Ka ndërruar jetë Zymë Mazrekaj, një heroinë, nëna e dy Dëshmorëve të Kombit, Tahir dhe Agim Mazrekaj

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Nënës Zymë, një heroinë e heshtur, një grua zemërbardhë dhe një nënë e madhe e kombit.

Nëna Zymë ishte nëna e dy Dëshmorëve të Kombit, Tahir dhe Agim Mazrekaj, por mbi të gjitha ishte simbol i sakrificës, dinjitetit dhe dashurisë së pakufishme për atdheun. Ajo jetoi me plagën më të rëndë që mund të mbajë një nënë, por kurrë nuk u përkul. Çdo përvjetor rënieje e çdo datëlindje e bijve të saj ishte për të ditë nderimi, jo vetëm për fëmijët e saj, por për lirinë që u pagua me gjak.

Me duart e një nëne dhe me shpirtin e një heroinë, ajo vendoste lule në çdo përvjetor, ndërronte flamurin sa herë që i dukej se i ishte venitur ngjyra, sepse donte që ai të mbetej gjithmonë i kuq, i freskët, me ngjyrën e gjakut të bijve dhe bijave që ranë për liri. Flamuri për të nuk ishte thjesht simbol, ishte amanet.

Nëna Zymë, fali vetëm dashuri, fisnikëri dhe përulësi. Ishte një gjyshe e pashoqe, një nënë që e shndërroi dhimbjen në krenari dhe në dritë për brezat që vijnë.

Të qoftë i lehtë dheu i tokës arbërore, Nënë Zyme.
Lavdia e bijve të tu dhe sakrifica jote do të jetojnë përjetësisht në kujtesën kombëtare.
Lavdi në përjetësi!

Familje e nderuar Mazrekaj: në këto çaste zie, i gjithë stafi i Radios Kosova e Lirë dhe Televizionit Dielli, ju shprehin ngushëllimet më të sinqerta, duke ndarë me ju dhimbjen për Nanën Zymë, një grua të madhe, e cila me qëndrimin, dinjitetin dhe përkushtimin e saj la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kombëtare.

U prehtë në paqe shpirti i saj fisnik.
Qoftë i lehtë dheu i tokës arbërore.

Me nderime
Stafi i Radios Kosova e Lirë dhe TV Dielli

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Muharremi: Fantazia në skenë “Liza në Botën e Çudirave” nga studentët e Parashkollorit

Ilir Muharremi: Fantazia në skenë “Liza në Botën e Çudirave” nga studentët e Parashkollorit

Më 12 janar 2026, në Amfiteatrin e Madh të Universitetit “Ukshin Hoti”,  në Prizren studentët …