Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu-Shoshi, ka shfrytëzuar debatin parlamentar për Projektbuxhetin e vitit 2027 për të vënë në përballje bilancin e qeverisjes së Albin Kurtit me atë të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, duke rikthyer në vëmendje projektet infrastrukturore dhe arritjet shtetformuese të periudhës së qeverisjes së PDK-së. Musliu-Shoshi ka vënë në pah kohëzgjatjen e dy qeverisjeve, duke theksuar se Kurti ka qeverisur gjashtë vjet, ndërsa Thaçi gjashtë vjet e 11 muaj. Përmes një liste të projekteve, ajo ka pretenduar se qeverisja e Thaçit, ndonëse me buxhet më të vogël, realizoi investime dhe procese me rëndësi për shtetndërtimin e Kosovës.Në listën e saj përfshihen ndërtimi i autostradave, investimet në rrugët lokale e rajonale, ndërtimi dhe renovimi i shkollave, shpallja e Pavarësisë, hyrja në fuqi e Kushtetutës dhe themelimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ajo ka përmendur gjithashtu 108 njohjet ndërkombëtare, anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e Pavarësisë, si dhe pritjen e udhëheqësve të Kosovës në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. “Me krenari ju prezantoj projektet dhe arritjet kryesore të qeverisjes së Hashim Thaçit. Me një buxhet më të vogël, Kosova ndërtoi institucione, investoi në infrastrukturë dhe forcoi pozitën e saj ndërkombëtare”, ka shkruar Musliu-Shoshi. Reagimi i saj vjen në një moment kur në Kuvend po diskutohej Projektbuxheti i vitit 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, ndërsa opozita po e kritikonte Qeverinë për mungesë të projekteve kapitale dhe rezultateve të prekshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
