Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka dhënë një mesazh të fortë për moralin publik dhe luftën kundër korrupsionit, duke zbuluar se ende jeton në një shtëpi të ndërtuar 53 vjet më parë, pavarësisht se ka mbajtur postin më të lartë të shtetit shqiptar për katër vjet. Në një intervistë për emisionin Off the Record, Moisiu ka vënë në pah kontrastin mes jetës së tij modeste dhe pasurimit të papërputhshëm të shumë zyrtarëve të tjerë. “Unë me atë shtëpi kam 53 vjet. Nuk është një shtëpi e keqe, por nuk është bashkëkohore. Ndërsa çdo deputet ka shtëpi në det, në mal e në kodër – disa të deklaruara e disa jo. Dhe me çfarë u bënë? Rrogat i dimë”, theksoi Moisiu. Ai shprehu shqetësimin e tij për mungesën e transparencës dhe mungesën e përgjegjësisë te zyrtarët që mohojnë çdo akuzë për korrupsion duke i quajtur “shpifje”. “Më e keqja është se thonë se janë në rregull dhe janë shpifje. Këta të bëjnë edhe budalla”, u shpreh Moisiu. Ish-presidenti i bëri thirrje drejtësisë së re që të punojë mbi baza të forta dokumentare dhe të mos lejojë që çështjet të mbeten pezull për mungesë vullneti apo hetimesh sipërfaqësore. “Po të nxjerrësh faktet, s’mund të thonë se këto gjëra nuk ekzistojnë. Arkivat ekzistojnë, madje edhe jashtë vendit. Duhet vullnet për t’u ballafaquar me të vërtetën”, përfundoi Moisiu, duke përmendur rastin e pallateve “Partizani” si shembull të mungesës së transparencës mbi pronësinë dhe dokumentacionin.
