Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva shkatërrimtare e forcave okupatore serbe në fshatrat e Zonës së Kaçanikut (8 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva shkatërrimtare e forcave okupatore serbe në fshatrat e Zonës së Kaçanikut (8 mars, 1999)

Në zonën e luftimeve në rrethinën e Kaçanikut po zhvillohen luftime të ashpra. Ende nuk dihen  humbjet nga asnjëra palë por sipas raporteve tonike që i marrim nga vend-luftimet flitet për beteja të përgjakshme. Nga një informatë që e kemi marrë pas dite bëhet e ditur për tre ushtarë të rënë dhe shtatë të tjerë të plagosur rëndë. Nuk tregohet se a janë tërhequr ushtarët nga vend-luftimet. Popullata është shpërndarë në për Gryka të maleve dhe në lugina kush ka arritur të depërtojë. Pjesa më e madhe e popullatës ka filluar të zhvendoset drejt kufijve të Maqedonisë.

Një ofensivë në shkallë të gjerë po zhvillohet edhe në fshatrat rreth Qyqavicës legjendare, në Zonën Operative të Shalës dhe në Llap e Gollak. Policia dhe ushtria serbe po përqendrohet edhe në Malësinë e Marecit dhe përgjithësisht  në atë të Karadakut.

Përveç lajmeve dhe informatave të ndryshme nga terreni dhe nga skena politike diplomatike, sot kemi përkujtuar edhe 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Me këtë rast kemi përkujtuar edhe rolin që ka luajtur dhe po e luan femra shqiptare në radhët e UÇK-së. Kemi përkujtuar me këtë rast Xhevë K. Lladrovcin, Fatime Hetemin, Myrvete Maksutajn, Luljetë Shalën e dëshmore të tjera të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pasi e kemi transmetuar emisionin  së bashku me Nezir Myrtajn jemi nisur në drejtim të Kizharekës. Neziri zakonisht ndalet te Reshat Gashi në Spital meqë atje ka vend më shumë. Po ashtu është edhe një  banjo  për pastrim.

Në mbrëmje kanë ardhur  për të biseduar lidhur me probleme të caktuara: Shyqi Iballi, Nazmi Iballi, Sejdi Elezi, Elez Durmishi Sylë Qeriqi e të tjerë.

Elezi bën me dije se edhe në disa pikë-qëndrime në Caralevë ka përforcime në radhët e forcave serbe. Ai po ashtu ka vërejtur se prej ditës kur një njësit i blinduar serb ka rënë në terren të minuar në Zborc, ata nuk kanë bërë më përpjekje për të depërtuar në këto anë. Si duket ata i druhen minave tokësore meqë terreni për të depërtuar është i ngushtë dhe vështirë i kalueshëm.

Elezi tregon se të gjitha pozicionet tona janë të sigurta tani për tani përveç disa pjesëve të terrenit shumë të gjerë të Blinajes, e cila nuk mund të kontrollohet me forcat ushtarake që i kemi në dispozicion.

Kemi biseduar edhe për mundësinë e fillimit të një ofensive të përgjithshme dhe hapat që duhet të marrim me atë rast drejt depërtimit të popullatës në Grykën e Shpëtimit. Kam propozuar që disa prej të rinjve që nuk janë angazhuar gjithaq në punë të fillojnë rregullimin e konturave të tendave, meqë jam më se i besueshëm se edhe njëherë duhet të hyjmë në Grykë.

Elezi e përkrah në tërësi sugjerimin tim ndërsa të tjerët janë pak më skeptikë, edhe pse nuk e përjashtojnë si mundësi.

Po ashtu gjatë bisedës mësoj se kohëve të fundit hetohet një fluks i rritjes së numrit të popullatës së zhvendosur nga disa fshatra të Drenicës apo të Llapushës që kanë filluar të vendosen në Shalë dhe në Krojmir.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat okupatore serbe kanë vazhduar ofensivën në Zonën e Neredimës dhe në Drenicën Qendrore (E mërkurë 21 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat okupatore serbe kanë vazhduar ofensivën në Zonën e Neredimës dhe në Drenicën Qendrore (E mërkurë 21 prill, 1999)

Vazhdimisht po na përcjellë një mot i lig me të reshura shiu dhe me ndërrime …