Jeton Kelmendi: MOS E MIRËMBAJË TË KEQËN

Jeton Kelmendi: MOS E MIRËMBAJË TË KEQËN

Në çdo shoqëri demokratike, roli i qytetarit është vendimtar. Ai nuk është vetëm konsumues i politikës, por aktor që e ushqen, e drejton ose e ndëshkon atë politikë e cila qeverisë. Kur politika devijon nga misioni i saj, kur institucionet kthehen në mjete personale pushteti dhe kur grupet e interesit e shpërdorojnë votën e qytetarëve për të krijuar privilegje të mbyllura, atëherë shfaqet një fenomen i rrezikshëm: mirëmbajtja e së keqes. Kjo nuk ndodh vetëm nga politikanët që e prodhojnë atë, por edhe nga qytetarët që, duke heshtur, duke duruar apo duke votuar njësoj, pa e vlerësuar pasojën, e mbajnë gjallë sistemin që i dëmton. Pra, pajtohen të jenë të dëmtuar, ndërsa nuk reflektojnë ndaj realitetit.

Shpërdorimi i pushtetit dhe cikli i së keqes

Politika moderne ofron mjaft shembuj të mënyrave se si pushteti abuzohet. Me të marrë kontrollin institucional, një pjesë e politikanëve, ose sidomnos politikanë dhe grupe politike ppuliste synojnë:

  • të shpërndajnë privilegje brenda rrethit të tyre;
  • të kontrollojnë burimet ekonomike;
  • të dobësojnë mekanizmat e transparencës;
  • të krijojnë varësi partiake dhe klienteliste.

Në vende të vogla ose me institucione të brishta, siç është rasti me Kosovën, këto dukuri marrin përmasa edhe më të rënda, pasi kontrolli demokratik është më i dobët. Inflacioni, pakësimi i investimeve, fiktiviteti i projekteve publike, nepotizmi dhe korrupsioni nuk shfaqen rastësisht, por ato janë produkte direkte të keqqeverisjes. Kur pushteti i mbyll veshët ndaj ekspertëve, kur vendimet merren për interesa të ngushta dhe jo sipas strategjisë afatgjatë, atëherë ekonomia fillon të zbehet, çmimet të rriten dhe cilësia e jetës të rrëzohet. Shih këtu realitetin Kosovar në vitet e fundit dhe atë nga dy palët: qytetarët që jetojnë në Kosovë dhe qytetarë që jetojnë jasht vendit, t’i shikojnë pak statistikat zyratre.

Përkeqësimi i jetesës – çmimi i heshtjes

Në çdo vend ku politika mbështetet në propagandë në vend të politikave reale, pasojat i bart qytetari dhe këto pasoja shihen nga disa aspekte:

  • rritje e çmimeve për produktet bazë;
  • pagë minimale që nuk ndjek ritmin e inflacionit;
  • mungesë e investimeve në arsimin profesional dhe shëndetësi;
  • politizim i skajshëm i administratës;
  • rënie e cilësisë së shërbimeve publike.

Në këtë klimë, qytetari përballet me një paradoks: e keqja bëhet e zakonshme, madje e pranueshme. Kur padrejtësia zgjat, shoqëria krijon një nivel të ri “normaliteti” ku standardet e ulëta nuk shkaktojnë më revoltë. Një shoqëri që mësohet me të keqen, në fakt, humb ndjenjën e dinjitetit ndërsa atë forcë që e shtyn të kërkojë më mirë e ka të mjegullt.
nga ana tjetër abuzimi i pushtetit nuk kufizohet vetëm brenda kufijve të shtetit. Sjelljet e këqija politike ndikojnë drejtpërdrejt edhe në raportet ndërkombëtare. Aleatët perëndimorë presin stabilitet, seriozitet, konsistencë dhe integritet institucional. Kur politikanët prodhojnë kriza të panevojshme, japin deklarata të papërgjegjshme, mashtrojnë partnerët ose sillen në mënyrë konfliktuoze vetëm për interesa të brendshme politike, atëherë vendi humb besueshmërinë. Në ketë kontekst marrëdhëniet e prishura me aleatët sjellin pasoja të rënda, si: Reduktim të investimeve të huaja, izolim diplomatik, humbje të mundësive për projekte strategjike, dobësim të sigurisë kombëtare, shtyrje apo ngecje në proceset integruese e të tjera. Tani nuk duhet shumë mençuri për t’i pare të gjitha këto në Kosovë. Këto pasoja i ndjen qytetari, jo politikanët që shpesh ndërrojnë pozicionet pa paguar koston e dëmeve që kanë shkaktuar.

Çfarë ndodh kur e keqja nuk luftohet?

Ka rrethana kur e keqja politike është e vështirë të luftohet drejtpërdrejt, për arsye nga më të ndryshmet. Janë disa çështje si: media e kapur, o see atakuar, drejtësi e politizuar, opozitë e dobët, ekonomi e varur nga qeveria, frikë nga përndjekja administrative, varfëri që detyron njerëzit të pranojnë çdo ofertë. Vendi ynë ka diçka nga secila prej këtyre fenomeneve.

Në këto kushte, qytetari shpesh ndihet i pafuqishëm. Por pikërisht në këtë pikë lind një parim themelor i etikës politike: Nëse nuk mund ta luftosh të keqen, të paktën mos e mirëmbaj.

Këtu lind pyetja, si e mirëmbajmë të keqen pa dashje?

Mirëmbajtja e së keqes është një proces i thjeshtë, shpesh i pavetëdijshëm. Njeriu e mban gjallë të keqen kur:

  1. Hesht përballë padrejtësisë
    Heshtja është oksigjeni i abuzuesit. Çdo padrejtësi e pashqiptuar rrit guximin e pushtetit për keqpërdorim.
  2. Arsyeton gabimet e politikanëve të “vet”
    Partitë shpesh trajtohen si tribu, jo si institucione. Kur qytetari mbron të keqen vetëm se vjen nga grupi i tij politik, ai në fakt e ushqen atë.
  3. Voton njësoj, pa analizuar
    Vota është mjeti më i fuqishëm i demokracisë. Të votosh keqbërësit, duke e ditur se çfarë sjellin, do të thotë t’i japësh leje morale të vazhdojnë.
  4. Normalizon korrupsionin
    Shprehjet e tipit “të gjithë janë njësoj” e bëjnë qytetarin dorëzues. Jo, nuk janë të gjithë njësoj, por kur votuesi nuk kërkon më standarde, politika bëhet me të vërtetë njësoj e keqe.
  5. Nuk merr pjesë në proceset publike
    Mosangazhimi civil është terren ideal për keqqeverisje. Sa më pak njerëz të interesuar për politikë, aq më shumë hapësirë për abuzime.
  6. Elektorati militant
    Pra, kur elektorari verbërisht i shërben një individi ose një sekti politik, padyshim se mirëmbanë të keqen,e cila e prek edhe vet atë.

Parimi themelor: Mos e mirëmbaj të keqen

Nëse një qytetar nuk ka mundësi të hyjë në politikë, të organizojë protesta, të ndryshojë ligje apo të ketë ndikim të drejtpërdrejtë, ai prapëseprapë ka një mjet të pashmangshëm: refuzimin moral dhe politik ndaj së keqes.

E çfarë në fakt nënkupton ky refuzim dhe sim und të bëhet:

  • Mos e voto politikanin që ka abuzuar me pushtetin.
  • Mos e voto grupin politik që ka sjellë varfëri, krizë, izolim dhe përçarje.
  • Mos e voto atë që të trajton si numër, jo si qytetar.
  • Mos e voto atë që i dëmton aleancat strategjike dhe rrënon të ardhmen e brezave.

Kaç e thjeshtë është në demokraci, edhe refuzimi është veprim. Votimi i përgjegjshëm është forma më e fortë e pastrimit të politikës. Nëse shumica e qytetarëve vetëm do të ndalonin mirëmbajtjen e së keqes, duke mos e shpërblyer me votë, shumë regjime të korruptuara do të binin vetvetiu. Nuk mund të mbijetojë as kjo e keqe tanimë e konstatuar dhe e hiperdeshmuar, qeevrisja e kaluar e Albin Kurtit.

E ardhmja ndërtohet me vetëdije

Shpresa e një vendi nuk qëndron vetëm tek elitat politike, por tek vetëdija e qytetarëve. E mira publike fillon nga refuzimi i së keqes, nga ngritja e standardeve dhe nga kërkesa për integritet. Po si ta kuptojnë ketë qytetarët. Një mendim i thjeshtë dhe racional duke vënë në përballje të vërtetën dhe mashtrimin:

  • ekonomia nuk përmirësohet me premtime, por me politika reale,
  • marrëdhëniet me aleatët nuk ruhen me retorikë, por me përgjegjësi,
  • mirëqenia nuk vjen nga propaganda, por nga transparenca dhe meritokracia.

Pasi t’i kemi matur këto pikëpamje, atëherë politika detyrohet të ndryshojë.

Nuk ka shoqëri perfekte dhe nuk ka qeveri pa gabime, por ka dallim të madh midis gabimit të sinqertë dhe keqpërdorimit të qëllimshëm. Kur e keqja bëhet e dukshme, por qytetari vazhdon ta mbështesë, atëherë ajo nuk është më faji i politikanit, por i nënshkrimit të votuesit që e mban në pushtet. Prandaj, nëse nuk mund t’i luftosh të gjitha të këqijat, nëse nuk ke mundësi të ndryshosh sistemin menjëherë, bëj hapin që mundesh:
Mos e mirëmbaj të keqen.
Mos i voto të këqijtë.
Mos u bëj pjesë e ciklit që dëmton të ardhmen.

Vetëdija qytetare është arma e parë e demokracisë dhe mjeti më efektiv për të ndalur keqbërësit që e shohin pushtetin si pasuri personale, jo si detyrim publik. E krejt për fund, nëse ke dinjitet qytetar, me kaç pak sinqeritet ndaj vetëvetës do ta ndryshosh të tashmen dhe ta përmirësosh tëvardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Fidair Berisha

Fidair Berisha: Arrestimi i pjesёtarve tё UҪK-sё nga Serbia

Arrestimi i pjesëtarëve të UÇK-së mund të kuptohet si vazhdimësi e luftës hibride serbe ndaj …