Intervistë me të nderuarën Nazmije Alushani, motra e dëshmorit të kombit Imer Alushani

Mirë se vini në Radion Kosova e Lirë, e nderuar Nazmije Alushani-Kamerolli. Është një nder i veçantë të kemi mes nesh motrën e dëshmorit të Kombit, Imer Alushani. Ju falënderojmë që keni pranuar ftesën tonë.

Nazmije Alushani-Kamerolli: Mirë se ju gjejë e dashur Arbanë, falënderime dhe përulje juve dhe stafit të Radio Kosova e Lirë, jeni ju që i mbani të gjallë heronjët e Kombit tonë, ju që jeni përherë afër familjeve të dëshmorëve.

Radio Kosova e Lirë: Për dëgjuesit tanë, do të ishte e vlefshme të dëgjojnë disa detaje rreth aktivitetit dhe përkushtimit të vëllait tuaj gjatë luftës. Çfarë mund të veçoni nga veprimtaritë e tij që do të mbeten gjithmonë të paharruara për ju dhe për shokët e tij? 

Nazmije Alushani-Kamerolli: Baci ishte rritur dhe edukuar nga një baba trim dhe patriot, dera e odës tonë ishte gjithmonë e hapur për trimat e Berishëve, Haliti, Ismajli dhe trimat tjerë të kësaj familje atdhetare.  Babai ishte dënuar me vdekje më vonë me 20 vite, por i mbajti 12 vite burgim të rëndë në burgun famëkeq të Golli Otokut, por kurrë nuk i tregoj shokët. Vuajtjet e babait, shenjat e prangave në duar, vuajtjet e familjes sonë e kanë preokupuar shumë Bacin, sepse ishim të leçitur nga fshati dhe më gjerë, ndihmën e vetme e kemi pasë nga kushërinjtë e babait siç ishte baci Rexhep Mulaku me vëllezërit Hasanin, Fetahun dhe Mehmetin, ata na janë gjetur gjithmonë pranë.

Radio Kosova e Lirë: E nderuar Nazmije, rënia dëshmor e Imerit ishte një humbje e madhe për UÇK-në, dhe për të gjithë ne. Ai ishte një luftëtar i guximshëm, i cili në front mbante dy ose tre armë të llojeve të ndryshme, duke dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm. A mund të na tregoni çfarë dini ju ose çfarë keni dëgjuar për përpjekjet dhe sakrificat e vëllait tuaj në frontet e luftës?

Nazmije Alushani-Kamerolli: Baci ishte pjesëmarrës nëpër demonstrata kundër shtypjes që na bëhej, më kujtohet kur ndodhi helmimi i nxënësve në Podujevë, erdhi me veturën e tij  dhe tërë ditën ishte në lëvizje për të ju ofruar ndihmë nxënësve të helmuar. Baci ju kishte rënë në sy personave të sigurimit, të cilët në mëngjesin e 13 dhjetorit 1992 e rrethojnë gjithë fshatin e rrahën dhe e maltretuan në prani të familjes dhe fëmijëve, dhe e burgosën. Baci u dënua me 5 vite burgim, i mbajti ato vite, por burgu e kishte kalitë dhe burrëruar ja kishte shtuar urrejtjen për armikun edhe më shumë. Armët i ka pasë hobi, gjithmonë ka mbajt armë, sepse e kemi pasë automatikun dhe revolen e babait, që baci i ka mirëmbajt me kujdesin më të madh.Gjithherë i kam qëndruar afër kur i pastronte.

Ishte i bukur, trim i lindur me at shtat prej Gladiatori, nuk njihte frikën, Zoti e kishte pajisur me të gjitha virtytet që e bënin të dallohej nga të tjerët. E kam ndier se ai do të vritej, sepse ai asnjëherë nuk e ka kursyer veten, ai gjithmonë ka thënë mos më ardhtë vdekja me kokë në jastëk, po në frontet e luftës. Rënien e bacit e kam përjetuar shumë rëndë, sepse kishte 7 vite që nuk e kisha parë, shpresoja se do ta shihja, por ajo mbeti vetëm ëndërr, sepse ai ra në fushën e nderit, ashtu siç bien burrat, trimat e vërtetë. Më dhimbsej shumë nëna, nusja dhe fëmijët e bacit që me vite nuk e kishin babin afër, e tani mbetëm pa të. Më dhimbsej Ushtria jonë që mbeti pa një trim, dhe Kosova që mbeti pa birin e sajë. Baci ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ushtrinë tonë, bartja e armatimit nga Shqipëria, dhe pjesëmarrja e tij në betejat më të lavdishme. Kam dëgjuar nga shumë bashkë luftëtarë të Bacit tek thoshin se: kur nisej Imeri për armë në Shqipëri, të gjithë donim të shkonim me të, sepse kur ishim me Imerin na dukej se ai ishte vet Bjeshka që na bënte mburojë. Më kujtohet biseda e fundit kur bëri Baci me bashkëshortin tim Rafetin, ky i tha se së shpejti shihemi në Kosovë, sepse do të nisemi shumë shokë nga Gjermania, ai duke qeshë i tha: në Llap apo në Drenicë, e ky ja ktheu, në Drenicë aty pran teje. Jo i tha, kurrën e kurrës, jemi plot këtu, kemi nevojë për armë dhe gjëra tjera, ndihma nga atje është shumë e nevojshme për ne.

Radio Kosova e Lirë: “Derisa të jem gjallë, këmba e shkaut nuk do të shkelë në Grykën e Llapushnikut” kishte thënë vëllai juaj dhe ai e mbajti premtimin e tij me një kurajë të pashoq. Si ju kujtohet ai në ato momente të vështira dhe heroike? Cilat ishin cilësitë që e bënin atë të veçantë?

Nazmije Alushani-Kamerolli: Derisa të jem gjallë, këmba e shkjaut nuk do të shkelë në Grykën e Llapushnikut, kështu kishte thënë Mic Sokoli i ditëve tona, nuk e lëshoj Grykën bashkë me disa trima që i kishte afër, edhe pse i kishin ardhur urdhra që të tërhiqej, ai nuk u tërhoq, e kishte pritë me orë të tëra ardhjen e Topit nga Açareva, i kishte ardhur por me vonesë të madhe, dhe gjysma e gjyleve nuk i kishin shkrepë.  Me rënien e tij ra Gryka Legjendare, sepse nuk e kishte të gjallë Mic Sokolin që e mbrojti me gjoksin e tij prej Vigani. Kurrë nuk i harroj fjalët e nënës kur thoshte, si është ndalë Topi i Imerit, e ka ditë nëna që s’ka më djalë.  Ka qenë i dashur për të gjithë, human dhe karakter shumë i fortë, ka ndihmu gjithmonë aty ku është ndier nevoja, i ka dashtë dhe mbështetur shumë shtresën e ulët.

Radio Kosova e Lirë: Mund të na tregoni cilët ishin bashkëluftëtarët më të afërt të vëllait tuaj dhe si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me ta pas luftës? A vazhdojnë ata të ju vizitojnë dhe a mbani kontakte të rregullta me ta?

Nazmije Alushani-Kamerolli: Baci ka pasë shoqëri të gjerë gjithë andej Kosovës, sepse edhe në burg ka pasë shokë nga të gjitha viset e Kosovës. Shok të ngushtë që nga fëmijëria e ka pasë luftëtarin e lirisë kushëririn Enver Mulakun, e ka dashtë shumë prof. Rifat Mëziun dëshmorë i Kosovës, prof. Gani Elshanin Hero i Kosovës, si dhe shumë e shumë trima anë e mbanë Atdheut tonë.  Me Enverin kemi gjithmonë kontakt, ata edhe tani e ndihmojnë familjen e vëllait të ndjerë Luanit, gjithmonë i gjinden pran, ai dhe vëllezërit e tij Nasufi, Hajzeri, Naseri dhe të tjerët. Edhe me familjen Mëziu kemi Kontakt dhe një respekt shumë të madh. Gëzojmë një respekt të veçantë nga shokët e bacit të cilët i përshëndes dhe i falënderoj shumë.

Radio Kosova e Lirë: A mendoni se shoqëria dhe institucionet e vendit tonë kanë bërë sa duhet për të mbështetur familjet e dëshmorëve? Konkretisht, si ka qenë përvoja juaj dhe e familjes tuaj në këtë drejtim?

Nazmije Alushani-Kamerolli: Dëshmorët dhe familjet e tyre janë vlerë kombëtare, por shoqëria dhe institucionet tona i kanë lënë mbas dore, tërësisht në harresë, e them me keqardhje, por ky është realiteti që e njohim të gjithë.  Asnjë qeveri, e duke filluar nga ato të dala nga lufta, i lan në mëshirën e fatit, shumë familje dëshmorësh, ato të cilat kanë kontribuuar me gjenerata të tëra janë lënë në harresë, pikërisht nga që ishin shokë lufte dhe ideali. Një rrogë minimale nuk del as për bukën e gojës.  Dëshmorët na i kanë ndarë dhe na i kanë bërë partiak për së vdekuri, nëse ke vëlla ose familjarë në pushtet, të ngritën buste, përgatiten dokumentarë dhe bëhen emërtime shkollash, dhe nëse nuk ke, nuk të përmendet emri kurrë. Pse gjithë kjo padrejtësi? Ata ishin të njëjtë, kishin vetëm një qëllim, Kosovën e lirë dhe të pavarur. Pse po na lëndojnë me këto ndasi, ose le të kujtohen të gjithë, ose asnjë. Ka dëshmorë që nuk i përmendet emri kurrë, e vetmja është RKL ajo që gjithmonë i përkujton të rënët dhe ju qëndron pran familjarëve të tyre. Asnjë shkollë dhe institucion nuk e mbartë emrin e vëllait tim, kur e dinë të gjithë kush ishte ai, dhe çfarë kontributi ka dhënë ai, një padrejtësi e madhe, që ne si familje nuk e kemi merituar.

Radio Kosova e Lirë: Dëshmorët kanë dhënë jetën e tyre për lirinë dhe bashkimin e vendit tonë, por për fat të keq, sot po shohim ndarje dhe përçarje për interesa personale. Si e shihni këtë situatë dhe a mendoni se familjet e dëshmorëve duhet të reagojnë ndaj këtyre padrejtësive?

Nazmije Alushani-Kamerolli:  Shumë e vërtetë është kjo. Dëshmorët dhanë jetën e tyre për neve, ata nuk e gëzuan lirinë, jemi ne që jetojmë të lirë falë gjakut të tyre, nuk ka dëshmorë të mëdhenj o të vegjël, ata janë të gjithë të njëjtë, çdo djalë apo vajzë që ja ka kthye shkjaut pushkën është trim dhe meritorë.  Nuk i duroj ndasitë që sot bëhen nga disa grupe që bëjnë përçarje për interesa personale. Unë ju bëjë thirrje të gjitha familjeve të dëshmorëve që të reagojmë njëzëri ndaj këtyre padrejtësive që po u bëhen vëllezërve tonë për së rëni, ja kemi borxh çdo njërit që dha jetën për lirinë e Atdheut tonë.

Radio Kosova e Lirë: Përvjetorët e kujtimeve për vëllanë tuaj janë momente të veçanta dhe emocionuese. Si ndiheni ju gjatë këtyre përvjetorëve dhe çfarë mesazhi do të dëshironit të përcillni për të gjithë ata që e kujtojnë dhe e nderojnë sakrificën e tij?

Nazmije Alushani-Kamerolli:  Çdo përvjetorë e pres me dhimbje të madhe, më duket sikur ka ndodhë dje, është data që ma kujton ditën më të dhimbshme të jetës sime, shpirti më dhemb, i mungon familjes trimi im. I falënderoj shumë ata njerëz të mirë që kujtojnë vëllaun tim dhe sakrificën e tij, e në veçanti TV DIELLIN dhe RKL-në, që gjithmonë transmeton dokumentarë për të, dhe biseda me familjarët tonë.

Radio Kosova e Lirë: A ruani diçka të veçantë nga vëllai juaj, ndonjë relikt, letër apo shkrim që ai ka lënë pas?

Nazmije Alushani-Kamerolli:  Ruaj letrat që mi dërgonte nga burgu, më shkruante për çdo gjë, më tregonte se është së bashku me atdhetarin dhe prof. Ukshin Hotin, më shkruante se sa e kishte marrë malli për fëmijët, nënën dhe nusen dhe për të gjithë familjen. Shkruante lirshëm, sepse letrat e bacit gjithmonë i ka dërgua në postë një polic i burgut me emrin Mustafë, por mua më këshillonte të kisha kujdes sepse letrat e mia kontrolloheshin. Shumë do ta kisha falënderuar atë polic të burgut, sepse ju ka ndihmuar shumë të burgosurve shqiptarë. Nga baci ruajmë shumë gjëra, veglat muzikore, ai ka qenë muzikant i pasionuar, ju ka rënë shumë veglave muzikore, si Violinës, sharkisë dhe çiftelisë, ka kënduar shumë bukur, këndonim mbrëmjeve në shtëpi. Isha motra e vetme në mes të vëllezërve, i kisha vëllezër dhe shokë. Baci ka posedua armët që vet i ka blerë, armë të mira, sepse ai kurrë nuk e ka heq revolen nga brezi, qysh se unë e mbajë mend, por armët e tij u zhduken menjëherë mbas rënies së tij. I lus shokët e Bacit nëse dinë diçka për armët e tij të na tregojnë se kush i mori, dhe ti kthehen familjes së ngushtë të Bacit.

Radio Kosova e Lirë: E nderuar Nazmije, ju falënderojmë përzemërsisht që u bëtë pjesë e intervistës sonë dhe që ndatë me ne kujtimet tuaja të çmuara për vëllanë tuaj heroik. Ju urojmë suksese dhe shëndet të plotë për ju dhe familjen tuaj!

Nazmije Alushani-Kamerolli: Ju falënderoj shumë RKL, më keni nderuar shumë, do ju jem gjithmonë mirënjohëse. I përshëndes të gjitha familjet e dëshmorëve anë e mbanë Atdheut tonë.  Lavdi për jetë e mot të gjithë dëshmorëve të Atdheut tonë.

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Sociologu Gëzim Tushi: Plakja e popullsisë shqiptare me përmasa dramatike!

Flet “Mjeshtri i Madh” Gëzim Tushi: Adhurimi i familjes nuk është konservatorizëm, por konsiderohet i tillë…

Sot në familjet shqiptare kanë humbur shumë tradita, zakone, janë ftohur lidhjet e gjakut dhe “pasionet …