Kosovë, më thuaj si je, sepse nuk po të njoh më, nuk po të ndjej më si dikur…
Fjala që dikur kishte kuptim, sot është e pavlerë, ndershmëria, qe dikur ishte pjesë e pandarë e identitetit tonë, është kthyer në pabesi, e vërteta, që dikur përballej me realitetin, sot fshihet pas protokolleve, heshtjes, dhe një “normaliteti” të rremë, që po na ngulfat ngadalë.
Kjo nuk është krizë momentale, por një krizë e thellë që ka kapluar vetëdijen shoqërore, është krizë e vlerave që dikur na mbanin gjallë. Sot, Kosova po përjeton një formë të heshtur të deformimit institucional dhe shoqëror , ku diskursi publik është i kontrolluar e i menaxhuar deri në sterilitet.
Mediat shpesh janë të kapura, shoqëria civile e lodhur, ndërsa qytetari i zakonshëm është i zhgënjyer dhe i tërhequr, nuk ka më përballje me të vërtetën, ka vetëm menaxhim të perceptimit.
Kjo gjendje nuk është e rastësishme, as produkt i natyrshëm i zhvillimit demokratik, por është rezultat i një përzierjeje të rrezikshme mes paaftësisë, indiferencës dhe, në disa raste, ndikimeve të jashtme.
Nuk mund të përjashtohet mundësia që shërbime armiqësore ndaj Kosovës të kenë gjetur terren të përshtatshëm për të minuar besimin publik, për të përçarë institucionet, për të deformuar debatin dhe për të zbehur ndjenjën e përkatësisë.
Kur fjala e lirë mungon, mungon edhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Heshtja dhe neutraliteti në këto rrethana nuk janë pa kosto. Ato po na kushtojnë me besimin në drejtësi, në demokraci, në vetë idenë e shtetit, po na largojnë të rinjtë, po na zhveshin nga dinjiteti institucional dhe kombëtar.
Kosova nuk ka nevojë për heshtje të menaxhuar, por ka nevojë për qytetarë që nuk frikësohen nga e vërteta, ka nevojë për institucione që i shërbejnë vlerave të përbashkëta e jo interesave të ngushta, ka nevojë për media që thonë fjalën e lirë, e jo që i nënshtrohen presionit, ka nevojë për qytetarë që kërkojnë llogari e jo që heshtin…
Nëse nuk e rikthejmë besimin e humbur, do të vazhdojmë të jetojmë në një realitet të deformuar, ku heshtja nuk është më zgjedhje, por normë. Dhe kjo normë po na kushton më shumë se sa mendojmë, po na kushton me të ardhmen tonë dhe të brezave që do të vijnë.
Kosovë, më thuaj si je, sepse nuk mund të vazhdojmë kështu!
Heshtja nuk është zgjidhje e besimi duhet të rikthehet, sepse ti, Kosova ime, meriton më shumë!