Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka shprehur shqetësimin se vendi mund të shkojë drejt mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale, të planifikuara për 12 tetor. Kryeziu tha se vonesat në publikimin e arsyetimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese rreth mocionit për shpërndarjen e Kuvendit po krijojnë përshtypjen e një “ecjeje të qëllimshme” drejt mbajtjes së dy proceseve zgjedhore në të njëjtën ditë. “Qoftë me kalkulime politike, qoftë si produkt i procedurave, masat dhe vonesat e Gjykatës Kushtetuese po duket se po e ndjekin kalendarin drejt një date të dakorduar në heshtje, për të mbajtur dy palë zgjedhje në të njëjtën ditë, me 12 tetor,” ka shkruar Kryeziu. “Situata aktuale më shumë po ngjan në një ecje të qëllimshme, drejt zgjedhjeve të parakohshme,” përfundoi ai, duke ngritur pyetjen se kujt i konvenon një dakordim i tillë i heshtur dhe cilat mund të jenë pasojat për vendin.
