Kadri Rexha: Gavrill Dara i Riu, Poeti i Motit të Madh

Një ndër figurat më të shquara të letërsisë sonë të Rilindjes padyshim është edhe Gavrill Dara i Riu. I pajisur me një kulturë të gjerë klasike dhe me ndjenjat e forta të gjakut te të parëve, ai herët inkuadrohet në çështjet e kulturës shqiptare. Duke ndjekur me interesim të madh lëvizjen tonë kombëtare në vend dhe në arenën politike ndërkombëtare ai i bën thirrje popullit shqiptar për bashkim, pa dallim feje e krahine, e njëkohësisht fton shtetet e Ballkanit që në mbështetje të fqinjësisë të luftojnë pa kompromis armikun e përbashkët. Dara i Ri u mor edhe me mbledhjen e visarit popullor arbëresh, ndërsa të shkruar, pos tjerash, la një vepër me vlerë dhe rëndësi të veçantë.

   Poema “Kënga e sprasme e Balës”, kryevepra e Darës së Ri dhe njëra ndër kryeveprat e letërsisë sonë kombëtare, është frymëzuar nga idetë flakëruese të atdhedashurisë dhe është e mbështetur kryekëput në letërsinë popullore arbëreshe. E mbrujtur me ide të mëdha e të larta ajo ndez shpirtin dhe shton dashurinë ndaj atdheut e lirisë në zemrat e çdo lexuesi. Për subjekt ka luftërat e popullit tonë nën udhëheqjen e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Pra, poeti frymëzohet nga epoka më e lavdishme e popullit tonë, të cilën e quan “Moti i Madh”, sepse siç thotë ai “vetëm atëherë për të parën dhe, mjerisht, për të fundit herë gjithë bujarët, gjithë trimat e Arbërisë, burra e gra, pleq e të rinj, patën një zemër, duke dashur nderin dhe lirinë e vendit, ku lindën, dhe atë që deshi njëri, e deshën të gjithë”. E gjithë ngjarja e poemës del nga goja e bardit popullor arbëresh, Balës, që deri diku është vetë poeti romantik – Dara i Ri, i cili provoi të fshihet qëllimisht pas poezisë gojore dhe u përpoq ta manifestojë atë, ashtu siç bënë edhe disa poetë evropianë në atë kohë. Me mjeshtri prej këngëtari popullor, Bala e rrëfen tërë ngjarjen e poemës dhe në këtë mënyrë veprën e bën më interesante për lexuesit e të gjitha brezave. Duke e ndjerë rrëfimin e Balës në veten e parë, përmes gojës së tij, shembëllyeshëm me një burim të pastër lumi, herë të qetë e herë të rrëmbyeshëm, lexuesit i duket se vetë po e dëgjon dhe e ka pranë rrëfyesin e zjarrtë, i cili mjeshtërisht tregon për të bërat dhe namin e bijve të “Motit të Madh”.

      Poemën “Kënga e sprasme e Balës”, poeti e mbajti në dorë një kohë shumë të gjatë, duke e përpunuar dhe duke ia dhënë formën definitive, sa nuk qe në gjendje ta botojë sa ishte gjallë. Me bukuri të rrallë dhe mjeshtri prej poeti të talentuar, Dara i Ri, i gërshetoi në të elementet e letërsisë klasike, romantike dhe të asaj popullore, duke i shkrirë ato në një tërësi dhe duke dhënë një vepër plot gjak, jetë dhe natyrshmëri. Kësisoj, kjo vepër u shqua si njëra prej krijimeve më të përsosura, si në formë e përmbajtje, ashtu edhe sa u përket mjeteve artistike që i ngërthen në vete.

   Sikurse te poemat e mëdha epike, “Iliada”, “Odisea”, “Eneida”, etj. edhe në poemën “Kënga e sprasme e Balës” kemi një ngjarje kryesore, një veprim, të cilit i nënshtrohen ngjarje të reja e të gjëra episodike, të dhëna në funksion plotësimi. Pastaj, sipas parimeve të klasicizmit, poema ka heroin kryesor, Nik Petën, i cili, në mes të personazheve të tjerë, protagonistë e antagonistë, lufton për sendërtimin e idealeve të larta. Lufta dh përpjekjet e tij, të gërshetuara me aspiratat, luftën dhe fatin e një populli, shkojnë sipas etapave të caktuara: prologu – kulmi – epilogu. Kurse, të gjitha ndjenjat, pasionet dashuritë, ëndrrat, kobët, këngët kushtuar të dashurave, kthimi në të kaluarën e lavdishme të popullit, përshkrimi me delikatesë i natyrës në harmoni me emocionet e heronjve të veprës… që i ndeshim në këtë poemë, nuk janë asgjë tjetër, pos parime të letërsisë së romantizmit. Nga folklori i pastër arbëresh, të cilin e ndjente si pjesë të veten dhe të truallit, poeti thithi dhe futi në veprën e vet frymën dhe pothuaj të gjitha temat e lirikës dhe të epikës legjendare arbëreshe. Në rend të parë, motivi i poemës ka afri të madhe me atë të këngës popullore “Iku vasha mori mal”. Dy heronjtë kryesorë të poemës, Nik Peta dhe Pal Golemi, si me emër ashtu edhe me të gjitha karakteristikat tjera njerëzore, i ndeshim në këngët popullore arbëreshe. Pos strukturës së vargut, tetërrokëshit trokaik të pa rimuar, dhe mjeteve të tjera artistike, në këtë poemë kanë zënë vend edhe vargje të paprekura nga folklori arbëresh.

   “Kënga e sprasme e Balës” ka bukuri të mëdha artistike, vlera që hetohen sidomos në poezinë e mirëfilltë, e realizuar përmes përshkrimeve të ambientit, psikologjisë së heronjve kryesorë, të natyrës, e cila në vepër nuk shërben vetëm si dekor i jashtëm, por merr frymë bashkë me heronjtë e poemës. Një ndër meritat kryesore që i atribuohen të kësaj poeme, është edhe paraqitja e kompletuar artistikisht e figurës së Skënderbeut. Megjithëse është fytyrë episodike, në poemë Skënderbeu del i realizuar me gjithë madhështinë që mund të ketë një hero i vërtetë, i tillë siç nuk është arritur të realizohet shpesh në vepra të tëra, ku i është dhënë vendi kryesor.

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …