Jeton Kelmendi: DY POLITIKANË NË NJË TRUP: ALBINI PREMTUES DHE KURTI QEVERISËS, OSE ÇFARË FOLI DHE ÇFARË BËRI AI

Në politikën kosovare ka pasur figura të kundërta, të forta, të moderuara apo impulsive, por rrallë ka pasur një fenomen kaq të çuditshëm ose nuk mbahet fare mend si rasti i Albin Kurtit. Në diskursin e tij publik, në veprimet e tij qeverisëse dhe në pasojat për Kosovën, dalin në pah dy persona të ndryshëm: Albini që foli dhe Kurti që bëri. Midis tyre, hendeku është aq i madh sa shoqëria po e përjeton si zhgënjimin më të thellë politik që kur mbahet mend.

  1. Prej flamurtarit bashkimit tek ftohja më e madhe me Shqipërinë

Kur Albini hyri në politikë, tema e bashkimit kombëtar ishte simboli i tij qendror. Ai fliste hapur për bashkim me Shqipërinë, për një projekt të përbashkët politik dhe kombëtar, për një të ardhme pa kufij shqiptarë. Tani, këtu nuk mund ta them nëse e dinte se a ka mundësi apo jo, por sapo u bë kryeministër, ky ideal u zhduk si të mos kishte ekzistuar kurrë. Marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri ranë në pikën më të ulët që nga vitet ’90, duke lënë pas vetëm zhgënjim. Bashkimi u shndërrua në një fjali të harruar, ndërsa kombëtarizmi i dikurshëm u tret brenda retorikës së ditës.

  1. Prej luftës kundër korrupsionit tek krijimi i një korrupsioni të ri

Pak politikanë kanë akuzuar kaq shumë për korrupsion sa Albini. Për vite, ai e ngriti veten si simbol të pastërtisë. Megjithatë, qeverisja e tij solli raste të njëpasnjëshme të dyshimeve të rënda: nga skandali Martin Berishaj te aferat me tenderë e me ushqime, ku u ngrit aktakuzë edhe për zyrëtarin e dritave e edhe për Rozetën e qeverisë. Ky ishte korrupsioni i ri, me ngjyrë partiake, i strukturuar me mënyra të reja, por me qëllime të vjetra. Qindar tenderë njëburimorë etj etj. Premtimi i pastrimit të shtetit përfundoi në përfoljen e qeverisë për shkelje të reja. Madje Albini nuk ngurron dhe jo se e refuzon shkuarjen e tij për tu intervistuar për rastin korruptiv te ekipit Rozeta, por edhe ua tregon muskujt drejtësisë: Unë guxoj të mos ju vij, e ju nëse guxoni ejani më merrni?…

  1. Prej refuzimit dialogut te nënshkrimi i marrëveshjeve më të dëmshme

Albini i viteve të opozitës ishte kategorik: “Kosova nuk ka çfarë të bisedojë me Serbinë.” Ai e quante çdo marrëveshje të mëparshme të dëmshme, madje tradhti. Por Kurti në pushtet nënshkroi marrëveshje në Bruksel dhe aneksin në Ohër që me të drejtë konsiderohen ndër më të pafavorshmet që ka parë Kosova. Asociacioni u legalizua de facto, ose asociacion plus, ku obligimet u pranuan pa nënshkrim formal, ndërsa Kosova mbeti e zhveshur në arenën diplomatike. Kritiku më i madh i dialogut u bë nënshkruesi më i dobët i tij.

  1. Nga thirrjet për unitet te përçarja më e thellë shoqërore

Një prej premtimeve të Kurtit ishte bashkimi i shoqërisë kundër padrejtësive. Por ajo që ndodhi ishte e kundërta: polarizim i thellë, armiqësi politike, gjuhë përjashtuese dhe ngritje e tensioneve të panevojshme, deri te etiketimet se jeni me Listën Serbe, madje edhe atyre që humben familjarë luftë, e deri edhe heronjëve të gjallë. Sot, Kosova është më e ndarë se kurrë. E vetmja gjë që bashkon qytetarët është lodhja nga përçarja.

  1. Nga premtimi për profesionistë te pushteti i amatorëve

Kurti premtuan qeverisje nga profesionistët, ekspertët, njerëzit me kompetencë. Por në ministri u ulën figura pa përvojë, aktivistë partiakë dhe emra që nuk kanë asnjë lidhje me fushat që drejtojnë. Prej dentistit – Minister I Brendshëm, deri te kryediplomatja me shkollim të mesem. Shumë vendime u morën për marketing politik, jo për interes të vendit. Rezultati është një administratë e dobët, me vendimmarrje të paaftë dhe me kosto të larta për qytetarët.

  1. Albini kundër luftës, Kurti që kërkon luftë pas Rambujesë

Albini dikur fliste kundër luftës, thoshte se ai kurrë nuk do ta merrte pushën. Zatën edhe nuk e more sa ishte lufta. Por pas luftës, ai u shndërrua në një figurë që e kërkonte vazhdimin e konfliktit me forma të reja politike. Tensionet e panevojshme me Serbinë, të krijuara në momente të çuditshme, e dobësuan shtetin pa prodhuar asnjë fitore strategjike. Natyrisht me fitore populiste për të partinë e tij.

Tani shtrohet pyetja se kush po qeveris me Kosovën: Albini apo Kurti?

Sot pyetja thelbësore nuk është më nëse Kurti ka gabuar në disa vendime, pasi që kjo është e qartë. Pyetja është: A ekziston ende Albini? Ai idealist i viteve të vështira? Apo ka mbetur vetëm Kurti i pushtetit dhe me xhipa të zi? Ky kontrast i thellë ka krijuar një ndarje të fortë në opinion. Nga njëra anë është kujtimi i Albin Kurtit si simbol i shpresës, nga ana tjetër realiteti i Kurtit si kryeministër i kontradiktave, i korrupsionit të ri, i marrëveshjeve të dëmshme dhe i përçarjes shoqërore. Në fund, mbetet përshtypja se Kosova sot nuk qeveriset nga ai që u votua, por nga një tjetër që lindi rrugës për te pushteti, një version i ri, i larguar nga idealet, i ngurtë, konfliktual, populist  dhe shpesh i pakontrolluar.
Kjo e bën dilemën e opinionit publik edhe më të qartë:

Dhe krejt për fund, sot qytetari ka mbetur me pyetjen:
Kë deshëm dhe kë morëm: Albinin apo Kurtin?

Kosova meriton përgjigje.
Kosova meriton transparencë.
Dhe Kosova meriton lidership të vërtetë, jo dy figura të kundërta në një trup të vetëm.

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Sylejmani: KOSOVA ISHTE ME FAT QË E KISHTE SHQIPËRINË NËNË DHE AMERIKËN ALEATE – PRANDAJ ËSHTË E ÇLIRUAR NGA SERBIA PUSHTUESE

Të dashura motra e vëllezër nga Tirana dhe nga e gjithë Shqipëria, mirë se ju …