Ish-zëvendës ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka dalë hapur në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kërkuar që Gjykata Speciale në Hagë t’i shpallë ata të pafajshëm. Në një intervistë për gazetaren e njohur Christiane Amanpour, pas dëshmisë së tij në gjykim, Rubin theksoi se Thaçi nuk kishte rol vendimtar në komandimin e UÇK-së gjatë luftës. “Ishte e qartë se zoti Thaçi, një djalë i ri në atë kohë, nuk kishte kontroll mbi asgjë. Ky gjyq po i fajëson liderët e UÇK-së për gjëra që nuk i kishin në dorë”, u shpreh ai. Rubin tha se u befasua nga qëndrimi i gjyqtarëve, të cilët sipas tij i bënin pyetje të njëanshme dhe me paragjykim. “Mu duk sikur tashmë kishin marrë vendim që UÇK-ja ishte një organizatë e strukturuar me Thaçin në krye, gjë që nuk është e vërtetë”, deklaroi ai. Sipas ish-zyrtarit amerikan, Gjykata Speciale duhet të veprojë drejt dhe t’i lirojë liderët e UÇK-së. “Ky tribunal duhet të bëjë gjënë e duhur, t’i shpallë ata të pafajshëm. Vetëm pas kësaj, SHBA dhe Evropa duhet të ulen me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje”, tha Rubin.
