Isuf Ismaili: Gëzuar 7 Marsin, festën e shkollës shqipe, festën e mësimdhënësve, nxënësve e studentëve dhe të gjithë arsimdashësve shqiptarë

Isuf Ismaili: Gëzuar 7 Marsin, festën e shkollës shqipe, festën e mësimdhënësve, nxënësve e studentëve dhe të gjithë arsimdashësve shqiptarë

Gëzuar 7 Marsin, festën e shkollës shqipe, festën e mësimdhënësve, nxënësve e studentëve dhe të gjithë arsimdashësve shqiptarë! Gëzuar mësimdhënësit e mi të përkushtuar e të dashur! Gëzuar të gjithë ju mësimdhënës shqiptarë e atdhedashës!

Së pari, në mënyrë të veçantë, dua t’i nderoj dy mësimdhënës të shquar  profesor Ahmet Qeriqin dhe profesor Vaxhid Sejdiun, të cilët që dy janë jo vetëm mësimdhënës, por edhe shkrimtarë, veprimtarë të shquar të lirisë, bashkimit të popullit shqiptar e Shqipërisë sonë me rrënjë e degë.

Profesor Ahmet Qeriqi ka dhënë mësim, ka krijuar vepra të shumta letrare, gjuhësore, publicistike, historike, kritike e filozofike, por ai ka qenë edhe në flakët e luftës për lirinë e për bashkimin e  Shqipërisë së tërësishme, duke vepruar edhe para, gjatë e pas  luftës së UÇK – së heroike. Ai vazhdon të japë shumë edhe tani në një moshë, ku në rrethana normale do të duhej të ishte i qetë pa angazhime të mëdha. 

Megjithatë, ai krijon dhe nuk pushon aspak së shkruari, pena e tij e mprehtë i gjen temat e përshtatshme, të ndjeshme, të njëmendta, që lidhen me kulturën e së kaluarës sonë që vazhdon edhe sot e kësaj dite, lidhet me karakterin e shqiptarit të denjë që ka trashëguar vetitë më të mira njerëzore, lidhet me luftën e heroizmin e popullit shqiptar, të trojeve të tij, lidhet me betimin e shqiptarit, me besën e veprat njerëzore e heroike, me ndërgjegjen e shqiptarit që sakrifikon jetën e tij për njerëzit e tij, për popullin e vendin e tij, lidhet me dëlirësinë e femrës shqiptare, që merr hak, që i vret tradhtarët e armikun, siç skalitet edhe përshkruhet mrekullisht Zana, heroina e romanit “Betimi i motrës”

Profesor, Ahmeti i njeh dhimbjet e njeriut, dhimbjet e popullit shqiptar, pjesë e të cilit është ai vetë, por i cili me shumë përkushtim, me një mjeshtëri të rrallë, me dashuri të pashoqe, me dituri të gjithanshme në shumë fusha e drejtime shoqërore, natyrore e shkencore, di shumë qartë të nxjerrë në dritë personazhe që shumë prej tyre janë të njohur, që kanë vepruar në njëmendësinë tonë, por disa janë edhe të imagjinuar, siç ndodh kudo në letërsi për t’i shërbyer idesë dhe paraqitjes së ngjarjeve e të bëmave, vuajtjeve dhembjeve, heroizmave dhe gjithë jetës sonë shoqërore,  që kanë mbështjellë e karakterizuar shqiptarin e së kaluarës dhe atë të ditëve të sotme.

Të rrallë janë njerëz të tillë në botë si profesor Ahmet Qeriqi, i cili është institucion në vete me gjithë atë veprimtari qoftë praktike, qoftë teorike, duke qenë veprimtar e luftëtar besnik për të derdhur edhe pikën e fundit të gjakut për atdheun e humanizmin, por edhe për t’i shërbyer popullit të tij me dije e veprimtari të shkruar e cila mbetet, përjetësisht, përderisa të ketë gjuhë shqipe e shqiptarë të denjë, njerëz të mirë, që e duan dhe ndjejnë se e drejta, njerëzorja e bukura dhe vlerat humaniste janë ato që duhen përqafur e përuruar.

Një mësimdhënës tjetër, por në mërgatë është profesor Vaxhid Sediu, i cili ka shkëlqyer e shkëlqen në veprimtarinë e tij arsimore, letrare e kulturore. Puna, veprimtaria, përkushtimi, suksesi dhe gatishmëria që i ka shfaqur, i ka treguar është një vazhdimësi e Rilindjes sonë Kombëtare e atdhetarizmit të dëlirë që e ka përcjellë te brezat e rinj, te nxënësit shqiptarë, atdhetarizëm ky që ka rrezatuar te të gjithë ata kolegë e kolege të ndërgjegjshme, të cilët kanë shpirt të pastër njerëzor e atdhedashuri, që kanë përkushtim miqësor e vëllazëror, që e kuptojnë punën e veprimtarinë arsimore, kulturore e intelektuale, atdhetare e shoqërore edhe pse ka disa mësimdhënës mosmirënjohës, të cilët vuajnë nga deliri i madhështisë, të cilëve edhe pse u ka ndihmuar janë mosmirënjohës, përçarës, tërësisht të papërshtatshëm. Por, drita e gjuhës dhe kulturës shqiptare, e atdhetarizmit të shëndoshë e principeve njerëzore është si rrezja e diellit, është dritë shpërthyese që kundërshtarëve ua verbon sytë.

Sukseset e tregojnë vetëm rrugën e sukseseve, nëpër të cilën jemi duke ecur së bashku me të gjithë mësimdhënësit e nderuar.

Profesor Vaxhidi është njeriu më i suksesshëm në planin e veprimtarinë arsimore, kulturore e intelektuale në mërgatën shqiptare në Zvicër. Me qindra shkolla shqipe janë hapur në Zvicër, për hapjen e së cilave profesor Vaxhidi ka meritën më të madhe. Pa punën e veprimtarinë e tij as që do të mund të mendohej e as që mund të mendohet mbarëvajtja e arsimit dhe kulturës shqiptare në Zvicër.

Ai ka krijuar e krijon qoftë vepra letrare e artistike, kritike e publicistike.

Nderime të përhershme, mësimdhënës të dashur e veprimtarë të shquar!

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …