Qysh në fillim të seancës, Rubin u pyet nëse kishte dijeni që Hashim Thaçi kishte kërcënuar ndonjëherë Veton Surroin. Ish-diplomati amerikan James Rubin sqaroi se Hashim Thaçi nuk kishte ushtruar kërcënime fizike ndaj askujt, por kishte qenë pjesë e një presioni ideologjik që lidhej drejtpërdrejt me betejën për pavarësinë e Kosovës. “Ta ndajmë pak kërcënimin fizik nga ai moral. Jo, nuk kam qenë në dijeni që ka pasur kërcënim fizik. Ajo që ekzistonte ishte presioni ideologjik: pro ose kundër pavarësisë. Sepse kjo ishte kryesore për lëvizjen gjatë luftës”, tha Rubin. Ai shtoi se edhe Madeleine Albright, si udhëheqëse e diplomacisë amerikane, kishte përdorur presion ndaj Thaçit në negociata, duke ia bërë të qartë rëndësinë e nënshkrimit për mbrojtjen e popullit të Kosovës. “Edhe Albright e ka ‘kërcënuar’ Thaçin, duke i thënë: Po nuk e nënshkrove, po i lë njerëzit e tu të pambrojtur nga serbët”, kujtoi Rubin. Kjo dëshmi e bën të qartë se UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj nuk vepronin mbi bazën e frikës apo kërcënimeve, por mbi bindjen se liria e Kosovës ishte më e madhe se çdo kompromis personal.
