Isuf Ismaili

Isuf Ismaili: Vërejtje gjuhësore, gabime administrative e disa moskujdesje të tjera

Njëjtësia e gabuar e emërtimeve administrative në lidhje me shtetësinë e kombësinë

Jo rrallë herë bëhen gabime në lidhje me njëjtësinë e shtetësisë me përkatësinë kombëtare.

Shumë shtete e të botës, e përfillin më shumë shtetësinë, se sa përkatësinë kombëtare, duke i njëjtësuar këto me qëllime të caktuara, sidomos këtë e bëjnë ato shtete që i mbajnë nën sundimin e tyre, njerëzit me përkatësi të tjera kombëtare e territoret e këtyre njerëzve.

Ka shtete si Gjermania ku bëhen dallime të këtyre fjalëve, por në disa shtete si në Itali, Francë e në shumë shtete evropiane dhe në Amerikë, nuk bëhen dallime të tilla.

Popujt që nuk e kanë zgjidhur çështjen e tyre kombëtare, nuk mund e nuk duhet ta pranojnë kurrë njëjtësinë e shtetësisë me kombësinë, përderisa të bashkohen tërësisht.

Shqiptarët nën Maqedoninë e Veriut kanë qenë, janë e do të jenë shqiptarë, ashtu siç janë shqiptarët në trojet të tjera shqiptare. Trevat shqiptare që i mbajnë nën sundimin e tyre Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi e Greqia, por edhe vetë dy shtetet tona shqiptare, janë vazhdimësi e natyrshme e Shqipërisë së tërësishme, Shqipërisë së natyrshme, prandaj kurrë nuk mund t’i pranojmë  emërtimet për shqiptarët, sipas shtetësive të dhunshme, sipas ndarjeve e pushtimeve të huaja në tokat shqiptare. Është shumë e padrejtë të thuhet edhe për shqiptarët në Republikën e Kosovës, se ata gjoja na qenkan kosovarë, të identifikohen vetëm me shtetësinë. Ne të gjithë, duhet ta kuptojmë e të bindemi se jemi pjesë e Shqipërisë së tërësishme e të natyrshme. Mendoj se, tani për tani, është e domosdoshme të shënohet shtetësia, por edhe kombësia shqiptare, për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Mund jemi shtetas kosovarë, por kurrë nuk mund jemi me kombësi kosovare ose maqedonase etj.

Mendja, zemra e shpirti i shqiptarëve të njëmendtë e duan Shqipërinë e bashkuar. Vetëm kur ta arrijmë atë dite, do të jemi të qetë, sa më parë aq më mirë.

Sqarim:

Shtetësi, – a  f. Sh. – (të) të qenët shtetas i një vendi. Marr shtetësinë. Ka shtetësinë shqiptare. (FJALOR I GJUHËS SË SOTME SHQIPE,  i botuar në TIRANË, 1980 dhe FJALOR I GJUHËS SHQIPE, i botuar në TIRANË, 2006)

Nacionalitet,  ~  i  m., sh. ~ e,  ~ et shih kombësi (FJALOR DREJTSHKRIMOR I GJUHËS SHQIPE, i botuar në TIRANË, 2011)

Komb,-i I  emër i gjinisë mashkullore; numri shumës; -e(t) bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht, në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shprehet në bashkësinë e kulturës: kombi shqiptar. (Fjalor i Gjuhës Shqipe ASHSH 2006)

Mendoj, se gjuhëtarët dhe institucionet tona shtetërore duhet reagojnë, ta ngrenë zërin e të bëhen përmirësime të shprehjeve e fjalëve.

Përcaktimi i vendit të formimit të bashkëtingëlloreve

Për klasifikimin e bashkëtingëlloreve janë marrë parasysh: vendi i formimit, mënyra e formimit, pjesëmarrja e zhurmës, pjesëmarrja e zërit, rezonanca hundore.

Për të përcaktuar vendin e formimit të bashkëtingëlloreve, mbështetemi në organin aktiv  dhe pasiv që merr pjesë në nyjëtimin dhe formimin e pengesës.

Sipas organit aktiv bashkëtingëlloret ndahen në: buzore, gjuhore dhe glotale.

Bashkëtingëlloret buzore nyjëtohen me pjesëmarrjen aktive të buzëve. Këto ndahen në dy grupe:

dybuzore, pengesa formohet, kur dy buzët formojnë mbyllje: p, b, dhe m.

buzore – dhëmbore, pengesa formohet, kur buza e poshtme afrohet te dhëmbët e sipërm: f, v.

Bashkëtingëlloret gjuhore ndahen:

në paragjuhore: t, d, ll, c, x, s, n, l, rr, ç, xh, zh, th, dh.

mesgjuhore: q, gj, nj, j.

prapagjuhore: k, g.

Bashkëtingëlloret paragjuhore ndahen në: majore  (apikale) dhe në kulmore (kakuminale).

Majoret nyjëtohen duke ngritur majën e gjuhës, bashkë me shpinën e saj e duke formuar pengesë te alveolat, te dhëmbët etj. Majore janë shumica dërrmuese e paragjuhoreve të shqipes , si p.sh. t, d, n, ç, th etj.

Tani problemi që na intereson më shumë është ngatërrimi i bashkëtingëlloreve: q, gj, ç, xh. Kjo vështirësi ndodh më shumë në disa pjesë veriore e verilindore të trevave shqiptare.

Pjesa më e madhe e nxënësve të mi, kanë pasur vështirësi për t’i shqiptuar këto bashkëtingëllore, prandaj për ta pasur më të lehtë nyjëtimin, për të mos i ngatërruar nxënësit me këto bashkëtingëllore, kam punuar veç e veç me secilin dhe thosha: “ Kur duam t’i shqiptojmë sa më mirë bashkëtingëlloret: ç dhe xh duhet maja e gjuhës të shkojë tek qiellza e epërme, afër dhëmbëve dhe i mëshojmë më shumë zërit, ndërsa për t’i shqiptuar bashkëtingëlloret: q dhe gj duhet të shkojë maja e gjuhës më poshtë, pra te dhëmbët poshtë dhe zëri të dalë më i butë.”

Sqarim: Alveolar, – e lat. fon. Kanal, trysor. Tingujt alveolar quhen edhe paraqiellzorë. Paraqiellza është pjesa, ku janë mbirë dhëmbët e parë të pjesës së epërme. Tingujt që shqiptohen në atë pjesë, përhapin një zhurmë më të madhe se disa tinguj të tjerë, të cilët nyjëtohen më lehtë.

Kontrolloni gjithashtu

Adem LUSHAJ: Rrugëtim Kombëtar: Promovimi i Historisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës

“Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” dhe “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore …