“Disa marrëveshje politike duhen varrosur thellë, për të mos u përmendur më.” Kështu thonin dikur zërat opozitarë, kur përmendej marrëveshja Thaçi–NATO e vitit 2013, një dokument që kufizonte dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit. E vetmja mënyrë për dislokimin e trupave atje kërkonte paraprakisht miratimin e KFOR-it. Marrëveshja kurrë nuk u publikua zyrtarisht, por përmendej sa herë diplomacia e fshehur duhej paralajmëruar për kërcënime ndaj sovranitetit të shtetit.
Vetëvendosje dhe Albin Kurti ishin ndër zërat më të zhurmshëm kundër saj, duke e cilësuar si antikushtetuese dhe duke e çuar për hetim në prokurori, si akt potencialisht i dëmshëm për interesin publik. VV e quante marrëveshjen simbol të “kapjes së shtetit”,një kompromis që duhej refuzuar pa negociata. Në atë kohë, dokumenti nuk ishte thjesht një tekst; ishte tradhti ndaj parimeve të republikës, dhe si i tillë, duhej përçmuar publikisht.
Por historia ka zakon të shndërrojë akuzën në vlerësim, kur pushteti ndërron duart. Në korrikun e vitit 2025, FSK u dërgua në veri për një operacion humanitar për kërkimin e trupit të një mërgimtari në liqenin e Ujmanit. Ky veprim u mundësua pikërisht nga marrëveshja e vitit 2013 dhe u prezantua si triumf nga qeveria Kurti: “FSK vepron në veri! Kjo është fitore!” Asnjë fjalë nuk u tha për marrëveshjen Thaçi–NATO. Nuk pati falje publike, as sqarim përse dokumenti dikur i përçmuar, tani u shndërrua në bazë të suksesit qeveritar. Kjo heshtje është e qëllimshme dhe siç ndodh shpesh, kur heshtja është aq e thellë, ajo flet më shumë se çdo komunikatë zyrtare.
Nëse për opozitën e dikurshme marrëveshja ishte tradhti, sot ajo është “infrastrukturë ligjore.” Dokumenti i refuzuar është bërë trofe qeveritar, dekoratë në raportet vjetore të Ministrisë së Mbrojtjes. Ky transformim shkon përtej dërgimit të një njësie ushtarake ai na tregon si qeveritarët e papërgjegjshëm ndërtojnë narrativa sipas interesave të ditës. Kur je jashtë pushtetit, çdo gjë është parimore; kur je brenda, çdo gjë është teknike. Marrëveshja nuk ka ndryshuar, por ka ndryshuar mënyra e prezantimit. Fjala e djeshme nuk ka peshë; fjala e sotme mbretëron pa kundërshtim. Mbështetësit e VV-së argumentojnë se Qeveria po përdor instrumentet ekzistuese për interesin kombëtar, pa marrë parasysh origjinën e tyre.
Marrëveshja është tani provë e menaxhimit të suksesshëm. Sipas kësaj logjike, nuk ka rëndësi kush e nënshkroi por kush e përdor dhe si. NATO dhe KFOR-i e mbështetën operacionin, duke e cilësuar të koordinuar dhe në përputhje me mandatet ekzistuese. Kjo përforcon legjitimitetin dhe shton lavdinë. Por, nëse do të kishte një medalje për qëndrueshmëri ideologjike, ajo do të mbetej pa fitues.
Sepse ajo që dje ishte dënim, sot është lavdi. Në fund, pyetja nuk është “A ka ndryshuar dokumenti?” por “A ka ndryshuar pushteti?” Dhe kur pushteti ndryshon, edhe tradhtia vesh petkun e trimërisë. Politika nuk është as e zezë, as e bardhë. Është thjesht në ngjyrën që shitet më mirë sot. Historia jonë fillon dhe mbaron me VV-në dhe Albinin ,çfarë është pështyrë dje, po lëpihet sot.