leoni

Intervistë me kryetarin e komunës së Shtimes, Naim Ismajli

RKL: z. kryetar,  ju fituat udhëheqjen e komunës për të tretën herë me radhë.  Cili është opinioni juaj për këtë?

Ismajli: Mandatin e tretë ia dedikoj një pune ekipore që kemi bërë ne komuna e Shtimes si pushtet lokal. Në rend të parë 80% e suksesit i dedikohet  njerëzve ekspertë në fusha të ndryshme, në administratë, shëndetësi dhe arsim, ndërsa 15%,  tjetër ua dedikoj të gjithë drejtuesve të institucioneve, kurse 5%, të angazhimit ia dedikoj vetvetes për kontributin dhe angazhimin tim për komunikim me qytetarët, për t”i debatuar të gjitha problemet që ata kanë, probleme këto të cilat mund të konsiderohen si të rëndësishme për tu diskutuar dhe adresuar tek pushteti lokal apo edhe ai qendror. Jemi përpjekur të jemi çdo herë në komunikim më qytetarët, më të gjitha kategoritë për interesat e tyre, për t’i dëgjuar problemet por njëkohësisht edhe propozimet dhe rekomandimet e tyre. Kemi diskutuar edhe për çështje që  kanë të bëjnë me vendimmarrje të cilat kërkojnë mendimet e qytetarëve që kanë të bëjnë me strategjitë, buxhetin po ashtu çështje që prekin interesat e tyre e që të gjitha këto kanë ndikuar që  të krijojmë komunikim të mirë të institucioneve tona me qytetarët. Pra për qytetarët tonë, komuna institucioni ynë nuk ka qenë diçka e panjohur, e që të gjitha këto kanë ndikuar që qytetarët të krijojnë besim shtesë tek institucionet tona. Jo vetëm qytetarët tanë por edhe të komunave të tjera kanë dashur të ketë risi, të ketë reformë, të ketë hapje të njerëzve tanë, por edhe të neve si subjekt politik në garë që absorbon ide të reja, njerëz të rinj. Pra nuk është e mbyllur në një grup individësh apo në  një kategori të njerëzve apo grup i caktuar që duhet të jenë bartës,  dhe këtë kërkesë ne mirë e kemi adresuar  në reflektimin që kemi bërë, duke u dhënë hapësirë që të vijnë njerëz të  rinj, me ide të reja, kreativitete të reja edhe për subjektet e reja. E para ka qenë se ne kemi reflektuar me listën për kandidatë për këshilltarë të asamblesë, që ka qenë një listë mbi 70%,  e të rinjve, që kanë pasur një kredibilitet familjar, një identitet personal të tyre, por mbi të gjitha kanë pasur një bagazh të mirë  profesional dhe të ekspertizës  së tyre. Dhe kjo ka bërë që ne të reflektojmë dhe të marrim realisht edhe besimin e tretë të  qytetarëve.

 RKL: A mendoni se punët që janë bërë në komunën e Shtimes kanë reflektuar pozitivisht te qytetarët, për të ju dhënë pëlqimin edhe për këtë mandat?

Ismajli: Unë mendoj se jashtë asaj pune që ka reflektuar  me realizimin e projekteve të dukshme, ne kemi shtuar paralajmërimin që do të ketë  reforma, të  ketë hapësirë të re për njerëz për pjesëmarrjen në ndërtimin e institucioneve të reja, sepse nuk ka mjaftuar vetëm kryerja e punëve, ato që janë premtuar apo realizimi i projekteve. Pra qytetarët në këto zgjedhje, kanë treguar që përveç asaj që duhet të shohin si projekt që ndryshon jetën e tyre ata duan të shohin edhe cili është vizioni  për 4 vitet e ardhshme. Dhe ne jemi përpjekur që të transmetojmë çka bëmë dje por njëkohësisht edhe vizionin për nesër,  që është lidhur me atë se a ka hapësirë për njerëz të rinj, për ide të reja dhe këtë e kemi  dhënë, prandaj kjo ka reflektuar pozitivisht.

 RKL: A ka buxhet të mjaftueshëm komuna e Shtimes për fushën e shëndetësisë dhe të arsimit?

Ismalji:  Ne gjithmonë në këtë pyetje përgjigjemi jo, sepse kërkesat, nevojat janë gjithmonë më  të mëdha në këto fusha në raport me atë sa ne mund të japim. Mirëpo kur ne këtë e analizojmë në raport me buxhetin e përgjithshëm  sa e ka Qeveria e Kosovës, atëherë ne jemi në kuadër të asaj çka mund të mbahet, për gjithë territorin e Kosovës ne marrim pjesën tonë, sepse buxheti ndërtohet mbi numër banorësh.  Këto janë kriteret që e përcaktojnë buxhetin, prandaj në këtë aspekt nuk jemi të anashkaluar, as të privilegjuar, prandaj e marrim atë që na takon. Buxheti është i tillë në nivel të Kosovës. Mendoj se buxheti është minimal, por që kërkon një menaxhim shumë të mirë me qëllim që të përballojmë disa nga aktivitetet kryesore. Mirëpo ajo që kemi identifikuar në të kaluarën dhe  ajo që ka mbetë si propozim në debatet qe ne kemi pas si pushtet lokal në nivelin qendror ka qenë se duhet rritur me tepër  kuotën qe ka të bëjë me shërbimet e mallrave, sidomos në sektorin e mirëmbajtjes së objekteve si në shëndetësi e arsim, veçanërisht ne arsim sepse nuk mjafton një buxhet i tillë për përmbajtjen e të gjitha atyre objekteve, dëmtimeve të tyre, higjienën me një buxhet i cili është minimal. Besoj që këtë vite që po futemi presim që Ministria e Financave së bashku me Ministrinë e Arsimit e kanë pas parasysh propozimin tonë dhe presim qe të jetë me i madh ky buxhet, për vetë faktin se ka shumë objekte shkollore, gjendja e tyre nuk është e mirë sepse janë objekte shumë të vjetra dhe kërkojnë mirëmbajtje më të madhe në raport me objektet e reja që mirëmbajtja e tyre është më e lehtë për shkak të investimeve të fundit që janë bërë.

 RKL: Sipas  planit zhvillimor dhe urban të komunës a keni arritur të realizoni planin e paraparë?

Ismalji:  Në këtë mandat që po e lëmë pas,  ne i kemi realizuar  planet ashtu siç kemi paraparë dhe me strategjinë tonë zhvillimore dhe njëkohësisht kemi reflektuar me një nxjerrje të strategjisë së re për 4 vitet e ardhshme. Pra, vitin që po e lëmë pas ka qenë vit që mbyllet  afati i strategjisë së  kaluar 4 vjeçare, njëkohësisht një vit ku kemi punuar për nxjerrjen e strategjisë së re dhe që nga viti 2014 do të punojmë me strategjinë e re të zhvillimit ku janë të identifikuara të gjitha projektet, aktivitetet që do të zhvillohen për 4 vitet e ardhshme dhe vitin tjetër,vitin e pestë, prapë është strategjia  që është strategjia e re 5 vjeçare, që  mundëson që legjislatura tjetër ta rishikoj këtë strategji dhe ta nxjerr strategjinë e re. Në këtë strategji është marrë mundësia e komunës sonë ato që i ka pjesë pozitive, përparësitë, njerëzit, financat dhe çfarë mund të bëhet për 5 vitet e ardhshme. Pra këtë që po e kalojmë ne e kemi përmbush, ka qene infrastruktura kryesore, në vitin 2014 ne do t’ i përfundojmë të gjitha rrugët e asfaltuara në secilin fshat dhe në pjesët e  fshatrave që janë afër qytetit i kemi ne përfundim edhe rrugët e lagjes, kështu qe jemi ne mesin e komunave mund ta quaj të para qe po e përmbyll infrastrukturën rrugore, te ujit dhe të pjesës së kanalizimit që janë më bazike. Besoj që do të jetë një risi për sferën e arsimit se ne vitin 2014-2015 i kemi mundësitë që për herë të parë në Kosovë  të aplikohet sistemi arsimor një ndërrimesh. Pra, nxënësi të fillojë në 8.30 të mëngjesit mësimin në ora 12 deri 1 e gjysmë mund të shkoj ne shtëpi, kështu që pa pas nevojë të bartë libra të kthehet t’i bëjë detyrat e shtëpisë në klasë me mësuesin. Është një sistem që aplikohet në të gjithë boten.  Do të ndajmë ciklin, njeri ndërrim do jete nga klasa e parë deri në klasën e  pestë, ndërsa klasa tjetër nga e gjashta deri në të nëntën. Pra te dy ciklet do te ndahen, mirëpo të dyja ciklet do të punojnë gjithë ditën, pa pasur nevojë t’i bartin librat në shtëpi dhe presim të  arrihet rritja e kualitetit.

 RKL: Në planet dhe perspektivat  e komunës gjatë këtij mandati e që kësaj radhe përfshinë periudhën katër vjeçare, cilat do të jenë prioritetet?

Ismajli:  Janë tri fusha të gjera që i kemi prioritet. Është reforma e thellë në arsim; reforma e parë  do të filloj me mësimdhënës dhe menaxhment nëpër shkolla duke filluar nga drejtoria e arsimit, e dyta do të jetë monitorimi i cilësisë, pra do te monitorohen të  gjithë ata mësimdhënës të cilët tashmë janë përzgjedhur sesi po përformojnë në punë në raport me diplomat që i kanë, do të bëjmë analiza periodike se cili do të jetë rezultati në këtë  rast në mësim nxënien e nxënësve, ngase në çdo 3 muaj do të masim cilësinë e mësim nxënies dhe mësim dhënies së arsimtarëve, pra do të vlerësojmë dyanshëm nxënësit dhe mësim dhënësit. Do të mundohemi të mbështesim gjithë këtë kërkesë për reformë më mundësit e aparaturës, teknologjisë, informacionit dhe gjithë materialit tjetër didaktik, dhe synimi ynë është që viti i parë shkollor 2014-2015 duhet të rezultojë me ndryshim që unë e kam quajtur minimumi 20%  nga ajo që është aktualisht ,deri në 30%  dhe objektivi im është që ky proces mësimor në kuptimin pozitiv deri ne fund të mandatit tim katër vjeçar duhet të mbërrij qind për qind. Gjithashtu duhet të ketë reforma në shëndetësi, në kuptimin edhe të kualitetit të personelit, aparaturës, objekteve përcjellëse, shërbimeve ngase ne kemi ndërtuar punktin në secilin vendbanim ku mund të jenë tre-katër fshatra, pra pasur nevojë qytetarët të ndezin makinën dhe të shkojnë t’i kryejnë shërbimet, por që ato shërbime t’i bëjnë në atë formën që mjekësia familjare të jetë afër mjekut. Secili mjek familjar duhet të  dijë për pacientet e vet, cila është gjendja e tyre dhe të merret më shumë me ta, në mënyrë që të kemi më pak raste të sëmundjeve dhe të ketë me pak nevojë për trajtime dytësore. Dhe fusha e tretë do të jeta fusha e zhvillimit ekonomik, mendoj që do t’i vendosim bazat . Në këtë vit veç  e kemi marrë pëlqimin nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që zona e biznesit është shpall vend për biznes dhe agrobiznes dhe do të zhvillojmë disa kapacitete që do ta ndihmojnë zhvillimin e biznesit edhe në bujqësi edhe në segmente të tjera që ka Shtimja. Pra për këtë mandat do të vendosim bazë stabile të zhvillimit të qëndrueshëm, pra këtu të fillohet t’i kthehet prodhimit dhe nga ky mandat e tutje të fillohet të mendohet më shumë për perspektivën e njerëzve që të ketë punë dhe të ketë zhvillim. Këto janë tre segmente në të cilat do të fokusohem shumë për këto 4 vite.

 RKL: Cilat janë raportet e komunës suaj me Qeverinë, sa i është përgjigjur kjo e fundit me përkrahje financiare nevojave të komunës suaj?

Ismajli: Ne kemi raporte të mira me qeverinë dhe e vërteta është që kemi realizuar një numër të projekteve. Nuk do të thotë që jemi të përjashtuar, pra konsiderojmë që komuna jonë ka qenë në raport me potencialin që ka Qeveria për me investuar në komuna në mënyrë  korrekte.  Jo e nënvlerësuar por as e mbivlerësuar, por kemi realizuar projekte të përbashkëta dhe që e kanë ndryshuar komunën tonë. Kemi punuar më shumë në infrastrukturën rrugore, më tepër kanë qenë investimet  në këtë drejtim dhe në segmente të tjera të zhvillimit. Jemi komuna që po e hapim perspektivën e zhvillimit ekonomik me një objekt që me 30 janar po mendojmë të përfundoj projekti është një qendër për grumbullimin, ruajtjen, paketimin e frutave, pemëve dhe perimeve që iu krijon mundësinë të gjithë fermerëve të kenë një pikë ku mund të grumbullohen, markohen pra të ketë markën që në fund të jetë e gatshme për treg. Sepse fermerët mund t’i shesin produktet vetëm në treg, në markete nuk munden ngase s’kanë prejardhje dhe s’ka vlerësim të cilësisë së tyre. Ai objekt është i pari që duke u ndërtuar në Kosovë edhe pse kapaciteti momentalisht nuk është i madh, 450 m kub, që do të thotë që mund të absorboj 450 mijë kg, por është si model i mirë për të vazhduar më tutje për hapjen e perspektivës. Pra njerëzit e kanë mundësinë ku ta dërgojnë produktin e tyre.

 RKL: Brenga kryesore e qytetarëve mbetet shkalla e lartë e papunësisë, sa keni mundësi të punoni në këtë segment

Ismajli: E thashë se është një nga shtyllat kryesore që krahas saj  do të shënojë arsimimi. Pra ne po përpiqemi që të vemi bazat e zhvillimit të qëndrueshëm përmes ndërtimit të zonave të biznesit dhe përmes vendosjes së pikave sikurse kjo që ishte në agro qendër, ndërkohë edhe pikave të tjera që mund të ndërtohen nesër për produkte të tjera ,blegtorale, si qumësht mund të jenë edhe pika tjera distribuove në hortikulturë, më qëllim që ato të jenë bazë kryesore edhe pastaj fermerët e tyre të punojnë në arat e tyre dhe të jenë të lidhura përmes këtyre qendrave me tregun. Kjo është filozofia jonë. Sikur që do të punojmë shumë në përpunimin e drurit sepse është një kulturë që moti kultivohet në komunën tonë, kanë kulturë në ndërtimin dhe përpunimin e drurit dhe në segmente tjera. Kjo është ajo pjesë që do ti jep një shtytje zbutjes së papunësisë sonë, por krahas kësaj me Ministrinë e Arsimit do të punojmë ngushtë që duhet të modifikojmë  edhe programet arsimore karshi kërkesave në treg sepse është një s’përputhje .Pra nuk kemi nevojë që gjithë ata njerëz që janë profilizuar, pra janë përcaktuar për një drejtim të caktuar nuk do ti lemë në aspekte teorike, të shkojnë shumë vite  në shkollë e  në fund të përfundojnë pa njohuri bazike për atë profil profesional që është përcaktuar, por një vit kryesisht të jetë ku ai do ti ketë njohuritë konceptuare të teorisë, kurse dy vitet e tjera të lidhet direkt me  një vend të punës. A do të jetë  ajo përpunim druri apo metali apo çka do tjetër. Pra për dy vite praktikë dhe një teori ai mund nesër të vlerësohet dhe mund të dal si një profesionist që mund të ketë një zanat sipas kërkesave të tregut. Duhet të dihet që kjo shkollë është e shtrenjtë për Kosovën sepse duhen dy vite të investohen në këtë shkollë, ndërsa në anën tjetër edhe mjetet mund të jenë mjetet  të vogla për arsim, por është mundësia më e madhe për kuadro që nuk dëshirojnë të shkojnë në fakultet. Pra ato fonde mund të jenë për gjimnazet për ti përgatitur, por këtu duhet një bashkëpunim i ngushtë me Ministrinë e Arsimit sepse duhet ndryshuar qasjen, pra duhet tu përshtatemi kërkesave të tregut nëse dëshirojmë ta zbusim papunësinë, jo atyre shablloneve me të cilat kemi punuar deri tash.

 RKL: Ju dëshirojmë suksese dhe shumë të arritura në dobi të qytetarëve të komunës së Shtimes.

Ismajli: Faleminderit.  Unë shfrytëzoi rastin që të ju përshëndes edhe si staf edhe radion Kosova e Lirë, për korrektësi në informim,  për prezantimin e ngjarjeve dhe aktiviteteve në përgjithësi por edhe të komunës tonë.  E di që është vështirë për Ju që të vazhdoni me këtë kualitet të programit mirëpo unë ju përgëzoi që po qëndroni stabil karshi kësaj agjende e cila është e vështirë por më e qëndrueshme në kohë.

 24 dhjetor 2013

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …