Isuf Sherifi

Isuf Sherifi: Mbresa nga libri me poezi: “Ëndërroj se po zgjohem”, i autores, Dije Maliqi

Autorja, Dije Maliqi, që nga vjersha e parë e këtij libri; „ UNË JAM ERA“ e deri tek ajo e fundit; „KAPE DITËN TËNDE“, që redaktori i librit Adem Gashi me të drejtë e quan poemë, të mbërthen me lehtësinë e vargut dhe mesazhin shumdimensional brenda narracionit poetik. Rrëfimet mbi jetën, mbi „dhembjen,“ mbi dashurinë, mbi pritjen, mbi ikjen; rrëfimet për „dhimbjet,“ për dashuritë, për pritjet, për ikjet, kanë ndjeshmërinë e një rezonance poetike, që të ngujon për vargu dhe të zhytë thellë në botën e sajë, në botën e një femre, të një gruaje, të një nëne, të një mendimtareje dhe krijuese të guximshme, që flet pa dorashka dhe jep mesazhe të paharruara.

Autorja Dije Maliqi, në librin me poezi, „ËNDËRROJ SE PO ZGJOHEM,“ jep një sintezë poetike jo lehtë të kalueshme për lexuesin. Ajo edhe pse që në kryetitull të librit prejudikon gjendjen poetiko – shpirtërore, tregon qartë se është jo vetëm e zgjuar, dhe, se, jo vetëm që nuk ëndërron, por sheshon të vërtetën e antitezës, se Dije Maliqi, të gjitha këto i përjeton zgjuar dhe i prek zgjuar, duke tentuar të thotë një të vërtetë tjetër, që bota jonë nuk po e jeton vetveten, por, sikur po e gjakon mungesën e vetvetes.

Një libër poetik si ky, me varg dhe strukturë të mirërenditur poetike, lexuesin e bën për vete dhe nuk e lë deri në fundin e tij të zhgjëndërrt të ëndërrojë një botë tjetër.

Një libër që të kap për dore dhe të shetit nëpër të gjitha honet e jetës, të cilat, edhe pse shumherë kanë ngjizjen buzëmbrëmjeve të thella, apo natën vonë, ato reflektojnë dritën në fund të tunelit, që mezi duket, ngase jashta këtij tuneli poetik, drita ka “dhembje,” dhe ethet e “dhimbjes” për të nuk të lënë të bësh as një sy gjumë.

Libri që kam lexuar, uroj ta gjejë lexuesin e vetë, ngase më tepër se një libër, këto poezi janë mesazhe që ia vlen t`i marrë  çdokush me vete, sepse, konsideroj, që edhe pse i nisur nga fate dhe perceptime individuale, mesazhet janë universale, të kapshme për çdo lexues.

Bota poetike e Dije Maliqit, është botë e  një fryme të butë, që merr ngjyrime të forta feministe, e që e bën të lakohet çdo rrëfim burrëror për të.

Ëndërroj se po lind, ëndërroj se po fluturoj, ëndërroj se po këndoj, ëndërroj se po pres, ëndërroj se po qaj, ëndërroj se po vij, ëndërroj se po rilind,…cilido nga këta tituj, do t`i shkonte përshtati librit, ngase rezonanca poetike e Dije Maliqit është një ëndërr që nuk ka fund, është një fluturim që nuk ndalet, është një këngë, që vargu i fundit nuk i duket askund, është një ardhje dhe trokitje e një rezonace magjike të pa kryer.

Në fund të librit, kur përmbylla kapakët e tij, kisha hamendjen të isha shndërruar edhe unë në ERË, dhe po bëja vrap të KAPJA DITËN TIME, për të pushuar në dhimbjen e quajtur DITË, …“ngase,….“Errësira e vërtetë do të fillojë/kur të agojë dita.“

Dhe krejt në fund të rrëfimit për librin, si lexues, ti e sheh që,…“Ti nuk je larg, /veçse në anën tjetër të jetës.“

(Vështrim i lexuar në Orën Letrare të mbajtur më 25.12.2016, në Qendrën Kuturore Shqitare në Zürich, me rastin e përurimit të librave të autores Dije Maliqi, si dhe autorëve Gëzim Ajgeraj dhe Dan Kosumi).

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …