Sot iu dha lamtumira e fundit veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-eprorit të TMK-së dhe FSK-së, Naim Ymeri, i cili ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare.
Ceremonia e varrimit u mbajt me nderime të plota ushtarake, në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të shumtë, të cilët kishin ardhur për të nderuar figurën e luftëtarit të lirisë.
Në homazhet dhe ceremoninë lamtumirëse, fjalime rasti mbajtën përfaqësuesi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfaqësues i familjes, të cilët me emocione kujtuan rrugëtimin jetësor dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Ymerit në shërbim të lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Në fund të ceremonisë, u lexua edhe një telegram ngushëllimi i ardhur nga Radio Kosova e Lirë, ku vlerësohej jeta dhe vepra e Naim Ymerit si shembull i përkushtimit dhe sakrificës në rrugën për çlirim dhe ndërtimin e institucioneve të sigurisë në vend.
Naim Ymeri do të mbahet mend si një ndër figurat e devotuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si një kontribuues i rëndësishëm në periudhën pasluftës, në strukturat e TMK-së dhe më vonë në FSK, ku vazhdoi të shërbejë me përkushtim dhe profesionalizëm deri në pensionim.
Lamtumira për të shënon ndarjen nga jeta të një simboli të përkushtimit ushtarak dhe atdhetar në shërbim të Kosovës.