Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka paralajmëruar pasoja serioze ligjore për shkak të dështimit të njëpasnjëshëm për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që ka shënuar tashmë dështimin e 44-të me radhë. Kryeziu tha se tejkalimi i afateve kushtetuese e fut vendin në gjendje absurde dhe të jashtëzakonshme. “48 orët e përcaktuara vlejnë vetëm për dy përpjekje. Pas kësaj, situata kalon në paligjshmëri,” u shpreh ai. Ai zbuloi se ka komunikuar me deputetë nga të gjitha partitë, nga të cilët disa e justifikuan bllokadën me qëndrime “për inat”, ndërsa të tjerë nuk dinin të jepnin një afat zgjidhjeje. Sipas tij, pas skadimit të afatit 30-ditor, deputetët rrezikojnë humbje mandati dhe ndjekje penale, pasi kanë dhënë betim dhe e kanë shkelur. Ai shtoi se kjo përbën mungesë të kapacitetit përfaqësues dhe juridik të tyre. Kryeziu kujtoi gjithashtu se, sipas ligjeve në fuqi, subjektet politike që pengojnë krijimin e Kuvendit mund të ndëshkohen deri në 6 vjet.
