri i Amerikës: A e shihni çështjen e dinarit të lidhur me Asociacionin?

Jim O’Brien: Çështja është se çfarë problemi po synon të zgjidhë vendimi i ri. Është e drejtë e Kosovës të vendosë se çfarë valute po dërgohet në juridiksionin e saj. Asociacioni do ta zgjidhte këtë problem duke qartësuar çështjen e parave që dërgohen dhe qëllimet për të cilat do të përdoreshin. Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët.

Zëri i Amerikës: Qeveria e zotit Kurti ka rënë dakort për asociacionin, që do ta zgjidhte çështjen e dinarit, por e konsideron atë si lëshim të madh që i është bërë Beogradit në këmbim të njohjes de facto të Kosovës, apo që të paktën Beogradi të nënshkruajë marrëveshjet për të cilat janë pajtuar palët. A ka të drejtë zoti Kurti? A duhet njohja de facto të ndodhë paralelisht me krijimin e Asociacionit?

Jim O’Brien: Në pranverën e kaluar, në Ohër, dy palët janë pajtuar për një sërë veprimesh që duhet t’i ndërmarrin njëra pas tjetrës, secila pavarësisht prej veprimeve të palës tjetrës. Dhe tani janë krijuar rrethana që i lejojnë të dy palët të fajësojnë njera tjetrën në vend që të punojnë që banorët e tyre të jenë të lirë dhe më të përparuar. Dua të theksoj se qysh nga tetori, Serbia ka bërë dy hapa të rëndësishëm të normalizimit apo të njohjes de facto të Kosovës, përmes zbatimit të targave të makinave dhe dokumenteve doganore. Këto janë synime që janë kërkuar për një kohë të gjatë dhe u realizuan dhe besoj se ka gjëra të tjera, që do të ndodhin në këtë aspekt, nëse i kthehemi dialogut në vend që të veprojmë jashtë tij, siç vendosi të bëjë qeveria (e Kosovës).

Zëri i Amerikës: Por sipas një letre që kryeministrja e Serbisë Bërnabiç u ka dërguar zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ajo realisht hedh poshtë përmbajtjen e atyre marrëveshjeve.

Jim O’Brien: Mendoj se varianti i parë i letrës, që hodhi poshtë (marrëveshjen), është tërhequr. Ato që unë shikoj, janë veprimet, njohja de facto. Normalizimi në këto dy komponentë kyçë u bë në muajt e fundit dhe ka diskutime për gjëra tjera që mund të bëhen, nëse punojmë ashtu siç punojnë shtetet moderne evropiane.

Zëri i Amerikës: Dua t’iu pyes për incidentin në Banjskë, i cili duket se ka ndryshuar paksa qasjen e Perëndimit ndaj Serbisë. A mendoni se Beogradi qëndron prapa tij?

Jim O’Brien: Pas incidentit të Banjskës, e kemi bërë të qartë se KFOR-i mbron të gjithë njerëzit e Kosovës, përfshirë ata në pjesën veriore. U kemi bërë thirrje të dy qeverive të jenë transparente dhe të hapura me KFOR-in dhe dua të theksoj se Serbia zëvendësoi shefin e shërbimit të zbulimit, i cili ishte i përfshirë në të. Ata kanë arrestuar dhe janë pajtuar se do t’i ndjekin penalisht njerëzit që janë drejtpërdrejt përgjegjës për incidentin në Banjskë dhe trupat serbe janë tërhequr nga pjesa afër kufirit. Të gjithë këto hapa janë bërë dhe pastaj, pas Banjskës u ndërmorën hapa drejt njohjes de facto me doganën dhe targat. Këta janë hapa të rëndësishëm që erdhën si rezultat i përgjigjes dhe përkushtimit ndaj dialogut. Pra, ne duam përkushtim për të punuar drejt zgjidhjes praktike të këtyre problemeve, jo ndërmarrjes së masave të njëanshme për përfitime vetjake që shqetësojnë partnerët tuaj po aq sa shqetësojnë qytetarët tuaj.

Kontrolloni gjithashtu

Intervista e ‘Zërit të Amerikës’ me Komandantin e marinës amerikane për Evropën dhe Afrikën dhe i forcave të NATO-s, admirali amerikan, Stuart B. Munsch

Komandanti i marinës amerikane për Evropën dhe Afrikën dhe komandant i forcave të NATO-s në …