J. Krasniqi

Jakup Krasniqi: Pse ky vrap i shqiptarëve për pozita të pamerituara?

 Zhvillimet politike në Shqipëri e në Kosovë, përgjatë gjithë viteve të pluralizmit politik, kanë treguar dhe po tregojnë se vrapi për të hyrë në politikë më së paku bëhet për interesin publik, politika nacionale apo ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Ky vrap, veç të tjerave, ka ndikuar jashtë çdo mase që në institucionet më të larta të shtetit të ketë aq mungesë kulture, aq mungesë edukate në veprime dhe në komunikim, saqë as Frojdi me një ekip të gjerë specialistesh s’do t’ia dilte t’i shpjegonte arsyet e këtij ambienti kulturor!

Së këndejmi, në veprimet e politikës shqiptare nuk shoh që ka interes nacional, nuk shoh që ketë interes publik, interes politik e bile as partiak, por shoh vetëm interes individual, familjar a të grupeve informale dhe kjo është tepër e dhimbshme. Sepse, vetiu shtrohet pyetja: nga po e çojmë kombin e këto shtete që u bënë me kaq mund e sakrifica?

Sikur të mos dominonte interesi meskin i disa njerëzve në krye të partive politike, në situatën në të cilën gjendet kombi e shtetet tona, partitë politike brenda e jashtë vetes do të duhej ta zhvillonin një debat për të gjetur një kandidat që merr përsipër se bashku me një elitë njerëzish të denjë për të realizuar një plan të përbashkët nacional, për një siguri nacionale, për një zhvillim e progres të vendeve tona që po zbrazen. Edhe veç e veç edhe se bashku. Por, një kulturë e tillë politike e përgjegjësi publike nuk është duke dhënë askush dhe askund në trojet tona shenja jete.

Nga ajo që kemi parë deri më tani, kjo që po e them është më shumë se një utopi ose ëndërr e mirë.

Sepse, sikur të mos ishte vrapi i gjithsecilit për interesin personal, madje interesi personal edhe për një vend pune dhe atë pa meritën më elementare profesionale, intelektuale, politike a kombëtare, do të pushonte interesimi i njerëzve për t’u marrë me politikë e mbase edhe për të votuar për njeriun që i beson. Këtu gjithçka bëhet për interesa meskine. Në kohën kur në rajonin tonë ka shumë pasiguri, ka shumë rreziqe, që na sillen mbi kokë edhe duke na rrezikuar sigurinë nacionale, ne i thellojmë ndarjet e përçarjet e brendshme nacionale deri në gatishmëri për t’u kacafytur për hiçgjë, në tempujt e demokracisë e kudo tjetër.

Njerëzit e politikës në institucionet më të larta të vendeve tona e kanë plotë gojën demokraci e, ç’është e vërteta, demokrat nuk janë! E kanë plot gojën sundim të ligjit, e ligjet nuk i respektojnë! E kanë plot gojën luftë kundër krimit, e akuzojnë për krimin pikërisht ata që janë të zhytur në krim deri në fyt! E kanë plot gojën fjalë për të luftuar korrupsionin, e janë të korruptuar deri në fyt. Janë kundër familjarizimit e kudo kanç ngritur piramida familjare. Me fjalë janë kundër trafiqeve të ndaluara e bashkëpunojnë me trafikantët më të egër. E kanë plot gojën “atdhetarizëm”, e veç atdhetarë nuk po tregohen! E kanë plot gojën interes nacional, e punojnë për interesat personale! E kanë plot gojën “dashuri” për njerëzit e dëshmuar kombëtarisht e afër vetes afrojnë hiç-hiçët! E kanë plot gojën për mirëqenie nacionale, e angazhohen vetëm për mirëqenie personale! Flasin për arsim cilësor, e arsimin e kanë e lënë në krizë të thellë! Të mos them në agoni! Flasin për shëndetin publik të avancuar dhe hanë e grabisin nga shëndeti i kombit. E kanë gjuhën plot me dashuri për shqipen, për edukimin e kulturën dhe përditë e thellojnë degradimin e tyre. Pa investim në gjuhë, në kulturë e në edukim, kombi as nuk ruhet e as nuk mund të zhvillohet!

Përkundrazi, ai po zvetënohet, po zvogëlohet e largohet nga aty ku ishte denbabaden.  Ndoshta?!!!

kështu është zhvilluar demokracia ndër vite e diku ndër shekuj (me krim, korrupsion e trafikim), por vendet tona e kombi ynë nuk ka kohë për t’i pritur shekujt për t’i zhvilluar shtetet tona e kombin tonë. Ne, nuk kemi kohë për të humbur dhe koha nuk na pret, pasi kombi ynë në shtetet tona po zvogëlohet dhe ç’është më alarmuese: po plaket! Kombet e vogla, që përditë rrjedhin në drejtim të botës së madhe vetëm me natalitet i përballojnë rreziqet e zhdukjes me ripërtëritjen e kombit! Prandaj, i frikësohem, madje i frikësohem shumë vrapit të njerëzve të padijshëm për t’u bërë deputetë, kryeministra, kryetar shteti e ministra. Lehtësia sesi i zgjedhim dhe i emërojmë njerëzit nëpër pozita të larta shtetërore frikësohem se do t’i kushtojë shumë të sotmes dhe të ardhmes sonë kombëtare!

Janë këto disa nga arsyet e shumta pse kombi ynë duhet t’i përzgjedhë me shumë kujdes drejtuesit e shteteve e të kombit tonë përgjithësisht! Por, më duhet ta them, jemi tepër larg asaj që i duhet kombit e shteteve tona.

Njerëzit megjithatë jetojnë, kanë jetuar e do të jetojnë edhe pa qenë deputetë, ministra, kryeministra a kryetar shteti. Madje edhe pa qenë prokurorë, gjyqtarë e zyrtarë të lartë të shtetit edhe atëherë kur janë të pa korruptuar e të pa kriminalizuar. Përgjegjësitë politike e publike as duhet të merren lehtë e as t’u besohet lehtë “ushtruesve” të tyre! Pa konkurrencë të mirëfilltë askund nuk mund të ketë zhvillim e progres.

Shkurt: Gjatë viteve të lirisë e të pavarësisë pamë vrapin e kryeministrave të ndryshëm, të votuar nga qytetarët e më shumë nga pazaret politike, dëgjuam shumë premtime për zhvillim e ndryshim, për liberalizim e integrim, por, përveç ngjasimeve si veja – vesë, ndryshime nuk pamë e me logjikën e deritashme as që do të shohim! E qytetarët mbeten e janë në pritje të ndryshimeve. Ndërsa, ndryshimi duhet të vij nga qytetarët! Pa vullnetin e tyre nuk do të ketë ndryshim. Kjo është Demokracia! Nuk është e përkryer, bile mungesa e konkurrencës se sistemeve politike të deridjeshëm veç sa e ka degraduar Sistemin Demokratik përgjithësisht. Ky sistem, nuk po rezulton të jetë i degraduar vetëm në Kosovë e rajon, por, po rezulton të jetë i degraduar edhe në kërthizën e tij të LINDJES!

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …