Kushtetuesja: Dekreti i Presidentes nuk prodhon efekt juridik – deputetët kanë 34 ditë për zgjedhjen e Presidentit

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin lidhur me kërkesat KO72/26 dhe KO74/26, duke vendosur njëzëri se dekreti nr. 24/2026 i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit “nuk prodhon asnjë efekt juridik”. Kërkesat ishin paraqitur nga Kryeministri Albin Kurti në emër të Qeverisë, si dhe nga një grup deputetësh të Kuvendit, të cilët kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit presidencial. Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar se deputetët e Kuvendit kanë afat prej 34 ditësh nga hyrja në fuqi e aktgjykimit për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. Gjykata po ashtu ka sqaruar se, në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda këtij afati, atëherë, në bazë të Kushtetutës, Kuvendi shpërndahet automatikisht, duke hapur rrugë për zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Me këtë aktgjykim, shfuqizohet edhe masa e përkohshme e vendosur më 9 mars 2026, ndërsa vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Kontrolloni gjithashtu

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Gegë Lleshi, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare ASDA 2026 në Zagreb

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Gegë Lleshi, së bashku me delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes, po merr …