leoni

Sabit Brokaj lavdëron takimin e dy Qeverive shqiptare në Prizren ( Intervistë për Gazeta Shqip)

Mjeku i mirënjohur Sabit Brokaj, ish Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe njëri nga zërat e fuqishëm brenda së majtës shqiptare në një intervistë për gazetën “Shqip” ka folur për qeverisjen e  deritanishme të kryesocialistit,  Edi Rama.

Duke vlerësuar punën e kryer në polici, në dogana dhe tatime, ish-deputeti Brokaj shpreh rezervat në lidhje me punën e kryer deri më tani në fushën e drejtësisë. Ndërkohë që i kërkon Kryeministrit Rama të mos harrojë militantët e PS-së që t’i punësojë në administratë.

“Këtu dua të huazoj një shprehje të Xhon Kenedit kur thotë: “mjerë ajo parti që nuk ka militantë”, mendo sa vlen kjo këshillë për një realitet si ai i partive politike në Shqipëri. Militantët mund të jenë edhe drejtorë dhe ministra, mund të jenë dhe roja, gjithçka sipas aftësive të secilit, mund të jenë dhe punëtorë, por jo të jenë në rrugë”, thekson ish-deputeti.

Zoti Brokaj, si e vlerësoni tre muajt e parë të punës së qeverisë së re. A i ka përmbushur kabineti pritshmëritë e socialistëve, por edhe publikut? Çfarë po bëhet dhe ku po çalohet?

Njëqind ditë nuk janë një tregues i rëndësishëm për një program katërvjeçar, por mund të shikosh profilin e qeverisë në punën e saj. Nga kjo pikëpamje shikohet përkushtim në punën e saj dhe përpjekje për të realizuar një pjesë të objektivave që përkojnë me fillimin e qeverisjes. Si të rëndësishme shikohen ndryshimet e bëra në Ministrinë e Brendshme, në dogana dhe në tatime, të cilat janë ndryshime të prekshme, nisur nga fakti që kanë qenë vatra të korrupsionit. Ndryshime pozitive ka dhe në dikasterin e mbrojtjes, pavarësisht publicitetit të kufizuar duket se puna aty është marrë seriozisht, por dhe ministritë e tjera. Por një nga drejtimet kryesore, ai që ka të bëjë më organet e drejtësisë, nuk shikohet të ketë asnjë ndryshim. Kjo për faktin se aty duhen ndryshime ligjore dhe janë struktura që është e vështirë t’i ndryshosh menjëherë. Por pretendimi është që në këtë sektor duhet të operohej me shpejtësi që në fillim. U fol për ndryshime Kushtetute, për krijimin e një Byroje Federale dhe nuk janë bërë. Madje shikohen po ato veprime skandaloze të gjykatave, të cilat nuk e kanë kuptuar se ka ardhur një qeverisje e re, e cila ka një angazhim në dukje serioz për të ripërtërirë strukturat e drejtësisë dhe për të vendosur ligjin.

Si e shikoni qëndrimin e qeverisë aktuale ndaj PS-së dhe si e gjykoni faktin se pavarësisht se kanë kaluar katër muaj nga skadimi i mandatit të kryetarit të partisë, në PS nuk janë kryer zgjedhje?

Është normale që procesi i zgjedhjes së kryetarit të mos kryhet në atë ditë kur mbush mandatin kryetari, duhet bërë zgjedhja e tij. Procesi zgjedhor në një parti, veçanërisht kur është në pushtet ka një kosto, kohe dhe angazhimi. Do të ishte luks që në këtë situatë të rrisje angazhime të tjera, megjithatë kjo nuk është pambarim, sepse cenimi i statutit dhe prishja e rregullave të lojës, sjell konflikte dhe brenda partisë. Por ajo që unë shoh si shqetësim të socialistëve, lidhet me një farë zhgënjimi që ndihet tek ta. Nuk pritej që në fillim partia e tyre në qeveri t’ju siguronte punë, por minimalisht duhet t’i konsideronte. Ka një spekulim nga drejtues politikë të PS-së, ka pasur dhe më përpara dhe ju kujtoj që atë që u detyrua të thoshte Dritëro Agolli: ‘këtu në vend të meritokracisë ka shkërdhatokraci’. Qeveritarët aktualë, në politikat që bëjnë duhet të jenë shumë të vëmendshëm me kualitet që ka vetë PS-ja. E gjykoj si normale vendosjen e figurave të reja, por jo fare pa eksperiencë. Por në rast se kjo mungon, duhet të ndërtohet struktura në vetvete me ekspertë që hallkat të plotësojnë njëra-tjetrën. Është aventurë të thuash që unë vendosa disa të rinj dhe të mos rregullosh sistemin që të funksionojë në ekip. Kjo nuk është përgjegjësi përpara PS-së, por përpara vendit. Qeveria aktuale ka përgjegjësi shumë të mëdha në shpinë në lidhje me qeverisjen, për të qenë efikase që në minutën e parë mundësisht dhe jo në rrugë e sipër të mësohet detyra e ministrit, apo ajo e drejtorit. Abuzimi tjetër që është i papëlqyeshëm lidhet me termin militant. Këtu dua të huazoj një shprehje të Xhon Kenedit kur thotë: “mjerë ajo parti që nuk ka militantë”, mendo sa vlen kjo këshillë për një realitet si ai partive politike në Shqipëri. Militantët mund të jenë edhe drejtorë dhe ministra, mund të jenë dhe roja, gjithçka sipas aftësive të secilit, mund të jenë dhe punëtorë, por jo të jenë në rrugë. Kjo sepse ata janë palca që mban një parti të lidhur fort dhe ky mësim duket se nuk është nxjerrë. Aspekti tjetër që e dëmton ritmin e qeverisjes lidhet me faktin se PS dhe LSI nuk po krijojnë një ndërthurje aq harmonike. Nëpër dikastere ndërthurja e ekspertëve nga të dyja krahët duhet të jenë natyrale, pavarësisht targave të ndryshme të partive. Gjykoj se kjo është një mangësi e konstantueshme kollaj.

Ju jeni pjesë edhe e një strukture të quajtur Këshilli i të Urtëve të ndërtuar nga Rama në opozitë. E shikoni të domosdoshme këtë strukturë tani që PS-ja është në qeveri?

Mendoj se nuk është e domosdoshme dhe mund të mos mblidhet, por këtë më saktë do ta gjykonte kryetari që e ka marrë një nismë të tillë kur ishte në opozitë. Ekzekutivi ka sigurisht nevojë për këshilltarë, por nuk ka pse të jetë patjetër kjo strukturë, sepse ata përzgjidhen sipas dikasterit, gjendjes dhe ekipeve që funksionojnë në çdo sektor. Këshillimi në qeveri varet nga nevojat që kanë ata që drejtojnë për sa i përket plotësimit të funksioneve të tyre. Duhet të kujtojmë se në opozitë kjo strukturë, u duk e rëndësishme, sepse bëhej fjalë për një opozicion të vështirë kundrejt pushtetit, i cili e asfiksonte dhe manipulonte. Në qeverisje tani, nuk e gjykoj se është patjetër e domosdoshme, por ashtu siç e thashë ky është një vendim që merret nga Rama.

Si e keni përcjellë mbledhjen e parë të qeverive mes Shqipërisë dhe Kosovës. E shikoni këtë nismë si historike?

Mendoj se është shumë e rëndësishme që një nismë e tillë filloi, pasi është pranuar që ajo është me vonesë. Është folur shpesh në lidhje me bashkimin brenda hapësirës shqiptare apo me Europën, kush duhet të ishte e para apo e dyta. Edhe dukej sikur abuzohej më shumë për të penguar, disa veprime të tilla, që pa qenë historike, janë shumë të rëndësishme. Mendoj se është bërë hapi i parë dhe është shumë mirë që punët janë programuar. Kjo në kuptimin se nesër kur kryeministra mos të jenë më Thaçi dhe Rama, qeveritë janë të detyruara ta vazhdojnë këtë nismë, ose ai që do ta pengonte do të stigmatizohej. Kështu që e përsëris që është një vendim i rëndësishëm dhe tepër pozitiv, i menduar nga politikani i mençur, Arbën Xhaferri, dhe që erdhi momenti për të bërë veprimin e parë. Këtu nuk duhen harruar dhe meritat që kanë Rama me Thaçin.

 Gazeta “Shqip”

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …