Ish-diplomati amerikan, James Rubin, ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar atë me pyetje të njëanshme dhe ton paragjykues nga disa gjyqtarë. Rubin, i cili dëshmoi për tri ditë në mbrojtje të Hashim Thaçit, tha se pati ndjesinë se gjyqtarët kishin krijuar tashmë bindjen se UÇK ishte një organizatë e centralizuar nën komandën e Thaçit – gjë që, sipas tij, nuk qëndron. Ai theksoi se gjykata duhet të bëjë “gjënë e duhur” dhe të shpallë të pafajshëm ish-udhëheqësit e UÇK-së. Gazeta “Nacionale” ka dokumentuar tre raste ku gjyqtarët e Speciales janë treguar hapur tendenciozë. Në njërin prej tyre, gjyqtari Charles Smith ndërhyri ashpër kur dëshmitari Skënder Zhitia foli për librin që dokumentonte krimet serbe, duke deklaruar se “Prokuroria nuk ka detyrim të hetojë krimet serbe”. Në rastin tjetër, gjyqtari gjerman Christoph Barthe insistoi pesë herë me pyetje mbi “thashetheme” për rrëmbime gjatë luftës, pavarësisht se dëshmitari theksoi se nuk kishte parë asgjë. Ndërsa gjyqtari zviceran, Genel Metro, ka përdorur pyetje hipotetike dhe spekuluese ndaj dëshmitarit Hajrush Kurtaj, të tipit “le të imagjinojmë” apo “të supozojmë”, praktikë e papranueshme në standardet gjyqësore ndërkombëtare. Këto raste, sipas vëzhguesve, e thellojnë dyshimin se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po zhvillohet nën hijen e paragjykimit politik – dhe jo në frymën e drejtësisë së paanshme që kërkon ligji ndërkombëtar.
