Ruzhdi Jashari

Intervistë ekskluzive e veprimtarit dhe reporterit të luftës së UÇK-së, Ruzhdi Jashari dhënë TV-Diellit

Ruzhdi Jashari është veprimtar i njohur për të drejtat e njeriut, luftëtari i lirisë,  reporter i  luftës së UÇK-së, kryetari i parë i Shtimes në Qeverinë e përkohshme të pas luftës, publicist dhe autor i shumë studimeve dhe librave të botuar.

Mirë se erdhët. z Ruzhdi në Studion e TV-Diellit

– Ruzhdi, keni lindur në Jezerc, një fshat me një histori të bujshme,  të njohur e të panjohur sa duhet, por shumë të njohur në kohën e  luftës së UÇK-së.

Jezerci është një fshat shumë i vjetër. Historia e këtij fshati ishte shumë e bujshme. Paria dhe burrat e këtij katundi në të gjitha kohërat ishin të mishëruan me mesazhin e të mirës,i luftonin dukuritë negative. Vlen për t`u theksuar se Jezerci i bëri strehë lirisë dhe u sakrifikua gjithmonë për liri kombëtare, duke qenë në themelet dhe bazat e saj pa pretenduar për të qenë “komandues dhe karrieristë në majet e piramidës”. Nëpër të gjitha etapat e historisë Jezercin dhe Jezercasit i gjejmë në përkrahje të pakursyer të betejave, për liri. Aty pati frymë lirie, frymë burrërie e humanizmi,për të mirën e përgjithshme. Në kohën e luftës së UÇK-së, fshati kishte rreth 70 ushtarë të mobilizuar, dha 9 dëshmor. E strehoi me muaj të tërë dhe e mbajti UÇK-në me shtroi e mbuloi dhe me ushqime.

 

  Si e mbani në mend vendlindjen dhe kur e keni lëshuar fshatin,  kuptohet për shkak  të kushteve të rënda e vështirësive për të mbijetuar atje?

Jezercin, në kohen time, e mbaj mend një fashat me 350 shtëpi. Fshati ka pasur 6 lagje. Unë kam lindur dhe kam jetuar deri në moshën 20 vjeçare në Lagjen e Katunit, e cila ishte ndër lagjet më të vjetra të fshatit. Atë kohë, kur ne kemi dalë nga Jezerci, lagja ka pasur diku rreth 35 apo 36 shtëpi. Për nga shtrirja gjeografike Jezerci zë një sipërfaqe prej 22% të territorit të përgjithshëm të Komunës së Ferizajt. Vetëm gjatë luftës së UCK-së pata rastin ta vizitoja fshatin në tërësi, me rastin e aktiviteteve të mia në UÇK. Shumë fshatarë, thuhet nga vendësit, gjatë jetës së tyre, nuk e vizituan fshatin në tërësi për shkak gjerësisë territoriale dhe lagjeve të shkapërderdhura.

Fshatarët kryesisht janë marrë me blegtori dhe me pak bujqësi. Pak ka pasur mërgimtarë. Por edhe më pak ka pasur të punësuar të cilët mund të llogariteshin në gishta të dorës. Për ditën e tregut, apo për ndonjë punë tjetër, në Ferizaj shkohej këmbë, apo me kuaj. Zakonisht me kuaj, e shumë vonë me qerre, fshatarët shisnin dru për blerje të gjërave elementare. Konsideroheshin si shumë të fortë për kah idarja, ata fshatarë që siguronin në vjeshtë miellin për muajt e dimrit. Në kohën time në Jezerc nuk kishte rrymë elektrike, nuk qarkullonte autobusi, rrugët ishin t`pa asfaltuara dhe tejet të dëmtuara. Gjithçka që bëhej për nga infrastruktura në fshat, fshatarët e bënin me vetë kontribut, ku rregullonin rrugët e tyre lokale, shkollat, urat etj. Madje në lagjen time vëllai i gjyshit tim e kishte lëshuar odën e tij për shkollën 4 klasë për fëmijët e lagjes sonë dhe asja Ukëzmajli që ishte afër nesh, pa kurrfar kompensimi, për shumë vite. Ishte një jetë mjaft e rëndë por, shumë solidare në mes të fshatarëve. Ata dimrin e kalonin me lojëra të ndryshme, me ndeja plot humor e me vizita të vazhdueshme tek njëri-tjetri!

Fshatarët ndihmonin njëri tjetrin kur ata binin në ndonjë vështirësi, kur ata kishin ndonjë nevojë,kur kishin dhembje, apo kur kishin gëzime, ndihmoheshin nga e gjithë lagja. Një kujtim që përherë e mbaj në mendje është ajo se; kur un isha fëmijë në kl.te II-të tek ne ishte Jemini, një nip i yni nga Stravuçina e Suharekës. Si nxënës kishim mungesa në fletore, libra e lapsa. Jemini ma dha një laps të ri qe unë u gëzova shumë, por filloi të lakmon shumë Sadriu, vëllai im pas meje, që sapo kishte filluar klasën e parë dhe filloi të qante, pse edhe ai nuk e kishte një laps si unë.

Jemini, ma mori prapë lapsin dhe për të na pajtuar të dyve, tha; lapsi është për ju të dy, e preu në gjysmë, e sprehu dhe na e dhuroi të dyve nga një gjysme lapsi. Pastaj u qetësuam dhe ishim të gëzuar të dytë.   Babai ynë ishte rritur jetim pa nënë. Nëna i kishte vdekur në moshen 12-13 vjeçare Gjithashtu edhe ne e patëm të njëjtin fat, por ne na vdiq babai kur unë isha në moshën 9 vjeçare.

Shkollën fillore e mbarova në Jezerc, të mesmen, Teknike në Ferizaj. Ishim 4 vëllezër dhe një motër. Un isha më i madhi. Jetonim bashkë me gjyshin dhe dy axhallarët e tjerë. Ato ditë të para kur nisa klasën e patë “baci” (ashtu i thoshim babait) u gëzua shumë dhe në bisedë me mua më thoshte: mëso shumë që të bëhesh teknik. Ai ishte punëtor krahu në pylltari, ku priste trupa, dhe sigurisht ajo puna e teknikut, “sipas tij”, i kishte bërë përshtypje shumë atij dhe shokëve të tij, për pranimin e punës, per matjen e metrave, për selektimin e pyllit, për mbikëqyrjen e tyre etj. Ku kjo punë “sipas tyre” ishte “punë e paarritshme dhe i përkiste teknikut”

Ndodhi krejt pa dëshirën time, që unë të përfundoi si nxënës në shkollën e mesme teknike, përkundër asaj që dëshiroja gjimnazin, i cili posa ishte hapur në Ferizaj, ku ishin vetëm tri gjenerata para nesh.

Nga kushtet e rënda, për ndjekje të shkollimit, në fund të vitit 1975 ne u shpërngulëm në Shtime; ku qysh në vitin 1971 gjyshi e kishte blerë një shtëpi të vogël në Shtime. Në kohën që jetonim në bashkari kishim rreth 80 krerë dele, e kopeja shkonte deri edhe mbi 100, kishim 16 lopë e vjeta, kishim nja 7-8 krerë dhi, dhe një kali. Më vonë i bëmë dy kuaj dhe qerren.

– Në vitet 90, në kohën kur regjimi i Milosheviqit shqiptarët i kishte dëbuar nga institucionet, krahas angazhimeve për familjen ju keni qenë mjaft i angazhuar edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të drejtave të Njeriut, Dega në Shtime dhe në Këshillin Financiar, i cili mundohej ta mbante gjallë arsimin kombëtar? Na thoni diçka për organizimin e asaj kohe në komunën e Shtimes në veçanti,

Kur ne u dëbuam nga institucionet, unë u angazhova në disa aktivitete të ndryshme. Na dëbuan dhunshëm nga Fabrika e Gypave e Ferizajt, ku atë kohë punoja si udhëheqës i një ndërrimi. Ishim nga të parët që u larguam dhunshëm, preteksti ishte se; isha i vendosur në mbështetje të lëvizjes punëtore kundër rrënimit të autonomisë politike të Kosovës, Kisha kundërshtuar, marrjen e masave kundër punëtorëve që kishin marrë pjesë në demonstrata. Dhe nuk kisha lejuar ndëshkimin e punëtorëve. Pengesë për serbët dhe masat dhunshme të u instaluara në fabrikë ishin edhe “fëmijët e mi” që atëherë kisha 6 fëmijë dhe me shpallën si nacionalist.

Në fund të vitit `89 u angazhova rishtas në arsim, tash në shkollën e mesme “Naim Frashëri” në Shtime dhe vazhdova deri në pranverë të vitit 1998, pastaj iu bashkova UÇK-së deri në përfundim të saj më 12 Qershor 1999. Gjatë punës në arsim u angazhova bashkë me shokë në themelimin dhe organizimin e Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shtimjan, me ç` rast do të marrim pjesë si delegat edhe në Kongresin e Parë të Sindikatave të Pavarura të Kosovës në Gjakovë, më 30 qershor `90.

Përderisa ajo pak autonomi e Kosovës po rrënohej, qytetarët dëboheshin nga vendet e tyre të punës, arsimi në gjuhën shqipe u hoq nga financimi dhe nxënësit u përzunë nga objektet shkollore, burgjet mbusheshin çdo ditë me të rinj e të reja dhe Kosova ishte bërë një burg i madh, pa të drejta elementare për jetë, ku karshi kësaj gjendje njeriu nuk mund të ishte indiferent, andaj koha kërkonte veprim. Kështu në fund të vitit 1989 bashkë me disa shokë e formuam këshillin nismëtarë të LDK-së. Më vonë pas angazhimeve tona të përbashkëta me grupet dhe asociacionet tjera që vepronin në Komunë të Shtimes e themeluam Këshillin Komunal për Vetëfinancim, më vonë më (`92) themelohet si Këshilli Komunal për Financim.

Duke ditur barrën e rëndë që kishim për organizimin paralel të institucioneve tona për mbajtjen e arsimit dhe funksioneve vitale të ekzistencës sonë kombëtare, në Prishtinë në shkurt 1992 emërohet Kryetar i këtij Këshilli Mehmet Hajrizi, një personalitet i posa dalë  nga burgu, njeri me integritet të lartë moral dhe kombëtar me ç` rast e dhamë betimin për punë dhe vetëmohim, për detyrat që na prisnin. Punën e bëmë me përkushtim dhe sukseset nuk na munguan përkundër vështirësive dhe dhunës së policisë serbe ndaj anëtarëve dhe aktivistëve të Këshillit. Shfrytëzoj nga rasti të falënderoi të gjithë ata anëtar burra e gra që punuan me nderë e përkushtim, vullnetarisht pa pagesë në mbajtjen gjallë të arsimit dhe frymës sonë kombëtare.

Në vitin 1995, për shkak të disa mospajtimeve dhe tentimeve për ndërhyrje nga jashtë në punën e Këshillit, moslejimet dhe kundërshtimet e mija ndaj këtyre veprimeve bën që të largohem nga Këshilli i Financimit. Paralel punëve tjera unë isha i angazhuar edhe në punën e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Nën këshilli në Shtime. Shumicën e aktiviteteve i financonim vet dhe këtë e mbështetnin tërë familja ime. Tashmë KMDLNj në Shtime po kryente punë në sensibilizimin e opinionit veçmas atij të jashtëm, për dhunën dhe krimet që bënte aparati shtetëror serb mbi shqiptarët në këtë zonë. Fillimisht punën e nisëm bashkërisht me shumë veprimtar si: Ramadan Veliun, Femi Mujotën, Reshat Gashin, Banush Tërshanën, Miftar Miftarin, Xhevat Tërshanën, Sabri Veliun, Fehmi Hysenin, Faton Imerin, Ali Ukën, Kemajl Ademajn etj. Me përkushtim e punuam një Raport me dëshmi dhe dosje për përjetuesit e dhunës të cilin përmes KMDLNj-së në Prishtinë e dërguam në Komesariatin e Lartë të OKB-së për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut-Elizabeta Ren-it. Raporti ishte cilësuar mjaft profesional dhe ishte botuar në gazetën “Bujku”. Kjo kishte alarmuar policinë serbe dhe UDB-në, dhe maltretimet priteshin. Kështu një ditë 5 polic serb kishin sjellë ftesën për paraqitje në të ashtuquajturën “bisedë informative”. Hezitoja për paraqitje në UDB (sigurimi shtetëror serb).

Biseda të këtilla “informative” kishin ndodhur shpesh, por kjo ishte në kohën kur ishin bërë sulme dhe ishin vrarë polic serb nga UÇK-ja edhe në Shtime. Mbështetja dhe fryma ime shkonte në drejtim të organizimit të luftës për liri.. Isha i vendosur në këtë drejtim. Bashkë me z. Ramdan Veliun, ish i burgosur politik e konsultuam z. Demaçi (kryetar i KMDLNJ ne Prishtinë), i cili më sugjeron që të shkoja, duke më thënë që mbroje punën tënde; “kur të hysh aty mendo se nuk ka Ruzhdi ma” dhe “në rast se ndodh diçka e rëndë ne e bëjmë një taravi…”. Unë megjithatëç iu përgjigja kësaj ftese, fyerjet, përuljet, poshtërimet, kërcënimet, sharjet dhe dhuna psikologjike u ushtruan tërë ditën nga ora (9.00 – 18.00). Ku më urdhërohet për t`u paraqitur pas tri dite përsëri në UDB. Ndërsa unë vendosa që mos t`i përgjigjesha kësaj ftese dhe i bashkohen UÇK-së që tashmë kishte filluar aktivitetin publik të luftës kundër aparatit shtetëror serb. Për këtë kisha ndarë mendjen edhe  gjatë bisedimeve konfidenciale me Ahmet Qerqin qysh më heret.

 – Ne jemi njohur diku në fillim të viteve 90. Unë isha liruar nga burgu edhe pse punoja në zdukthëtarinë e babait përpiqesha të mbaja kontakte me veprimtarët, mësimdhënësit. Ju keni qenë në mesin e    atyre që më keni mirëpritur dhe prej atëherë kemi mbështetur vazhdimisht njëri tjetrin.

Para kontaktit fizik mes nesh, kisha marre njohuri për punën e Ahmet Qeriqit nga shokët si; një njeri plot elan për punë, i guximshëm dhe shumë i përgatitur profesionalisht. Nxënësit e Ahmetit flisnin me simpati për të. Prej nxënësve të tij dëgjoja me kureshtje për cilësinë e ligjëratave dhe atdhe dashurinë që prof. Ahmeti kishte mbjellur te ata, edhe pse unë nuk kisha pas rastin ta njihja personalisht para rënies së tij në burg. E krijova një simpati për qëndresën intelektuale dhe sakrificat e kaluara  nëpër burgje për çështjen kombëtare.  Dhe për një intelektual që po punonte pas daljes nga burgu në një punëtori të dërrasave, që aq shumë i duhej arsimimit, të rinjve tanë, për mua ishte e papranushme që ai të mbetej anash. Andaj isha i lumtur që më ishte dhënë rasti që sadopak ta mbështesja veprën Tuaj (Ahmetin) të merituar, dhe se për rrugën që po kalonim idetë tona mbështeteshin plotësisht dhe pikëpamjet e qëndrimet ishin identike, nga se kishin gjykim objektiv, ishin të sinqerta dhe të drejta. Andaj, Ju ishit një pikë bashkuese, ku shumë njerëz u tubuan rreth jush që asokohe ishit njeri tashmë me përvojë se si duhej sakrifikuar, për synimet tona për liri. Dihej se asgjë nuk vinte vetevetiu.

– Pak kohë para fillimit të luftës kemi biseduar hapur për detyrat e  rënda që na presin, të vetëdijshëm se do të ballafaqohemi me sfida  shumë të rrezikshme, por edhe këmbëngulës e të bindur thellë se pa  luftë nuk do të çliroheshim, edhe pse kreu politik i kohës hezitonte  të besonte në fuqinë e armëve. Asokohe ke raportuar në KMLDNJ për

represionin serb dhe ke qenë në shënjestër të milicisë serbe. Disa  herë u kanë marrë në “sikur quheshin biseda informative”. Si ia keni  kaluar me ta.

Realisht,  ato quheshin  biseda informative por ato ishin shantazhe, ishin dhunime psikologjike, ishin presione të lloj-lloj formave ishin kërcënime e poshtërime të neveritshme të gjitha formave. Kishte edhe dhunë fizike ne mesin e atyre që merreshin në asi lloj “bisedash”. Ky “laborator” i UDB-së serbe fabrikonte, dezinformonte, promovonte e lansonte lloj-lloj forma konfrontuese e përçarëse, përmes veprimeve e “sekserëve” të vet, kundër njerëzve që kishin fituar mbështetjen e masave qytetare, me të vetmin qëllim që lëvizja e jonë të përçahej, të shkatërrohej dhe veprimtaria jonë të pamundësohej. Por kjo nuk u arrit asnjëherë nga UDB-ashët dhe sigurim-cat serb. Ishim pranë qytetarëve dhe pranë atyre që “merrnin frikë” më tepër se ç`duhej nga “bisedat e tilla informative”. Liria kërkonte edhe jetën tonë. Të gjithë ata që merreshin në “biseda” thoshin: “po si të përgjigjem nëse më thonë se; kush t`ka thënë për me marrë deklarata për “personin që ishte dërmu” për një “pushkë që nuk e kishte”; “kur dihet se ju Ruzhdi më keni porositur për marrjen e  deklaratës”? Kështu thoshin edhe aktivistët e Këshillit të Financimit, që ishin të shumtë dhe dhuna ishte e sforcuar te ky segment, sepse ishte jetik për mbajtjen e arsimit. Për t`iu dhënë zemër e kurajo për punë, të gjithëve u thoja: “thoni se ne kemi marrë urdhra e sugjerime për punë nga udhëheqësi ynë, R.Jashari, nuk keni pse frikësoheni sepse unë jam përgjegjësi në këtë segment për territor të Shtimës”. Ky qëndrim i lironte aktivistët nga frika dhe krijonte besim e mbështetje për hecje përpara. E dija se qëndrimet e mia nuk ishin të lehta, por, ishte e vetmja rrugë që duhej ndjekur. Në këto lloj “bisedash informative” unë nuk e kam pasur lehtë, por punën time e kam mbrojtur dhe kamë qenë këmbëngulës në punën time, për të drejta dhe liri kombëtare dhe se thëniet e mia të prera, ishin “nëse jam në kundërshtim me ligjet tuaja ju mund të më burgosni kur të doni” un e kam zgjedhur këtë rrugë për t`i ndihmuar popullit tim”. “ (Uskoro qe da budesh u zatvor ali mi neqemo to josh neki dan…… ili qe da te isteramo preko Prokletija,… ovde je srpska zemlja,….  ( Shpejt do të fusim në burg, por presim edhe ndonjë ditë, dhe do t iu hedhin përtej Bjeshkëve të Nemuna) ”e lloj-lloj sharjesh e fyerjesh por nuk jam luhatur asnjëher për asnjë moment. Bindjet tona ishin se, pa luftë ne nuk mund të çliroheshim, ky ishte mendimi yn i përbashkët.

– Në kohën e luftës, deri me rastin e krijimit të Zonës Operative të  Neredimes, disa herë keni qenë në Zonën e Pashtrikut, konkretisht në  Krojmir dhe në fshatrat e Drenicës dhe keni njoftuar KMLDNJ-në në  Prishtinë për gjendjen e popullatës, shkatërrimet që linte prapa  regjimi kriminal i Milosheviqit. Si keni arritur të veproni në kushte  të tilla?

Në këto kushte veprimi isha tejet i kufizuar. Në KMDLNJ në Prishtinë, para shpërthimit të luftës, ne kishim krijuar njohje me njëri tjetrin në të gjitha degët e nën këshillave Komunale të Kosovës. E kishim “specializuar” punën e informimit, këtë na e kishte mësuar gjendja e rëndë në teren. Kishim krijuar pika kontakti edhe jasht vendit me shoqërinë civile, me shtypin botëror, me personalitete me ndikim, dhe tashmë ne kishim krijuar një listë me emrat e personaliteteve me ndikim që nga Grupi i Kontaktit G8, Ambasadat e fuqishme të huaja në Tiranë e Beograd, madje në Vashington, në New York, Bruksell, OSBE, Komesarjatin e të Drejtave të Njeriut.

Ne kishim numrat e telefonave zyrtar dhe celularë. Situatave nuk u dihej ne po shkonim drejt një lufte dhe të paktën informata ishte ajo që së pari i duhej opinionit, ishte arma kryesore e veprimit dhe mobilizimit në rrethanat tona të veprimit. Këshilli në Prishtinë duhej informuar, ngase ata kishin kontakte shum më të mëdha me masat dhe opinionin e gjerë, me diplomacinë dhe shtypin. Përmes tel. që kisha lidhesha drejt-përdrjet me z. Behxhet Shala, Ibrahim Makollin, Halime Morinën, Pajazit Nushin, Bacën Adem e shumë të tjerë për informata të kohpaskohëshme. Në Shtime gjithashtu fillimisht ishte ekipa që e njoftoja prej zonave të luftës, por pasi Shtimja ishte tashmë e tëra e përfshirë në flakët e luftës, veprimtarët e Këshillit Komunal të Shtimes u pamundësuan për veprim.

KMDLNj e Prishtinës e kam marr në kontakt gati çdo ditë, dy e tri herë në ditë deri në gjysmën e dytë të shtatorit `98. Kur e dhash[ informatën për Tv. Tiranën, Redaksia e Programit informativ për Kosovë, si gazetar-bashkëpuntor i rregullt nga Nënzona Operative e Nerodimës, me emër e mbiemër, kjo ishte informata e 13 shtatorit 1998. Tashmë fillova si gazetar lufte të raportoja. Pas pak dite në një konsulltim me z.Shala i dhash fund prezantimit tim nga “tereni si veprimtar i KMDLNj-së”, që t`mos e rrezikoja veprimin e KMDLNj-së në Prishtinë. Tani edhe për gjendjen e popullatës, shkatërrimet që bënte ushtria e policia serbe, por edhe për luftën e betejat heroike të UÇK-së, raportoja vetëm si gazetar nga zonat e luftës. Ishin shumë agjenci që furnizoja me informata, brenda dhe jasht vendit, ndërsa me formimin e institucioneve autentike informative të UÇK-së: “Radio Kosovës së Lirë” dhe “Kosovapresit”, 04.1.1999, vazhdova te jap informata tashmë edhe për këto dy institucione të informimit dhe të lirisë, që përhapnin dhe prezantonin denjësisht zërin autentik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

– Sapo ishte konstituuar  Zona, ndodhi edhe Beteja dhe Masakra e  Reçakut. Çka mund të na thoni shkurtimisht për atë ditë të rënda por  edhe heroike?

Këtu pikërisht ishte edhe fillimi i fundit të regjimit të Millosheviqit mbi Kosovën. Rrenat e plasimet serbe për shumë dekada me të pavërtetat që përhapeshin mbi shqiptarët dhe Kosovën në opinionin e jashtëm si, dhe tymi i zi dhe terri informativ filluan të bien, pikërisht me Reçakun.

Krimi në Reçak nuk ishte as i pari e as i fundit, por në këtë kohë brenda Kosovës ishte misioni i OSBE/OSCE, në krye me Viliam Woker-in, i cili po përcillte zhvillimet në teren dhe realizimin e marrëveshjes Millosheviq-Hollbruk, të tetorit `98, për tërheqjen e forcave të ushtrisë serbe nga pozicionet dhe futja e tyre nëpër kazerma. Forcat e UÇK-së, në këtë kohë ishin të pozicionura 500 metra afër Shtimes.

Mbështetja e masave për UÇK-në ishte shumë e madhe, dhe se imazhi edhe brenda e jasht vendit po ngritej vazhdimisht. Ky mbase do t`jet një prej preteksteve kryesore që Serbia tentonte ta thyente dhe t`i përdorte kundër UÇK-së edhe forcat e ushtrisë duke shkelur marrëveshjen Millosheviq-Hollbruk. Kjo ishte koha më e rëndë, por më vendimtarja dhe më krenarja që nga fillimi i luftës në Kosovë.

Serbia në krye me Millosheviqin organizoi këtë skenar mbi popullsinë civile, masakrimin e civilëve, të cilët duke u rrahur brutalisht ishin nxjerrë nga shtëpitë e tyre dhe ishin drejtuar drejt Kodrës së Bebushit mbi fshat, për ekzekutim.

Kjo u pa dhe u verifikua me saktësi  nga Vokeri dhe mediat botërore të akredituara në atë kohë në Kosovë. Shumë civil ishin ekzekutuar brutalisht rrugicave të fshatit, në mesin e tyre gra, fëmijë dhe pleq. Informatat ton atëbotëë për krimet serbe në Kosovë, të kësaj ane ishin marrë seriozisht nga përfaqësuesit e ekipeve të akredituar në Kosovë.

Ne, me mundësit tona që kishim identifikuar viktimat, kishim bërë fotografimin e tyre, dhe ishte bere një obdukcion nga Dr,Veziri i cili ishte i angazhuar në DMPAC të ZON-së dhe mjek në Brigadën 161 të UÇK-së. Ishte ngritur edhe një Këshill i Varrimit nga fshati, ishin hartuar 5 pika nga DMPAC të adresuara për “palën serbe” përmes OSBE-së, që varrimi të mos pengohej dhe të ishte i lirë. Duke e parë këtë jehonë kaq të madhe që ishte kthyer bumerang për Serbinë, Serbia kishte nisur luftimet për marrjen e kufomave dhe e pengoj varrimin e paraparë për datën 17 Janar 1999. Këto veprime serbe akoma më shumë e alarmuan opinion ndërkombëtar. Sensibilizuan akoma më shumë luftën e UÇK-së dhe rriten mbështetjen e fuqishme për UÇK-në. Serbia tani kishte nisur një lojë të ndyrë  për fshehjen e krimit dhe gjurmët e këtij gjenocidi, duke zvarritur varrimin dhe duke tentuar ta jepte variantin e obdukcionit sipas asaj që i konvenonte Serbisë. Por, nuk kishte dy të vërteta, ajo ishte një dhe kjo i kushtoj Serbisë me përshpejtimin e veprimeve të OKB-së dhe organizimin e shpejt të Konferencës së Rambujes, që pasoi me Intervenimin e NATO-së mbi Serbinë.

– Gjatë tërë kohës së luftës keni qëndruar në radhët e para me  ushtarët e UÇK-së, pjesë e të cilëve ke qenë që nga fillimi, por edhe  me  popullatën civile, që ishte zhvendosur në male. Ke raportuar për  Radion-Kosova e Lirë, për Kosovapresin dhe për agjencitë botërore të  lajmeve. Si keni arritur, cilat kanë qenë sfidat më të rënda?

Dihej se alternative e vetme për çlirimin e Kosovës, kishte mbetur vetëm lufta kundër okupimit nga Serbia. Kosova ishte një bombë e kurdisur që nga Komisioni i Badinterit `89, i cili kishte nxjerrë rekomandimet e njohjes së pavarësive të ish Republikave të Federatës Jugosllave, që kishin organizuar referendumet e shkëputjes nga Federata Jugosllave. Ky komision nuk kishte marrë në konsideratë subjektivitetin e dy Krahinave Autoniome që të njiheshin pavarësitë e tyre ndërkombëtarisht. Kjo ishte bomba e kurdisur dhe alternativa e vetme për të gjithë ata që kishin sy e vesh ishte lufta e armatosur, Kosova nuk mund te çlirohej pa lufte. Për mua ishte krejtësisht e çartë dhe nuk kisha iluzione në këtë drejtim. Dimensioni i luftës ishte i gjerë, përveç pjesëmarrjes në organizim, ndihmesën logjistik dhe pjesëmarrjes edhe në beteja, kur e kërkonte nevoja, isha i përkushtuar edhe ne organizimin e jetës civile të asaj pjese të popllsisë e cila jetonte e bashkëvepronte në territoret e kontrolluar nga UÇK-ja. Fillimisht ishte kujdesi për sistemimin, strehimin, organizimin e ndihmës mjeksore dhe kujdesit për ushqime; që kryesisht si veprimtari pune binin në domenin organizativ të Drejtorive për Mbrojtje Civile dhe Administratë Publike, të riorganizuara nga tetori i vitit `89, kur Nën zonat Operative të UÇK-së kishin tronsformuar riorganizimin e tyre në Zona të UÇK-së.

Përmes DMPAC mbështetej komplet edhe logjistika e UÇK-së. Kjo ishte një vlerë e shtuar edhe për vet UÇK-në, ku imazhi i sajë në këte kuptim po rritej vazhdimisht. Fillimisht para ngritjes së institucioneve të informimit të UÇK-së; Radio Kosova e Lirë dhe Kosovapres, fillova informimin nëpër shumë agjenci tjera të informimit, si korrespondent nga zonat e luftës. Isha bashkëpunëtor i rregullt i RTK-së për programin informativ në Radio Televizion të Tiranës, që organizohej për Kosovën. Ndërsa me kërkesën e palës Gjermane përkatësisht drejtoreshës së Radio Dojçe Velles, unë gjatë kohës së intervenimit të NATO-s në Kosove bëhem korrespondent i rregullt, zyrtarisht i pranuar prej tyre, edhe i Dojçe Veles, ku raportoja çdo dit drejtpërdrjet nga Kosova, në emisionet ditore informative deri në përfundim të luftës. Thuhej atë kohë se “vetmja Dojçe Velle”, nga agjencitë e huaja gjatë bombardimit të NATO-së, e kishte korrespindentin e vet të rregullt. Un isha Ushtar i UÇK-së dhe kjo nuk ishte kurrëfar problemi, për politiken redaktuese  të radios gjermane-Dojqe Vele.

Ata më prezantonin si “Korrespondenti yne i rregullt, drejteperdrjete nga zonat e luftës”. Informatat transmetoheshin pa ndërhyrje dhe pa censurë.

Kështu e jepja kontributin tim modest për të gjithë ata qytetar tan jashtë atdheut, kudo që ndodheshin ata në Gjermani, shtetet tjera Perëndimore dhe gjithë andej rruzullit tokësor, që të informoheshin me zhvillimet në Kosovë dhe në zonat ku veproja. Sfida kishte nga të gjitha llojet, nga mungesa e telefonave, baterive te telefonit nga mungesa e mungesa e rrymës, nga mungesa e valëve etj.

Kushtet pak para përfundimit të luftës filluan të më përmirsoheshin. Ne maj 99` Kadri Veseli ma kishte dërguar një telefon satelitor enkas për mua, të cilin e kishte regjistruar në Zvicer, dhe tashmë shumë probleme i pata evituar në këtë drejtim. Pas një kohe me ndihmën e disa ushtarëve të UÇK-së z. Reshani nga Mitrovica, një elektroinxhinier i shkolluar në Zvicër,njohës i shkëlqyer i teknologjisë së telekomunikimit u lidha edhe me internetin, përmes telefonit satelitor. Një pjesë  të kohës, 2 orë brenda ditës, i vura në shërbim për njohje dhe informacione për popullsinë civile e cila ishte e shkapërderdhur në të katër anët e botës. Puna ishte me shumë presion por shpirti na pushonte kur arrishim sadopak që shihnim se po u ndihmojmë njerëzve dhe po i japim krah luftës për liri, tani nuk ishim vetëm, ne kishim krijuar aleat në shumë anë të botës.

– Më 12 qershor ishe ndër të parët që ke  hyrë në Shtimen e çliruar nga barbaria serbe. Keni gjetur shtëpinë të  bombarduar e të minuar, familjarët e katandisur gjithandej, detyrat  e ngutshme për të venë rregull, rend e ligj, kontakti me përfaqësuesit   e UNMIK-ut e të KFOR-it. Jeni emëruar edhe kryetar i parë i komunës  së Shtimes dhe në vazhdimësi keni qenë i angazhuar deri  në maksimum.  Si ia ke arritur tërë këtë, Ruzhdi?

Në mbrëmjen e datës 10 qershor, njësitet e UÇK-së, u vendosen në hyrje të Shtimes, Lagja sipër rrugës Shtime-Petrovë në afërsi të Entit Special për strehimin e personave me të meta. Ndërsa unë kam hyrë më datën 11 qershor rreth orës 13.00. Kemi lëvizur diku rreth dy orë nëpër Shtime dhe lagje të Shtimes. Gjatë kësaj kohe (11 qershor) kemi fokusuar vendin për vendosje dhe kemi parë shumë shkatërrime shtëpish, rrugë të shkatërruara, pothuajse Shtimja ishte e boshatisur. Ndërsa vëreheshin vetëm lëvizjet e banorëve serbë, por jo lëvizje të shumta dhe më tepër endeshin të moshuarit.

Duhet theksuar, se këtë ditë, paradite ishte plagosur rëndë nga serbët lokal, Sefë Hysenaj, ushtar i UÇK-së, i cli ishte dërguar për shërim në Itali. Sefa nga plagët e rënda tani e ka të humbur njërin sy.

Kontaktet e para pas dite janë kërkuar nga KFOR më datën 11 qershor diku në orët e mbrëmjes. Më datën 12 qershor jemi vendosur në Shtime, në objektin gjysmë të meremetuar, para komunës, kemi vendosur dy tavolina pune e 5 karrige në dy zyre në katin e parë. Kemi vënë kontaktet me KFOR-in që sapo ishte vendosur në objektin e komunës. Kështu filloi puna nga zerroja, pa fonde, pa logjistik, pa resurse humane dhe pa gjëra elementare për jetë e punë.

Ishim shumë të përkushtuar në punë. Në aspektin shëndetësor i dhashë detyrë Dr.Vezirit për regjistrimin e gjithë materialit shëndetësor, përgatitjen e shtëpisë së shëndetit dhe përgatitjen e kuadrove fillestare për punë, që brenda 4 dite ambulanca të vendoset në shërbim të qytetarëve. Ndërsa për pjesën tjetër të punëve si: Përgatitja e një raporti të shkurtër për gjendjen momentale të shkollave i dhashë detyrë Ibrahim Nezirit, për logjistikën dhe sasinë e materialit rezervë ushqimor në UÇK, në ZON, si; rezerva të miellit, vajit, sheqerit dhe gjërave tjera ushqimore, e obligova Jakup Fejzullahun, ndërsa për gjendjen e banimit, infrastrukturës dhe puseve të ujit të pijes e projekteve momentale ishte angazhuar Ali Ademaj.

Të gjitha këto punë u kryen për 4 ditë, dhe ne tashmë e kishim një pasqyrë orientuese të prioriteteve, se si duhej të vepronim. Ambulanca fillo më 16 qershor punën, me staf pothuajse të kompletuar për fillim. Për Entin Special, siguruam miell vaj sheqer dhe të gjitha gjërat ushqimore për të sëmurët, ku numri i tyre ishte diku mbi 700 persona të hendikepuar dhe me retardime.

Me sukses e aktivizuam kuzhinën dhe kuadrin e punës në këtë institucion. Theksoj se me datën 12 qershor ky Ent ishte braktisur nga stafi dhe punëtorët serb. Është dashur që të mos e lejojmë shkapërderdhjen e të sëmurëve dhe puna të mbahej në tri turne, me pak punëtor. Gjithashtu, theksoi se e tërë mbështetja ishte nga UÇK-ja, ku fillimisht sigurohej ushqimi për këta të sëmurë, ndonëse 70-80% ishin serb. Nga Ibrahim Neziri e kemi marrë pasqyrën për shkollat, nga Aliu për gjendjen e infrastrukturës.

Mbi këto informacione të para kemi nisur hapin e parë. Ndërsa hapi i dytë vazhdon pas datës 20 qershor me ç`rast i formuam Drejtoratet Komunale: të Shëndetësisë, Ekonomisë, Infrastrukturës dhe Zhvillimit Ekonomik, Të Mirëqenies Sociale dhe Strehimit, Administratës Komunale Arsimit dhe Kulturës dhe Përkujdesjen ndaj vlerave të UÇK-së, kjo ishte forma fillestare organizative e Këshillit Komunal në kuadër të QPK-së. Për emërimet u zbatuan kriteret profesionale, morale dhe kombëtare me konsultime të gjëra brenda ZON-së të UÇK-së, QPK-së përkatësisht Ministrinë e Pushtetit Lokal, dhe personalitetet me taban e ndikim kombëtar. Sukseset nuk na kanë munguar, ne qysh në ditët e para e morëm mbështetjen e pa kursyer të mekanizmave ndërkombëtar të vendosur në Shtime; KFOR-it, UNMIK-ut dhe Komesariatit të Lartë për Refugjat në Kosovë. “Beteja” e rindërtimit pothuajse e para në nivel Kosove përfundoi në Shtime. E jetësuam projektin e ujësjellësit, me mbështetje të qeverisë gjermane, ku kontributin e dhanë edhe Nojdek, humanist edhe Hans Diter Shuman, vëzhgues ushtarak i palës gjermane gjatë luftës në Kosovë. Patëm pengesa e vështirësi banale, me ndërskamca të pasinqerta politike, gjatë rregullimit të infrastrukturës, për ujësjellsin e deri te shantazhet, të cilat i tejkaluam me qetësi dhe maturi, pa fyerje e hakmarrje.

I ftuam të gjitha ngjyrat politike që bashkërisht të punojmë në ndërtimin e vendit të shkatërruar, nuk kishte njerëz të tepërt, Por, pati edhe të tillë që nuk e dashtën një angazhim të tillë, ata donin pushtet. Kjo ishte qasje edhe e nivelit qendror, ku QPK-ja e nënshkruar në Rambuje nga subjektet participuese të Kosovës në Konferencë të Ramhujes, nuk u njoh, pas lufte nga LDK-ja.

Theksoj se e gjithë puna bëhej pa kompensim. Kompensimi i parë, nëse e mbajë mend mirë, ka filluar në muajin mars, në mënyrë lineare nga 200 Marka gjermane për të punësuarit në administratën publike.

Një komision i ngritur enkas nga Këshilli i Komunal, i vlerësoi profesionalisht të gjitha dëmet e luftës në territorin e UÇK-së dhe u bënë shumë punë në stabilizimin e gjendjes së strehimit, të ndihmave sociale e shumë punë dhe angazhime tjera në aspektin e sigurisë, aspektin e koordinimit dhe fillimin e ndërtimit të vlerave të demokracisë. Ne patëm suksese në organizimin e tubimeve të përbashkëta me pjesëmarrje të gjithë banorëve, pa dallime nacionaliteti, edhe të hashkalive dhe serbëve lokal.

Kordinimi për ndertimin e jetës së re me gjithë popullatën, nuk ishte i lehtë, dhimbjet dhe pasojat e luftës ishin të freskëta, kështu vazhdoi deri në vitin 2004, ku pas demonstratave të mëdha të atij viti, ishin djegur edhe disa shtëpi serbe.

Serbët e mbetur pas lufte në shtime u larguan të gjithë dhe shkuan për Serbi.

Orar pune nuk kishim të caktuar, ne punuam pa ndërprerë, çdo ditë ishte e punës edhe vikendi edhe festa, bëheshin shumë rivarrime, gjendeshin shumë viktima ku u mungonin familjarve. Punonim në të gjitha drejtimet. Nuk lejuam shkatërrime e uzurpime, pronash e shtëpishë. Nuk lejuam shkatërrimin e pronave publike dhe uzurpimin e tyre, e kishim mbështetjen edhe të policisë ushtarake të UÇK-së. Ky besim e fuqizim moral dhe kredibil i strukturave tona aktuale nuk u shkonte përshtati disa “patriotëve politik” të cilët kishin ikur jasht vendit gjatë luftës dhe e kishin lënë popullsinë në mëshirën e fatit dhe breshritë e predhave serbe; andaj pas kthimit në Kosovë filluan me shantazhe e përpjekje për pengesa, me të gjitha format, por nuk ia dolën asnjëherëë. E keqja ma vonë, në ditët e sotme, do të dal pikërisht nga vet degradimet e udhëheqjes të cilët të errësuar nga lakmit personale, po shkojnë drejt fundosjes.

-Çka e ka karakterizuar Shtimen e pas luftës, përveç detyrave të  ngutshme, mosmarrëveshjeve të reja e të vjetra, por edhe angazhimeve  maksimale që keni treguar. Unë mendoj se keni arritur shumë, meqë edhe  kemi bashkëpunuar në raste të caktuara, por ata që është dashur ta  dinë dhe ta çmojnë punën tënde as e kanë çmuar as e çmojnë sa duhet.

Pse ndodh kjo dhe a ndodh vetëm me ju, apo…?

Pak a shumç për këto pyetje fola gjërësisht në pyetjen paraprake, në mes të asaj se çfarë ishin prioritetet e ngutshme që kërkonte vendi dhe veprimet e maskarenjëve për pushtet. Ato nuk ishin të reja, ishin nga para lufta. Por, mendoj se thellimit të këtij hendeku, që sillte pasoja për vendin ishte edhe mosnjohja e QPK-së nga ana e LDK-së, e cila ishte nënshkruese e organizimit të marrëveshjes për themelimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës e cila kishte marrë përsipër organizimin e jetës, tash edhe në këto rrethana do të duhej të vepronte për koordinimin e të gjitha aktiviteteve, edhe faktorin ndërkombëtar në Kosovë, dhe të përgatitej vendi për zgjedhjet e para demokratike, lokale dhe nacionale. Faktori UÇK-Subjektet tjera, pa LDK-në, mbeti i vetëm në këtë front pune. Kushner, kishte deklaruar se nëse ju jeni bashkë “un do të jam vetëm nje këshilltar për Ju” e “në rast se ju nuk e njihni njëri tjetrin un do të jam Kryetar i JUAJ”. Për fatin ton të keq ndodhi ajo që ne t`mos merremi vesh për funkcionimin e QPK-së.

– Përveç të gjitha punëve e angazhimeve në familje e në institucione,  keni kryer edhe studime të tjera pas luftës, keni botuar disa libra  kryesisht me temë të luftës dhe jeni marrë e merreni aktivisht me punë  profesionale.

Po, isha tërësisht në funkcion të ndërtimit institucional, mbeta një idealist i pa ndryshuar. Sa i përket këtyre angazhimeve, fillimisht u angazhuam në organizimin me sukses të Akademisë së Parë Përkujtimore të Reçakut, e bëmë një publikim të shkurtër për Reçakun; Reçak-2000, në shqip dhe anglisht. Ky organizim ishte shembull për Kosovën dhe po këtë vit, bashkërisht me Habib Zogajn, Komisionin e Krimeve në nivel të Kosovës, Tahir Demën nga Peja e organizuam fotoekspozitën e dhunës serbe nëpër shum qendra në Kosovë, Prishtinë Tiranë etj., me një koleksion mbi 600 eksponate.

Këtë aktivitet e ndihmoi Ahmet Qeriqi dhe Radio Kosova e Lirë si dhe disa veprimtari të pavarura në Prishtinë. Krahas angazhimeve të punës e përfundova edhe Fakultetin e Gazetarisë, “Faik Konica”, në Prishtinë, ishte për mua me interes aspekti i studimeve teorike, meqë praktikisht për një kohë të gjata e kisha kryer punën e gazetarit në të gjitha zhanret e gazetarisë. Në vitin 2004 bashkërisht me disa shokë, nën redaktimin e Prof. Ahmet Qeriqit, e botuam librin “Masakra e Reçakut-krim kundër njerzimit”. Këtë vit i bëmë edhe dy vepra të mëdha, atë: të ngritjes së “muzeut” dhe “projektit për kompleksin memorial të Reçakut”.

Unë isha i ngarkuar me përgjegjësi për të dy këto projekte. Pas përfundimit të studimeve në gazetari vazhdova studimet master në Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin “Iliria”, të cilat i përfundova në vitin 2010. Gjatë kësaj kohe, më 2009. e botova librin “Zëri i Lirisë”, ndërsa më 2011 librin “Diplomacia e Forcës dhe Forca e Diplomacisë-Lufta e UÇK-së dhe intervenimi ndërkombëtar në Kosovë”. Më 2013 e nxora nga botimi librin “Dosje e Dokumenteve Sekrete Serbe-Planifikim i gjenocidit, krimit të organizuar dhe spastrimit etnik, sfidë për drejtësinë ndërkombëtare”. Ndërsa më 2013 i regjistrova studimet për doktoraturë në Universitetin Europian të Tiranës, në drejtimin e shkencave sociale me profil në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Tema ime e zgjedhur ishte “Mbrojtja e të Dhënave Personale dhe Privatësisë: Rast Studimor Republika e Kosovës. Në nëntor 2016 e kam përfunduar me sukses “Mbrojtjën e Bardhë”, ndërsa më 08.05. 2017 i kam përfunduar studimet e këti cikli, ku jan hapur mundësitë e një publikimi shkencor në këtë fushë, shum me interes për ne dhe rajonin, mbase ky do të jet punimi i parë i këtij lloji.

Ndërsa kam nxjerr botime profesionale në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe shumë fusha tjera publicistike; në shtypin e vendit dhe të huaj, në revista e publikime të instituteve dhe institucioneve shkencore me renome ndërkombetare, si: Turqi, Bullgari, Shqipëri, Kroaci, Mal të Zi, Holandë, Itali, Kosovë etj.

– Keni punuar në Agjencinë për ruajtjen e të dhënave personale….

Nga fundi i qershorit, 2011 me propozimin e Qeverisë së Kosovës, jam emëruar nga Kuvendi i Kosovës Mbikëqyrës Kryesor Shtetëror në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ne e filluam punën në ngritjen e këtij institucioni pa buxhet, pa staf mbështetës dhe pa objekt për punë si dhe pa gjërat elementare tjera të punës. Nga dita e parë me përkushtim punuam në organizimin e brendshëm, në ngritjen e kapaciteteve për punë, në nxjerrjen e kornizës së brendshme ligjore dhe dokumenteve të tjera në nivel vendi, përfituam mbështetje nga IPA projekti dhe TAIEX-i, nga BE-ja., OSBE-ja e mekanizma tjerë.

Filluam zbatimin e ligjit; sensibilizimin, inspektimet, procedimet në gjykata, opinionet, këshillat ligjore dhe masat administrative kundër keqpërdoruesve me të dhënat personale të qytetarëve. Ndërsa përkushtimi ynë dhe serioziteti i punës sonë ndikoi që ne u anëtarësuam për një periudhë të shkurtër, me të drejta të plota, në mekanizmat ndërkombëtare dhe rajonale të kësaj fushe. Kurse nënshkruam marrëveshje bilaterale e multilaterale për bashkëpunim me shumë shtete të rajonit dhe më gjërë si: Hungarinë, Slloveninë, Bullgarinë, Poloninë, Italinë, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë etj dhe u hapen bashkëpunime me shumë shtete tjera të BE-së dhe jashtë saj. Pas një periudhe dy vjeçare institucionin e stabilizuam në hapësira shtetërore ku ne ikëm nga objektet me qira shumë shpejt, për dallim nga institucionet tjera që me dekada vazhduan punën në objekte private me kosto të lartë financiare për buxhetin e shtetit. Ndërsa u ngritën nga brenda kapacitet kadrovike dhe me rekomandimet tona filluam vendosjen e zyrtarëve për mbrojtjen e të dhënave personale, në shumë institucione vitale të shtetit si: Polici, Agjencinë e Regjistrit Civil, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenijes Sociale si dhe në të gjitha organet publike me punë sekondare.

Si institucion, kriteret e vëna nga KE dhe BE në fushën e Liberalizimit të Vizave dhe Stabilizim Asocimit i kemi përmbushur me përkushtim, ku institucioni vlerësohej me performancë të mirë edhe brenda edhe jashtë vendit. Punën mandatore sipas ligjit e kemi përmbyllur me sukses në qershor 2016, natyrisht duke nxjerr rekomandime për organin ligjdhënës-Kuvendin e Kosovës dhe opinionin publikë, për gjendjen e mbrojtjes së të dhënave personale në këtë fushë në nivel vendi, dhe rrugën që duhet ndjekur. Tani gati po kalon një vit dhe institucioni nuk ka staf mbikëqyrës për zbatimin e Ligjit të madh, ku nuk mund të kryhen inspektime, nuk mund të procedohen administrativisht ankesat e qytetarëve, nuk mund të nxirren opinione, nuk mund të bëhen regjistrimet e dosjeve të Kontrolluesve dhe nuk mund të ndërmerren masa administrative ndaj abuzuesve me të dhënat personale. Ky “luks” i vakumit institucional që është në kundërshtim me kornizën Kushtetuese të vendit, mos procedimet për emërime janë përgjegjësi e institucioneve qendrore dhe shkelin liritë dhe të drejtat jetike të qytetarëve, pengojnë zhvillimin e demokracisë në vend dhe e humbin besimin e qytetarëve ndaj institucioneve madje reflektojnë pasiguri te individi.

Me këtë rast urojmë sa më par funkcionalizimin e këti institucioni dhe të gjitha institucioneve të shtetit me dëshirë që të gjithë të punësuarit në administratën publike dhe të gjithë ata që janë të veshur me pushtet ta kryejn punën e tyre me nderë dhe përgjegjësi të lartë. Ky është detyrimi dhe obligimi i tyre karshi sovranit.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …