Fatmir Grejqevci: Dhuna nëpër shkolla, fenomen apo dukuri!?
Elona Mustafaraj: Dhuna në shkolla nuk është thjesht fenomen i përkohshëm, por dukuri shoqërore, e lidhur ngushtë me mënyrën se si funksionon familja, shkolla dhe shoqëria në tërësi. Shkolla është vendi ku ajo shfaqet më qartë, por rrënjët e saj janë jashtë saj. Dhuna në institucionet arsimore nuk është një ngjarje e izoluar, por një dukuri komplekse shoqërore, e cila merr formë të dukshme në shkollë sepse aty përqendrohen fëmijë dhe adoleshentë në faza të ndjeshme zhvillimi. Rritja e raportimeve në media nuk do të thotë domosdoshmërisht se dhuna është “krijuar” tani, por se ajo po bëhet më e dukshme, më e dokumentuar dhe më shqetësuese për opinionin publik.
Fatmir Grejqevci: Nga raportimet nëpër media mësohet për dhunë të madhe nëpër institucionet edukativo-arsimore, pra shkollat!? Si e shpjegoni këtë!?
Elona Mustafaraj: Dhuna në shkollë është shpesh pasojë e faktorëve të grumbulluar: tensioneve familjare, mungesës së aftësive për menaxhimin e emocioneve, frustrimit personal dhe social, modeleve agresive të ofruara nga shoqëria dhe media, dobësimit të autoritetit edukues (familjar dhe institucional).
Fatmir Grejqevci: Cili është roli i prindërve në shfaqjen e dhunës!?
Elona Mustafaraj: Familja është mjedisi i parë i socializimit. Prindërit ndikojnë në: mënyrën si fëmija shpreh zemërimin, si zgjidh konfliktin, si e kupton kufirin mes forcës dhe dhunës. Kur në familje: dhuna normalizohet, emocionet minimizohen (“mos qaj”, “bëhu i fortë”), mungon komunikimi emocional, fëmija ka më shumë gjasa ta riprodhojë agresivitetin në shkollë. Pra, jo gjithmonë prindërit janë shkaktarë të drejtpërdrejtë, por mungesa e rolit të tyre aktiv dhe reflektues e rrit rrezikun.
Fatmir Grejqevci: A janë duke luajtur ata rolin e duhur?
Elona Mustafaraj: Jo gjithmonë. Shumë prindër janë të lodhur, të mbingarkuar ose të fokusuar më shumë te rezultatet akademike sesa te zhvillimi emocional i fëmijës. Pa edukim emocional, fëmija mbetet i pambrojtur përballë frustrimit dhe konfliktit.
Fatmir Grejqevci: Fakti se një nga mënyrat e të mësuarit, sidomos te fëmijët dhe adoleshentët, është imitimi. A do të thotë se ata po imitojnë rolin e heronjve të tyre!?
Elona Mustafaraj: Një nga mekanizmat kryesorë të të nxënit tek fëmijët dhe adoleshentët është imitimi. Ata mësojnë jo nga ajo që u themi, por nga ajo që: shohin, admirojnë, shpërblehet shoqërisht.
Kur modelet e suksesshme shfaqen si: agresive, denigruese, përçmuese, impulsive, mesazhi i nënkuptuar është: “Dhuna funksionon.”
Fatmir Grejqevci: Në shoqërinë shqiptare, andej e këtej kufirit, kanë marrë vëmendje dhe famë të jashtëzakonshme shfaqjet Big Brother, personazhet e të cilave përdorin edhe dhunë joverbale ndaj njëri-tjetrit! A mund të ketë ndikim të tyre te gjeneratat e reja, fëmijët dhe adoleshentët, sidomos gjuha dhe sjelljet e tyre të papërshtatshme?
Elona Mustafaraj: Big Brother apo fenomenet televizive si reality show-t, ku: dhuna verbale dhe joverbale normalizohet, fyerja shihet si argëtim, konflikti shpërblehet me famë, mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në gjuhën, sjelljen dhe tolerancën ndaj dhunës tek të rinjtë. Fëmijët dhe adoleshentët nuk kanë ende filtrat kritikë për të dalluar spektaklin nga realiteti social.
Fatmir Grejqevci: A ekziston rreziku i normalizimit të dhunës?
Elona Mustafaraj: Po. Ky është rreziku më i madh. Kur dhuna justifikohet, relativizohet (“janë fëmijë”, “është shaka”), banalizohet, ajo pushon së qeni alarm dhe kthehet në normë. Një shoqëri që mësohet me dhunën humb ndjeshmërinë ndaj saj. Dhuna verbale, fyerjet dhe përçmimi që shfaqen si argëtim apo sukses në media rrezikojnë të normalizohen edhe tek fëmijët dhe adoleshentët, të cilët nuk kanë ende filtrat kritikë për t’i përpunuar këto sjellje.
Fatmir Grejqevci: Cila është zgjidhja?
Elona Mustafaraj: Nuk ka një zgjidhje të vetme, por një qasje e integruar duke përfshirë:
Së pari, familja nëpërmjet edukimit emocional që në fëmijëri, modelimit të komunikimit pa dhunë dhe vendosjes së kufijve të qartë, por jo ndëshkues.
Së dyti, shkolla duke hartuar programe të mirëfillta për menaxhimin e emocioneve, psikologë shkollorë aktivë dhe patjetër politika parandaluese, jo vetëm rehabilituese apo korrigjuese.
Së treti, shoqëria dhe media duke shfaqur përgjegjësi etike në përmbajtjet që promovohen, filtrim dhe ndërgjegjësim për ndikimin mediatik. Media dhe shoqëria duhet të promovojë modele pozitive dhe bashkëpunuese.
Fatmir Grejqevci: Kush ka rolin më të madh?
Elona Mustafaraj: Familja vendos themelet, shkolla i strukturon dhe i zhvillon, shoqëria i përforcon ose i dëmton.
Dhuna në shkollë nuk është problem i nxënësve, është pasqyra e një shoqërie që ka nevojë të reflektojë mbi mënyrën si edukon, komunikon dhe modelon brezat e rinj.
Fatmir Grejqevci: A është dhuna gjithmonë shenjë e agresivitetit, apo shpesh një thirrje për ndihmë?
Elona Mustafaraj: Dhuna nuk është gjithmonë shenjë e agresivitetit të qëndrueshëm. Shpesh ajo është një mënyrë e gabuar për të shprehur një nevojë të paplotësuar emocionale. Fëmijët dhe adoleshentët që nuk dinë të artikulojnë frikën, zemërimin apo pasigurinë i shprehin ato përmes sjelljes. Në këtë kuptim, dhuna është shpesh thirrje për ndihmë, jo dëshirë për të dëmtuar tjetrin.
Fatmir Grejqevci: Çfarë emocionesh fshihen më shpesh pas sjelljeve të dhunshme tek fëmijët dhe adoleshentët?
Elona Mustafaraj: Pas sjelljeve të dhunshme zakonisht fshihen emocione si frika, turpi, ndjenja e refuzimit, zemërimi i akumuluar dhe pafuqia. Shumë fëmijë ndihen të padëgjuar ose të pavlerësuar dhe dhuna bëhet mënyra e vetme për të marrë vëmendje ose për të ndjerë kontroll mbi situatën.
Fatmir Grejqevci: A ka dallim mes dhunës impulsive dhe asaj të mësuar përmes modelimit?
Elona Mustafaraj: Po, ka dallim të qartë. Dhuna impulsive lidhet me mungesën e vetërregullimit emocional dhe shpesh shfaqet në situata frustrimi të menjëhershëm. Dhuna e mësuar përmes modelimit zhvillohet gradualisht, përmes imitimit të modeleve familjare, shoqërore apo mediatike, dhe shpesh shihet si sjellje “normale”. Të dyja kërkojnë ndërhyrje të ndryshme, por parandalimi është gjithmonë më efektiv se ndëshkimi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
