Ali Pashë Tepelena

Jokai Mor: Kapitulli XVI i romanit, “Luani i Janinës”, roman i përkthyer shqip, në dorëshkrim

Romani “Trëndafili i bardhë” ( A feher ruzsa) është botuar për herë të parë në vitin 1853. Më vonë, ky roman së bashku me romanin tjetër “Luani i Janinës u botuan me një titull të vetëm: Ditët e fundit të jeniçerëve ( A janicsarok vegnapjai), Romani “Trëndafili i bardhë” prej kohës kur është shkruar e deri tani është ribotuar dhjetëra herë dhe është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Ky roman është përkthyer në shqip nga Ahmet Qeriqi,  ndërsa e ka botuar Radio-Kosova e Lirë,  në vitin 2012.

 Në Romanin:  “Luani i Janinës”, të  shkrimtarit të madh hungarez, Jokai Mor, botuar në vitin 1854, në Hungari, trajtohen ngjarjet historike, të dy viteve të fundit të jetës së Ali Pashë Tepelenës, të cilat  janë shpalosur, në  një histori emocionuese të kohës së lulëzimit të romantizmit evropian. Rrëfimet plot mistere dhe skena të papritura që nga fillimi e deri në fund shpalosin të dhëna historike por edhe imagjinare për kohën e Perandorisë Osmane në Ballkan, veçmas në Shqipëri e në Greqinë e decenieve të para të shekullit 19-të, ku është vendosur ngjarja e romanit. Jeniçerët kanë qenë një formacion i njohur e ushtrisë turke. Ata  shumë herë kishin ngritur krye edhe kundër sulltanëve, veçmas kundër  Sulltan Mahmudit të Dytë, i cili  kishte bërë  përpjekje për ta  ripërtërirë Perandorinë që po shkonte pashmangshëm drejt shkatërrimit, por që asokohe ishte mjaft e fortë dhe e zënë me luftë në tri kontinente, në Evropë, Azi e Afrikë. Kundërshtari më i madh i Sulltanit në Ballkan dhe Evropë në deceniet e para të shekullit 19-të pa dyshim se ishte Ali Pashë Tepelena, i cili sundonte në pjesën më të madhe të Ballkanit, si pasha i Turqisë, por pa i përfillur urdhrat e Sulltanit, ose duke i përfillur vetëm atëherë kur nuk i cenoheshin interesat e tij.

 Shumë prej elementëve romantikë të realitetit historik të kohës  janë pasqyruar me mjeshtëri në këtë libër me  imagjinatën e Jókai Morit. Perandoria Osmane  dhe ngjarjet e përgjakshme historike, luftërat komplotet më Pallatin e Sulltanit dhe kudo në trojet e sarajet e pashallarëve të saj, janë përshkruar me realizëm. Pastaj  luftërat dhe përpjekjet e popujve të Ballkanit e më gjerë për çlirim nga despotizmi i pashallarëve, veçmas nga ai i Ali Pashë Tepelenës, për të cilin shtypi i Evropës shkruante se Perandoria kishte dy Sulltanë, një në Stamboll, tjetri në Janinë duke i shtuar të gjitha këtyre  dhe imagjinatën romantike të shkrimtarit,  janë tërësia organike e romanit që rigjeneron në këtë vepër dhe që është njëra  ndër më të mirat të romantizmit hungarez e evropian, mjerisht e panjohur deri tani për publikun lexues shqiptare  Por thelbi i kësaj historie të mrekullueshme, që rrëfehet në këtë roman  është ndërthurur ashtu sikur edhe  në romanet e tjera të këtij autori me përmbajtje historike, si një ngjarje mjaft e besueshme, për botën turke të kohës dhe njohurinë çuditërisht të saktë të jetës turke, të cilën, Jokai Mor e ka shpalosur me një realizëm të jashtëzakonshëm. I tillë ka qenë ky shkrimtar  edhe në romanin tjetër, “Trëndafili i Bardhë” ku po ashtu personazh kryesor ka komandantin e jeniçerëve, shqiptarin nga Hurpishti i Manastirit, Halil Patrona

Emineja, ( Ditët e fundit të Ali Pashë Tepelenës)

Luani ishte  mbyllur brenda një sheshi prej gjashtë oborresh, në një Kullë të  ngushtë dhe nga katër frëngjitë kishte parë se forcat  armike ishin nisur drejt vendit të fundit, të cilin ende e kishte nën kontroll.  Atje ai rrinte ulur në një dhomë tetëkëndëshe, në të cilën kishte kaluar aq shumë momente të paharrueshme gjatë jetës së tij.

Tani kishte përthekuar  kokën me duart e tij  duke sjellë në  kujtesë momentet e së kaluarës, kur para syve dhe mendjes së tij gjithçka ishte kishte përfshirë një si  një procesion me hije melankolike. Rreth tij ishin edhe  thesaret, që i mbante aty, në grumbujt prej ari dhe argjendi, pllaka masive të arit, gurë të çmuar të llojllojshëm, të cilët tashmë shtriheshin të shpërndara, rrëmujë mbi dyshemenë, sikur të mbushur me rërë e zhavorr.

Nga të gjithë të afërmit e tij, nga të gjithë luftëtarët e tij, tanimë nuk ishte as edhe një i pranishëm te  Pashai. Të gjithë besnikët  kishin rënë në fushën e betejës, duke luftuar me të ose  kundër tij. Nga shtatëdhjetë luftëtarët e tij të fundit,  që ishin strehuar në Kullën e Kuqe gjashtëdhjetë e katër e kishin braktisur atë. Hurshid pashai u  kishte premtuar një falje të gjithë “tradhtarëve” të Perandorisë. Vetëm gjashtë prej tyre kishin mbetur  me Aliun. Edhe pse kishin mbetur vetëm gjashtë Aliu edhe atyre u kishte thënë të largoheshin dhe ta shfrytëzonin faljen e Sulltanit të Stambollit.

Gashtë besnikët e tij ishin tubuar dhe kishin marrë qëndrim për të mos e lënë vetë Ali Pashë Tepelenën. Ai i kishte shikuar të gjithë, një nga një dhe  secilin mes përmes. Mund të lexonte në fytyrat e tyre atë që ata donin. Shihte pamjen e tyre të hutuar dhe sytë e tyre të pasigurt. Ai nuk priti që ata të flisnin.

– Shkoni, shko edhe ti, i tha të fundit.  Shkoni  atje ku të tjerët kanë shkuar. Jeta është e ëmbël, të jetoni  gjatë dhe me  fat të mirë. Unë do të mbetem këtu. Ali Pashë Tepelena  do të vdesë i vetëm.

Duke psherëtirë thellë, ushtarët u larguan. Ata nuk guxonin të ngrehnin sytë për të parë fytyrën e veteranit me flokë të thinjur. Pa zhurmë dhe  pa asnjë fjalë, duke ecur në majat e gishtërinjve të tyre, pesë prej tyre u tërhoqën. Por i gjashti kishte mbetur akoma në odën  e Aliut. Ai pas një kohe iu kishte drejtuar Pashait.

–  O zotëria im, hidhni poshtë krenarinë nga zemra juaj, mos e leni që emri juaj të humbasë namin! Sulltani është i mëshirshëm, përkuleni kokën para tij dhe ai do të iu falë!

Sapo ushtari kishte shprehur fjalën e fundit për dorëzim  Ali Pasha lehtas  kishte tërhequr  pistoletën nga brezin e tij dhe e kishte goditur mu në kokë. Ai ishte rrotulluar disa herë, por kishte  mbetur i vdekur në pragun e derës.

Ky ishte i gjithë shpërblimi që mori për këshillat e mira e të buta që ia kishte dhënë  Aliut, duke e këshilluar  që ai t’ i drejtohej Sulltanit për mëshirë.

Dhe vetëm atëherë Aliu  kishte mbetur fill i vetëm. Dyert e tij, portat e tij qëndronin të hapura. Kushdo që do të kishte dashur ose që do t’ i kishte pëlqyer,  mund të hynte e të dilte  brenda e jashtë. Pse, atëherë, askush nuk kishte guxim të vinte  për të kapur veteranin vetmuar?.

Pse ata kanë aq shumë frikë ta kalojnë pragun e armikut të tyre, i mbetur krejtësisht vetëm?

Pas një kohe kishte dëgjuar një zë te  shkallët dhe përmes derës së hapur, ku dergjej kufoma e ushtarit të fundit, të cilin e  kishte vrarë Aliu, hyri një njeri i çuditshëm, i veshur me një uniformë të re  të pazakontë. Ai ishte silahdari i Hurshid Pashës.

Ali Pashë Tepelena e lejoi që  futet brenda  në pesë hapave largësi ku ai ishte ulur, dhe pastaj i bëri thirrje atij të ndalet.

– Fol, çfarë dëshiron? I kishte thënë atij.

– Ali  Pasha  kam ardhur të të them të dorëzohesh, sepse nuk të ka mbetur askush në botë që do  t’iu ndihmojë. Komandanti im Hurshid Pasha më ka dërguar të marr shpatën tënde dhe të shoqëroj në kampin e tij!.

Ali  Pashë Tepelena, krejt  gjakftohtë, sikur të ishte zgjuar  nga një ëndërr nxori nga  kaftani i tij një orë e mrekullueshme të arit me rrathë diamanti.

– Dëgjo pra, i  tha ai me një zë të ulët dhe të butë. Tani janë njëzet minuta pa kaluar ora në dhjetë. Merre  këtë orë dhe ta mbash atë si kujtim nga unë. Përshëndete  Hurshid Pashën nga unë, dhe i thoni atij se ishte njëzet minuta në dhjetë, koha  kur keni folur me mua, dhe le ta marrë vesh se nëse pasi të ketë kaluar ora  njëmbëdhjetë, nëse unë shoh nga frëngjitë e kullës sime qoftë edhe një ushtar të vetëm armik në oborrin e kalasë, atëherë, unë betohem në mëshirën e Allahut, se  do të godas fort me tërë fuqinë e shpërthimit nga brenda të  të gjithë asaj që ndodhet në këtë Pallat. Informoje Hurshid Pashën për këtë kur t’ia jepni përshëndetjen time.

Silahadari nxitoi jashtë, duke u lëshuar me të katërta, sepse nuk ishte i sigurt se mund të  arrinte deri në orën  njëmbëdhjetë, në mënyrë që t’i  shpëtonte ata që duhej të largoheshin  nga oborri i  kështjellës së Janinës. Për së gjalli Kështjella a Ali Pashë Tepelenës  tiranit të fuqishëm të  Epirit, nuk bie, pavarësisht se atje nuk ka mbetur askush  përveç zemrës së pamposhtur të Aliut.

Nata kishte filluar të zbriste mbi fortesën e Janinës, por gjumi nuk zbriste në sytë e Aliut.

Ai ishte ulur në Kullën e Kuqe, ku kishte vrarë kundërshtarët  në atë kullë, ku sa e sa viktima të  tij kishin dhënë jetët e tyre me psherëtimat e  torturave të fundit të tyre, në atë kullë  rreth e rreth me  thesare të shkëlqyera që shikonin Aliun sikur me sytë e zjarrit që shkëlqen. Aty ku ishin  grumbulluar  të gjitha çmimet e plaçkitjes, mashtrimit, të tradhtisë. Çka do të ndodhte nëse këto gjëra do të  mund të flasin?

Çdo gjë tani ishte e heshtur.  Nata sterrë  e zezë po përhapej përpara syve të njerëzve dhe po hetonin sikur  hijet lëviznin përreth si fantazma të zbehta, fantazma me fytyra të përgjakshme, të cilat dukej sikur ishin  ngritur  nga varri për të parë  persekutuesin e tyre dhe për t ia kumtuar  orën e vdekjes.

Aliu nuk u drodh para atyre fantazmave. Ai i kishte parë ato  edhe në raste të tjera. Ai  kishte fjetur ballë për ballë me kokat e tyre të  prera, por i dukej se kishte dëgjuar fjalët enigmatike të xhindit të Seleukit, që iu kishte kthyer përsëri në mendje. Qetësisht, ai dukej përsëri se po jetonte  të tashmen e jetës së tij të kaluar, nga e cila u krijuan dhe shikuan shumë forma të tmerrshme me sy të ftohtë si gurë. Nuk kishte pse dyshonte, All-llahu kishte urdhëruar të bëhej ashtu dhe ishte bërë. Lepuri gërmon rrënjën, dhelpra gllabëron lepurin, gjahtari gjuan prenë, luani gjuan gjahtarin, por edhe një krimb nga brenda,  e ha Luanin. Çfarë, ka mbetur nga Ali Pasha  në fund të fundit? Asgjë, për veç një krimb më i madh se pjesa tjetër. Ai ka ngrënë shumë, dhe tani një më i  fortë se ai, e gllabëron një krimb ende më i madh e më i fortë.

Çdo gjë u përmbush ashtu sikur që ishte profetizuar. Bijtë e tij, gruaja e vet, nipat dhe krejt krahët e tij kishin luftuar kundër tij. Nëse vetëm gruaja e tij nuk e kishte bërë këtë, ai mund ta kishte  mbajtur  pjesën tjetër.

“Një, ose dy vjet më parë, i kishte thënë zëri në Shpellë  dhe dy vitet ishin duke kaluar. “Dora, e cila fshin veprat e të fuqishmëve do të zhduket  gjithashtu nga veprat e tua dhe ti nuk do të jesh një hero i admiruar nga bota, por një skllav që për një kohë do të mallkojnë. Ti do të bekosh orën e vdekjes sate, madje dhe armiqtë e tu do të qajnë, dhe Perëndia do të urdhërojë për ta shmangur shkatërrimin e  kombit tënd”.

Pra,  kështu është, kështu  është bërë tashmë. Vdekja ka shkuar kundër atij, dhe nga ai nuk ka mbetur asgjë. Nëse vetëm gruaja e tij të  mos e  kishte tradhtuar atë!

Edhe në raste të tjera, Aliu i kishte parë këto fantazmat e natës. Ai i  kishte parë ato të ngriheshin të zbehta nga varri, të  zbehtë dhe të përgjakshme, por në zemrën e tij gjithmonë kishte qenë në  një strehë të ëmbël, vajza e re simpatike me fytyrën, sikur të fëmijëve me sytë sikur të   engjëjve, që e kishin plaçkitur me magjinë dhe fuqinë e  të gjitha gjërave.

Ali Pashë Tepelena kujtonte kohën kur ajo e mbulonte kokën e saj  nën mjekrën  e gjatë, të thinjur  e shumë të  dendur të Aliut, me flokët e saj të bukura, si në hijen e Parajsës. Ato kujtime torturuese e kishin ndjekur pas. Përse  duhej ta kishte  humbur? Ajo ishte e para femër që e kishte dashur, por fati bëri që në kohën e fundit e kishte lënë edhe ajo.  Edhe tani, në çastet e fundit të jetës,  mendimet e tij ishin kthyer tek ajo. Drita e zbehtë e asaj fytyre, e sjellë në kujtesë ia kishte  lehtësuar shpirtin e tij të vetmuar, të errët, i cili ishte i vetëm dhe i shkretuar sikur ishte edhe nata jashtë.

Por ja! Dukej sikur nata kishte filluar të bëhej më e ndritshme. Njëlloj drite rrëshqet përgjatë mureve dhe një shkëlqim  sikur i diellit,  ishte përhapur papritur përmes derës së hapur të dhomës. Pashai kishte  shikuar me habi  në atë drejtim. Kush mund të ishte  vizitori i tij në atë orë? Kush po shkonte për t’ ia  përzënë fantazmat dhe errësirën nga dhoma dhe nga zemra e tij?

Një trajtë e  zbehtë e figurës së  një femre, me një buzëqeshje dhe lot  në fytyrën e saj, ishte shfaqur  para tij. Kishte shkuar drejtë deri në vendin ku rrinte ulur në tokë Ali Pashë Tepelena. Ajo vendos pishtarin e saj në një varëse hekuri te  muri dhe qëndron para Pashait.

Aliu e kishte  shikuar me trishtim. Ai mendonte se tërë kjo nuk ishte tjetër vetëm një ëndërr, vetëm një nga ato shfaqje të krijuara në një  mendje e tmerruar, si ata që ecën pranë tij pa kokë dhe të përgjakur. Ishte Emineja, emri i së cilës e kishte frymëzuar si  furtuna shkatërruese kundër despotëve më të fuqishëm.

Ali Tepelena  nuk u besonte syve  as zemrës së  tij kur e pa atë në dhomë, para tij. Vajza e mori plakun nga dora dhe i thirri emri i tij, madje edhe tani Pashai  besonte  se ngrohtësia e asaj dore dhe ëmbëlsia e atij zëri ishin vetëm një pjesë e një ëndrre.

– Pse erdhe këtu?- e pyeti ai me një zë si pëshpëritje, apo ndoshta nuk e kishte pyetur fare  por vetëm ëndërroi që e kishte pyetur.

Megjithatë, vajza e hijshme, e bukur dhe me vështrim të  fëmijës së pafajshëm ishte ulur aty pranë këmbëve të tij. Herë të tjera, ajo kishte ngritur  kokën e tij të thinjur mbi gjoksin e saj dhe ia  kishte mbuluar  fytyrën si me një ombrellë me flokët e saj të gjatë sikur në kohët e lumtura që tashmë  ishin zhdukur.

Oh, sa e ëmbël do të ishte jeta po të kishte të jetonte akoma!

– Oh, Ali Pasha,  largoje  dorën e vdekjes nga dora jote dhe kape dorën time që po ta zgjas. Shiheni sa e ngrohtë është. O Ali Tepelena  ngrihu nga mesi i  këtyre fuçive të barutit, dhe më mirë hedh kokën tënde mbi gjoksin tim dhe dëgjo  si rreh! O Ali Pasha kërko mëshirë nga Sulltan! Shiko sa e bukur është jeta!

Vetëm kur dëgjoi ato  fjalë Aliu erdh në vete. Armiqtë e tij kishin kërkuar nga kjo grua, e vetmja qenie që ai e donte dhe e kishin  dërguar  tek ai me qëllim për ta zbutur zemërimin e shpirtit të tij dhe për ta zbutur zemrën e tij me përkëdheljet e saj. Oh, sa mirë e kishin kuptuar ata  zemrën e tij!

– Kurshid Pasha është betuar se do të marrë vendimin e Sulltanit për të falë ty i tha  Emineja, me një ton bindës. Ai shkroi një letër dhe i shtypi sipër vulën e tij ku thuhet, se  ti kurrë nuk do të vdesësh  nën duart e xhelatit,  që vdekja jote të mos jetë e dhunshme, përveç nëse ai bie  në fushën e betejës. Ja, këtu është letra!

Nëse në atë moment Aliu do ta kishte dëgjuar zemrën, ai do ta kishte zgjatur dorën e nënshtrimit pa ndonjë letër amnistie, por në vend të kurorës së shpëtimit, krenaria e tij  vendos më lart se zemra dhe e kishte  refuzuar ofertën.

– Allahu mund ta përulë Aliun, por Aliu nuk do ta përulë kurrë veten e tij.

– Atëherë ti a nuk do të jetosh më me  mua? – pyeti Emineja duke e ngulur vështrimin saj mbi fytyrën e Pashait. Aliu kishte tundur kokën në heshtje.

– Atëherë pra  unë do të vdes këtu, bashkë me ty! Kishte  bërtitur vajza, me një zë  të vendosur.  Pashai  e shikonte atë me habi.

– Betohem, bërtiti Emineja dhe vazhdoi: Unë ose do të kthehem me ty ose do të vdes këtu me ty! A e dëgjon atë zhurmë? Ata janë duke i përplasur armët  nga jashtë. Në këtë moment çdo dalje është e mbyllur, kështu që  edhe nëse doja të ikja nga kjo dhomë, dalje nuk ka më  Këto dyer mund të hapen sërish vetëm me një fjalë të  Aliut dhe ata do të hapen edhe një herë. Ose do të shkosh me mua nga këtu, ose unë do të mbetem këtu ty.

Aliu e afroi  vajzën në gjirin e tij. Ajo u ngjit atje si një lule e zgjedhur. Ai e puthi me buzët e tij në ballin e saj të  zbehtë që e kishte  mbuluar me fustanin e saj të  mëndafshit dhe i kishte pëshpëriti me  një zë të  zhurmshëm:

-Le të bëhet kështu pra: Këtu do të vdesim së bashku!

Herët në mëngjes, një buçimë e  trumbetave u zgjoi nga gjumi Pashanë e Janinës. Ai ishte i zoti  kullës së fundit të Janinës. Zëri i Hurshid Pashës ishte duke qëndruar poshtë dritareve të rrumbullakëta dhe duke kumtuar me një zë të lartë mesazhi e përgjithshëm drejtuar Ali Pashës. Ai e thirri Aliun të  dorëzohet vullnetarisht në forcën e sigurimit duke i konfirmuar betim që i kishte dhënë gruas së pashait

Ali Pashë Tepelena ishte  shfaqur  në dritare me Eminenë  që ishte mbështetur në gjirin e tij.

– Kthehuni  mbrapa  dhe i thoni atij që u ka dërguar se  Aliu dhe gruaja e tij kanë vendosur të vdesin së bashku, këtu. Në çastin kur vetëm një ushtar i armatosur hyn në oborrin e kësaj kështjelle menjëherë do ta hedh në erë, tërë kullën .

Pas një gjysmë ore lajmëtari u kthye dhe përsëri i  thirri Aliut që rrinte  te frëngjia.

– Hurshid Pasha ju dërgon këtë mesazh, Nëse doni të dorëzoheni, është mirë dhe nëse nuk dorëzoheni, është mirë gjithashtu. Ju keni vetëm një gjysmë ore ku mund të zgjidhni midis jetës dhe vdekjes. Pas kësaj mund të bësh, çka të dëshirosh, hidhe pishtarin tënd mbi fuqitë e barutit dhe ngrite kështjellën në ajër. Sa i përket Hurshid Pashës ai nuk shqetësohet aspak. Ndërsa ti dhe thesaret tua do të ngriheni në ajër, dhe kur ata të bien sërish në tokë,   do të jetë më  lehtë për t’i marrë ato. Megjithatë, nëse vonon zgjidhja jote përtej gjysmë ore, atëherë Hurshid Pasha vetë do të të ndihmojë në këtë çështje dhe do të hedhë  në erë kulmin  tënde nëse ti nuk do ta hedhës veten tënde në erë. Bëni ashtu si doni, dhe ngriheni  flamurin e bardhë ose të kuq siç të duket më mirë për ty, sepse për një gjysmë ore Kalaja e Janinës nuk do të shihet  më.

Aliu dëgjoi solemnisht  ultimatumin e fundit, dhe e la të dërguarin pa përgjigje.

Emineja  ishte  shtrirë  në një qoshe  divanit dhe gjithë shtati i  dridhej. Ali ishte ngritur në dhomën  e Gjatë dhe kishte ecur  me hapat e gjata, por hapat e tij u bënë gjithnjë e  shumë më të pasigurt. Vetëm kjo grua po të mos ishte këtu! Nëse vetëm ajo  mund të shpëtonte duke mund të kursente  gjysmë ore vendim,  për atë që ai donte  të bënte! Megjithatë, minutë pas minute koha kaloi  dhe ende Ali  Tepelena nuk mund ta ndante mendjen.

Dy herë  e kishte kapur me dorë  pishtarin e ndezur për ta bërë vendin hi e pluhur, por në çdo rast syri i tij kishte rënë mbi gruan që rrinte  shtrirë në Divan, e cila po dridhej duke e parë me sytë e saj vdekjen nga dora e tij. Jo, jo, ai ishte më i aftë sesa për të bërë atë vepër të tmerrshme. Dhe tani erdhi ora. Koha kishte kaluar. Ali ndjeu një presion të fortë  rreth zemrës së tij. A do ta kryente kërcënimin e tij të tmerrshëm Hurshid Pasha?

Në atë çast diçka doli jashtë kështjellës, dhe  një moment më vonë një plumb çeliku i kuq i nxehtë kishte shpërthyer  përmes kulmit të metalit dhe kishte rënë në  shtratin masiv i kullës me një përplasje të dhunshme. Rënia e rëndë e plumbit në dyshemenë prej mermeri, lëvizi  prej andej, dhe duke kaluar mes fuqive të barutit,  duke përshkruar një gjysmërreth të gjerë, kishte goditur murin e kundërt, në të cilën kishte bërë një vrimë të thellë, nga e cila po përhapej një  shkëlqim i verdhë në të  kuqe, duke detyruar të  ndizej nga lagështia e azotit të mureve.

Aliu tanimë ishte i bindur se armiku ishte mjaft afër  për ta mbajtur premtimin e tij.

Gruaja e frikësuar, e çmendur nga frika e  hodhi veten në këmbët e tij dhe rrëmbeu velin e bardhë nga koka e saj, të cilin ia kishte dhënë në dorë Pashait. Ali Tepelena kishte kapur shpejt vellon, e kishte varur atë në pikën e lartë dhe e kishte   ngritur  atë nga dritarja e rrumbullakët.

Jashtë kullës, forcat në rrethim kishin filluar brohoritjen e fitores.

Emineja i kishte  puthur duart Aliut dhe ishte  ulën te këmbët e tij. Ali Tepelena i kishte dhënë asaj më shumë se gjithçka në jetë. Për hir të saj ai e kishte përulur krenarinë e tij dhe nuk ishte bërë pluhur e hi.  Ai  mund të kishte vdekur, ashtu sikur kishte jetuar!

– Shko tani,  i tha gruas me një psherëtimë; Shko dhe u thuaj  armiqve të mi që ata të mund të vijnë e të më marrin mua. Unë tani jam në duar të tyre.

 

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …