leoni

Refik Havolli

Intervistë me z. Refik Havolli doktor i Shkencave Ekonomike, biznesmen

Radio Kosova e Lirë: Z. Havolli këtë intervistë po e fillojmë me disa të dhëna që ju do t i rrëfeni për jetën tuaj, shkollimin, angazhimet e më vonshme, me qëllim që shikuesit të iu njohin edhe në këtë segment!

Ju faleminderit për ftesën dhe interesimin e shprehur që të jem i ftuar në intervistën tuaj. Shfrytëzoj rastin të përshëndes shikuesit e TV Dielli.

Biografia ime e shkurtër është kjo:

Refik Havolli

Kam lindur më 10 Qershor 1967 në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës.  Vij nga një familje relativisht e shkolluar, familje atdhetare dhe punëtore.

Stërgjyshi Ramadan Havolli  kishte përfunduar medresenë e Gjakovës dhe ishte njëri i shkolluar për atë kohë, ishte imam i fshatit gjithashtu.

 

Faik Havolli

Gjyshi im Faik Havolli  kishte përfunduar medresenë në Shkup. Ai ishte mësuesi i parë i shkollës së fshatit Llapashticë i cili filloj t’u mësoj nxënësve në gjuhën Shqipe. Pas shpartallimit të Jugosllavisë së vjetër  më 1942 hapi shkollën e parë shqipe në fshatin Llapashticë e Epërme. Ai solli abetaren nga Shqipëria. Gjithashtu gjyshi im punoj si imam i fshatit deri më  maj të vitit 1976 kur edhe ndërroj jetë.

Emrin ma ka vendosur gjyshi im, Faik Havolli. Emri Refik ka kuptimin: Refik, shok i rrugës, bashkudhëtar. Pra, gjatë rrugëtimit tim jetësor dhe profesional jam munduar që të jem bashkëpunues dhe t’i ndihmoj familjarët, shokët dhe bashkëpunëtorët e mi.

Babai im Rafet Havolli ishte kryepunëtor –Menaxher në KNI “Ramiz Sadiku” në Prishtinë. Ai e kishte pasion matematikën dhe arkitekturën. Nëna ime Hava (Humolli) Havolli, vinte nga një familje relativisht e pasur dhe patriotike. Jemi katër vëllezër dhe katër motra.

Radio Kosova e Lirë: A e kishte të vështirë babai i juaj të ju siguronte mirëqenie pasi ishit shumë fëmijë?

Babai kishte punuar gjithmonë shumë, kishte ndërtuar një shtëpi relativisht të mirë, kishte blerë tokë, një pjesë e kishte trashëguar.  Ai në vitin 1974 arriti të blinte edhe makinë re.

Ne fëmijët punonim shumë në punët e shtëpisë, si bujqësi, blegtori etj. Unë që nga klasa e katërt jam vetëfinancuar, mbledhje këpurdha në male, dëllinja, kaça etj etj…Më kujtohet se që nga klasa e pestë bleja gjësende të ndryshme në qytetin e Podujevës si topa futbolli etj dhe ua shisja nxënësve të tjerë. Gjatë studimeve pasi kisha qenë nxënës me nota të mira e fitova bursën komunale e më vonë edhe kredi nga KNI “Ramiz Sadiku”.

Radio Kosova e Lirë: Ku e ke përfunduar shkollën fillore dhe çfarë kujtimesh keni nga ajo kohë?

Shkollën fillore e kam përfunduar në vendlindjen time në fshatin Llapashticë e Epërme, në shkollën “4 Korriku” që tani mban emrin “Naum Veqilharxhi”. Me kujtohet mësuesi im i parë Sylejman Mehmeti, ishe pedagog i kompletuar… Arsimtari Ymer Kastrati ishte një pedagog i shkëlqyer, që na ka edukuar si është më së miri. Pastaj vlen të përmenden profesori i historisë Rushit Cakiqi. Arsimtari i matematikës ishte Fuad Qosa.  Arsimtari i BAT- ishte Rizah Bashota. Profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe Sabri Kamerolli.  Drejtor i shkollës kur isha në klasën e tretë ishte Osman Latifi. Sekretar shumë vite ishte Murat Hodolli. Shokë të klasës dhe një prej shokëve më të mirë për 8 vite kisha dëshmorin e kombit-luftëtarin e lirisë Kadri Qerimi. Në klasë zakonisht isha arkëtari i klasës ose në disa vite kryetari i klasës. Numri i revistës Pionieri vite vazhdimisht dhe unë i mbledhja të hollat nga nxënësit-et e klasës sime dhe gjithashtu ua shpërndaja revistën. Sa isha nxënës në disa herë kam marr pjesë në garat që bënim me ndonjërën nga shkollat e komunës së Podujevës. Zakonisht garonim me nxënësit e shkollës së fshatit Llapashticë e Poshtme dhe ishim shumë të suksesshëm. Garat bëheshin në lëndë të ndryshme mësimore. Në Klasën e tetë kemi marr pjesë për grumbullimin e panxharsheqerit në një arë të madhe disa hektarësh dhe me mjetet e fituara kemi organizuar një ekskursion nëpër Kosovë.

Radio Kosova e Lirë: Ku e ke përfunduar shkollën e mesme dhe a keni raporte me arsimtarët dhe profesorët tuaj të dikurshëm?

  °Shkollën e mesme e kam përfunduar në QAMO “8 Nëntori” në Podujevë.  Profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe Islam Ajvazi, e kisha kujdestar klasës në vitin e parë dhe gjithashtu arsimtar në vitin e dytë dhe kisha notën maksimale 5.  Profesor të historisë në vitin e parë kisha profesorin Shemsi Zebica, ishte shumë i mirë në mësimdhënie. Në vitin e dytë lëndët ekonomike ishte profesoresha Bahtije Latifi dhe profesori Naser Leci që na mësonin me shumë përkushtim dhe profesionalizëm. Lëndët profesionale ishin Ekonomi e OPB, Bazat e evidencës  e pl. OPB. Në vitin e tretë arsimtar të gjuhës dhe letërsisë shqipe kisha profesorin Sabri Osmani që ishe shumë aktiv dhe i dobishëm për ne. Profesori i gjuhës frënge-kujdestari, Nysret Bllaca, në vitin 2016 me rastin e 30 vjetorit e maturës më njohu me thirri në emër. Njëri nga shokët e pyeti përse Refikut nuk ia ke harruar emrin, ai u përgjigj se i kujtohen nxënësit e dalluar dhe ata që kanë qenë problematik, kurse ata të mesmit i ka harruar. Në shkollën e mesme, në maj të vitit 1995 me shokët e gjeneratës kemi marr pjesë në aksionin vullnetar për pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura me fidanë pishe në fshatin Bradash. Tani kjo pjesë është një mrekulli natyrore. Shokë klasë e kisha përseri 2 vite dëshmorin Kadri Qerimi.

Në kohën sa isha në shkollën e mesme për çdo poezi të botuar në revista kompenzohesha me mjete financiare në llogarinë time bankare që e kisha hapur në bankën Bankos.

Radio Kosova e Lirë: A e ke përfunduar shërbimin ushtarak dhe nëse po në cilin vend?

Menjëherë pas përfundimit të shkollës mesme në shtator të vitit 1986 isha i thirrur të shkoja për ta kryer Shërbimin ushtarak në ish Jugosllavi. Shërbeva 12 muaj në Shkup. Aty mësova gjuhën serbo-kroate dhe pjesërisht edhe disa gjuhë tjera. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak u njoha me shumë të rinj nga vende të ndryshme të ish Jugosllavisë. Me disa nga këta shokë kam kontakte të rralla. Me disa nuk kishim raporte të mira dhe nuk dëshiroj as t’i kujtoj. Kishte shumë padrejtësi prej disa nga eprorët. Të paharruara janë kujtimet e mia nga takimet me banorë shqiptar të qytetit të Shkupit dhe të shumë fshatrave të Maqedonisë e sidomos të rajonit të Rekës së Keqe dhe të disa fshatrave me popullsi të përzier të Kumanovës.

Radio Kosova e Lirë:  Sot si është përbërja e familjes tënde?

Jetoj me gruan dhe dy fëmijë, dy djem. Të gjithë me profesion janë ekonomistë.  Bashkëshortja ime Bastrie (Uka)- Havolli ka përfunduar fakultetin ekonomik. Djali i madh quhet Arbër (22-vjet) dhe vitin e ardhshëm përfundon master në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin “Hasan Prishtina” ka notë mesatare maksimale. Djali i dytë quhet Arianit, (20 vjet)  ai është duke vijuar studimet  në vitin e tretë në Kolegjin Biznesi. Të dy djemtë janë duke punuar në biznesin tonë Passable dhe janë duke u vetëfinancuar për të mbuluar kostot e studimeve, veshmbathjeve etj. Ata janë duke dhënë një kontribut të çmuar në ndërmarrje. Puna praktike që bëjnë në biznes dhe ajo teorike që e mësojnë në fakultet mendoj se i bën më të përgatitur për tregun e punës.

Radio Kosova e Lirë: Ku i keni kryer studimet dhe deri në cilin nivel studimor keni arritur?

Fakultetin dhe studimet pasdiplomike i kam përfunduar në Universitetin e Prishtinës. Ciklin e tretë të studimeve të doktoratës e kam përfunduar në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, Republika e Maqedonisë, Fakultetin Shkenca Ekonomike, në programin studimor Marketing dhe Menaxhment Financiar”.

Radio Kosova e Lirë: Krahas veprimtarisë Suaj në shkencat ekonomike   keni të botuar edhe  një përmbledhje me poezi, e cila titullohet  “Ëndërr buzë lumi”.  Kur keni filluar të merreni me krijimtari artistike dhe çka paraqet, çka ofron ajo për ju?

Me shkrime kam filluar të merrem që nga shkolla fillore. Sa ishte nxënës, botoja shumë poezi në revistat e kohës. Gjatë luftës shumë dorëshkrime mu dogjën. Disa nga ato që më shpëtuan, ndodhen në librin e tim ”Ëndërr buzë lumi” (Prishtinë 2015). Sidomos sa isha nxënës i shkollës së mesme poezitë i dërgoja në revistat Pionier dhe në Rilindje në shtojcën “Rilindja për fëmijë”.

     °Redaktor  librit tim  ”Ëndërr buzë lumi” është poeti Sevdail Zejnullahu, kurse

     °Recensent poeti Muhamed Krasniqi.  Të dy këta me qëndrim dhe punë në Suedi.

Radio Kosova e Lirë: A keni botuar ndonjë libër tjetër, keni në plan të botoni, apo ndoshta  keni hequr dorë nga krijimtaria, edhe pse kjo është e vështirë t’iu  ndodh krijuesve!


    Në vitin 2016 në Bukuresht të Rumanisë në Revistën e Diasporës Shqiptare “Albanezul” (“Shqiptari” ) një numër i saj i është kushtuar poezive të mija dhe janë në gjuhën shqipe. Në vitin 2016 në antologjinë letrare-poetike “Familja e fjalëve” gjithashtu janë botuar disa poezi në gjuhen Rumune. Zjarri i Jetës / Focul vieţii” (Antologjia poetike-Antologie poeticã), jam prezent me disa poezi. Në vitin 2018 në Bukuresht të Rumanisë në Antologjinë e poezisë shqipe të botuar në rumanisht, nga i nderuari Baki Ymeri, gjithashtu janë 8 poezi nga krijimtaria ime letrare.

Radio Kosova e Lirë: Duke qenë se me  profesion jeni ekonomist, pra doktor i Shkencave Ekonomike a keni marrë pjesë edhe në angazhime profesionale nëpër tryeza, konferenca shkencore, botime artikujsh nëpër medie?

Po vazhdimisht kam qenë nëpër konferenca të ndryshme, nëpër trajnime të ndryshme profesionale. Nga viti 2013-2018 jam marr me shkrimin dhe botimin në revista shkencore të punimeve nga fusha e ekonomisë dhe kam marr pjesë në shumë konferenca shkencore në vende të ndryshme si: Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi (Ulqin, Budvë), Kroaci (Dubrovnik, Split),  Bosnje dhe Hercegovinë, Spanjë, Greqi, Bullgari etj.

Radio Kosova e Lirë: A jeni njohës të ndonjë gjuhe të huaj?

Gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm kam mësuar gjuhën frënge dhe e kam zotëruar deri në një mas por pasi nuk e kam përdorur kohë gjatë e kam harruar gati në tërësi. Gjuhën serbo-kroate, maqedonase i flas. Gjuhën angleze e kam mësuar gjatë studimeve dhe pastaj kam vijuar edhe në kursin për mësimin e gjuhës angleze në qendrën për gjuhë të huaja Zas-trade në Prishtinë në vitet 2003/2005.

Radio Kosova e Lirë: Me teknologji (kompjuter, telefona mobil etj) si qëndroni?

 Gjatë studimeve kam fituar njohuri elementare për kompjuterët. Kursin fillestar nga lëmi i zbatimit të kompjuterëve personal në shkollën për arsim informatikë “Infotrade” në Prishtinë, vitit 1991/92. Nga ajo kohë vazhdimisht kam pas kompjuter personal. Gjithashtu edhe tani shumë shpejt i kuptoj ndryshimet që bëhen në programet operative dhe përditësimet në telefonat e mençur.

Radio Kosova e Lirë: Ju mes tjerash jeni themelues i ndërmarrjes, “Passable”, na tregoni  për fillet e kësaj veprimtarie, kur filloi ideja si arritët ta realizoni projektin?

Data e regjistrimit të biznesit Passable, në Gjykatën Ekonomike është bërë më: 03 Nëntor1992. Aktiviteti ka filluar më datën 12.12.1992, duke bërë furnizimet me mallra dhe krijimin e kushteve për punë etj.  Shitjet e parë u bë më datën 16. Dhjetor 1992.  Passable filloj aktivitetin si pikë statike-depo me shumicë për tregtimin e produkteve ushqimore, higjienike dhe kozmetikë. Themeluesit e ndërmarrjes Passable ishim ne vëllezërit Refik i dhe Fikret Havolli si dy ish student të Universitetit të Prishtinës. Unë isha në moshën 25 vjeçar dhe vëllau Fikreti 19 vjeçar. Nga dita e parë e themelimit të Albi-Commerce  isha pjesë e stafit. Aty mora eksperiencën e nevojshme. Aty mora ide, eksperiencë, shprehi të punës por edhe dhashë më të mirën nga vetja ime. Kapitalin për fillimin e veprimtarisë ishte relativisht  i vogël. Mjetet financiare i kisha nga kursimet personale, nga puna shtesë që bëja gjatë kohës së lirë dhe një pjesë huazim nga një shok-mik imi. Mjetet e huazuara i ktheva pas një viti.

Radio Kosova e Lirë: Duke qenë se keni punuar edhe para luftës ku ishte asokohe tregu i shitjes, në Prishtinë me rrethinë apo edhe në një rrjet më të gjerë?


Blerësit ishin nga tërë Kosova. Kishte përplot depo dhe dyqane nga Lugina e Preshevës, Kurshumlia, Prokupla, Novi-Pazari dhe qytete të tjera që furnizoheshin në Kosovë. Ishte ndërmarrja Passable një nga ndërmarrjet më të fuqishme e cila merrej me importimin e shumë produkteve nga vendet e rajonit dhe më gjerë dhe ato pastaj ua shiste ndërmarrjeve të tjera që merreshin me shumicë apo pakicë.

Radio Kosova e Lirë: Nga bëheshin furnizimet e biznesit tuaj?

Fillimisht furnizimet bëheshin nga prodhuesit e ish Jugosllavisë, kryesisht nga Vojvodina,  Mali i Zi, Serbia etj, më vonë pasi rritëm kapitalin e nevojshëm filluam të bënim importimin e vende të tjera.

Radio Kosova e Lirë: A ishit konkurrent me bizneset e tjera në ish Jugosllavi?

 Pagesa me para të gatshme dhe në sasi të mëdha mundësonte që ndërmarrjet private me pronar shqiptar të blinin mallra me çmime më të mira nga prodhuesit e shteteve të tjera të rajonit dhe më gjerë, por edhe  nga Vojvodina,  Mali i Zi dhe Serbia, kështu të ishin me oferta më të mira.

Passable kishte diçka të veçantë që shumë bizneseve u mungonte, ishin këto produktet nga importi:

-Produktet të fabrikës Pepsi nga Prilepi, Maqedoni,

-Produktet e fabrikës Pivara AD. nga Shkupi (Coca Cola, Fanta…),

-Produktet nga prodhuesit e çajit nga Siri Lanka,

-Produkte nga prodhuesit e gotave të qelqit nga Turqia,

Vlera e importeve ishte e limituar dhe për çdo import duhej aplikuar për leje importi, sepse favorizoheshin prodhimet e brendshme.

 Valutë zyrtare ishte dinari, por jo zyrtarisht krahas kësaj përdoreshin valutat: marka gjermane, franga zvicerane dhe dollari amerikan.

Radio Kosova e Lirë: Sa ishte numri i punëtorëve në vitin e parë dhe sa është aktualisht?

Në fillim ishim vetëm 2 veta, unë dhe vëllai im Fikreti, pastaj punësova një punëtor dhe pas disa muajsh edhe dy të tjerë. Pas dy vitesh, pas dëbimit nga puna na u bashkëngjit në biznes edhe vëllai i madh Muhamedi. Sot ndërmarrja Passable shpk ka 60 të punësuar në marrëdhënie të rregullt të  punës. Për më shumë informacioni klikoni në: http://passable-ks.com/

Radio Kosova e Lirë: Kur filloj zhvillimi i sektorit privat në Kosovë?

Sektori privat në Kosovë filloi të zhvillohej sidomos nga data 23 mars 1989, kur Kosovës iu mor subjektiviteti dhe iu shfuqizua Kushtetuta e vitit 1974 nga Serbia.

Radio Kosova e Lirë: Çka ndodhi me punën dhe biznesin tuaj gjatë kohës së luftës në Kosovë, kur dihet se si ishte sjellë regjimi serb i  Milosheviqit me shqiptarët, përgjithësisht?

Gjatë luftës ekonomia e Kosovës kishte pësuar dëme edhe më të mëdha nga aktivitetet luftarake, si dhe nga plaçkitja e pushtetit serb. Me mbarimin e luftës nevojat e popullsisë për të gjitha llojet e produkteve ishin të madha. Që në ditët e para, 17.06.1999, Ndërmarrja Passable ishte nga ato ndërmarrje që filloi aktivitetin tregtar. Passable, sikurse shumë ndërmarrje, kishte pësuar dëme të mëdha gjatë luftës (25 mars 1999-10 qershor 1999). Mallrat që ishin në depon nr.1 ishin plaçkitur në tërësi nga pushteti serb. Mallrat në depon 2 ishin marrë nga njerëzit nevojtarë shqiptarë të zhvendosur nga rajoni i Llapit dhe një pjese të fshatrave të Prishtinës, që ishin kthyer detyrimisht nga zona e Gollakut në rajonet nga kishin ardhur. Automjetet e ndërmarrjes të cilat ishin shumë të nevojshme për të zhvilluar një aktivitet të mirëfilltë tregtar gjithashtu ishin plaçkitur nga pushteti serb. Kompjuteri u gjet në zyrat e “Policisë Financiare” në ndërtesën e tanishme të Kuvendit të Kosovës. Kështu iu kishte ndodhur pothuajse shumicës së ndërmarrjeve private në Kosovë.

 Radio Kosova e Lirë: Pasi mallrat iu plaçkitën nga gjetët forcën, vullnetin dhe mbështetjen financiare për të rifilluar biznesin?

Filluam aktivitetin në depon që ishte pronë e jona dhe që në ditët e para importuam shumë maune me mallra. Objekti për ushtrimin e veprimtarisë ishte ndërtuar para luftës me sipërfaqe prej 500 m2, dhe i plotësonte kushtet për ushtrimin e veprimtarisë. Ishte një vlerë e konsiderueshme e valutës marka gjermane që ishin shpëtuar nga lufta, që mundësoi fillimin e aktivitetit tregtar. Gjithashtu edhe pagesa e inkasuar e borxhit nga Oxfam, e cila kishte blerë para luftës pako higjienike për të shpërndarë si ndihma humanitare, si dhe disa blerësve të tjerë. Shumica e blerësve që figuronin në regjistrin e llogarive të argtueshme nuk e bën shlyerjen e obligimeve të tyre.

Radio Kosova e Lirë: Çka mund të na thoni për llogaritë e pagueshme, pra borxhet që ju kishit ndaj furnitorëve tuaj?

Në vitin 1998 deri mars 1999 Passable kishte shumë vlerë të vogël sa i përket llogarive të pagueshme. Ato obligime  ishin te dy a tre furnizues dhe u bë shlyerja e tyre, pra pagesa e tyre. Pra, edhe pse u bë luftë ne nuk i kemi mbetur borxh askujt kurse neve shumë blerës..

Radio Kosova e Lirë: Nga cilët prodhues u furnizuat fillimisht?

Furnizimet dhe shitjet ishin shumë të shpeshta. Disa nga furnizimet e parë më të mëdha ishin:

Furnitori Adresa Produktet
Pivara Skopje AD. Shkup CocaCola, Fanta 2/1
OHIS AD Shkup Biljana 200g, Gong 3/1
EUROPA Shkup Llokume, praline, bombonjere…
Saponija Komerc Shkup Detergjent “Faks” , “Radion”…
Mig Prilep Mallra konditorike
Vitaminka AD. Prilep Mallra konditorike
Divella S.P.A. Itali Makarone
Agroplod Reisen Agrokrem blok…
Kras-Progres D.O.O. Manastir Donika keks, Mozaik, Loto

Radio Kosova e Lirë: Si bëhej tregtimi i produkteve në këtë periudhë atëherë dhe si tani?

Shitja dhe shpërndarja dallonin shumë nga ai i ditëve të sotme. Ishin pikat e shitjes me pakicë të cilat duhej  të vizitonin pikat e shitjes me shumicë-depot për t’u furnizuar me produktet e ndryshme të cilat ata i tregtonin. Mënyra e pagesës ishte mbi 90% me të holla të gatshme, kurse në disa raste shitoreve, kur nuk kishin mjete të mjaftueshme financiare dhe kur ekzistonte besimi, u lejohej një faturë me pritje për t’u paguar herën tjetër, me rastin e furnizimit të ri. Kjo mënyrë e të tregtuarit ishte e mundur, pasi asnjëri nga importuesit nuk ishte i përgatitur të bënte një shpërndarje të mirëfilltë nëpër të gjitha pikat e shitjes me pakicë në territorin e Kosovës. Gjithashtu edhe infrastruktura rrugore ishte në një gjendje shumë të keqe. Disa nga vendbanimet me shumicë serbe ishin të mbyllura për distributorët potencialë dhe nuk kishte siguri të mjaftueshme për të hyrë në ato zona. Gjithashtu ishte ekonomia joformale në lulëzim, sidomos nga ndërmarrjet që operonin nëpër enklavat serbe. Ata furnizoheshin me mallra në mënyrë ilegale nga veriu i Mitrovicës dhe i shpërndanin nëpër enklavat serbe, por në shumë raste tregtonin jashtë atyre vendbanimeve. Kjo ishte njëra ndër pengesat kryesore e të bërit biznes për bizneset legale. Me kalimin e viteve doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës pothuajse arritën ta vinin nënë kontroll këtë shmangie fiskale.

 

Radio Kosova e Lirë: Si është aktiviteti tregtar dhe shpërndarja i produkteve në ditët e sotme?

Kosova, për fat të keq, ka një balancë të keqe tregtare me shtetet e tjera, sepse raporti është rreth 90% importe dhe 10% eksporte. Pra, deficiti i lartë tregtar është një pengesë për rritjen makroekonomike të vendit. Një rritje afatgjate dhe e qëndrueshme ekonomike do të jetë e mundur vetëm me përmirësimin e këtij bilanci tregtar. Kosova ka një ligj liberal të tregtisë së lirë, që është një gjë e mirë, por mungojnë politika për stimulimin e prodhimit vendor. Si shkaktar i këtij bilanci në Kosovë ka një aktivitet tregtar shumë konkurrues dhe mjaft të përparuar.

Produktet kryesore ushqimore dhe të konsumit në përgjithësi importohen nga ndërmarrje të ndryshme në Kosovë, të cilat zakonisht edhe bëjnë shpërndarjen e atyre produkteve. Në tregun e  Kosovës ka një llojllojshmëri produktesh duke filluar nga markat më të njohura e deri tek ato më pak të njohura. Globalizmi është më prezent se kurdoherë më parë. Kemi ndryshime të shpeshta dhe në vazhdimësi blerje dhe shitje të kompanive dhe brendeve të ndryshme botërore.

Ndërmarrjet tregtare, të cilat kanë rrjete të pikave me pakicë pothuajse të gjithë në vizionin dhe strategjinë e tyre kanë hapjen e sa më shumë pikave shitëse dhe përgatitjen e biznesit për ta shitur te ndonjë investitor i madh i jashtëm.

Radio Kosova e Lirë: Duke qenë se jeni në kontakt me rrjedhat e bizneseve, sukseset, por edhe mos sukseset, dështimet,  a mund të na tregoni se çka ka ndikuar në falimentimin e disa  ndërmarrjeve e bizneseve gjatë viteve 2010-2015?
     “Nuk ishin speciet më të forta që mbijetuan, as më inteligjente që mbijetuan. Ishin ato që u adaptuan ndaj ndryshimeve”. Charles Darvin (1809-1882)

Gjatë periudhës kur Jugosllavia filloi të shpërbëhej, vlera e dinarit u zhvleftësua, e sidomos pas vitit 1992. Devalvimi i dinarit dhe inflacioni marramendës bëri që shumë biznese të falimentonin. Disa nga ndërmarrjet iu përshtaten ndryshimeve dhe ia arritën të mbijetonin. Disa të tjera arritën ta përballonin periudhën e inflacionit, por nuk arritën t’i përshtateshin ekonomisë së lirë të tregut (ndërmarrjet shoqërore) dhe disa nga ndërmarrjet nuk arritën të adaptoheshin në përputhje me ndryshimet në ekonominë moderne.

Në vitet e fundit shumë biznese po falimentojnë si pasojë e pamundësisë për të operuar në treg. Gjithashtu, vazhdimisht po hapen biznese të reja, por në shumë raste këto sikur i mban vetëm inercioni pa pasur një analizë të mirëfilltë se cila veprimtari është më fitimprurëse dhe më e qëndrueshme.

Radio Kosova e Lirë: Çka e karakterizon  aktivitetin aktual tregtar dhe shpërndarjen e produkteve në ditët e sotme?

Nga analiza dhe hulumtimet e bëra, opinionet e pranuara nga njerëz që janë marrë apo merren me biznes, kemi nxjerrë përfundimin se gjatë viteve të fundit ka pasur zhvillime pozitive në fushën e shitjes dhe të shpërndarjes së produkteve në tregun e Kosovës. Konsumatori me pakicë tani e ka më të lehtë furnizimin me të gjitha llojet e produkteve sepse kudo nëpër vendbanimet e mëdha janë hapur qendra tregtare, të cilat ofrojnë llojllojshmëri produktesh cilësore me çmime të arsyeshme.

Radio Kosova e Lirë: Kosova ka vendosur një taksë të veçantë mbi prodhimet, të cilat nga Serbia dhe Bosnja shiten në Kosovë. Sa ka qenë i domosdoshëm ky veprim dhe si do të ndikojë në tregtinë  tonë përgjithësisht?

Vendosja e taksës së veçantë prej 10% e pastaj 100 % për produktet, brendet që vijnë nga Serbia dhe Bosna e Hercegovina mendoj se do të ndikojnë pozitivisht përmasimin e dis balancit tregtar të Kosovës. Në parim taksat dhe bllokadat e tjera nuk janë të pranuara nga ekspertët e ekonomisë por në raste të veçanta edhe mund të aplikohen. Kemi një ngecje dhe një organizim të dobët në implementim të këtij vendimi. Mungon një bazë e të dhënave që të definoj se cilat produkte janë brende botërore e cilat janë nga Serbia dhe Bosna e Hercegovina. Meqë ka shumë brende ndërkombëtare që prodhohen në këto dy vende dhe sipas vendimit të Qeverisë lejohen të importohen pa taksë, kurse në realitet ato nuk lejohen, kjo do e rris presionin e ndërkombëtarëve që taksa të hiqet.  Taksa do të ndikoj në rritjen e çmimeve të disa produkteve e në veçanti në çmimin e miellit. Për prodhuesit vendor do të jetë një stimulim dhe mundësi që të jenë më konkurruese në treg. Sasia e produkteve të prodhuesve vendor sigurisht do të ketë rritje e kjo do të ndikoj që të rritet punësimi i të rinjve prezenca në raftet e pikave të shitjes me pakicë do jetë më e lartë e sigurisht edhe nëpër tryezat e konsumatorëve.

Radio Kosova e Lirë: Z. Havolli për fund të kësaj bisede a mund të na thoni cilat janë sot mundësitë dhe kushtet e të bërit biznes, kur dihet se një pjesë e madhe e njerëzve tanë jetojnë kryesisht nga veprimtaritë private dhe gjenden ashtu si mundën?

Unë mendoj se ka shumë të rinjtë pa punë, por ka pak të rinjtë që kanë përgatitjen e duhur profesionale. Shkollimi në shkolla profesionale apo si i quajmë ne shkolla për zanate specifike do të ishte shumë e dobishme që numri i të papunëve të zvogëlohej. Mungon gjithashtu bashkëpunimi shkollave, i Fakulteteve dhe i Kolegjeve Private me bizneset që merren me prodhim apo atyre që merren me shërbime.

Radio Kosova e Lirë: Ju falënderojmë për bisedën me shpresë se edhe herëve të tjera do të bisedojmë për tema të tilla me interes për publikun e sidomos për ata që merren me biznes!

Ju faleminderit për interesimin e juaj që të isha pjesë e intervistës dhe respekt.

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …