Nëse demokracinë mund ta përkufizojmë që është më shumë se thjesht votë, qarkullim idesh, përfaqësim i drejtë dhe freskim i elitës politike, me atë çfarë pamë e dëgjuam dje në orën 22:00 në kuvend, Kosova ka nevojë urgjente për një reformë që e bën realitet demokracinë e vërtetë! Ne duhet të mësojmë nga demokracitë perëndimore, nga botëkuptimet e tyre, për të punuar për qytetarët, jo vetëm me idealizmin që duhet të bashkërendojë idetë për zhvillim, progres e për një jetë më të mirë të vetë qytetarëve në përgjithësi! Për çfarë duhet të votojmë ne qytetarët!? Çfarë po na sjellin elitat politike të ricikluara dhe ambalazhuara me slogane boshe? Ajo që ndodhi mbrëmë në kuvend është më shumë se turp dhe përgjegjësi e pashmangshme e të gjithë atyre përfaqësuesve të paaftë që nuk mundën të konsolidonin kuvendin, e më pas qeverinë e re të vendit! A thua që partitë politike, apo ata që bëjnë politikat e programet e tyre janë ‘engjëj’?! Sigurisht që jo! Kosova ka nevojë për njerëz të përgjegjshëm, që dinë të vënë interesat e vendit para interesit të tyre personal! Kur e shikon skenën politike, pothuajse të njëjtët njerëz e figura të pandryshueshme që vijnë e shkojnë, pa bërë asgjë, pa sjellë reforma e hapësira për mendimin ndryshe e atë të ri. A ka demokraci në këto struktura të brendshme politike??? Situata aktuale që po kalon vendi, na lë të nënkuptojmë se jemi larg demokracisë… Them se duhet një analizë shumë e thellë në të gjitha forcat politike të Kosovës, që pothuajse janë të mbështjella me mentalitetin ballkanik e klanor, e që fleksibiliteti e hapësirat për ndryshim janë pothuajse të pakta… Do ishte e udhës që nganjëherë të bëheshin kompromise për hir të shtetësisë e të ardhmes sonë evropiane. Ka plot modele e mënyra se si partitë në përgjithësi do të duhej të rifreskoheshin me mendim e ide të ndryshme. Thjesht, do doja të përmendja partinë italiane ‘Lëvizja Pesë Yjet’, një forcë politike që ka kufizimin e mandateve, është e hapur ndaj shoqërisë civile dhe praktikon rotacionin e brendshëm në parti. Në Kosovë, partitë politike kanë krijuar një sistem ku deputetët qëndrojnë për dekada, shpesh pa asnjë sfidë të brendshme, pa transparencë në përzgjedhje dhe pa përfaqësim të balancuar rajonal apo profesional. Mjerisht, kuvendi është shndërruar në një arenë të mbyllur, ku ndryshimi ndodh vetëm kur dikush largohet me ‘forcë’, jo me vullnet politik. Kjo ka sjellë mosbesim qytetar, mospjesëmarrje në zgjedhje dhe një ndjenjë të përhapur se politika nuk është vend për njerëz të rinj, të ndershëm apo të aftë. Modeli italian p.sh., mund të mos jetë perfekt, por ka treguar se reforma mund të nisë nga brenda partive, pa pritur ndryshime kushtetuese. Kufizimi në dy apo tre mandate për deputetët në përgjithësi rezulton në qarkullim të figurave, ofron aktivistë dhe profesionistë në parlament dhe mund të krijojë një kulturë ku pozita nuk është pronë personale por detyrim dhe përgjegjësi kushtetuese. Kosova ka kapacitete të jashtëzakonshme jashtë sistemit politik, akademikë, ekspertë të fushave të ndryshme nga diaspora, liderë të rinj, gra të angazhuara dhe profesionistë të fushave të ndryshme, por partitë nuk kanë krijuar mekanizma që i afrojnë këta njerëz në vendimmarrje. Nëse nuk ndodh një ndryshim i thellë në strukturat partiake, atëherë demokracia do të mbetet një ritual, pa substancë. Prandaj, është koha që partitë politike, jo vetëm PDK, por edhe LVV, LDK, AAK e të tjera, të marrin përgjegjësi për të riformatuar vetveten. Ato duhet me përgjegjësi të vendosin kufizim mandatesh, të hapin listat për kandidatë nga jashtë strukturave, të promovojnë rotacion në drejtim dhe udhëheqje dhe të krijojnë platforma të hapura për përzgjedhje. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ato nuk janë më instrumente të demokracisë, por pengesë e saj! Mendoj që koha për reforma nuk mund të jetë nesër, por tani! Modeli i partisë italiane Pesë Yjet është një dritare që tregon se ndryshimi është i mundur, nëse ka vullnet dhe nëse këto forca politike mendojnë për ndërtimin e një shoqërie demokratike! Sepse, siç thotë fjala popullore: “Uji që rri në një vend, kelbet.”
