leoni

Intervistë me zonjën Resmije Badallaj – Uka, veprimtare dhe atdhetare, bashkëshortja e Heroit të kombit, Mehë Uka  

RKL: Zonja Resmije, si e kujtoni takimin e parë me bashkëshortin tuaj, Mehë Uka, dhe çfarë ju tërhoqi më shumë te karakteri i tij?

Resmije Badallaj – Uka: Unë, rrjedhë nga një familje patriotike nga fshati Zhur, që ishim nën vëzhgimin e atëhershëm serbo-sllav e tërë familja. Vëllezërit e mi atëkohë ishin studentë, njëri në Prishtinë dhe vëllai tjetër në Prizren. Për shkak të organizimit të demonstratave ishin dënuar në burgun famëkeq të Prizrenit ku edhe Meha, vuante dënimin e tij për shkak se ishte kundër regjimit serb. Isha nxënëse në shkollën e mesme të medicinës atë kohë dhe bëja pjesë me motrën në grupet ilegale për bashkimin e trojeve shqiptare, kisha dëgjuar edhe nga vëllezërit edhe nga shokët e tij për qëndrimin heroik të Mehës në burgjet e ndryshme ku vuante dënimin. Ndjeja gjithnjë e më shumë simpati dhe dëshira për ta njohur nga afër më shtohej edhe, më shumë.

U takuam në Zhur për herë të parë ku kishte ardhur t’i vizitonte shokët e tij të burgut.

Nuk mund ta paramendojë askush sa bisedë e gjatë dhe kuptimplotë ishte! Më dukej se njiheshim me vite. I kishim të njëjtat mendime, të njëjtin ideal dhe të njëjtat dëshira. Më magjepste qëndrimi i tij, vendosmëria dhe karakteri i tij aq i fortë, ndjeva në atë moment ndenja dashurie, thosha me vete, Meha qenka njeriu që e paskam pritur tërë kohën. Për çudi edhe vet Meha kishte shprehur dëshirën të më takoj mbase kishte dëgjuar shumë për familjen tonë. Dhe ashtu ndodhi mbas një kohe u fejuam edhe pse kishte mospajtime se ishte largësi e madhe Zhuri nga Bajgora.

 

RKL: Cili ishte  Mehë Uka  si bashkëshort dhe prind, duke qenë se ai shpeshherë ishte i angazhuar në veprimtari atdhetare?

 Resmije Badallaj – Uka: Si bashkëshort Meha ishte shumë i dashur, kujdesej shumë për mua, sidomos gjatë kohës kur isha shtatzënë, lante bashkë me mua rrobat se atë kohë nuk kishim lavatriçe, më ndihmonte shumë në çdo punë edhe pse ishte gjithmonë i zënë me aktivitete ilegale politike. Atë kohë ishte edhe arsimtar në Bajgorë dhe kur kthehej nga puna gjithmonë ma sillte një tufë lulesh që i mblidhte nëpër livadhe gjatë gjithë rrugës deri në shtëpi. E kishte zakon, kurrë nuk largohej nga shtëpia pa më përqafuar, thuajse e ndjente se nuk do të jetonin gjatë bashkë!?

Ishte shumë i përkushtuar ndaj fëmijëve, i donte pamasë, kujdesej shumë edhe pse e përqeshnin se atë kohë ishte turp ti ndihmosh gruas edhe në punët e shtëpisë. Por kjo nuk zgjati shumë.

 

RKL: Si e përjetuat vendosmërinë dhe përkushtimin e tij për çështjen kombëtare, sidomos në periudhat, kur ai ishte në rrezik të vazhdueshëm?

Resmije Badallaj – Uka:  Pas daljes nga burgu Meha kurrë nuk është tërhequr nga çështja kombëtare, ishte shumë i angazhuar në të gjitha anët që t’i bashkoj trojet shqiptare, më mungonte shumë e më shumë, burgosej shpesh se shtëpia jonë në Bajgorë ishte gjithmonë në vëzhgim të spiunëve, kështu që kurrë nuk ishim të qetë unë dhe fëmijët! Njëherë në vit vizitoja familjen time në Zhur se ishim edhe keq financiarisht, por Meha ishte aq i vendosur sa një natë më tha: Resë, nuk ka kthim më, unë jam betuar, më kanë rrahur deri më është ngjitur këmisha në trup nga torturat dhe rrahjet nga policët e burgjeve kudo që kam qenë, por kurrë nuk i kam tradhtuar shokët dhe idealin, ndaj nuk ka kthim më, “ LIRI A VDEKJE” … Nuk i thosha asgjë, por mundohesha ta ndihmoja se bashkëpunonim edhe më parë në Lëvizjen për Bashkimin e Trojeve Shqiptare.

 

RKL: Si ndikoi burgosja dhe vuajtjet që Mehës, në jetën tuaj familjare?

 Resmije Badallaj – Uka: Asgjë nuk e gëzoi më shumë se lindja e djalit tonë, Dardanit. Pas të gjitha torturave të tmerrshme që Meha përjetoi gjatë burgosjes, ishte një ngjarje e jashtëzakonshme dhe, plot emocion që ai arriti të bëhet baba. Pas gjithë atyre periudhave të vështira dhe torturave në burg, shumë njerëz nuk besonin se Meha do të kishte mundësinë të kishte fëmijë. Ishte një moment i paharrueshëm kishte bërtitur dhe kishte qarë nga gëzimi në mes të qytetit se tashmë i kishte lindur një djalë. Ky moment i gëzimit të papërshkrueshëm erdhi pas një periudhe të gjatë vuajtjesh dhe sakrificash, dhe na dha shpresë për një të ardhme më të mirë, duke forcuar lidhjen dhe dashurinë brenda familjes tonë.

 

RKL: Sa e rëndë ishte për ju të jetonit në një shtëpi që shpesh ishte bastisur dhe përballeshit me kërcënimet dhe maltretimet e pushtuesve serbë?

Resmije Badallaj – Uka: Atë kohë e kishim të vështirë të dilnim në qytet se Meha ishte në çdo hap i ndjekur. Kam përjetuar shumë, por burgosja e tij në prezencën time dhe të fëmijëve ka qenë shumë e rëndë. Mbase edhe familje ime në Zhur ishte njësoj e bastisur dhe, burgosur nga serbët dhe regjimi i atëhershëm dyshonin se Meha së bashku me vëllezërit e mi sillnin armë nga Shqipëria për të armatosur popullin kundër Serbisë, kështu që e burgosën se ishin mirë të informuar se Meha me mua dhe dy fëmijët po udhëtonim për në Zhur. Na ndalët policët serbë, në rrugë në dalje të Mitrovicës dhe ia lidhën Mehës duart para syve të mi dhe të fëmijëve, u desh të kthehem përsëri në Bajgorë e Mehën e kishin dërguar në burgun e Nishit ku edhe më shumë e kishin torturuar muaj të tërë, bile më thoshte kur u lirua se është e çuditshme si jam kthyer i gjallë se veç kam pritur kur do më vrasin në çdo moment. Jeta jonë nuk i ngjante atyre ditëve të qeta familjare por, Meha kurrë nuk ankohej as nuk dorëzohej nga asnjë torturë ! I kishin ofruar në burg shtëpi dhe pasuri por, kurrë nuk i pranoi, nuk donte të jetonte si tradhtar por dëshironte të luftonte ballë  për ballë me armikun .

 

 RKL: Si e përjetuat rënien e Mehës dhe si arritët të vazhdoni përpara duke u kujdesur për katër fëmijët tuaj Dardanin, Shotën, Artën dhe Mehën e vogël (i cili ju lindi pas rënies së tij).?

Resmije Badallaj – Uka: Meha, vdiq atëherë kur më së shumti e desha! Isha shtatzënë në muajin e pestë dhe ndjehesha e lodhur, e mërzitur se Meha mungonte çdo ditë e më shumë, kthehej në orët e vona të mesnatës duke organizuar takimet e Lëvizjes me krerët e UÇK . Meha luante një rol të rëndësishëm mes Lëvizjes dhe UÇK, takohej shpesh në Prekaz me Adem Jasharin dhe shokët e tij ! Nga takimi i fundit vritet në Lushtë nga policia sekrete serbe, në bashkëpunim me spiunët dhe tradhtarët shqipfolës !

Lajmi për vrasjen e Mehës përmbysi botën time, kam bërtitur aq shumë sa edhe bjeshkët kanë ushtuar nga britma ime!…

 E prisja lindjen e djalit po mjekët shqiptarë më preferuan të mos shkoj në Spitalin e Mitrovicës për lindje se nuk ishte e sigurt se nuk do më vrisnin mua edhe foshnjën, kështu që mu desh të lindi në një spital privat, më duket quhej “Nëna Terezë”!? Isha në një gjendje shumë të rëndë shpirtërore dhe shëndetësore, kështu që pata shumë vështirësi në lindje… Linda djalin e vogël dhe e pagëzova me emrin e babës,  së tij- Mehë.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Është vështirë ta përshkruash jetën time dhe të fëmijëve pa Mehën, ishte një dhimbje dhe plagë që do i marrë me vete në varr .

Një gjë e di mirë se kur mbeta me katër zogjtë e vegjël më erdhi një forcë që skish zot që do më frikonte, u desh të përballohesha edhe me zakonet e tona të asaj kohe si grua e pa burr. që nuk guxon të flas, nuk guxon të kundërshtoj, nuk guxon këtë e atë ,….

Unë nuk isha nga ato që nënshtrohet, kështu që kam luftuar gjithmonë për të drejtat e mia në veçanti kur ishte fjala për Mehën dhe fëmijët.

Mbas vrasjes së Mehës ishte i pamundur qëndrimi im në Kosovë se përpos rrezikut se edhe unë isha e ndjekur por edhe gjendja e keqe në shtëpi që nuk kishim as bukë ti ushqenim fëmijët. U detyrova të largohem nga Kosova me një grusht dhe nga varri i Mehës që ta kem kudo me vete. Mbas një udhëtimi shumë të rrezikshëm me tortura psikike arritëm të vendosemi në Austri duke iu falënderuar dajave të Mehës, që ishin duke jetuar këtu.

Duhet të theksoj se i jam tërë jetën mirënjohëse shtetit Austriak për përkrahjen dhe sigurinë time dhe të fëmijëve të mi në çdo aspekt .

 

RKL: Si e kujtoni ndikimin që kishte Mehë Uka, te  nxënësit e tij, veçanërisht gjatë kohës kur ai ishte mësues?

Resmije Badallaj – Uka: Meha kishte karakter të fortë, zgjuarsia e inteligjenca e tij i bënte të gjithë për vete.  Ishte mësues në Bajgorë, i motivonte nxënësit me dijen e tij tejpamëse në çdo lëndë, ishte mësues i matematikës dhe i fizikës po nuk kishte lëndë që nuk e njihte, më befasonte edhe mua se pa marrë parasysh se çfarë teme ishte ai të përgjigjej pa menduar dy herë. Ka lënë gjurmë të pashlyera, tek nxënësit dhe kolegët e punës !

 

RKL: Ku jetoni Ju, familja e ngushtë, a janë arsimuar fëmijët, a punojnë?

Resmije Badallaj – Uka: Secili nga fëmijët kanë shumë principe nga babai. Mbetën shumë të vegjël pa babin, mu desh të jem edhe nënë edhe baba. I kisha premtuar Mehës se do i rris fëmijët me të gjitha tiparet dhe idealin e tij. Katër fëmijët i ngjajnë shumë babait, të dashur, të zgjuar, të sjellshëm, por edhe të rreptë po qe nevoja!

Jam munduar me çdo kusht t‘ua jap të gjitha mundësitë që të kenë një të ardhme të ndritur. Nuk ishte e lehtë t’i rritesh dhe edukosh katër fëmijët në një vend të huaj. Mbas vrasjes së Mehës qëndrimi im në Kosovë ishte i pamundur. Edhe mbas vrasjes së Mehës e tërë familja ishte në rrezik se atë kohë kishte spiunë të paguar nga kriminelët serb. U pata strehuar tek motra e Mehës në Mitrovicë për një kohë të gjatë. Kur filluan krismat e para në Shalë të Bajgorës, ajo kishte fëmijët e vet, kështu që nuk mjaftonte edhe kafshata e bukës.  Mu desh të largohem me një grusht Dhe nga varri i Mehës që të më ndihmoj në çdo hap të asaj rruge tejet të rëndë. Gjatë udhëtimit ka arritur në shumë situata të vështira që nuk mund ta paramendojë sot dikush.

Sot punoj dhe veproj në Austri me 4 fëmijët e mi. Dardani është nënoficer në Akademinë ushtarake. Shota ka diplomuar Master në dy universitete në Filozofi dhe Matematikë, tani është ligjëruese në fakultetin teknik, në Vjenë. Arta është infermiere dhe Asistente në sallë të Operacionit. Meha Master në universitetin Juridik po ashtu, në Vjenë.

RKL: Kush i ka zgjedhur dhe vendosur emrat kaq domethënës për fëmijët tuaj: Dardan, Shota, Arta dhe Mehë? Çfarë ju ka frymëzuar për t’i dhënë këto emra me kaq shumë kuptim dhe simbolikë?

Resmije Badallaj – Uka: Emri Dardan është zgjedhur dhe pagëzuar nga vetë Meha, duke reflektuar ndoshta lidhjen e tij të veçantë me historinë dhe identitetin kombëtar. Për vajzën Shota, fillimisht kisha dëshirë ta quaja Bjeshka, që ishte pseudonimi im gjatë angazhimit në ilegalitet, duke simbolizuar fuqinë dhe qëndresën që lidhej me atë periudhë. Megjithatë, babai i Mehës vendosi që ajo të quhej Shota, si një nderim për trimërinë dhe heroizmin e Shotë Galicës, një figurë e shquar në historinë tonë kombëtare. Emri i vajzës së tretë, Arta, u pagëzua nga motra e Mehës, Sabria, duke sjellë një dimension tjetër domethënieje në familjen tonë. Sa i përket djalit të vogël, ai erdhi në jetë në një kohë të vështirë, vetëm katër muaj pas vrasjes së Mehës, dhe emrin e tij e vendosa unë vetë. Pra, Meha u vra më 29 dhjetor 1996, ndërsa djali i tij, i cili u quajt po ashtu Meha, erdhi në jetë më 25 prill 1997, duke përfaqësuar një vazhdimësi simbolike dhe shpirtërore të jetës dhe emrit të tij, duke mbajtur në zemër dhimbjen, forcën dhe shpresën që më duhej për të përballuar atë periudhë.

 

RKL: Cilat janë disa nga vlerat dhe idealet që Meha, la si trashëgimi për ju dhe fëmijët tuaj, të cilat i ruani ende sot?

Resmije Badallaj – Uka: Edhe pse fëmijët janë rritur në mungesë të babait, të gjithë ata vazhdojnë të mbartin dhe të praktikojnë parimet dhe vlerat që ai u ka lënë si trashëgimi. Meha ka lënë pas një model të qartë të integritetit, punës së palodhur dhe ndershmërisë, që sot i frymëzon jo vetëm fëmijët tanë, por edhe ne si familje. Idealet e tij për liri, respekt dhe përkushtim ndaj familjes janë vlera që i ruajmë dhe i përcjellim brez pas brezi. Kjo trashëgimi është një udhërrëfyes për ne në çdo aspekt të jetës.

 

RKL: A mund të na përshkruani një moment të veçantë dhe të paharrueshëm që ka mbetur i skalitur në kujtesën tuaj?

 Resmije Badallaj – Uka: Kur u fejuam, me duart e mia qëndisa për Mehën, Flamurin tonë kombëtar, atë simbol të shenjtë që Ismail Qemali e ngriti për herë të parë në Vlorë, duke i dhënë jetë pavarësisë sonë. Ky flamur nuk ishte vetëm një simbol kombëtar, por edhe një dëshmi dashurie, përkushtimi dhe respekti për idealet dhe sakrificat që Meha mishëronte. Në momentin e tij të fundit, kur sytë e tij mbetën hapur, ia mbulova me flamurin që mbante peshën e historisë dhe krenarinë e një kombi të tërë. Ai flamur nuk e la vetëm, as në orët më të vështira, duke e shoqëruar deri në varr, si një mburojë e nderit dhe, përjetësisë së tij. Për Mehën, ky flamur ishte një pjesë e shpirtit të tij, ndërsa për ne mbeti një kujtim i përjetshëm i tij dhe i atdhedashurisë që e cilësonte.

 

RKL: Vëllai juaj, Reshat Badallaj, ka botuar një libër, dhe pas botimit ka pasur kritika ndaj tij. Cila ishte e vërteta pas këtyre kritikave dhe si e keni përjetuar këtë situatë?

Resmije Badallaj – Uka: Pas vrasjes së Mehës, unë dhe familja ime kemi vazhduar të mbajmë gjallë kujtimin dhe trashëgiminë e tij përmes shkrimeve me motiv patriotik. Vëllau im, Reshat Badalli, ish i burgosur politik, ka botuar një libër ku janë përfshirë kujtime dhe të vërteta që, përveç tij, i dija edhe unë. Ky libër ka sjellë një rikonfirmim të atyre që kemi kaluar dhe të vlerave që kemi mbrojtur, duke i ofruar lexuesve një pasqyrë të realitetit të asaj periudhe. Pas botimit të librit, kam marrë kërcënime nga disa individë, të cilët ndoshta kanë menduar se do të më trembin ose do të më pengojnë të vazhdoj të flas për të vërtetën. Megjithatë, që nga ajo kohë, nuk kam hequr dorë asnjëherë nga mbrojtja e asaj që është e vërtetë.

 

RKL: Cili është mesazhi juaj për të rinjtë sot, duke pasur parasysh sakrificat e Mehës dhe luftëtarëve të tjerë për lirinë e Kosovës?

Resmije Badallaj – Uka: Mesazhi im për rininë e Kosovës është që ta duan Atdheun, se liria që e gëzojnë sot është fituar me gjakun e djemve dhe të vajzave më të mirë. Nuk mund ta krahasosh kohën kur ne u desh të shpërnguleshim nga Kosova me kohën e tashme, vërtet e kanë të vështirë edhe rinia jonë kosovare, ngase nuk u jepet mundësi e mjaftueshme të punojnë e veprojnë në Kosovë. Është për keqardhje të shohësh se shteti nuk ua mundëson të gjitha kushtet e jetesës ndaj kërkojnë që të largohen në vendet e huaja edhe pse këtu nuk është fare e lehtë të jetosh, të duhet punë dhe sakrificë për të arritur të gjitha, asgjë nuk pikon nga qielli, të arrish diçka në vend të huaj do të thotë të mos jetosh,  për vete por veç për familje .

Ajo që më vranë më së shumti është kur shoh se harrohen shumë vlerat tona kombëtare. Rinia detyrohet të largohet nga Kosova për shkak se nuk i ofron shteti kushtet jetësore. Ata që do e bënin një politikë të pastër janë vrarë e burgosur. Kështu që nuk është çudi kur një pjesë dërmuese e rinisë gjen punë dhe kushte më të mira larg Atdheut. Kjo dukuri është plagë e rëndë që nuk i falet asnjë politikani.

 

Faleminderit nga zemra që u bëre pjesë e intervistave në RKL, të urojmë shëndet e lumturi familjare.

 Resmije Badallaj – Uka: Ju falënderoj për mundësinë e ofruar dhe për përkushtimin tuaj. Kjo mundësi më dha shansin për të ndihmuar në ruajtjen e vlerave dhe kujtimeve të rëndësishme, dhe jam e mirënjohur për mënyrën e kujdesshme dhe respektuese se si trajtuat historinë time.

 

Kontrolloni gjithashtu

Flet Presidenti i Shtëpisë Botuese, “Westprint”, Eduard Vathi: Rinia është më shumë  e lidhur me tabletin, internetin, celularin se sa me librin

  Flet Presidenti i Shtëpisë Botuese, “Westprint”, Eduard Vathi: Rinia është më shumë  e lidhur …