leoni

Jorgo Bulo: Akademiku, Rexhep Qosja korife i shkencës, që mbrojti kulturën tonë nga gjenocidi serb

Kur marr sot në dorë kompletin e veprës së akademikut Rexhep Qosja, mendimi më çon në kohën e shkuar, kur dyzet e ca vjet më parë, ai, atëherë i ri, vinte në Tiranë me një libër të vogël me kritika, por me një synim ambicioz për të mbledhur lëndën për tezën e doktoratës për Asdrenin. 
Nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra: Kosova është bërë e lirë dhe e pavarur, Rexhep Qosja është bërë me veprën e tij një nga simbolet e përpjekjes për të ndërtuar, bashkë me Kosovën e lirë, dhe kulturën e saj. Brezit të tij i takoi fati dhe përgjegjësia të ishte pjesë e atij procesi historik që sendërtoi një ëndërr shekullore, ëndrrën e lirisë dhe sot atij i takon e drejta e ligjshme për t’u vlerësuar. Ky botim në 29 vëllime i veprës së tij të jetës është shprehja e këtij vlerësimi dhe njëherësh merita e Qeverisë së Kosovës që financoi botimin dhe e Institutit Albanologjik që e përgatiti, institucioni ku Rexhep Qosja ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij shkencore dhe ka bërë shumë për t’i dhënë vendin e merituar në radhën e institucioneve prestigjioze të shkencës albanologjike shqiptare. 
Me veprën që promovohet sot, Rexhep Qosja dëshmohet si një personalitet i shquar, si njëri prej protagonistëve të realitetit të sotëm historik e kulturor shqiptar, figurë poliedrike e shkencëtarit, prozatorit, dramaturgut dhe kritikut letrar, eseistit dhe publicistit, mendimtarit dhe pedagogut, intelektualit atdhetar dhe qytetar, që e ka lidhur jetën dhe krijimtarinë e tij me fatet e vendit dhe të kombit të tij, të kombit tonë një dhe të pandarë. 
Vepra e shumanshme e Rexhep Qoses e botuar me një përkujdesje e akribi shkencore nga Instituti Albanologjik, është një pasqyrë e kontributit të tij për zhvillimin e shkencës, të arsimit dhe letërsisë shqipe në Kosovë. Ajo ka luajtur një rol themelor në proceset e emancipimit dhe të ngritjes së ndërgjegjes atdhetare, qytetare e morale të popullit të vet, e afirmimit të aspiratave të tij, për rritjen e prestigjit të shkencës dhe të kulturës kombëtare të shqiptarëve në mbarë botën shqiptare dhe përtej saj. 
Vepra shkencore dhe letrare e Qoses është shprehje e ndërgjegjes intelektuale të epokës kur për këtë popull proceset e njësisë dhe të lirisë, të zhvillimit mendor e shpirtëror, janë pjesë dhe kusht i qenies sonë dhe i ardhmërisë sonë, në vorbullat e kohëve të trazuara që kemi kaluar e kalojmë, ende të kërcënuar prej rreziqesh që vijnë nga anë të ndryshme, por jo rrallë edhe prej vetvetes. Në këtë mes Rexhep Qosja, me veprën e tij voluminoze ka kryer rolin e një institucioni. 
Në krye të këtij botimi jo rastësisht qëndrojnë veprat shkencore historiko – letrare, pikërisht sepse në gamën e gjerë të veprimtarisë intelektuale të Rexhep Qoses vendin e parë e zë shkenca, studimet në fushën e historisë së letërsisë sonë, një nga monumentet e mëdha të kulturës shpirtërore të kombit, dëshmi e identitetit të tij, por dhe “dëshmi e dinjitetit sovran” të kulturës shqiptare, siç e quan ai. 
Letërsia jonë kombëtare, në prerjen e saj diakronike dhe sinkronike, në trollin mëmë të Shqipërisë gjuhësore dhe në diasporë, problemet dhe proceset korente të jetës letrare, kulturore dhe intelektuale të shqiptarëve, të zhvillimit të gjuhës shqipe dhe të rolit të shkrimtarit në këtë mes, albanologjia dhe në mënyrë të veçantë degët më të reja të saj, historiografia letrare, aspektet teorike dhe problemet metodologjike të zhvillimit të saj, historia e letërsisë shqipe si proces risimi, jo thjesht të përmbajtjes, por dhe të stileve e të arsenalit artistik janë objekt trajtimi në 10 vëllimet e para të korpusit madhor të veprës së Rexhep Qoses. 
Në kushtet e një politike të egër shoviniste dhe të një gjenocidi kulturor të programuar që ushtrohej ndaj shqiptarëve në perandorinë tashmë të shpërbërë jugosllave, puna e albanologut, e sidomos e historianit të kulturës shqiptare, nuk ishte dhe nuk është thjesht një profesion, por një mision, për të mbrojtur e afirmuar vlerat identitare të kombit. Siç tregon vepra që kemi në dorë, Rexhep Qosja, si shumë intelektualë të tjerë të brezit të vet, iu kushtua këtij misioni. Ai midis të tjerash i hyri projektit për një histori të letërsisë kombëtare, duke shkrirë në studimet e tij talentin e rrallë, erudicionin dhe pasionin shkencor, duke i dhënë jetë një biblioteke të tërë veprash shkencore historiko – letrare, si “Historia e letërsisë shqipe” (Romantizmi) në tre vëllime, monografia “Porosia e madhe” për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, monografia “Asdreni – jeta dhe vepra e tij”, monografitë “Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne”, “Tri mënyra të shkrimit shqip”, “Semantika e ndryshimeve letrare” e të tjera. Me këto vepra ai sjell një kontribut themelor për institucionalizimin e historiografisë letrare si disiplinë e mirëfilltë e pavarur shkencore, për konstituimin e shkollës shqiptare historiko – letrare, duke e nxjerrë atë nga qarku empirik deskriptiv, në horizontin e përgjithësimeve jo vetëm të kontekstit historik, por dhe të kontekstit të proceseve të brendshme të karakterit estetik. Ai ka parapëlqyer ta shohë veprën artistike “si një tërësi, si një totalitet të strukturuar sipas ligjeve të veta specifike” duke hetuar njëkohësisht edhe lidhjet e ndryshme që ka me strukturat jashtëletrare. Me këtë ndryshim si të thuash në teknologjinë e studimit, ai ka sjellë një ndryshim substancial metodologjik, duke e orientuar hulumtimin shkencor në shtratin e natyrshëm që buron prej vetë natyrës së objektit. Në këtë vështrim ai është një reformator i kërkimit shkencor në këtë fushë. Kjo qasje fiton një vlerë e rëndësi të veçantë në kushtet e eklektizmit metodologjik që mundon sot e kësaj dite historiografinë e kritikën letrare. 
Profili i Rexhep Qoses si krijues bashkon në një shkencëtarin dhe artistin, shkrimtarin që me veprën e tij letrare, spikat si një zë i veçantë në zhvillimet e letërsisë shqipe, me ndikim të veçantë në proceset e zhvillimit të letërsisë shqipe në Kosovë e në Shqipëri, të emancipimit të saj prej trysnisë që bënin mbi të faktorët jashtëletrarë politikë e ideologjikë. Mjafton të kujtojmë këtu pritjen, ndikimin dhe jehonën që pati botimi i romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë” më 1974, si dhe romanet e botuar vitet e fundit. Zbulimi i të vërtetës së jetës së njeriut, konflikti i individit me institucionet morale, politike dhe forcat që veprojnë jashtë tij, por dhe brenda tij, dramat e individit dhe të kombit, filozofia jo rrjedha e ngjarjeve, që sjell vetvetiu dhe risinë e një ligjërimi artistik të çliruar prej narracionit tradicional, janë disa nga vlerat e një vepre të krijuar me vetëdijen e një ndryshimi në sistemin letrar tradicional. Në qoftë se romani i parë me përmbajtjen e tij etiko-filozofike dhe dramat e përfshira në vëllimin me titull “Mite të zhveshura” me aktualizimin e simbolikës dhe të mitologjisë kombëtare, por dhe me demistifikimin e saj, i sjellin letërsisë shqipe jo vetëm një mesazh tronditës e human nga kalvari i jetës shqiptare në këto troje, por dhe një përmasë universale, me romanet e fundit “Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë” dhe “Bijtë e askujt”, siç ka vënë në dukje në mënyrë analitike në parathënien e veprës Dr. Hysen Matoshi, me “simbiozën letraro – shkencore”, me një aktualizim të problematikës morale – etike të shoqërisë së sotme shqiptare, Rexhep Qosja rikonfiguron relievin tipologjik të romanit shqiptar; duke “paraqitur situatën në personazh dhe jo personazhin në situatë” i sjell ligjërimit një pah lirik dhe e pasuron prozën tonë të gjatë në një model të paimitueshëm. 
Përmasa e vërtetë e personalitetit të Rexhep Qoses nuk mund të kuptohet pa angazhimin e tij për çështjen kombëtare. Studimet, artikujt dhe polemikat e tij kushtuar problemit kombëtar dhe pozitës së shqiptarëve në Jugosllavinë e djeshme, me argumente historike, politike e kulturore e kanë trajtuar zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve si një të drejtë legjitime dhe si një synim historik ende të parealizuar. Koherent në bindjen e vet se rruga drejt lirisë dhe njësisë kombëtare kalon përmes aksionit të vetëdijshëm kombëtar, me shkrimet dhe studimet e veta të përmbledhura në librat “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Paqja e përgjakshme”, “Tronditja e shekullit”, “Strategjia e bashkimit kombëtar” dhe të tjera, pjesë integrante e veprës së tij shumëvëllimëshe, Rexhep Qosja e shtron problemin edhe në perspektivë historike, duke përvijuar një program për zgjidhjen e tij, dhe duke përcjellë një mesazh historik. Ky mesazh që përshkon tejendanë këtë pjesë të veprës së Qoses, i ka dhënë lexuesit kohën të provojë se mendësia e nënshtrimit dhe e pritjes pafund mund të çojë në zhburrërimin e substancës njerëzore kombëtare, dhe ka ndihmuar të ndërgjegjësohet jo vetëm faktori kombëtar, por edhe faktori ndërkombëtar, për drejtësinë e aksionit çlirimtar të një populli që kërkon të jetojë i lirë në trollin e vet. 
Është e pamundur që brenda një kohe, kuptohet të kufizuar, të paraqesësh gjithçka mund të thuhet për një vepër si kjo e prof. Qoses, e gjerë, e pasur dhe e shumanshme. Por, ka dy gjëra që nuk mund të mos thuhen: E para se kjo vepër është rezultat i një përkushtimi e mundi mbinjerëzor, i një disipline pune e organizimi të admirueshëm të kohës dhe produkt i një mendimi të pavarur dhe i një shpirti antikonformist, vepër e një krijuesi ndërgjegjja morale e të cilit nuk mund të pranojë asnjë kompromis e diktat që i bën dhunë të vërtetës dhe vë në pikëpyetje objektivitetin, nderin dhe ndershmërinë shkencore, me çdo çmim qoftë kjo. 
Dhe e dyta: Nuk mund të anashkaloj një tipar të çmuar të veprës së tij: kujdesin për gjuhën, kujdes që buron nga bindja se gjuha është pasuria më e madhe e kombit dhe shprehja e qenies së tij. Një burrë i madh i këtyre anëve At Shtjefën Gjeçovi pat thënë: “Sa të kesh gjuhën ke me kenë edhe ti vetë”. Me këtë lidhet jo vetëm puna që bën Rexhep Qosja me gjuhën në veprat e tij, me stilin dhe kulturën e të shkruarit, por dhe përkushtimi ndaj çështjeve të zhvillimit të gjuhës letrare të njësuar e të kulturës së gjuhës, shqipes standarde, pasqyrë e kulturës moderne të një kombi të qytetëruar. Vepra e akademikut Qosja është pjesë e çmuar e pasurisë dhe e identitetit tonë shkencor e kulturor kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …