Ali Pashë Tepelena

Jokai Mor: Fragment nga kapitulli i gjashtë i romanit, “Luani i Janinës”

Në Romanin:  “Luani i Janinës”, në origjinal “Ditët e fundit të Jeniçerëve” i  shkrimtarit të madh hungarez, Jokai Mor, i cili për herë të parë u botua në Hungari, trajtohen ngjarjet historike të kohës së Ali Pashë Tepelenës, të cilat  janë shpalosur, në  një histori emocionuese të kohës së romantizmit evropian. Rrëfimet plot mister që nga fillimi e deri në fund shpalosin të dhëna për kohën e Perandorisë turke në Ballkan, veçmas në Shqipërinë e në Greqinë e decenieve të para të shekullit 19-të, ku është vendosur ngjarja e romanit.  Heroi i dramës së çuditshme dhe të tmerrshme, ose i një seri dramash, të shpalosura me një shpirt të tillë, me  aftësi dhe gjallëri krijuese në këtë roman,  është Ali Pasha i Janinës, sigurisht një nga figurat më të shkëlqyera që ka prodhuar historia turke në atë kohë. Autori me një anë flet për shumëllojshmërinë dhe monstruozitetet siç ishin konsideruar krimet e Aliut, por në anën tjetër vërehet  edhe aftësia e tij e habitshme dhe guximi i shkëlqyer për t i bërë ballë Perandorisë ende më të fortë të botës. Pashai  shqiptar mbrojti veten në ditët e të fundit të jetës  në kështjellën e tij, duke luftuar me trimat e tij besnikë, gegë e toskë  kundër gjithë fuqisë së Perandorisë Osmane. Kjo është një ngjarje e veçantë në histori. Me një hero të tillë, është e qartë se libri është stërmbushur  edhe skena të jashtëzakonshme; por, edhe pse një roman ai përmban disa studime të shkëlqyera të karakterit oriental, turk, arvanitas, grek dhe shqiptar. Jokai Mor është vëzhgues absolutisht i paanshëm, i cili zbulon me mjeshtëri  botën e Perandorisë Osmane të kohës, e cila rronte mes apatisë dhe brutalitetit. Autori nuk e ka vërejtur sa duhet elementin kombëtar të Ali Pashait, sidomos në vitet e fundit të sundimit të tij në Janinë, kur ai hapur pretendonte që me pashallëkun e tij ta krijonte Shqipërinë e katër vilajeteve.

 

Pjesa e fundit e kapitullit të gjashtë: “Luani në lëkurën e Foksit”

E kundërta e Portës së kështjellës së Janinës, në krye të urës ishte shembur. Ajo qëndronte në një ndërtesë guri, e rrethuar me armët, të cilat tani kishin rënë në duart e suliotëve. Kjo ndërtesë ishte zgjedhur nga dy burrat grekë për vendbanim. Ata donin të ishin sa më afër Aliut, ata nuk do ta lejonin atë të shpëtojë as po të bëhej  zog apo një frymë. Armët e mëdha të rrethimit u vunë në portën e rrethuar me mure. Ai që nuk do të dorëzohet le të gjejë varrin e tij në fortesë.

Dhe ja! ai e kishte gjetur varrin e tij pa u këshilluar me të.  Krejt kot armiqtë e tij i kishin mprehur armët e tyre kundër tij. Shpata e vdekjes është më e shpejtë dhe shkurton më shpejt. Ata nuk kishin qenë në gjendje ta arrijnë atë në fushën e betejës, tani po përpiqeshin që shpatën hakmarrëse t’ ia  ngulnin në zemrën e tij. Ata nuk kishin qenë në gjendje ta sillnin kokën. Ai kishte vdekur  në shtratin e tij, i patundur,  i pafajshëm, ashtu sikur vdes më në fund çdo njeri i drejtë.

Kleoni dhe Artemisa ishin ulur në një dhomë të fortesës së ndriçuar nga  drita e një qiri që po dridhej. Vajza, e cila e kishte shtypur gjoksin e saj femëror, po ecte lartë e poshtë në dhomë me krahë të palosur. Në fytyrën e saj nuk kishte as një veçori të vetme femërore. Ishte aq e ftohtë sa fytyra e një statuje.

-Kështu pra, ai është i vdekur, i vdekur! Këtë frazë e përsëriti sa e sa herë për veten e saj dhe i dukej vetja e  paaftë të largonte nga goja atë fjali.

– Aliu ka vdekur, por jo nga  dora ime.

Kleoni  ishte i  jashtëzakonshëm ashtu  si motra e tij; në të vërtetë, fytyra e tij e re mezi ndryshonte pak nga të tjerët, por në sytë e tij shkëlqente një lloj  flake tjetër.  Fytyra e tij ishte e mbushur me mendime të errëta, ishte shumë më e tmerrshme, ishte e lirë dhe e hapur, dhe plot shpresa rrezatuese.

– Triumfi im ka humbur vlerën e vet  nëse Ali Pashë Tepelena ka vdekur, tha ai me një si psherëtimë. Dhelpra e vjetër ka shmangur çelikun tim duke u strehuar në ferr. Oh, po të mund ta ndiqja edhe aty, t’ ia shihja lotët në mjekër, të cilat ai ua ka larë me gjak, të afërmve të mi.

– Ja, këtu është mjekra ime e zezë,  bërtiti një zë në atë çast nga fundi tjetër i dhomës, dhe vëllai e motra panë Ali Pashtë Tepelenën duke qëndruar para tyre. Dy të rinjtë e goditur nga e papritura krejt e paparashikueshme e humbën vetëdijen. Tmerri i gozhdoi ata në tokë, me të  gjithë gjymtyrët e tyre, kur panë atë që ata imagjinonin të ishte një spektër, që qëndronte atje para tyre në mantelin e vetë të njëjtë, gri, në të cilën ai ishte varrosur dy ditë më parë.

– Ja, këtu jam, unë, Ali Tepelena!

Në atë moment në dhomë kishin nxituar shqiptarëve e armatosur deri në dhëmbë dhe dolën para  Kreonit e Artemisës duke ua rrëmbyet armëve të tyre dhe duke i lidhur të dy, së bashku.

Ishte me të vërtetë Ali Tepelena, i cili qëndronte para tyre?!.

Besnikët e tij e kishin ruajtur  nëntokë, në atë nëntokë ku deri atëherë ishin vetëm rrugët e kthinat, që nuk i kishte ditur askush përveç tij, ato ishin rrugët e njohura për të. Tërë spektakli i ndërhyrjes ishte rregulluar nga vetë Aliu.  Kishte qenë një dalje nga fundi i varrit të tij në korridoret nëntokësore. Kur gëzimi dhe kënaqësia e përgjithshme për fitoren ishte në kulmin e saj, ai kishte dalë nga një hendek nëntokësor i ndërtuar nga  poshtë me kanale që rrethonin dhe degëzimet e saj shtriheshin jashtë deri në krye të urës. Aliu e kishte habitur krejtësisht garnizonin  se ata nuk kishin qenë në gjendje të gjuanin as me  një e shtënë. Suliotët ishin befasuar dhe ishin çarmatosur derisa kishin parë  ëndrrat e tyre të fitores.

-Lart, lart, Gasko-bej! Ngrihuni, Muhammed Aga! Hipni kuajve  ju kapitenë, kape shpatën Pehlivan Pasha! Rreziku është në dorë! Kjo është një natë e keqe dhe pa gjumë.

Papritmas një shpërthim i frikshëm tronditi terrenin, sikur toka të ishte duke u shkatërruar në themelet e saj, dhe në mes ishte përhapur  një flakë e ndritshme sikur drita e ditës, e cila dukej sikur depërtonte te yjet. Topat ishin parë duke u ngritur në erë. Gunorët në kazerma ishin ngritur  në ajër. Minaret e xhamive kishin  ranë të parat nga dridhja e fuqishme.  Çdo ndërtesë e rrumbullakët apo me kënde ishte shkatërruar dhe ishte kthyer në rrënojë. Ne një moment gjysma e qytetit u zvogëlua në një grumbull mbetjesh e gërmadhash. Momenti i ardhshëm ishte shënuar kur kishte rënë breshëria e  trarëve të djegur dhe gjymtyrët e prishura njerëzore mbi gërmadhat, ku po derdhje  gjaku dhe zjarri që kishte kapluar çdo cep.

Në atë mënyrë Ali Pashë Tepelena  e tregoi ringjalljen e tij para armiqve. Ai kishte shkuar nën tokë, dhe tani nga nëntoka përsëri kishte filluar luftën, me ata ushtarë besnikë që i kishin mbetur, vetëm  me shtatëqind shqiptarët e tij.

Trupi prej gjiganti i Gasko-beut, gjysmë i  zhveshur,  sapo kishte dalë jashtë krevatit. Ai kishte nxituar në fund të rrugës, dhe ishte aq i hutuar sa nuk e njihte  as një njeri me të cilin takohej. Ushtarët ishin ngjallur papritmas, gjysma prej tyre sikur të  çmendur ishin gjendur përballë një konfuzioni të papritur, disa  duke qarë jashtë, njëri duke kërkuar kalin e tij, tjetri duke kërkuar armën e  tij. Dhe në atë gjendje katrahure mbi kokat, shpërthenin  bubullimat e qiellit, që rënkonin me frikën në palcë duke bërtitur, po vjen Ali Pasha i ringjallur, po fluturon  mbi një kalë të bardhë, me mjekrën e tij të bardhë. Kush do ta guxojë të ballafaqohet me atë fytyrë? Turma ishte  goditur nga paniku dhe  mijëra syresh binin nën shpatat e shqiptarëve aq sa rrjedhat e gjakut dukeshin si përrenj në rrugët e Janinës.

Ali Pasha, i vdekuri, kapiteni i varrosur, mbushte zemrat e atyre luftëtarë me frikën e vdekjes. Askush nuk mund të kundërshtojë atë.

Vetëm Pehlivan Pashai, heroi i fortë i betejës kishte qenë në  gjendje të parandalonte marshimin e ushtarëve të Ali Pashait, e cila ishte rrethuar dhe ishte shpërndarë krejtësisht nga një grusht shqiptarësh. Ai i mblodhi ushtarët që kishin  ikur  jashtë qytetit dhe, ndërsa Aliu me luftëtarët e tij po vrisnin secilin që kishte depërtuar brenda. Pashai turk kishte  përparuar  në betejë dhe ishte vendosur përballë forcave të Ali Pashait.

Tre mijë nga forcat e rrethimit të kështjellës së Ali Pashait,  kishin vdekur, nga armët e mprehta ose kishin pësuar nga dridhjet dhe shembja e godinave  dhe udhëheqësit e grupeve të suliotëve  ishin burgosur. E  gjithë kjo kishte qenë  rezultati i pritjes gjatë natës!

Pehlivan Pashai,  kështu e rimori qytetin e shkatërruar nga dridhje e luftimet dhe i vendosi njerëzit e tij në deri te Tregu, pa ndjekur më tej Aliun. Por ai kështu kishte vendosur pa e pritur dhe pa e pyetur  Gasko beun, i cili më në fund kishte arritur  duke u ngutur dhe duke e  përplasur zemërimin e tij.

– Pse  u ndalove, pse nuk u fute në kështjellë?- iu kishte drejtuar me zemërim.

-Nuk do të bënte që Aliun ta shtrëngojnë  shumë ngushtë, u përgjigj ai dhe shtoi ,Le të fluturojë, nëse fluturon dot.

Gasko beu, duke shkumuar me zemërimi, e mori  shpatën nga dora e Pehlivanit, sepse nuk dinte ku i kishte mbetur shpata e vet dhe duke e vendosur veten në krye të një grupi të kalorësve, filloi të ndjekë armikun gjatë  tërheqës.

Aliu po ecte shumë mirë në drejtim të fortesës, pa u shqetësuar fare nga  ndjekësit e tij, edhe pse ata tani ishin vetëm  gjashtë herë më të shumtë sa forcat e tij.

Kur Gasko-beu e kishte thirrur Ali  Tepelenën që të dorëzohej ai ia kishte kthyer.

Ju keni ardhur në një vend të keq, o beu  trim!. Kjo tokë është e imja, dhe ajo që është nën të e mbi të, ku po shkel ti,  është imja, këtë si duket  nuk po e  di akoma? “

Gasko-beu natyrisht nuk e kuptonte mirë, derisa forcat e Aliut, përmes një rakete që  fluturoi në ajër,  dhanë shenjë se nga brenda kështjellës  papritmas shpërthyen të  gjitha minat që ishin gërmuar nën të, mbi të  gjitha rrugët e qytetit. Ali Pashai i kishte përgatitur këto gjatë ditëve e tij të ngeshme duke kaluar nëpër kanalizimet e ujit dhe duke bërë nëntokë korridore mjaft të mëdha për të mbajtur depo të barutit.

Aliu mblodhi ushtarët e tij në krye të urës dhe kur, papritmas, u ndje  shpërthimi i përnjëhershëm  gjatë gjithë gjatësisë së rrugës, dhe flaka shkatërruese i hodhi skuadrat ndjekëse në ajër, njërin pas tjetrit. Ai do të kënaqej më së shumti kur mendonte se çfarë jehone do të bënte kur të shkatërrohej  maja e fortesës. Për një kohë të gjatë kështjellarët e Ali Pashait  mund të dëgjoni klithmat e britmat e ushtarëve armiq, sërish të mundur në përpjekjet e tyre të kotë për të hyrë në kështjellë.  Një e treta e ushtrisë turke në rrethim ishte  shkatërruar në një natë të vetme. Pjesa tjetër e la qytetin e mallkuar, që dukej se ishte ndërtuar mbi vetë ferrin e kësaj bote dhe ishte pozicionuar  në fushat jashtë dhe në lartësitë e Lithanizzës, për të vëzhguar.

Dielli që sapo kishte dalë në qiell kishte  duke zbuluar një spektakël të tmerrshëm. Qyteti i Janinës nuk ishte më  shtëpi të bukura, të larta, xhamitë, minaret e hollë e të bardhë, kazermat nuk dukeshin më.

Në vend të tyre, gjithçka që mund të shihej ishte një masë pa formë e rrënojave të grumbulluara, aty këtu në një sfond të errët, të djegur nga flaka e shembjet e gjithçkaje,  një grumbull i gërmadhave të prishura, të zeza të hapura, të shëmtuara, të shtrira e  të shpërndara në mesin e tyre si mbeturinat. Një trishtim kishte kapluar edhe poshtë në liqen, ku rridhte  një lumë i errët me ngjyrë  të kuqe të gjaku, atje ku  edhe rrugët kishin marrë plagë  brenda dhe jashtë rrënojave.

       * * * * *

–  O fëmijë të varfër, sa ëmbël janë duke fjetur! kishte thënë Aliu në një cep të Kullës së Kuqe, kur kishte parë  duke fjetur krah për krah, Artemisën dhe vëllanë e saj, Kleonin. Ata flinin me njëri-tjetrin sikur të përqafuar, madje nuk ishin zgjuar as nga vështrimi i Aliut.

  • Mos i zgjoni nga gjumi, le të flenë  u tha ai  eunukëve të tij memecë.

Dhe përsëri ai i shikonte  ata me një buzëqeshje,  ata flinin aq mirë dhe megjithatë ata nuk e kishin ditur kur ranë në gjumë nëse do të zgjoheshin ndonjëherë.

Aliu nuk i zgjoi nga gjumi. Tri herë ai dërgoi për të parë nëse ata ishin zgjuar, por nuk do t’i shqetësonte. Më në fund u dëgjuan fërkimet e duarve të  të rinjve të lidhur me zinxhirë

– Isha në rrugën time në Akro-Korint, tha Kleoni duke fërkuar sytë dhe duke rrëfyer ëndrrën e tij, pastaj pashë ata që po  rindërtonin Partenonin”.

– Unë qëndrova në Thermopile dhe pashë sesi  mijëra armiq ranë  para meje.

– Dhe tani do të na dërgojnë lartë kishte thënë  Kleoni, duke dëgjuar sesi dyert e hekurit të burgut u hapën ngadalë.

– Bëhu i fortë! i tha motra  duke i shtrënguar  dorën vëllait të saj e cila ndodhej e lidhur me zinxhirë afër tij. Eunukët memecë i rrethuan dhe i çuan përpara Ali Pashës.

Pashai ishte ulur në një divan, dhe ende në trup mbante veshjen e tij të varrimit. Të gjithë kthinat e mobilet ishin të mbuluara me rroba të ngjyrosura me ngjyrë të kuqe; atje nuk kishte asgjë e artë, asgjë që do të shkëlqente në dhomë.

Vëllai dhe motra qëndronin para tij duke i shtrënguar  duart njëri-tjetrit.

– Fëmijët e mi të dashur, tha Ali Pasha, me një zë që dridhej nga emocioni, mos e shikoni njëri-tjetrin  por më shikoni mua! Në zërin e pazakontë, me fjalët e tij plor dashamirësi, vëllai dhe motra e kuptuan se  ai po i vështronte me dhembje  dhe në sytë e tij vëreheshin pika loti.

Aliu u bëri thirrje eunukëve, që ata t’i  lironin nga zinxhirët motër e vëlla.

– Ju jeni të lirë dhe mund të ktheheni në shtëpitë tuaja, u tha Aliu.

Këto fjalë kishin efektin e një goditjeje të papritur ndaj të rinjve, dhe fytyrat e tyre u  ndriçuan  me një ndjenjë gëzimi.

– Pse gëzohesh?- i tha Kleoni, Artemisës, duke hedhur vështrimin mbi të. A nuk e kupton se përbindëshi  po tallet me ne, dëshiron të nxisë gëzimin brenda nesh, që ai të ndezë shpresat tona dhe pastaj na e bën vdekjen gjithnjë e më të hidhur.

– Pse po tallesh me ne, na vrisni shpejt, ose na mbytni me vuajtje të vazhdueshme, na i bëni të gjitha një për një, por mos u tallni me ne!

 Ali Pashë Tepelena me ngazëllim ngriti sytë drejt qiellit.

– Shpirti im është një libër i hapur para jush, ju jeni të lirë.  Ju liroj të gjithë juve suliotëve sepse ne e kuptojnë njëri-tjetrin. Unë kam mëkatuar ashpër kundër jush, por edhe ju m’ u keni hakmarrë  mua. I kam djegur fshatrat tuaja, ju, në këmbim, i keni shkatërruar kështjellat e mia. Unë kam plaçkitur tokat tuaja, dhe ju mbi supe  keni marrë  pasurinë time. Unë kam vrarë dhëndrin tënd, por ju nga shtëpia e tij e keni rrëmbyer dhe ia keni  prerë kokën, nipit tim të dashur. Ju ma keni vrarë gruan time të dashur.  Tani jeni të lirë, nuk më keni as ju kam kurrë farë borxhi. Shkoni në paqe! Ali Pashai Kishte folur me aq  shumë sinqeritet, me aq shumë pendim, e dhembje sa edhe shërbëtorja vigjilente kishte filluar ta shikonte atë me kuriozitet simpati.

– Ti dukesh i mahnitur nga ndryshimi i fytyrës sime  tha Aliu, duke i vëzhguar sesa  përshtypje i kishin bërë fjalët e tij  Artemisit. Ti nuk më ke parë kurrë më parë! Ai Aliu  tjetër, të cilin e ke njohur ti, apo ke dëgjuar për të, nuk është më. Ai vdiq dhe u varros. Kishte shprehur një pendesë të thellë që kishte buruar nga mëkatet e tij të tmerrshme të së kaluarës.

Dhe, me të vërtetë, Aliu kishte  në gjunjë para Artemisit, në mënyrë që ai mund të puthte rrobën e tij. Kishte derdhur lot te këmbët e vajzës së re, por ajo nuk e kishte duruar dhe  ishte ngritur nga vendi. Në fund të fundit, ajo ishte një grua dhe nuk mund të duronte të  shihte  ndonjë burrë, që qante para saj.

-Dëgjoni tani atë që them, pastaj mund të mendoni se unë jam çmendur.  Gjatë natës pashë një ëndërr. Një vajza tërë shkëlqim e  madhështore zbriti në pragun tim nga mesi i qiejve  të ndritshëm, të hapur, të rrethuar nga një shoqëri e fëmijëve me krahë. Vajza më shikoi me butësi, me kaq dashamirësi. Një dritë hyjnore shkëlqeu nga pamja e saj, dhe, në tokë poshtë, të gjitha lulet i kthyen fytyrat e tyre drejt saj, sikur të ishte dielli. Në krahët e kësaj çupë qiellore u ul një fëmijë, por çfarë ishte ai  fëmijë! Në sytë e tij, pashë sesi dridhej nga gëzimi. Rrotull rreth kokës së atij  fëmije ishte një kurorë me yje dhe buzëqeshja në fytyrë ishte vetë shpëtimi. Dhe kur ngrita duart e mia që  dridheshin  drejt saj, zonja qiellore dhe fëmija zgjatën armët drejt meje, dhe nga buzët e vajzës, me një zë të ëmbël, të ëmbël, ajo i foli këto fjalë: – Ali Tepelena, unë po të thërras!’ dhe unë radhë në gjunjë para saj .

Vëllai dhe motra u gjunjëzuan pa dëshirë pranë Aliut dhe ai  i mbushur me përkushtim, kishte thënë, “Bekuar qoftë Virgjëresha e shenjtë!”

Ali Pasha kishte vazhduar së treguari ëndrrën e tij.

Me fytyrën time të mbuluar me duar, unë dëgjova fjalët e ndritshme dhe pastaj ajo m’u drejtua me një zë të keq, i cili më shpërtheu zemrën time. Ali Tepelena kujdes: Ku unë ngrita fytyrën time, pashë  shtatë shpata që drejtoheshin drejt zemrës e çupave qiellore, dhe ndjeva që dora ime të lëkundej me lemeri. Ali Tepelena më tha zonja për herë të tretë, këto shpata ti mi ke ngulur në plagët e mia dhe gjaku im është derdhur mbi kokën tënde! Edhe unë me rënkim u përgjigja.

– Si mund ta bëja këtë kur nuk po të njoh ty? Dhe ajo u përgjigj: Ai që e persekuton fenë e tjetrit, persekutohet dhe ai që rrëmben, e rrëmbejnë. A nuk i  bëre rrafsh me tokë kishat e Tepelenës, Turezit  dhe të Tripolizzës?

– Betohem se do t’i ndërtoj ato përsëri, u përgjigja, duke ngritur dorën për të dhënë me  solemnitet  zotimin tim, Dhe sapo fola  njëra  nga shtatë shpatat ra nga zemra e zonjës dhe më tha:

– A nuk i ke rrëmbyer suliotëve  fëmijëve të tyre dhe pastaj i ke bërë myslimanë?

– Të  betohem që unë do t’i bëj përsëri të krishterë!  dhe nga  fjala e dyta shpata ra nga zemra e saj.

– A nuk i ke çliruar vajzat nga  haremi yt?

– Betohem se do t’i kthej në Sul, në shtëpitë e tyre, dhe me atë fjalë shpata e tretë ra nga zemra e saj.

– A nuk ke tubuar thesare të mëdha nga trashëgimia e të vejave dhe nga jetimët? Duke e goditur tokën me kokën time, iu përgjigja: ‘Të gjitha thesaret e mia do t’i kushtohen shërbimit tënd!.

 Dhe kështu ajo m’i regjistroi mëkatet e mia të vdekshme një nga një, dhe unë  u betova për të bërë në mënyrë rigoroze dëmshpërblim për ata me një betim të pakapërcyeshëm, dhe aq herë sa unë u betova,  nga një shpatë ra në këmbët e mia. Por së fundi një shpatë mbeti brenda dhe pastaj ajo më pyeti:

– A nuk e ke kërkuar vdekjen e  suliotëve, vëlla e motër  të cilët ishin më besnikët dhe më mbrojtësit e altarëve të mia? A nuk i ke futur në gropën tënde, dhe a nuk është vdekja e tyre një gëzim për veten tënde? I tmerruar, e vura dorën mbi zemrën time, sepse me të vërtetë ai kishte qenë  mendimi im,  por  jo për t i vrarë  pa një luftë të ashpër. Unë në atë çast u shkunda nga ëndrra dhe thashë se  këta dy të rinj janë armiqtë e mi më të fuqishëm, që janë betuar për të më vrarë; por nëse ti urdhëron, unë do t’ ua heq duart nga zinxhirët dhe do t’i liroj. Me këto fjalë shpata e fundit ra gjithashtu nga zemra e saj, dhe ajo u m’u drejtua:

– Ali Pashë Tepelena, merri  këto shpata në dorën tënde dhe bëj si ke thënë. Dhe duke i thënë këto  ajo u kthye në qiell, dhe retë u mbyllën pas saj. Unë  mbeta vetëm me shtatë shpatat e mia në duar,  mbi të cilën u shkruan shtatë premtime. Ky ëndërr që pashë gjatë natës, të cilën e  kam  kaluar vetëm,  tani ka reflektuar  mbi fjalët e mia.

Mendimet e vëllait dhe motrës ishin shumë të shqetësuara. Asnjëherë, asnjë nga myslimanët para tij nuk  kishte folur me një përkushtim të tillë, me entuziazëm të tillë të vizionit të tij, dhe  ishte e pamundur të vihej në dyshim realiteti i fjalëve  tij, emocioni i dukshëm në pamjen e tij, lotët në sytë e tij, dridhjet në zërin e tij. Ai e provoi vetë, provoi me të vërtetë atë që ndjeu dhe ato që i tha.

Ndërsa të dy  ishin duke qëndruar atje duke medituar mbi ëndrrën e plakut Ali Tepelena ai i mori përdore  dhe i çoi në dhomën e thesarit të tij. Atje u tregoi atyre grumbuj e grumbuj të  arit dhe argjendit, monedhat ishin të grumbulluara në  një maje, dhe çeliku i arkës  ishte shkrirë në to.

– Thesaret e mia janë në dispozicionin tuaj – përdorini ato sikur do të  dëshironi,  pastaj, duke përzgjedhur në mesin e diamanteve ndau dy gurë, me vlerë një njëqind mijë sequins, ai i vendosi ata në duart e Kleonit dhe Artemisës. Ajo tha: “Këto do t’i dërgoj në organizatën “Heteria”.

Po çfarë do të thotë Aliu nëse e përmendi këtë shoqëri sekrete, e cila tashmë kishte minuar  gjithë Perandorinë Turke, ashtu sikur ai e  kishte minuar Janinën? E vërteta është se krahu i Aliut kishte  arritur deri në Stamboll dhe deri në Bukuresht gjithashtu.

Pastaj ai e udhëhoqi vëllanë dhe motrën në arsenalin e tij, dhe atje ata panë tërë ato armë  zjarri të prodhuara  nga fabrikat më të mira të armëve në Angli dhe në Francë.

– Ju po e shikoni, se unë një fushë të tërë me armë e kam në Janinë.

Vëllai dhe motra shprehen të njëjtin aprovim.

– Ali Tepelena, i  tha vajza.

– Urdhëro, ia ktheu pashai.

– Na ke bërë shumë dëm, dhe ne të kemi  bërë shumë dëm, le të veprojmë sikur ta shihnim njëri-tjetrin për herë të parë.

– Unë ju fal tha ai.

– Unë do të harroj që ti e vrave të fejuarin tim në këtë dhomë, dhe ti harroje  se ne kemi vrarë nipin tënd. Sillni në mend, për më tepër, se jo vetëm ne jemi robër në këtë kala, por edhe ti je i rrethuar nga ushtritë e armiqve tuaj.

– Unë vetëm jam rob, tha Aliu me përulësi. “Betohem për Allahun, ashtu sikur i  kam premtuar  Virgjëreshës së shenjtë, që unë do t’ju liroj  juve  dhe të gjithë shokët tuaj, pa asnjë kërkesë.   Çfarë mund të ndodhë pas kësaj me ju  nuk mund ta di.  Aliu nuk ka edhe shumë kohë  për të jetuar tani. Por ditët e luftës tuaj janë ende gjallë, dhe nëse ndonjëherë koha duhet të vijë kur planet tuaja kanë nevojë për ndihmë të armëve dhe thesareve, mos harroni se në Janinë ka mjaftueshëm.

Artemisa ishte i detyruar të besonte në sinqeritetin e fjalëve të Aliut.

Dhe pastaj pashai, me dorën e tij, kishte zgjedhur dy shpata dimiskie  të bukura nga dyqani i tij i armëve, dhe ua  lidhi ato me brez, vëllait dhe motrës suliote. Çfarë ngrohtësi vetëbesimi shprehen ata kur kishin ndjerë  se ishin të armatosur me shpata.

Pastaj ai i çoi ata te shokët e tyre suliotë, të cilët ishin mbledhur në oborrin e kështjellës dhe i informoi se të gjithë ishin të lirë të shkonin ku të donin. Dhe pastaj vuri verë dhe pilaf një turme të rehatshme të robërve, dhe i la të hanë dhe të pinë bashkë me ta edhe vetë arnautët, besnikët e Pashait. Nën ndikimin paqësor të verës së mirë, ata kishin përqafuar njëri-tjetrin dhe ishin betuar për miqësi të përjetshme, si vëllezër që ishin, suliotët dhe shqiptarët.

Ali pastaj u ndau pushkët e tij të gjata më të mirat me rreze të gjatë veprimi dhe me bajoneta. Ato iu kishte shpërndarë suliotëve të zënë rob më parë  dhe nuk kishte shprehur aspak  frikë  se ata do t’i kthejnë këto armë kundër tij. Pastaj ai

puthi vëllanë dhe motrën, në ballin e tyre dhe ua dha atyre bekimin që  ta kalojnë nga tuneli  sekret që çonte në qytet.

       * * * * *

Ndërkohë, në kampin e Gaskho Beut  filluan të  qarkullojnë lajmet se  një çift, motër e vëlla i shqiptarëve që ishin kapur, në mesin e rrënojave të qytetit, Aliu i kishte liruar. Po ashtu ishte folur se suliotët, në kampin e betejës kishin arritur në marrëveshje sekrete me Pashën e Janinës. Në të vërtetë, secili e kishte vërejtur që Aliu nuk i kishte i kishte goditur  me topa suliotët. Por robërit rrëfenin akoma më shumë. Ata thanë se Artemisa  dhe Kleoni kishte pasur takime sekrete me Aliun në tunelin nëntokësor, dhe ata iu kishin dorëzuar atij vullnetarisht. Lajmi duket se ishte argumentuar mirë sepse ata kishin mbijetuar më së fundi. Aliu e kishte bërë sulmin e tij kulla në krye të urës, dhe  Suliotët kishin  gjuajtur vetëm një predhë  për të treguar praninë e tyre

Të burgosurit insistuan gjithashtu që Aliu do të bënte një sulm tjetër kundër ushtrisë së rrethimit, dhe pastaj të gjitha të krishterët, shqiptarë e grekë do të  bashkoheshin në Kampin e tij.

Këto raporte, me variacione akoma më të tmerrshme, filluan të zgjerohen në të gjithë ushtrinë dhe sapo kishte ndodhur një afrim midis të krishterëve dhe myslimanëve. Ushtarët e Perandorisë Osmane kishin kërcënuar ushtarët e huaj, dhe këta të fundit filluan të formojnë kudo vetë grupe të pavarura të vogla për mbrojtje të ndërsjellë.

Gasko beu dhe Pehlivan Pasha me nxitim formuan  një këshill të luftës dhe morën vendim që të gjithë  grekët duhet të çarmatoseshin Për këtë qëllim ata i mblodhën në të në mes të kampit dhe u rrethuan me ushtarë turq dhe pastaj, duke u treguar armët i urdhëruan që të shtriheshin për tokë dhe menjëherë të dorëzonin armët e tyre, ose të gjithë do të vriteshin si qentë.

Suliotët dhe shqiptarët dëgjuan këtë thirrje me indinjatë të thellë. Ata kishin parasysh zemërim e turqve për shkak të humbjeve dhe etjen e tyre për gjak. Shumë burra do të kishin humbur jetën po të mos i kishin  dorëzuar armët, me të cilat ata donin ta mbronin veten e tyre. Ata zgjodhën dymbëdhjetë të rinj nga radhët e tyre dhe shkuan  te gjenerali turk, për të pyetur lidhur me  arsyen e këtij  demonstrimi alarmues.

Gasko-beu kishte ende në një pasion të tmerrshëm, dhe fjalimi i guximshëm i të rinjve  e irritoi  atë akoma më shumë. Ai i kishte tërhequr ata mu në mes të kampit, përpara batalioneve të mbledhura dhe urdhëroi që kokat e tyre të shfaroseshin, duke paralajmëruar në të njëjtën se kushdo që nuk i bindej këtij urdhri, do ta ketë të njëjtin fat.

Rrobat, dymbëdhjetë të rinjve ua hoqën në prani të  shokëve dhe i detyruan ata të rrinë ulur  mbi gjunjë,  derisa të merrnin urdhër për t’ua kokat një nga një.

Por derisa nuk kishte filluar  prerja e kokave, kishte shpërthyer një zhurmë e madhe nga drejtimi i Janinës. Ata ishin  motra dhe vëllai i çliruar,  Artemisa dhe Kleoni, në krye të  grupeve të luftëtarëve të  tyre. Ata kishin parë nga kulla e Janinës rrezikun me të  cilin u kërcënuan shokët e tyre, dhe arritën pikërisht kur ekzekutuesit ishin duke u përgatitur për të kryer urdhrin e  Gasko-beut.

Suliotët e shpërndarë në grupe shikuan me sy njëri-tjetrin. Britmat e tyre të hidhërimit dhe zemërimit shpërthyen mbi forcat ushtarake turke. Në një moment i tërë kampi Gasko-beut u shndërrua në një turmë kaotike, ku shqiptarët dhe kalorësit turq, suliotët dhe timariotët, luftuan të gjithë në një katrahurë, ku  nuk dihej kush kënd po e sulmonte. Ishte një luftë e papritur në kundërshtim të plotë të gjitha shkencat ushtarake, ku nuk njihej miku as armiku. Më kot, komandantët ngritën flamujt, më kot oficerët  brohorisnin me një zhurmë kaotike. Edhe gjiganti Gasko-beu bënte të njëjtën gjë. Ushtria ishte aq keq  e çorganizuar që nuk dihej as kush po humbiste as kush po fitonte. Në mbrëmje, suliotët, nën komandën e Artemisës, kapën Lithanizzën  ndërsa Gaskho Bey, me gjithë ushtarët e tij,  në  dëshpërim, kishin ikur  rrugës për në Durrës. Kur ai arriti atje, ai zbuloi se nga gjithë ushtria e tij vetëm 12 veta mbetën me të. E gjitha ushtria kishte dezertuar ose ishte sulmuar përgjatë rrugës. Ata kishin lënë pas  artilerinë pajisjet, topat dhe municionet.

Por Ali Pashë Tepelena me buzëqeshje të ëmbël i shikonte me qetësi nga maja e  Kullës së  Kuqe të Janinës, ndërsa forca e madhe armike  ishte shpërqendruar  për vdekje dhe kishte ikur në çdo drejtim, pa pasur nevojë të godiste qoftë edhe një gjyle  topi mbi ta. Shpata e Aliut ishte shpata e fitores, por ai ishte i bindur se gjithëçka do të kthehej përsëri …

Romani, “Luani i Janinës”, i shkrimtarit hungarez, Joki Mor, ndodhet  në dorëshkrim dhe pret të botohet, për herë të parë në gjuhën shqipe. Romani është botuar në gjuhën hungareze në vitin 1854.

( Përktheu, Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

SEJDO HARKA; “Artisti i Popullit” Reshat Arbana në gjurmët e një ‘’bestselleri’’  tek Libri i Albert Zholit  

Të shkruash për ‘’Artistin e Popullit’’ Reshat Arbana, është si të gdhëndësh një  statujë prej …