Kadri Rexha: EPOKA E JENIÇERËVE BRENDA NJË ROMANI

(Ahmet Qeriqi: “Koha e jeniçerëve”, roman historik, botoi RKL, 2009)
Ditë më parë seksioni botues i Radios “ Kosova e Lirë” lëshoi në qarkullim romanin historik, “Koha e jeniçerëve” të autorit Ahmet Qeriqi. Ky roman, me temën, me idenë dhe me realizimin e mirë artistik, radhitet në mesin e krijimeve më të mira të prozës shqipe të botuara viteve të fundit, ndërsa shkrimtarin, Ahmet Qeriqi e vë në spikamë duke e bërë edhe më të dashur për opinionin lexues. Natyrë meditative, këmbëngulës në realizimin e idealit, mjeshtër në artikulimin e mendimit, Ahmet Qeriqi, me shkrimet e tij letrare dhe publicistike, i takon rrethit të veçantë të krijuesve, të cilët, duke gjurmuar traditën autoktone shqiptare, mbi vete kanë marrë përgjegjësinë historike për ndriçimin e të kaluarës sonë, të mendimit, të veprimit dhe të identitetit kombëtar me qëllim fisnik për të nxjerrë në dritë të vërtetën shkencore mbi “të vërtetën” tjetër të “shkencës” serbe të ndërtuar për kombin tonë me falsifikime dhe gënjeshtra shekullore. I pranishëm në letrat shqipe tashti e dyzet vjet rresht, mbledhës i folklorit, njohës dhe studiues i traditës shqiptare, shkrimtar dhe publicist militant, këtë radhë, Ahmet Qeriqi shfaqet me romanin “Koha e jeniçerëve”, i cili me dinjitet po merr udhë drejt botës së lexuesve, duke u bërë kështu pronë e mbarë kulturës sonë. 
Romani historik “Koha e jeniçerëve” është tablo artistike, në të cilën me kolorit autentik pasqyrohen ngjarjet e mëdha dhe komplekse të decenies së fundit të shekullit XVII si dhe ato të tri decenieve të para të shekullit XVIII, që lidhen me dyndjet e shqiptarëve drejt veriut, me procesin e konvertimit të shqiptarëve të fesë krishtere në fenë islame, me ngjarjet e “kohës së ngritjes së fuqisë mobilizuese luftarake të jeniçerëve shqiptarë në formacionet e Perandorisë Osmane” deri në rebelimin e organizuar të tyre mu në zemrën e Perandorisë, në Stamboll, nën udhëheqjen e Halil Patronës, si dhe me jehonën e atij rebelimi anë e mbanë Shqipërisë Verilindore. Romani, pra, evokon kulmin e epokës katërqindvjeçare të jeniçerëve, në të cilën, sipas statistikave të kohës, herë-herë, shqiptarët përbënin një të tretën e të gjitha formacioneve të jeniçerëve të mbarë Perandorisë. 
Romani, mjeshtërisht na zbret në vjeshtën e vitit 1689, në ditët e shqetësuara dhe luftarake të popujve të pushtuar, të cilët, pas Luftës së humbur të Kosovës, treqind vjet më parë, po bënin edhe një përpjekje tjetër të përbashkët për çlirim nga Perandoria Osmane. Kryengritjes së aleancës antiosmane kësaj radhe i printe gjenerali austriak Pikolomini, ndërsa në mesin e popujve liridashës shquheshin shqiptarët e udhëhequr nga peshkopi dhe shkrimtari Pjetër Bogdani e prijës të tjerë. Pas luftimeve të përgjakshme në mes të të dyja palëve kundërshtare, në dhjetor të vitit 1689, forcat turke arrijnë ta pushtojnë Shkupin dhe Kaçanikun, ku vrasin të gjithë shqiptarët e zënë rob, dhe vetëm një vit e gjysmë më vonë, forcat perandorake të udhëhequra nga Veziri i Madh, Mustafë Qypërliu, shqiptar me origjinë, arritën ta ripushtojnë Beogradin dhe fushat e Panonisë. Pikërisht, në këtë kohë, në këtë periudhë të udhëkryqit historik të Shqipërisë Verilindore, fillon rrëfimi i gjatë, tragjik dhe pikëllues, i romanit “Koha e jeniçerëve”, i realizuar me shumë sukses nëpërmjet një stili mbresëlënës, të ngjashëm me artin e realizmit magjik të romaneve të letërsisë latino-amerikane. Në bazën e romanit “Koha e jeniçerëve” fokusohet jeta e gjithanshme e fshatarëve të Drenicës Juglindore dhe, në veçanti, ajo Malësisë së Malmirit. Është kjo një jetë e rëndë e një populli të pushtuar, por të panënshtruar, një jetë e vazhdueshme në luftë për ekzistencë, një përpjekje e jashtëzakonshme për ruajtjen e qenies, për ruajtjen e identitetit. Nëpërmjet një shprehje të përparuar artistike në roman janë dhënë ngjarje dhe skena tronditëse të shtresave të gjëra të popullit, që në saje të udhëheqësve të tyre fizikë dhe shpirtërorë arrijnë ta ruajnë drejtpeshimin përballë furtunave dhe stuhive të kohës të trajtuara konkretisht nëpërmjet sundimit të egër të pushtuesit turk si dhe nëpërmjet veprimtarisë perfide të misionarëve të kishës ortodokse serbe të shuguruar në manastirin e Deviçit, të Deçanit, etj. 
Kompozicioni i romanit “Koha e jeniçerëve” zhvillohet nëpërmjet personazheve historikë dhe atyre të imagjinuar, me të cilat autori ka arritur ta tipizojë një epokë të caktuar historike. Koha e jeniçerëve në Shqipërinë Verilindore, me këtë rast në Malësinë e Malmirit, është dhënë përmes Selim jeniçerit, një personazh i tregimeve të moçme të trevës së Drenicës, me një përputhje të theksuar me ato tregime lidhur me mizoritë e tij, por edhe me fundin e tij të errët. Ky personazh është realizuar në kohë dhe hapësirë në përkim me të dhënat relevante historike, por edhe me imagjinatë dhe mjete tjera shprehëse të rrëfimit. Edhe Hoxhë Brahimi është personazh i mbetur në mbamendje si Hoxhë janxhiku dhe në popull kujtohet si hoxha i parë i martirizuar asokohe në Drenicën Juglindore. Gjon Leku, figurë e imagjinatës, në roman mishëron përfaqësuesin tipik të prijësit popullor: është luftëtar i paepur, autoritet i respektuar, mendimtar i urtë, figurë qendrore e kuvendeve tradicionale në Malësinë e Malmirit, njeri i flijimit sublim për të mirën e popullit dhe të progresit historik. Uranie Qiriaqi, personazh me peshë në roman, po ashtu është figurë e ruajtur deri vonë në kujtesën e banorëve të Malmirit. Ajo është përfaqësuese e popullatës së shpërngulur dhe të vendosur në koloninë shqiptare në rrethinat e Nishit, e ikur nga vendi me qëllim të ruajtjes së fesë se krishtere, të ritit ordodoks, çifligare e suksesshme, por që ka një fund tragjik, ashtu siç e kanë të gjithë sivëllazërit e saj që për hirë të fesë humbën trojet e të parëve, gjuhën dhe përkatësinë kombëtare. 
Çështja e konvertimit dhe e dukurisë së laramanëve fetarë në roman zë një trajtim të posaçëm dhe të dokumentuar. Duke konstatuar me fakte se Malësia e Malmirit ka qenë “oaza e fundit e krishterë në Drenicë” autori edhe në këtë vepër letrare mbron mendimin e kahershëm “se konvertimi nga krishterimi në fenë islame nuk ishte kryer vetëm dhunshëm” ashtu siç e mbron edhe tezën se në shpërnguljen e viteve 1689-1690 nga trevat e Kosovës janë larguar shqiptarët e krishterë, në mesin e të cilëve edhe një pakicë e elementit serb, por jo në përmasat që pretendon historiografia serbe. Autori ka një meritë të madhe sepse përmes këtij romani lexuesit shqiptar ia sjell të freskët personalitetin e shquar me origjinë shqiptare, jeniçerin Halil Patrona, personalitet i njohur botërisht, por i anashkaluar dhe i harruar padrejtësisht nga historiografia shqiptare. 
Në roman nuk është trajtuar në mënyrë të veçantë niveli i vetëdijes kombëtare te shtresat e gjëra të Malësisë së Malmirit, por qëndresa e tyre për mbijetesë në truallin e të parëve, qoftë edhe me kushtin e konvertimit nga feja krishtere në fenë islame, flet shumë për një vetëdije të formuar, të paktën në aspektin tradicional dhe etnopsikologjik. 
Duke u pajtuar me konstatimin e Akademikut Rexhep Qosja se “romanet historike, zakonisht, shkruhen për t’u mbajtur mend historia, përvojat dhe vlerat e saj” me plot gojën mund të pohoj se Ahmet Qeriqi me romanin historik “Koha e jeniçerëve” i ka realizuar të tri idealet e theksuara, duke i skrirë ato në një vepër të përjetshme, qoftë si dokument jetësor, qoftë si krijim artistik letrar.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …