Jehonë ndërkombëtare për protestën në Tiranë: Mediat botërore raportojnë mbi thirrjet për drejtësi ndaj UÇK-së

Protesta e 17 tetorit në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, ku mijëra qytetarë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetës nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, ka marrë jehonë të gjerë në mediat ndërkombëtare. Mediat prestigjioze si Associated Press, The Washington Post, The Telegraph dhe Anadolu Agency raportuan për protestën, duke theksuar se demonstruesit e konsiderojnë procesin në Hagë “të padrejtë dhe politikisht të motivuar”. Associated Press shkruan: “Mijëra njerëz protestojnë në kryeqytetin e Shqipërisë kundër gjykatës së mbështetur nga BE që ndjek penalisht veteranët e luftës së Kosovës.” Protesta, e zhvilluar në mënyrë paqësore, shënoi një mobilizim të rrallë mbarëkombëtar, me pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e diaspora. Himni kombëtar, pankartat “Liria ka emër” dhe simbolet e UÇK-së e shndërruan sheshin në një skenë të bashkimit dhe kujtesës kombëtare. Në thelb të kërkesave të protestuesve ishte lirimi i ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po gjykohen në Hagë që nga viti 2020 për krime lufte – akuzë që ata dhe mbështetësit e tyre e cilësojnë të padrejtë. Procesi gjyqësor, i nisur në vitin 2023, është tashmë drejt përfundimit. Muajin e kaluar, mbrojtja e Thaçit thirri dëshmitarë ndërkombëtarë, përfshirë ish-ndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-diplomatin britanik John Stewart Duncan, të cilët deklaruan se Thaçi nuk kishte autoritet komandues mbi UÇK-në. Protesta e Tiranës, pas asaj të gushtit në Prishtinë dhe shtatorit në Hagë, po vlerësohet si shprehja më e fuqishme e unitetit shqiptar në mbrojtje të UÇK-së dhe e një zëri të përbashkët kundër padrejtësisë.

Kontrolloni gjithashtu

Zahrije Podrimqaku, mes lotësh para mediave rrëfen torturat nga gardiania Nadica Cvetkoviq

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarës Nadica Cvetkoviq, e …