Isuf Ismaili: Shkrimtari dhe intelektuali, Dritëro Agolli, lapidar në ballë të letërsisë dhe kulturës shqiptare

(Vështrim letrar për poemën: “Nënë Shqipëri” me rastin e tetëdhjetë-vjetorit të lindjes)


 Në letërsinë shqiptare ka emra të shquar, të cilët jo vetëm kanë shkruar vepra letrare e artistike të shkëlqyera, qoftë në prozë, qoftë në poezi, por edhe kanë shkëlqyer në rrugën e vështirë jetësore për të mishëruar vetitë njerëzore, idealet patriotike, shoqërore me veprën e tyre që flet e nuk shuhet kurrë.


Krahas bilbilit të gjuhës shqipe, Naim Frashërit, qëndron edhe poeti, tregimtari, novelisti, romansieri, dramaturgu, publicisti,  njeriu i devotshëm dhe i madhërishëm, që shkëlqen me veprën e tij  të tërësishme letrare, artistike e atdhetare, shoqërore, politike dhe njerëzore, Dritëro Agolli.


Naim Frashëri, veç të tjerave, qëndron lapidar në kurorën e letërsisë shqipe dhe të atdhetarizmit shqiptar edhe me vargjet:”Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqiptar”, po kështu edhe Dritëro Agolli, veç të tjerave qëndron si një lapidar tjetër me poemën e tij : “Nënë Shqipëri”, poemë kjo sa letrare aq edhe atdhetare e ndërthurur me tiparet e veçanta të brumit e ndërgjegjes shqiptare dhe me vetitë më të mira njerëzore njëkohësisht.


Në këtë poemë Dritëro Agolli ka mbledhur prushin e dashurisë atdhetare, për të ndezur flakë zemrat e lexuesit shqiptar, si shkëlqim dashurie e dinjiteti për Nënë Shqipërinë. Ai me fjalën e kulluar të gurrës shqiptare, na ka dhënë një pasuri të madhe,  të pazëvendësueshme  për shpirtin atdhetar.


I ndjeshëm me aromën e tokës, të bimëve, me aromën e barit të kositur, me lulet e pemëve, me erën e maleve, me kënaqësinë e blegërimave të bagëtive, me aromën e odës shqiptare, me kënaqësinë e të shijuarit të rakisë, të ujit  dhe bisedave me bashkëfshatarët dhe bashkatdhetarët të tjerë, me hapin e çliruar, duke peshuar lirisht këmba në atdhe, me bukurinë e ndërtimit të jetës edhe në qytete, me sakrificat dhe kënaqësinë e jetës kudo në atdhe, ai na e ka porositur që dashuria ndaj Atdheut dhe njerëzimit t`i tejkalojë të gjitha dashuritë.


Profesor Agim Vinca, studjues, poet, kritik letrar, publicist e pedagog, ndër të tjera në librin e tij: “Orët e poezisë” të botuar në Prishtinë më 1990, në studimin e titulluar: “Dritëro Agolli ose bukuria e thjeshtësisë” thotë se Dritëro Agolli “ është poeti ynë më fshatar dhe më shqiptar, nëse mund të themi kështu, ndonëse ai është njëkohësisht poet me kulturë e horizont të gjërë, madje njëri ndër poetët tanë më të kulturuar…”


Dritëro Agolli kur e shkroi poemën: “Devoll, Devoll” duke shprehur dashurinë e respektin e tij për vendin e tij të lindjes, thotë se baltën e Devollit e kishte çuar në: “Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Ai edhe në biseda të shumta, vendin e tij të të lindjes e thekson me një krenari dhe se përjetimet  në Menkulas, në Devoll e ndjekin pas kudo.


Vargu i tij poetik është shprehur me kthjelltësinë e thjeshtësisë e mprehtësisë së mençurisë shqiptare, me një logjikë të shëndoshë ndërthurjesh artistike, më një bukuri të këndshme përthithet, përvetësohet, shijohet si uji i krojeve që buron nga rrënjët e ahut. Vargu i tij është plot humor, plot dashuri, plot tipare njerëzore. Agolli  në një artikull ka theksuar: “Poezia si çdo art tjetër, duhet t`u flasë zemrave dhe të bëhet e nevojshme si ajri, uji dhe buka”


Padyshim, ai që ka lexuar dhe ka mësuar nga vepra e Dritëroit ka marrë ushqimin më të shëndetshëm shqiptar e njerëzor njëkohësisht, freskohet e këndellet me porositë atdhetare e me bukurinë letraro – artistike.


Poeti i letërsisë sonë, Llazar Siliqi thekson për Dritëro Agollin, se ai si poet “ka trashëguar në mënyrë krijuese gjerësinë e vargut naimjan, mprehtësinë dhe forcën e vargut nolian, vargun e lehtë e plot humor  të Çajupit”


( Llazar Siliqi, për librin e Dritëro Agoillit: “Kur fjala gdhend gurin” )


 


Dritëro Agolli duke shkruar për nënë Shqipërinë ka shprehur në mënyrën më të natyrshme dashurinë për të.


“Mendimet e mia më mblidhen si bletët rreth nënës:


Nënë Shqipëri, nënë Shqipëri!”


 


Ai duke evokuar historinë, luftërat përpjekjet e popullit shqiptar, të Shqipërisë për të mbijetuar, për të gjallëruar, për të trashëguar bijtë e saj e  duke i identifikuar dëshmorët e heronjtë dhe njerëzit e devotshëm shqiptarë me Shqipërinë, shpërthejnë vargjet e fuqishme artistike që kanë simbolikën e veçantë letrare dhe na thotë:


“Duart tua që u regjën nga puna


Dhe gishtërinjtë që zunë kallo nga këmbëzat e dyfekëve,


Dhe mesin që u hollua nga gjerdanët e fishekëve,


Dhe ballin që u rrudh dhe u lërua nga mendimi,


Dhe beben e syrit që u mpreh nga shënjestra,


Dhe këmbët që u zmadhuan nga ecja e mundimi,


Dhe qerpikët që dogjën nga baruti në shkrepa.”


 


Vetëm nga këto vargje mund të dalë një studim i mirë letrar, edhe pse fjalët na duken të thjeshta, ato janë brumë, i tëri artistik dhe fuqi e thellë patriotike.


Por le të vazhdojmë më tutje. Më vonë mbase një punim tjetër, do të zgjerojmë vështrimin për këto vlera që u cekën më sipër edhe për të tjera vlera të Dritëroit tonë. Tashti të mrekullohemi me vargjet e bukura dhe përshkrimin e birit të devotshëm të nënë Shqipërisë:


 


“Qëndroj para teje,


Ja tek më ke,


Në krahët e tua,


Mua,


Birin tënd, shëmbëllimin e qenies tënde,


Atë që tha sa hapi sytë


Në djep:


“Të dua”


Dhe fjalën e peshës së rëndë e ruajtën malet e rëndë.”


Kjo është ajo dashuria mbi të gjitha dashuritë, që duhet të na frymëzojë të gjithë neve si shqiptarë.


“Më thonë se shëmbëllej me ty këmbë e kokë,/Doemos,/Të kam nënë!/


Jam karakteri yt në shpirt e në ngjyrë,/Më njohin në çdo kënd të kontinenteve,/Më njohin në këngë,/Në ecje,/Në fytyrë;”


Kur poeti, shkrimtari e gdhend mirë fjalën, kur ajo i flet zemrës siç e ka thënë Dritëroi, ajo bëhet aq e afërt, aq shpirtërore sa nuk ka asgjë që mund ta shqitë lexuesin nga një krijmtari e tillë. Prandaj lirisht mund të thuhet se në tërësi vepra e tij është pasuria më madhe e letërsisë së sotme shqipe, që e ka bërë lexuesin e ndërgjegjshëm shqiptar të mos shqitet nga krijimtaria e këtij shkrimtari që i mbushi plot tetëdhjetë vite.


Në poemën: “Nënë Shqipëri”, poeti ka arritur të na paraqesë historinë shqiptare me ndjeshmërinë e fjalës artistike, aq sa ka mundësi të thuhen gjërat në kuptimin letrar. Na flet për Krujën e dhe Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, për Mesjetën, për Rilindjen Kombëtare, për Naimin, për copëtimin e Shqipërisë, pushtimin e disa pjesëve të saj nga serbët, nga maqedonët, malazezët e grekët. Na fletë për Kongresin e Berlinit , Traktatin e Londrës që i ndanë tokat shqiptare, na flet për trimat dëshmorët e heronjtë si Rrapo Hekali, Bajram Curri, Selam Musai, etj. , na flet për partizanin shqiptar që çliroi Shqipërinë, për ndërtimin e Republikës së Shqipërisë, për zhvillimin e përparimin e saj, për fshatarin e qytetarin shqiptar në atë pjesë të Atdheu që u bë zot në vendin e tij, që u arsimua.


 


Nënë./ S`jam gëzuar veç paqen e thjeshtë të maleve,/S`jam gëzuar veç me luftën që zboi të huajt dhe solli lirinë,/ Gëzohem për shembjen e botës së halleve,/Gëzohem për shembjen e shtypjes së njeriut mbi njeriun.


 


Dritëro Agolli na ka dhuruar pasurinë letrare- artistike të mendjes së tij të ndritur dhe na ka frymëzuar për një Shqipëri të bashkuar, për ta zhvilluar e përparuar dhe për t`ju përkushtuar asaj tërësisht, për të sakrifikuar e mbrojtur me të gjithë qenien tonë për të ruajtur në zemër dashurinë për  atë, të freskët dhe mbi të gjitha dashuritë të tjera.


 


Literatura:


Dritëro Agolli, poema: ”Nënë Shqipëri” botuar në Tiranë, 1975


Razi Brahimi: “Parathënie” poema: “Nënë Shqipëri”, 1975


Dritëro Agolli, libri poetik “Fjala gdhend gurin” Tiranë, 1977


Historia e Letërsisë Shqiptare, pjesa e dytë, Tiranë, 1977


Naim Frashëri, poema: “Bagëti e bujqësia” Tiranë, 1995


Agim Vinca, vepra: “Orët e poezisë”, botuar në Prishtinë 1990


Historia e Letërsisë shqiptare, pjesa e parë, Tiranë,1983


(13. 10. 2011)

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …