Isuf Ismaili: Manifestime të gjallërisë arbëreshe

Isuf Ismaili: Manifestime të gjallërisë arbëreshe

Manifestime artistike, kulturore,  arbëreshe në  Ungër (Lungro) më, 3 mars 2019

Në shumë ngulime arbëreshe në Itali është bërë tanimë traditë e mrekullueshme, të mbahen manifestime dhe shërbesa të mira e të shkëlqyera të kujtesës historike arbëreshe-shqiptare, që kanë për qëllim në veçanti, përkujtimin e Motit të Madh, përkujtimin pra të jetës dhe veprave e të heroizmit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Kështu është bërë traditë edhe në katundin arbëresh Ungër (Lungro) të Kalabrisë rrethi i Kozencës të mbahen manifestime të mëdha e të shkëlqyera, duke vënë në pah pikërisht atë shpirtin e gjallërisë arbëreshe e duke i treguar opinionit kombëtar e ndërkombëtar jo vetëm gjallërinë, por edhe krenarinë e qenësisë arbëreshe, duke evokuar e duke manifestuar, pikërisht ato vlera, që nuk janë shuar dhe rrjedhimisht ato, kështu, janë bërë pjesë e përditshmërisë, pjesë e qenësisë arbëreshe. Manifestimet fillojnë dhe vazhdojnë në mënyre të përkryer të kujtojnë historinë e Skënderbeut, të popullit arbëresh dhe kështu u bënë pjesë e kurorës së madhështisë e të krenarisë arbëreshe-shqiptare. Këto të bëma i kanë kaluar kufijtë kombëtar, prandaj vepra e Skënderbeut është studiuar dhe studiohet edhe sot, në qarqe të ndryshme intelektuale e shoqërore kombëtare e ndërkombëtare.

Ka disa vite me radhë që në këtë kohë në shkurt, apo në mars mbahen manifestime për nder të jetës e veprës së Skënderbeut. Edhe sivjet me një përkushtim e me një veprimtari të gjithanshme artistike e atdhetare u mbajtën këto manifestime. Manifestimet e sivjetme për dallim nga të më hershmet mund të themi se patën disa risi në përmbajtje dhe në muzikë. Përkushtimi dhe angazhimi si dhe vullneti i ka paraprirë të gjithë anëtarët e shoqatës ( Pro Loco ) “Arbëria”. Në veçanti mund të themi se kryetarja e shoqatës Rosa Carbano ka aftësi drejtuese përkryera dhe sjellje të mrekullueshme me të gjithë shokët e shoqet e saja me publikun e gazetarët, ndaj edhe suksesi nuk ka munguar aspak. Këtu duhet të theksojmë patjetër edhe përkushtimin dhe veprimtarinë e këngëtares së përkryer Anna Stratigo (Anna Stratigò) e cila jo vetëm këngën tradicionale arbëreshe e  njeh dhe këndon mrekullueshëm, por me po aq përkushtim krijon edhe muzikë e këngë të reja arbëreshe. Ajo me korrektësinë që e karakterizon dhe me dashurinë e madhe atdhedashëse, si një nga stërmbesat e poetit të madh Vinçenco Stratigo  (Vincenzo Stratigò) e ka udhëhequr denjësisht grupet e këngëtarëve.

Isuf Ismaili: Manifestime të gjallërisë arbëreshe

Këtu, po ashtu, vlen të theksohet kontributi i pamohueshëm i koreografes Brunilda Lato e cila si vitin e kaluar edhe sivjet ka udhëhequr disa nga grupet e valltarëve. Ajo duke qenë një profesioniste e shkëlqyer edhe si një pjesëtare e Ansamblit Shtetëror të Shqipërisë ka ditur mirë të përzgjedhë, vallet, e ritmin plot gjallëri të pjesës artistike në lëvizje, në harmoni të të gjithë pasurisë artistike në valle.

Po kështu një kontribut të madh padyshim ka dhënë edhe sekretarja e shoqatës Savaerina Bavasso, pastaj Francesco Romeo, Giovanni Tufo, Flavia Provenzano,(në rolin e Donikës, nuses së Skënderbeut) Federica Provenzano, Carmine Carbone, Giuseppe Cirigliano (në rolin e Skënderbeut) e shumë të tjerë. Anëtarët e shoqatës edhe këngëtarë edhe valltarë edhe aktorë të manifestimit kanë shfaqur gjithë talentin e përkushtimin, që lë mbresa të mëdha e që japin porosi të qarta atdhetare. Ata kështu bëhen shembulli më i mirë edhe për ne shqiptarët jo vetëm në manifestimet e mëdha e të harmonishme plotësisht duke ndërlidhur anën artistike me përmbajtjen e shëndoshë atdhetare, por edhe me këmbënguljen e fuqishme të karakterit të qëndrueshëm për një vazhdimësi si një zinxhirë i pashkëputur i qenësisë arbëreshe edhe në të ardhmen.

E gjithë kjo veprimtari jo vetëm na fal emocione të fuqishme atdhedashëse, por edhe na bën të ndërgjegjshëm për të shfaqur këmbëngulje në vlerësimin dhe vazhdimësinë e  vlerave e pasura arbëreshe-shqiptare në vijimësi të plotë e harmonik të pasurisë njerëzore kulturore.

Përurimi i këtyre vlerave, i këtij përkushtimi atdhetar duhet të na shërbejë edhe si një shtytje e gjithanshme e gjallërisë jetësore të këtij shpirti arbëresh-shqiptar. Ky shpirt, ky gjak i kulluar ka qarkulluar denjësisht e historikisht në tërësinë e popullit tonë, prandaj ne kemi mbijetuar edhe luftërat edhe pushtimet dhe kështu  qenësinë e pastërtisë kombëtare e kemi mbajtur me krenari e përkushtim

Edhe pse të tjerët, sidomos fqinjët tanë na kanë sulmuar, na kanë grabitur dherat tona na kanë imponuar shumë gjëra të shëmtuara edhe në kuptimin religjioz, por edhe kombëtar.

Në mesin e anëtarëve të shoqatës “Arbëria”  por edhe arbëreshëve të tjerë njeriu e ndjen aromën e freskisë e të gjallërisë atdhetare, ndjen emocione të fuqishme e ndjesi të tjera të shkëlqyera vëllazërore. Ata qoftë mikpritjen, qoftë afrinë e emocionale atdhetare e kanë të natyrshme, ndaj na krijohet përshtypja sikur kemi vite të tëra që jemi njohur me ta edhe pse me disa shiheshim për herë të parë.

Isuf Ismaili: Manifestime të gjallërisë arbëreshe

Traditat e mrekullueshme janë një vazhdimësi arbëreshe-shqiptare të trashëguara brez pas brezi. Këto tradita natyrisht se janë të njëjta si në trojet tona këtu në Shqipëri dhe në viset e saja në Kosovë, në trojet shqiptare nën Maqedoni, nën Serbinë, Malin e Zi e Greqinë. Nderimi i mikut,  i shokut, i njerëzve nga Atdheu është vëllazëror. Qoftë në shtëpi, qoftë në restorant, qoftë në sheshe, në udhët e katundit ky nderim është i shenjtë. Kështu mund të themi se kemi të bëjmë me një traditë që ka lënë gjurmë të thella dhe që e karakterizon arbëreshin jo vetëm të përkushtuar në pikëpamje vëllazërore, por edhe si hare që atë nderim e bën me shpirt.

Në qoftë se njeriu ndodhet në katundet arbëreshe dhe futet në një restorant për të pirë ndonjë gjë, patjetër do të paguaj arbëreshi, se nuk e lënë mikun e bashkatdhetarin të paguajë, madje edhe nëse këmbëngul miku, shërbyesi nuk ia merr paratë.  Ata të thonë me gjithë shpirt vëlla dhe kanë hare të madhe, atë e shprehin në qëndrimet e tyre, në çiltërsinë e fytyrave, në përpjekjet për t’u afruar sa më shumë edhe në pikëpamje gjuhësore, duke i qëmtuar fjalët, duke i zëvendësuar, siç thonë edhe vetë fjalët latine me shprehjet e bukura arbëreshe-shqiptare.

Si vitin e kaluar por edhe sivjet manifestimet u bënë bashkë me ngjarjet e mëdha të karnavaleve të cilat festohen në një harmoni dhe me një dashuri të madhe, që rezulton të ketë një kompaktësi dhe harmoni gëzimesh. Dyert e arbëreshëve janë të hapura dhe presin njerëz me kënaqësi, pihet, sidomos verë dhe hahen ushqime të ndryshme e të shumëllojshme. Kështu kemi të bëjmë me një shfaqje të hareshme në të gjithë katundin.

Kur janë karnavalet organizohen grupe të ndryshme dhe për tri ditë me radhë shkojnë shtëpi më shtëpi, hanë, pinë, këndojnë e vallëzojnë e gëzojnë bashkërisht. Ata nuk ankohen, por shoqërohen dhe vështirësitë i përballojnë duke i ndihmuar njëri-tjetrit.

Isuf Ismaili: Manifestime të gjallërisë arbëreshe

Në katundet arbëreshe ka vështirësi  e probleme të shumta. Fabrika nuk ka, ka vende të pakta të punës, ndërsa të rinjtë ikin në veri të Italisë, ose në vende të tjera për të siguruar mjete financiare, prandaj edhe fëmijë ka gjithnjë e më pak. Mësimi i gjuhës arbëreshe nuk bëhet nëpër shkolla, ata më shumë mësojnë në familje në katunde në lojëra me njëri-tjetrin ose në komunikimet me të mëdhenjtë, kuptohet në ato katunde ku akoma flitet arbërishtja si Firmë, Ungër, Firozë, Frasnita etj, ndërsa në katunde  si Spexana ( Spezzano albanese) ku nuk flitet ose fare pak flitet arbërishtja, fëmijët pothuajse asnjë fjalë arbëreshe nuk e dinë.

Në kuvendime me arbëreshët e vetëdijshëm shqetësimet e tilla janë pashmangshme dhe natyrisht trajtohen me një trishtim të theksuar. Por, ata përpiqen të bëjnë veprimtari të shumta e të ndryshme kombëtare për të mos u shuar, ja edhe këto manifestime, siç bëhen në Ungër, në Frasnita e në katunde të ndryshme arbëreshe i vijnë në ndihmë gjallërisë  e vazhdimësisë së kulturës e shpirtit arbëresh.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …