RKL: Fillimisht, zonja Salihaj, mirë se erdhët në Radio Kosovën e Lirë.
Si do ta përshkruanit me pak fjalë veten sot — si një luftëtare? Dhe, për t’i dhënë dëgjuesit tanë një pasqyrë më të plotë, mund të na tregoni pak për familjen tuaj të ngushtë — për prindërit, fëmijët, dhe mbështetjen që keni pasur prej tyre në periudha të ndryshme të jetës suaj?
Debe Salihaj: Jam lindur në vitin 1980, në fshatin Mollopolcë, komuna e Shtimes. Si familje kemi qenë nëntë fëmijë — katër djem dhe pesë vajza. Jemi rritur e shkolluar në kushte shumë të rënda, si pjesa më e madhe e popullit tonë. Prioriteti në familjen tonë ka qenë që të gjithë, djem e vajza, të arsimohemi.
Jeta jonë ka qenë e vështirë; nuk kemi jetuar jetën që e kemi dashur, por atë që na është imponuar nga sistemi policor e shtypës i asaj kohe. Dashurinë për lirinë dhe për vendin na e ka mësuar koha dhe dëshira e madhe për të qenë të lirë.
RKL: Na flisni pak për rrugëtimin tuaj arsimor.
Ku i keni kryer shkollimet, dhe si ka ndikuar arsimi në formimin tuaj si person dhe si atdhetare? A e kujtoni ndonjë mësues apo moment që ju frymëzoi të mos qëndronit indiferente ndaj fatit të vendit?
Debe Salihaj: Shkollimin fillor e kam kryer në fshatin tim, ku kam qenë nxënësja më e mirë e paraleles sime. Shkollën e mesme e kam filluar në Shtime dhe më pas e kam vazhduar në Ferizaj.
Mësuesit na udhëzonin të mësonim sipas planit shkollor të sistemit të kohës, por ne, falë vëllait tonë, kishim një rregull tjetër në familje: çdo javë duhej të lexonim nga një roman, që nga klasa e pestë deri në prag të luftës. Kjo më ka ndihmuar shumë në formimin tim shpirtëror e kombëtar.
RKL: Kur dhe si vendosët t’i bashkoheni radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?
Çfarë ndjenje ju udhëhoqi atëherë, si ndodhi kontakti i parë me strukturat e UÇK-së, dhe si u prit nga ju momenti i pranimit?
Debe Salihaj: Me fillimin e luftës në Prekaz, më ishte bërë e qartë se çdo gjë do të ndryshonte. Ishte kulmi i durimit, koha kur më mirë të ishe e vdekur sesa në robëri. Më asgjë nuk kishte kuptim, sepse ajo që dëshiroje nuk mund të realizohej.
Pas fillimit të luftës në Drenicë, tek ne nisën lëvizjet aktive një muaj më vonë. Takimet mbaheshin në familjen Salihaj, konkretisht në odën e axhës Shaqë, ku Zeneli me shokë nga Drenica vinin për të organizuar ata që dëshironin t’u bashkoheshin radhëve të UÇK-së.
Familja jonë, xhssaxhallarët, djemtë e vajzat i thamë “po” luftës — gjithsej 11 anëtarë iu përgjigjën thirrjes, mes tyre edhe tri femra: Maki, Marigona dhe unë.
Maki shkoi në Drenicë, Marigona në Jezercë, ndërsa unë në Mollopolcë e më vonë në Rancë.
Vendimin për t’u bashkuar me luftën e mora vetë. Nuk doja më të rrija me familje. Vëllai im, tani heroi Skënder Salihaj, më kishte premtuar se do të bëhesha pjesë e luftës.
RKL: Kur morët vendimin për t’u bërë pjesë e luftës, me kë e ndatë këtë lajm?
A ia thatë menjëherë familjes apo e mbajtët fshehur për një kohë?
Debe Salihaj: Vendimin e mora në heshtje, me bindje të plotë. Nuk doja ta shqetësoja familjen, por vëllait ia pata treguar më parë. Ai më dha fjalën që do të më ndihmonte të bëhesha pjesë e luftës. Ishte ndjenjë përzier mes dhimbjes dhe krenarisë — dhimbje që po lija prindërit, por edhe krenari që po bëhesha pjesë e një ideali të madh për lirinë.
RKL: Si reagoi familja juaj kur u njoftua se po i bashkoheshit UÇK-së?
Ishte një moment i vështirë për ta, por ndoshta edhe krenar. A kishte ndonjë anëtar që u përpoq t’ju ndalonte, apo përkundrazi, ju dha forcë dhe bekim për rrugën që po zgjidhnit?
Debe Salihaj: Familja reagoi me dhimbje, por edhe me shumë krenari. Ne të gjithë e dinim se rruga e lirisë ishte e shenjtë, sado e vështirë të ishte. Në familjen tonë, askush nuk e pengoi tjetrin. Përkundrazi, u bashkuam të gjithë në të njëjtin qëllim.
RKL: A kishte ndonjë anëtar tjetër të familjes suaj që mori pjesë në luftë?
Si ndihesh sot kur kujton ato ditë?
Debe Salihaj: Po, siç e përmenda, 11 anëtarë të familjes iu bashkuan luftës, përfshirë tre gra. Gjatë luftës, për herë të parë pas u vesha si ushtare, ndodhi Rënia e vëllait tim. Ishte shok për mua, sepse ishim shumë të lidhur. Pas atij rasti, u bëra më e fortë, më e qetë dhe më e pjekur shpirtërisht. Sot ndjej mall, por edhe krenari të pafundme.
RKL: Në cilat zona keni shërbyer gjatë luftës?
Na përshkruani pak realitetin e atyre ditëve — terrenin, mungesat, por edhe shpirtin e bashkëluftëtarëve. Çfarë kujtoni më shumë?
Debe Salihaj: Kam shërbyer fillimisht si ushtare luftëtare dhe më pas si police ushtarake, gati një vit. Detyra nuk ka qenë e lehtë, por gjithmonë e kam kryer me nder dhe me respekt ndaj atdheut.
Kemi qenë në detyra të ndryshme — në rojë, në luftime, në mbrojtje të pozicioneve — dhe gjithmonë me dashuri për vendin. Edhe pse e re në moshë, vetëm 18 vjeç, e kuptoja se çfarë do të thoshte përgjegjësi dhe ligj i luftës.
RKL: A ju kujtohen disa nga bashkëluftëtarët me të cilët ndanit ditët e luftës?
Kush prej tyre ju ka mbetur në kujtesë për trimërinë, për buzëqeshjen në mes të rrezikut, apo për ndonjë fjalë që ju dha forcë?
Debe Salihaj: Çdo bashkëluftëtar ka lënë një kujtim të veçantë. Disa me guximin e tyre, disa me fjalët e buta në mes të luftës. Ishin njerëz që e donin jetën, por e donin më shumë lirinë. Për mua, të gjithë ata që dhanë jetën janë simbol i qëndresës dhe i përjetësisë.
RKL: Ju keni luajtur një rol të rëndësishëm në nisjen e Muzeut të Luftës në Shtime.
Si lindi kjo ide fisnike për të ruajtur kujtesën e asaj periudhe heroike? Kush ishte ideatori dhe si u organizuat që çdo relike, fotografi apo dokument të merrte vendin e duhur në historinë tonë?
Debe Salihaj: Në vitin 2003, bashkë me disa bashkëluftëtarë, themeluam Muzeun e UÇK-së në Shtime — i pari muze i tillë në Kosovë. Ishte nevojë shpirtërore dhe kombëtare për të ruajtur kujtimet, dokumentet dhe reliket e asaj kohe. Gjithmonë kam qenë aktive në mbrojtjen e vlerave të luftës dhe në organizime për ta ruajtur kujtesën tonë historike.
RKL: Pas luftës, si u zhvillua jeta juaj?
Me çfarë keni qenë e angazhuar ndër vite? Si e keni përjetuar kalimin nga uniforma e UÇK-së në jetën civile?
Debe Salihaj: Pas luftës, kam kryer trajnime me OJQ për formimin e qendrave rinore dhe jam pajisur si instruktore e tyre.
Kam ndjekur kurse të gjuhës angleze dhe më pas kam përfunduar Fakultetin e Gazetarisë në vitin 2007. Kam punuar katër vite si arsimtare e gjuhës angleze, por gjithmonë kam qenë aktive në mbrojtjen e vlerave të luftës.
Kam qenë kryetare e degës së veteranëve të UÇK-së, në Shtime për gjashtë vite, duke realizuar projekte madhore si: shtëpia-muze në Rancë, shtatorja e Adem Jasharit në qendër të Shtimes, kulla-muze në Mollopolcë dhe shumë aktivitete të tjera.
Më vonë, bashkë me gratë e UÇK-së, nga e gjithë Kosova, realizuam ekspozitën “Gratë në Rrugën e Lirisë”.
RKL: Sot, pas më shumë se dy dekadash liri, a mendoni se shoqëria jonë u ka dalë hakut çlirimtarëve?
Debe Salihaj: Shteti dhe shoqëria nuk më kanë afruar asgjë, dhe për këtë faleminderit. Asnjëherë nuk do të kërkoj asgjë.
Jeta ekonomike e një luftëtari të ndershëm nuk është e mirë, sepse ligji aktual është ligj për mjerim. Me logjikë të shëndoshë, një ligj i tillë nuk do të duhej të ekzistonte.
Do të dëshiroja të bëhet kategorizimi i veteranëve, të hartohet një ligj i ri dhe të vlerësohet vlera kombëtare.
Për mua personalisht nuk ka rëndësi nëse vlerësohem unë; më e rëndësishme është që e kemi jetësuar shtetin e Kosovës.
RKL: A besoni se çlirimtarët duhet të kenë një jetë dinjitoze, me punë të ndershme e të qëndrueshme?
Si e shihni faktin që shumë prej tyre sot përballen me vështirësi ekonomike e sociale, ndonëse dhanë gjithçka për lirinë? Çfarë duhet të bëjë shteti për t’i kthyer dinjitetin e merituar?
Debe Salihaj: Po, besoj se çdo çlirimtar duhet të ketë një jetë dinjitoze. Shteti duhet të kujdeset për ta, jo për hir të ndonjë përfitimi, por për respekt ndaj sakrificës së tyre. Duhet një ligj i drejtë, që ta rikthejë dinjitetin e atyre që dhanë gjithçka për këtë liri.
RKL: Në fund, cili është mesazhi juaj për klasën politike, si në nivel lokal ashtu edhe qendror?
Çfarë do t’u thoshit nëse do t’i kishit përballë? A do t’i ftonit të kujtojnë idealin për të cilin u derdh gjak, apo do t’i paralajmëronit që lirinë nuk e mbron karrigia, por ndershmëria e shërbimi ndaj popullit?
Debe Salihaj: Mesazhi im është të duam veten dhe shtetin tonë. Ta ndërtojmë e ta forcojmë atë, ta bëjmë jetën normale për të jetuar në paqe, dashuri, respekt dhe harmoni.
Më pengon fakti që merremi kaq shumë me Serbinë, kur kemi aq shumë punë për të bërë brenda nesh. Na duhet zhvillim në të gjitha sferat.
RKL: Faleminderit që ndatë përjetimin tuaj me ne. Shëndet e suksese tutje.