Pyetja “të kujt jemi ne, atdhe?” nuk është pyetje gjeografike, as juridike. Aq më pak abstrakte dhe fare hiç anakronike. Ajo nuk kërkon pasaportë, flamur apo vulë. Është një pyetje ontologjike dhe morale, një pyetje që lind sa herë që individi e ndien veten të huaj në vendin e vet, sa herë që shoqëria nuk e njeh më bijën dhe birin e saj, sa herë që vlera ndihet e përjashtuar dhe mediokriteti i kurorëzuar. Në këtë kuptim, pyetja nuk i drejtohet vetëm atdheut, por edhe vetë njeriut: kush jemi ne, në raport me këtë tokë, këtë histori, këtë kohë dhe ata dhe ato që po na nëpërkëmbin?
Së pari, duhet të pyesim: kush jemi ne? A jemi qytetarë, apo vetëm banorë? A jemi trashëgimtarë të një historie, apo konsumatorë të një momenti? A jemi subjekt i atdheut, apo objekt i tij? Këto pyetje nuk janë retorike, thjeshtë mendoj sejanë thelbësore për të kuptuar dramën e përkatësisë në shoqërinë kosovare dhe shqiptare sot. Një nga figurat më tragjike të këtij realiteti është intelektuali. Në ëndërr, intelektuali është ndërgjegjja e shoqërisë, zëri që pyet, kritikon, paralajmëron dhe ndriçon. Në realitet, intelektuali ose ka heshtur, ose nuk e pyet kush për asgjë. Heshtja e tij ndonjëherë është lodhje morale, ndonjëherë frikë, ndonjëherë përjashtim sistemik. Por më e rënda është kjo: shoqëria nuk e kërkon më mendimin e tij. Fjala e menduar, fjala e argumentuar, fjala e dijes është zëvendësuar nga zhurma, nga opinioni i shpejtë, nga kliku dhe pëlqimi virtual. Dhe nuk mund ta harrojmë, një dukuri, që tanimë është bërë fenomen: sharjet, fyerjet dhe sulmet online nga shtresa më e ulët e shoqërisë- pra politika dhe parapolitika.
Në një shoqëri ku mendimi nuk kërkohet, intelektuali bëhet i tepërt. Jo sepse nuk ka çfarë të thotë, por sepse ajo që thotë nuk përputhet me interesat e çastit. Kjo krijon një paradoks të hidhur: sa më shumë dije të kesh, aq më pak i dëshiruar bëhesh në hapësirën publike. Dhe kështu lind pyetja: i kujt është intelektuali sot? Atdheu i tij e njeh vetëm në ceremoni, në përvjetorë, në fjalime boshe. Në jetën reale, ai mbetet në periferi, i padëgjuar, i panevojshëm. Në ketë process po aq tragjike është figura e luftëtarit. Në narrativën kombëtare, luftëtari është hero. Në realitetin e përditshëm, ai shpesh është barrë. E lavdërojnë vetëm kur vdes, për së gjalli e shajnë, e fyejnë, e dyshojnë dhe e etiketojnë si është më zi e më keq. Sakrifica e tij përdoret si dekor retorik, por jo si kriter moral. Liria për të cilën ai luftoi shndërrohet në pronë private të elitave politike, ndërsa vetë luftëtari mbetet i përjashtuar nga frytet e saj. A nuk është ky realiteti ynë???
Kjo përmbysje morale është një nga shenjat më të rënda të krizës sonë shoqërore. Një shoqëri që nuk di çfarë të bëjë me çlirimtarin e saj për së gjalli, por e shenjtëron vetëm pas vdekjes, është një shoqëri që ka frikë nga kujtesa e gjallë. Sepse luftëtari i gjallë është pyetje e hapur, është dëshmi që kërkon përgjegjësi. I vdekuri, përkundrazi, është i padëmshëm,mund të përdoret pa rrezik, madje edhe mund të përfitohet nga ai, kur është i vdekur më shumë dhe më mire se i gjalli. Në këtë realitet, vlera nuk matet më me integritet, as me dije, as me kontribut. Vlera matet me para, me pushtet, me klimë interneti, me mbështetje nga injoranca. Sa më i zhurmshëm të jesh, sa më i gatshëm për kompromis moral, aq më i pranueshëm bëhesh. Kjo është ekonomia e re e vlerave: një treg ku shitet gjithçka, përfshirë edhe dinjitetin. Punë e madhe për dinjitetin!
Këtu lind një tjetër pyetje e dhimbshme: kush janë “të tutë” sot? Paradoksi është i frikshëm: shpesh “të tutë” janë ata që kurrë nuk të deshën, as dje, as sot, as nesër nuk do të të duan atdhe. Ata janë ata që të përdorin, të përbuzin, por të quajnë të vetin vetëm kur u shërben. Ndërsa ata që të deshën vërtet – intelektuali i ndershëm, luftëtari i sinqertë, qytetari i drejtë – mbeten jashtë rrethit.
Kjo e kthen atdheun në një hapësirë të huaj. Jo sepse toka ka ndryshuar, por sepse marrëdhënia morale me të është prishur. Atdheu nuk është vetëm vend, është marrëdhënie. Kur kjo marrëdhënie ndërtohet mbi përjashtim dhe padrejtësi, atëherë lind ndjenja e mërgimit të brendshëm. Njeriu jeton në vendin e vet, por nuk ndihet i tij. Në planin strategjik, kjo gjendje mund të quhet krizë e përkatësisë. Ne nuk dimë më se kujt i përkasim: shtetit, shoqërisë, historisë, apo vetëm vetes. Kur institucionet nuk përfaqësojnë vlerat, dhe shoqëria nuk i mbron ato, individi mbetet i zhveshur nga përkatësia. Dhe një individ pa përkatësi është i lehtë për t’u manipuluar, por i vështirë për t’u dashur.
Pyetja “të kujt jemi ne, atdhe?” bëhet edhe më shpuese kur shohim se si trajtohet e vërteta. E vërteta nuk është më vlerë, por është opsion. Ajo përdoret sipas nevojës politike apo interesit personal. Në këtë klimë, intelektuali që flet të vërtetën shihet si problem, ndërsa gënjeshtari i dobishëm shpërblehet. Kjo është arsyeja pse mendimi kritik nuk ka hapësirë: ai prish rehatinë e rreme. Dhe megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj errësire, pyetja mbetet e hapur, sepse vetë pyetja është akt rezistence. Të pyesësh “kush jemi ne?” do të thotë të mos pranosh gjendjen si fat. Do të thotë të refuzosh normalizimin e së keqes. Në këtë kuptim, intelektuali që pyet, luftëtari që kujton, qytetari që nuk pajtohet, janë ende subjekte morale, edhe nëse shoqëria nuk i njeh. Së paku kështu mendoj unë. Ndoshta përgjigjja më e ndershme për momentin është kjo: atdheu ynë është i ndarë. Një atdhe i ëndrrës dhe një atdhe i realitetit. Në atdheun e ëndrrës, vlera ka peshë, sakrifica ka kuptim, dija ka autoritet. Në atdheun e realitetit, sundon përmbysja: pushteti mbi etikën, pasuria mbi dinjitetin, zhurma mbi mendimin.
Por historia na mëson se asnjë realitet nuk është i përhershëm. Atdheu nuk është pronë e mediokritetit, edhe kur ai sundon. Atdheu është proces, jo gjendje e ngrirë. Pyetja “të kujt jemi ne?” është ftesë për ta rimarrë këtë proces në duart tona morale. Sepse në fund, atdheu nuk na zotëron, por ne e ndërtojmë ose e shkatërrojmë atë çdo ditë. Dhe nëse duhet dhënë një përgjigje, sado e përkohshme, ajo mund të jetë kjo: ne jemi të atyre që nuk na tradhtojnë në heshtje, të atyre që nuk e shesin të vërtetën për rehati, të atyre që e mbajnë mend lirinë jo si slogan, por si barrë morale. Ne jemi të atdheut që ende nuk është bërë sad he si duhet, por që vazhdon të kërkojë ndërgjegje. Dhe kjo kërkesë, sado e padëgjuar, është ende shpresë.
Prishtinë, me 24 shkurt 2026
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
