Kliti Topalli: Meta gati të përfundojë në SPAK sipas shembullit të Nikolla Gruevskit

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se Parlamenti do i shkojë deri në fund verdiktit të qytetarëve për largimin e Ilir Metës, Partia Socialiste ka nisur punën. Në telefonat e të gjithë deputetëve socialistë ka mbërritur një mesazh, ku iu kërkohet që të firmosin kërkesën për shkarkimin e presidentit. Të martën mblidhet grupi parlamentar i PS dhe po atë ditë pritet të dorëzohet në Kuvend kërkesa që ka të bëjë me shkarkimin e Metës. “Të dashur kolegë, bazuar ne disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesinë e Grupit Parlamentar kemi vendosur të iniciojmë Procedurën e Shkarkimit të Presidentit të Republikës. Për këtë qëllim ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyrës së Grupit Parlamentar për të firmosur propozimin për shkarkimin e presidentit”, thuhet në mesazh. Sikundër tregohet në mesazh, por edhe sipas burimeve të gazetës, socialistët do të kërkojnë shkarkimin e Metës duke u bazuar te neni 90 dhe më konkretisht pika 2 e tij, e cila parashikon: “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”. Fokusi i shkarkimit do të jetë së pari te thirrjet e presidenti për dhunë, sidomos deklaratat për rrëmbime sfurqesh dhe sëpatash. Elementi i dytë është rreshtimi i tij politik krah opozitës, ndërkohë që neni 86 i Kushtetutës shprehet se ai duhet të përfaqësojë unitetin e popullit, ndërsa neni 92 ka të përcaktuar kompetencat e tij. Neni 94 shprehet qartë se presidenti nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim nga ato që përcakton Kushtetuta dhe pikërisht në këto pika do të kapet mazhoranca.

Rreziqet ndaj presidentit

Shkarkimi i presidentit duket se është një lëvizje serioze këtë herë nga mazhoranca, pasi Parlamenti aktual siguron 93 votat e nevojshme për ta shkarkuar. Më pas vendimi do i shkojë Gjykatës Kushtetuese. Por një shkarkim i mundshëm do të bënte që Meta të dilte komplet jashtë loje. Maksimumi ai do të marrë drejtimin e LSI, por do të jetë pa imunitet. Në korridoret e drejtësisë ditët e fundit po përflitet për një dosje nga ndërkombëtarët. Meta e tha në një studio se ambasadorja e SHBA ia kishte bërë të ditur se ata dinë diçka për të. Nëse kthehemi disa vite pas, ish-ambasadori Donald Lu i kishte shkuar në zyrë Adriatik Llallës dhe i kishte kërkuar arrestimin e Metës. Në korridoret e drejtësisë flitet se ndaj tij mund të ndiqet shembulli “Gruevski”. Në 2016 Maqedonia shkoi në zgjedhje dhe pushtetin e mori Zoran Zaev duke nxjerrë në pension Gruevskin. Por brenda shumë pak muajsh ndaj tij u ngritën një sërë akuzash penale për shkeljet në detyrë. Në 2018 ai u dënua me 2 vite burg, pasi u zbulua se kishte kryer abuzime me blerjen e një makine qeveritare. Më pas u zbuluan dhe pasuri të fshehura dhe prona. Pra për afro 1 vit ndaj tij u ngritën akuzat dhe u dënua. Sipas mediave maqedonase, dyshimet janë se dosja ndaj tij ishte bërë gati nga Prokuroria Speciale. Sapo ai ra nga pushteti u përball me një lumë akuzash dhe kjo e detyroi të largohej nga vendi duke kërkuar azil në Hungari. Po ashtu Gruevski para largimit nisi një luftë të madhe me amerikanët, pasi ai mbështeste influencën ruse.

 

Rasti “Meta”

Nëse vijmë në Tiranë kemi shumë raste të ngjashme. Presidenti ka nisur një luftë të fortë me amerikanët, ndërsa të shumtë janë ata që e akuzojnë se u shërben interesave ruse. Kur sulmoi ambasadoren amerikane i përmendi raketat ruse. Nga ana tjetër, Meta është mes politikanëve me pasurinë më të lartë. Nëse ai shkarkohet do të jetë pre e lehtë për SPAK. Dyshimet janë se nëse Meta shkarkohet, mund të ketë fatin e mikut të tij maqedonas, Nikola  Gruevski.( Gazeta Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …