Fillimi / Kultura / Isuf Bytyçi: Strategjia kombëtare e shtetërore për organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Diasporën shqiptare
Isuf I. Bytyçi

Isuf Bytyçi: Strategjia kombëtare e shtetërore për organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Diasporën shqiptare

Në saje të punës, të cilën e bëjmë me mësimin plotesues të gjuhës shqipe në diasporë, kemi ardhur në përfundim se duhet gjendet një formë organizimi e qëndrueshme, nga ana e institucioneve shtetërore e kombëtare, shqiptar

Duke u bazuar në punën e vazhdueshme e vullnetare të Këshillit Organizativ për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, punës së arsimtarëve, të prindërve, të aktivistëve, të nxënëse e bezniseve, të cilët janë duke e përkrahur mësimin plotësue, pa harruar, ta përmendim Fondacionin BESA, po edhe disa ndërmarrje shqiptare, në Bavari edhe qytetin e Munihut, që janë duke e mbajtur gjallë, Mësimin plotësues në gjuhën shqipe, që ne i kemi edhe një mori vështirësishë, gjatë punës sonë, të cilat duhet zgjidhur.

Vështirësitë themelore, janë këto: 1) kontakti me prindër e fëmijë shqiptarë, 2) kontakti me arsimtarë shqiptarë, 3) sigurimi i klasëve dhe koha e mbajtjes së orëve për mësimin plotësues, 4) pranimi dhe njohja e gjuhës shqipe në shkolla, 5) pagesa e arsimtarëve e tj.

Mbas tejkalimit të gjithë këtyre pengesave, do të bëhet mbajtja dhe institucionalizimi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Bavari, në këtë rast, por edhe çdo ku tjetër, në botë.

Mbas gjithë këtyre përpjekjeve e pengesave, do tëvijë deri te pranimi i lëndës së gjuhës shqipe, si gjuhë e tretë në shkollat e Bavarisë dhe, doemos që do të bëhet më atraktive gjuha jone edhe më e dashur për fëmijët tanë, në Bavari e kudo tjetër!

Çka të bëjmë ne, që fëmijët tanë ta kenë këtë mundësi, por në të njëjtën kohë edhe detyrë, që ta mësojnë gjuhën e tyre si lëndë të rregullt edhe të njihet nota në shkollat gjermane e gjetiu?

Ne, jemi, fare, të vetëdijshëm dhe aspak, naivë! Dëshirat edhe synimet, do të arrihen, por me angazhim të vazhdueshëm dhe aktivitet serioz!

Mendimi ynë është, që shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, ta formojnë një këshill gjithëkombëtar, me një numër ekspertësh të përzier: gjuhëtarë, ekonomistë, diplomatë, pedagogë, sociologë, psikologë, historianë e juristë! Po ashtu edhe një grup organizatorësh të mësimit plotësues nga disa shtete të diasporës dhe, që janë kompetentë dhe aktivë, në mënyrë, që sa më i arsyeshëm, të jetë synimi e, i suksesshëm, realizimi.

Hapi i parë është, që gjithë këta ekspertë, që mblidhen, ta trajtojnë çështjën dhe të ketë rezultate të kënaqëshme.

Do të ishte mirë, që të hapet një kontonumër i përbashkët për tërë Diasporën në emër të Ministrisë së Diasporës, të Kulturës, apo të Arsimit! Varet, se si të vendoset nga dy çeveritë tona! Të merret vendim se si ta organizojnë mbledhjen e të hollave nga diaspora shqiptare, si të përcaktohet shuma dhe sa të jetë për familje dhe si të verifikohet se kush dhe sa paguan e, nëse nuk paguan, çka të bëhet me të dhe cilat janë benificionet për ata që paguajnë! Të krijohet mbrojtje me ligj e atyre të hollave, në mënyrë që të mos ketë mundësi keqpërdorimi e mosbesimi ! Të vihen disa norma për pagesë, por të mos ndiehen të diskreminuar mërgimtarët shqiptarë ! Dhe, sipas mendimit tone, do të ishte mirë, që në fillim të vendoset për dy vite, se si të menaxhohet ky aksion! Të jetë një shumë relevante pagese, por jo edhe e domosdoshme! Edhepse, do të ishte mirë, që ata, të cilët paguajnë për aksionin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë t’i kanë disa përfitime, në doganë, ta marrim, ose në ndo një investim, të kenë pjesërisht, lirim tatimi, apo zvogëlim tatimi! Fillimisht, do të ishte rregulluar, që shuma e pagesës të bëhet për familje prej 60 deri në 150 euro në vit, sipas vullnetit dhe mundësive që i ka familja, që jeton në Diasporë, mosha të jetë e përcaktuar, që nga mosha 35 vjeçare deri në 65. Ndërsa forma e pagesës të bëhet nëpërmjet të kontonumrit dhe, të jetë e mundur, që për secilin shtetas të Kosovës apo të Shqipërisë, që hyn brenda këtyre dy shteteve, të ketë mundësi të shihet në kompjuter, shuma e kësaj pagese. Njerëzit, që marrin ndihma sociale dhe të papunë, të jenë të liruar nga pagesa, përveçse, kush do ta bëjë pagesën në mënyrë vullnetare. Ndërsa, për shqiptarët jashtë këtyre dy shteteve, do të bëhet një rregull – shtojcë, në mënyrë vullnetare ta bëjnë pagesën, pasi që edhe fëmijët e tyre janë të përfshirë në këtë projekt kombëtar.

Kur i bën gjithë këto punë shteti, pasi që edhe librat e ditarët është duke ua sjellur, e ka të drejtën t’i zgjedhë arsimtarët kompetentë e korrektë! Ka të drejtë edhe t’i kontrollojë dhe, natyrisht, që të mbajë edhe seminare me ta, herë pas here, në mënyrë që me ndryshimin e plan-programit, metodës së punës dhe Sistemit shkollor , të mos ngecin mbrapa, ata! Ka tendenca, se cili shtet do ta mbajë bajrakun! Pra, se cili shtet do të jetë i pari! Dikush mendon se Shqipëria është vendi amë dhe duhet të jetë, njëshi! Ndërsa, tjerët thonë se Kosova duhet të jetë e para, sepse ka më shumë fëmijë e arsimtarë në vendet e Bashkimit Europian! Unë mendoj se s’ka rëndësi se kush është njëshi apo dyshi! Me rëndësi është se si të shkojnë punët përpara e sa më leht ! E, sa i takon se cili shtet është njëshi, mendimi im është se që të dya bashkë, janë njëshi dhe njëri shtet e plotëson tjetrin. Në periudha të caktuara, vihet një person kompetent i njërit shtet e, në herën tjetër, nga sheti tjetër. Por, në qoftë se i plotëson kushtet individi, pse të mos jetë në krye të punës dy mandate, por jo edhe në të tretin! Le të jetë nga i njejti shtet, i njejti person edhe në mandatin tjetër se nuk do ta shohim punë duale, por e njësuar nga të dya shtetet, pa komplekse. Kështu fillon dhe arrihet bashkimi kombëtar shqiptar.

Në diasporë, është formuar KMSHD – Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporë dhe, kryetari e kryesia janë zgjedhur! Ka filluar që në start një bashkëpunim me Ministrin e Diasporës të shtetit të Shqipërisë, z. Pandeli Majko dhe bashkëpunim intenziv kemi me institucionet e shtetit të Kosovës, edhe pse momentalisht kemi kohë parazgjedhore.

Ata shqiptarë, që duan të zhvillojnë aktivitete ekonomike, politike apo kulturore, do të paguajnë shuma më të larta, për të cilat, do të mblidhen ekspertët kompetentë dhe ta vendosin sipas nevojës dhe arsyes, që e shohin dhe, ndikimi i atyre që bëjnë pagesën e shumave sa më të larta, të jetë edhe ndikimi, aq më i lartë! Por, kjo varet nga vullneti dhe aktiviteti i personave.

Pastaj, do të krijohen mundësi më të mira, për pagesën e arsimtarëve dhe organizatorëve – kryetari me kryesi! Ambasadat e konzullatat tona edhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, të kontaktojnë drejtëpërsëdrejt me Ministrinë e Arsimit të Bavarisë, por edhe të të gjitha atyre shteteve, ku është aktiv mësimi plotësues në gjuhën shqipe dhe ta zyrtarizojnë atë dhe, nota e gjuhës shqipe të jetë e vlefshme për fëmijët shqiptarë, kudo që janë, në botë.

Pastaj, si rezultat, do të pasojë krenaria te fëmijët shqiptarë, sikur se fëmijët e secilit popull, që i njohim ne, deri në të katërtin brez, që jetojnë konkretisht në Bavari, e flasin gjuhën e tyre amtare me krenari, në familje në rrugë e në shoqëri! Ndërsa, fëmijët e shqiptarëve, ndiehen inferiorë para tjerëve dhe, jo që nuk e flasin gjuhën e tyre në rrugë e shoqëri, por as në familjet e tyre nuk e flasin! Madje, çka është më e keqja, se të gjithë fëmijët e botës ndiehen ata që janë e, fëmijët shqiptarë, i numërojmë në gishta të dorës, të cilët ndiehen ata që janë – shqiptare! Shumë herë, për fat të keq, ata identifikohen si muslimanë e krishterë dhe, pa fajin e tyre, nuk deklarohen si shqiptarë!

Pas gjithë kësaj veprimtarie, ne, do të kemi mundësi ta institucionalizojmë mësimin plotësues në gjuhën shqipe, t’i kemi këshillat organizative të pavarura, por në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet tona, me shoqata, biznese, arsimtarë e prindër, të bëhet paga e arsimtarëve në mënyrë institucionale, e cila do të sillet rreth 30 – 60 euro në orë, varet nga vendi ku veprojnë ata, që zakonisht, klasa i ka 12 deri në 30 nxënës dhe në muaj mbahen 12 deri në 15 orë! Po ashtu edhe organizatorët të paguhen në formë honurari! Puna e arsimtarëve të jetë në lloj honorari, pasiqë, nuk janë mundësitë, momentalisht, që të punojnë me orar të plotë.

Pastaj, institucionet tona, do të kenë mundësi në udhëheqje të mirëfilltë, të kërkojnë kualitet, kompetencë e llogari, nga organizatorët edhe nga arsimtarët.

Ta marrim, se nëse shkojmë në xhamitë e shqiptarëve apo në kisha, në Diasporë, që e themi pa kurrëfarë pretendimi se brenda një dite, në rast festash i mbledhin deri në 10.000 Euro, ndihma! Ndërsa, organizimet, të cilat bëhen në baza kombëtare, për fat të keq, janë në gjendje të mjerueshme dhe, se kushtet për t’u asimiluar fëmijët tanë, janë shumë më të përshtatshme sikur të popujve tjerë! Sa i përket investimeve në atdhe, do të jenë edhe më të pamundura, në një të ardhme të afërt, nëse shkojmë me këtë shpejtësi që kemi!

Edhe një çështje tejet e ndieshme dhe e rëndësishme është për rininë shqiptare në Diasporë, por edhe të moshuarit, kudo që janë në botë. Popujt dhe shtetet tjera i kanë organizatat kombëtare, të cilat inicohen e organizohen nga shtetet e tyre. Ta marrim, shteti Koroat e ka « Hrvatski Dom », në Munih të Gjermanisë dhe pothuaj se të gjitha aktivitetet kulturore e kombëtare organizohen e zhvillohen aty! Këtu, organizojnë manifestime kulturore, kombëtare, fetare e partiake! Por, çka është me rëndësi, se edhe i bën organizimet, shteti në mënyrë institucionale, edhe i gjen njerëzit kompetentë e kombëtarë edhe e sheh se kush e çka bën dhe kur i sheh dhe bashkëpunon me njerëzit e vetë, i edukon ata në frymë kombëtare, i fut nën kontroll, në mënyrë që të mos bëhen të moshuarit dhe fëmijët tanë pre e organizatave të ndryshme kriminale e terroriste, në emër të fesë e kush e di se kujtë! Të organizohen manifestime të ndryshme, si në Diasporë, ashtu edhe në atdhe me mërgimtarë, në vend dhe në kohë të përshtatshme! Të bëhen eskurzione dhe takime të ndryshme të nxënësve e studentëve të Diasporës e vendorë, në Diasporë e në atdhe – Tiranë e Prishtinë! Pse, jo edhe në Shkup, Ulqin, Durrës, Krujë, Lezhë, Vlorë e tj.

Prandaj, ne mendojmë, se koha nuk po pret dhe gjërat po ndryshojnë! Do të ishte mirë që sa më shpejt të intervenohet në këtë drejtim, ta marrin një nismë institucionet tona, sa nuk është bërë vonë!

Të mos mendojmë vetëm për të tashmën, derisa e ardhmja nuk është aspak më e parëndësishme se e sotmja dhe, që shumë herë, rëndon edhe më tepër.

Mos ta marrim si punë të kryer, por ta shohim këtë skelet të Planit Strategjik, sepse kjo çështje, do angazhim përmanent, nga institucionet tona kombëtare e shtetërore. Ne jemi të vetëdijshëm, që aspak nuk është i lehtë, realizimi.  Por «Kur t’i bashkojmë kokat, do t’i bashkojmë edhe tokat», është fjala e urtë.

Me respekt, ju përshëndet, ish-sekretari për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari dhe, tani ushtrues detyre në Grupin pedagogjik të Punës në Këshillin e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari, si dhe anëtar i KMSHD – Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporë.

  21.01.2021, Isuf Bytyçi – Munih, Gjermani

Kontrolloni gjithashtu

Behlul Jashari

Behlul Jashari: Gazeta historike e Kosovës Rilindja nisi të dalë para 76 viteve

-Numri i parë i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja me datë 12 Shkurt 1945 i ...