Brickos

ISA FERIZAJ

ISA FERIZAJ: FILMI I REAL-SOCIALIZMIT DHE, FILMI I KRIMINALO-KAPITALIZMIT I

(Një shkrim i shkruar vite më parë, por që është mjaft aktual edhe për ditët e sotme)

Në  prag fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit 2017, motorët e forcave politike borgjeze, janë ndezur shumë para kohe. Kjo dukuri nuk është e panjohur për ne shqiptarët, në RSH, në këto vitet e demokracisë borgjeze. Politika e viteve të pas nëntëdhjetës në Shqipëri, njihet fort mirë nga shqiptarët, për frymën konfliktuale dhe veprimin konfliktual që ka përcjellë gjatë tërë kohës e, që përcjell edhe sot në këto ditë të parazgjedhjeve të këtij qershori.

Sot Shqipëria ndodhet para disa provave të rëndësishme, prova që janë vendosur edhe nga shqiptarët, por edhe nga ndërkombëtarët aleatë. Në fakt për provat dhe pasojat e tyre duhet të vuajnë shqiptarët e thjeshtë dhe Atdheu ynë, si gjithnjë në këto vite, pasi politika vetëm se i vjel frytet, mundësisht të konvertuara në të holla e valutë të huaj; në troje e toka në zonat më të mira turistike; në allishverishe e tenderime korruptive e kriminale, në koncesione e pismarrëveshje në dëm të interesave kombëtare, përfshirë brenda tyre edhe politikën, edhe ekonominë, por edhe, në karrige pushteti kriminal e të qelbur.

Shqiptarët, të tejlodhur nga kjo pseudo politika që është luajtur deri më sot në Shqipëri, sidomos ndaj interesave popullore e ndaj kombit e atdheut, shpresuan se duhej të meritonin një jetë të dinjitetshme, në liri, në begati, në përparim e, në krenari të ligjshme edhe pse u larguan dhunshëm nga këto vlera që i kishin pasur në sistemin e vlerave, në socializëm. Me ndryshimin e sistemit kushtetues socialist, nëpërmjet rrugëve jo kushtetuese, në një sistem krejt të kundërt e jovleror, pra në kapitalizëm, ndodhi në fakt edhe gjëma e madhe që e kaploi çdo shqiptar të thjeshtë në tërë këto vite “demokratiko”- borgjeze.

    Kjo përmbysje erdhi si peshqesh nga tradhtia e kastës së lartë politike në krye të PPSH-së të pas Enver Hoxhës, por asnjëherë nga baza e saj besnike, e prerë në besë nga kjo kastë tradhtare. Në këtë shkrim nuk dua të ndalem në analizën e sistemeve ekonomiko-shoqërore në Shqipëri. Kjo nuk është edhe aq e domosdoshme në këtë kulm kohor të harkut 27-vjeçar shqiptar, pasi edhe shqiptari më i paditur që ka jetuar në të dyja këto sisteme në Shqipëri, e ka kuptuar se nga ç’lartësi vlerash është rrokullisur shoqëria shqiptare e, në ç’humnerë terrnaje ka rënë ajo, që nga viti 1990 e këndej.

    Ndodhur përballë pakënaqësisë në rritje të shqiptarëve, ndaj hallkave të shtetit, funksionimeve të tyre, fytyrës së shpërfytyruar e fallsoshpirtit të genjeshtërt demokratikas të shtetit që nuk funksionoi kurrë në dobi të shqiptarëve të thjeshtë, por vetëm në dobi e në mbrojtje të interesave të shtresës së re borgjeze që u krijua pas nëntëdhjetës këtu, por edhe nën presionin e “aleatëve” të tyre të jashtëm, që në fakt janë edhe noterët e qeverisjeve të këtyre palopolitikanëve, por edhe gjyqtarët liçencues të politikave antikombëtare, mediokre e, pse jo edhe me pamje fashiste, mu nën hundët e tyre e, me bekimin e tyre, sot Shqipëria po përjeton një krizë të paparë politike të stisur nga opozita shqiptare e, që është sa absurde, aq edhe artificiale. (!)

     “Thembra e Akilit” në këto çaste e rrethana politike, për frymëzuesit e zbatuesit e kësaj krize antikombëtare, është e ashtuquajtura Reformë në drejtësi. Njohës të mirë të rrugëtimit të tyre politik në këto më se dy dekada e gjysëm në Shqipëri, pseudopolitikanët “tanë”, si të ngarkuar tej çdo mase me krim ndaj atdheut, kombit e njerëzve që i kanë qeverisur (në fakt- sunduar) që nga ’90-ta ; si hartues e zbatues politikash çnjerëzore, kush më shumë e, kush më pak, e ndjejnë edhe peshën e krimit që kanë bërë ndaj Shqipërisë, shqiptarëve, lirisë e dinjitetit të tyre me këto politika krejt antikombëtare.

Ata po e ndjejnë se edhe durimi i padronëve është sosur dhe se, tashmë i pret dera e hapur e “furrës”, pra, e drejtësisë së dalë nga ai që shpresojmë që të jetë më në fund krijesa më logjike e arsyes së shëndoshë, në shërbim të shqiptarëve e të atdheut, pra, nga “Vettingu”.

Krizat politike brenda kombit tonë, dihet tashmë si në dritën e diellit, se kush i frymëzon, cili i sponsorizon dhe i orkestron, përse i shfrytëzon e, ç’qëllim don, apo duan të arrijnë përmes tyre, antishqiptarët, për përfitimet e tyre në kurriz të shqiptarëve e trojeve të tyre etniko-natyrore. Dihet gjithashtu së këto kriza lindin kriza të tjera të të gjitha llojeve e formateve, kriza që e ligështojnë dhe e drobitin jetën e vetëdijen e një populli, a të një kombi.

Sot, krizë pjellësit politikë në Shqipëri, dridhen e tmerrohen nga vettingu edhe pse atë e bëjnë vetë e, për vete, si banorë të të njëjtit stan politik që janë, stanit kapitalist. Mirëpo lufta brenda llojit është më e egra dhe, haraçet e saj do t’i paguajnë, si gjithnjë në këtë sistem, njerëzit e thjeshtë e të pambrojtur. Loja politike që endet sa nga jashtë çadre e, në brendësi të çadrës duket se është një marrëveshje politike për të shtyrë sa të jetë e mundur zgjatjen e jetës në larinën e padëshkueshmërisë e në pushtetin kriminal, të kësaj klase kapitaliste, pasi edhe opozita e sotme shqiptare, ka pushtetin e opozitës, që është edhe ligjbërëse edhe vendimmarrëse, krahas me shumicën qeverisëse, por është, për fat të keq edhe pushtetarja e frenimit të ecjes përpara të popullit e të vendit, pushtetarja e largimit të çastit të daljes se popullit e vendit tonë, nga errësira në dritë.

Në këto rrethana e, në këto çaste parazgjedhore, do të ishte më e mira për shqiptarët, por edhe për një opozitë serioze, bërja e një analize të mënyrës qeverisëse e të arritjeve të kësaj qeverisjeje nga shumica që mori votëbesimin nga shqiptarët, në shumicë dërrmuese, me 23 qershor 2013.

Shëmbëllimet e krizave të kaluara pasojërënda për shqiptarët, po i këndellin mbetjet politike të dekompozuara politikisht e moralisht, por edhe ‘zabitët’ e tyre përjetësisht të përulur para tyre, falë ëndrrës për t’u bërë ‘mbret’, në pushtet. Dukshëm bie në sytë e mendjes së shëndoshë, se edhe këtu në Shqipëri, kësaj lloj krize politike, kanë  filluar t’i dalin rrënjët në dritën e diellit, pra fijet e lidhjeve me burimet e jashtme joshqiptare dashakeqëse ndaj kombit tonë. Këto fije ngjajnë si metastaza kanceroze, ndaj duhet ndërhyrë sa më shpejt e, me një terapi të fuqishme luftuese të kësaj sëmundjeje tipike antishqiptare. Mosndërhyrja e shpejtë parandaluese e kësaj ftige (sëmundje tepër e rrezikshme) do ta kaplojë një ditë, shumë shpejt, organizmin e politikës këtu në vendin tonë e, ne shqiptarët e thjeshtë e atdhetarë do të jemi viktimat e saj të radhës, çka do ta trazojë mbarë kombin tonë.

E, si për t’i shpërqendruar shqiptarët nga halli që ka sot klasa politike në vend, sidomos ajo më shumë e zhytura në të gjitha llojet e standardet e krimit, por edhe nga hallet e mëdha që kanë rënë mbi kurrizin e një populli të tërë në këto dy dekada e gjysmë, me një peshë të papërballueshme prej tij, këta pashallarë ustallarë po i përdorin mbështetësit e tyre të verbër por edhe skamnorë, për ushtarë në mbrojtje të krimnajës së tyre të pambrojtshme. Ende, pas më se një çerek shekulli kapitalizëm e demokraci borgjeze, fajet për dështimet e tyre në të gjitha fushat, për shpërfytyrimin e karakterit njerëzor, për alternimin e vendit të vlerave në vendin e  antivlerave, ku sot, antivlerat nderohen e jetësohen; për vrasjen e ëndrrave e të shpresave të një populli të tërë për një jëtë më të mirë e më të dinjitetshme; për shpërfytyrimin e nurit të Shqipërisë, duke e kthyer atë nga një nuse, në një plakë të përvuajtur e të braktisur, lënë në mëshirën e dallkaukëve e çakejve shqyes, fajet i adresojnë tek sistemi më njerëzor e më vleror,që ka njohur njerëzimi deri më sot, tek socializmi.

Ç’ pafytyrësi e këtij palo-sistemi! Çfarë hipokrizie e kësaj politike paçavure!  Çfarë anti kombëtarizëm i këtyre pushtetarëve!

Tani më së fundmi është hedhur në tregun e budallallekut politik e mediatik, si ushqim për elektoratet e tyre nga kampet politike, sidomos nga ajo më afër me formatin fashist, bomba, “EUREKA” , se më në fund u gjet se kush na e paska fajin ne shqiptarëve për të gjithë këto ngecje të pajustifikueshme në këtë kohën e pseudodemokracisë borgjeze. – ‘Eureka’!- çirret nga megafonët e shqyer, por edhe me tellallët borgjezë se, FILMAT e REALIZMIT SOCIALIST të kohës vlerëmadhe dhe të Epokës lavdiplote të paranëntëdhjetës, na e paskan fajin për çdo ngecje të Shqipërisë kapitaliste e të politikave të këtyre kohërave fytyrëmarra borgjeze. (!!) Ah  ç’idiotizëm i sëmurë! Po kush mund ta hajë këtë gjellë debilitantizmi që s’ka as çakall që mund ta hajë?! Më e mira do të ishte që këtë gjellë ta hanin shefat e atyre kuzhinave politike që i gatuajnë ato.

Në se do të dinin ta interpretonin ashtu siç duhej edhe nga ana semantike, por edhe nga përmbajtja e vërtetë, viktimat e pjellësve të ndotjeve mendore si kjo e sipërpërmendura, nuk do të binin pre e saj kaq shumë njerëz e të verboheshin për të mos parë së përtej kësaj broçkulle mbeturinë, fshihen dhëmbët e krimbur shqyes të kuçedrës borgjezi, që po bëhet gati të mashtrojë edhe këtë radhë për të shqyer e kafshuar edhe më egër mbi trupin tonë e të Shqipërisë së rraskapitur, mbi ëndrrat e shpresat tona në pragshuarjre, të ardhmen e kombit tonë.

Në interpretimin filozofik, termi ‘realizëm’ don të thotë që të jesh i aftë për të marrë parasysh kushtet dhe mundësitë e realitetit, kur veprojmë ose gjykojmë për diçka. Më gjerë do të thotë, të pranuarit e një realiteti pavarësisht ideve e mendimeve që mund të ketë njeriu. Realizmi ishte formë e rrymë në letërsinë e artin e shek. XIX e XX, në vendet që prodhuan letërsinë dhe artet me të mëdha vlerore. Këtë rrymë përdoren edhe A.Z.Çajupi ynë, Asdreni, F.S.Noli, Migjeni, këta korifej të letrave shqipe.

Këta mbeten në këto lartësi majash vlerore, sepse pasqyruan jetën me realizëm të plotë, duke u bërë zëdhënës të kombit të tyre në mjerimin më të egër e më të paskajshëm.

Që nga 1917 e këndej lindi e u zhvillua edhe rryma e ‘Realizmit Socialist’ në letërsi e në arte. Kjo rrymë, nga aspekti letrar e artistik, u bë pasqyruesja më besnike e një jetë shumë më të gjerë njerëzore, në rrethana tipike, duke trajtuar tematika tipike, duke gdhendur heronj tipikë e, duke ngritur në një art të vërtetë edukues, përcjelljet e mesazheve frymëzuese për një botë të re, por edhe ngjarjet madhore historike e figurat e tyre dominuese heroike, me një ndikim të madh social frymëzues e karakterformues masiv, në hapësira të gjëra gjeografike, pavarësisht mendimeve e ideve politike që mund të sundonin në ato areale natyrore e njerëzore.  Si një metodë e re krijuese e letërsisë dhe arteve, lindur në një rrethanë tipike social-ekonomike e social-politike, kjo rrymë pati një jehonë e një shtrirje të gjërë, por edhe një produkt që u ka rezistuar kohërave të frymëzuara nga regresi e dritëshkurtësisa e gjykimit e vlerësimit të kohërave të shkuara, por edhe të kësaj kohës së sotme, antikohë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …